Nga Mero Baze, 4 Tetor 2012
Duket se disa gjëra që po ndodhin, e kanë trembur.
Së pari, ideja se mund të humbasë. Opozita e re, sidomos Aleanca KuqeZi dhe Fryma e Re Demokratike, ish të persekutuarit politikë, që janë në grevë urie, luhatjet e LSI, pakënaqësitë brenda koalicionit, dhe mbi të gjitha ideja se të gjitha bashkë atë mund ta mundin thellë, e kanë shtyrë deri aty sa të gjejë diçka fyese dhe provokuese për gjithkënd që i ka ikur nga radhët apo që po tenton t’i ikë. I quajti të gjithë fundërrina. Natyrisht e ka fjalën për Topin dhe Spahiun, që e kanë bërë aktin e tyre. E ka për gjithë të lëkundurit e vet, që mund t’u bashkohen atyre. E ka me ish- të persekutuarit në grevë urie, greva e të cilëve e bën të duket si Simon Stefani, por e ka dhe me LSI-në e Ilir Metës nëse ikën.
E ka menduar edhe si përkufizim, edhe si provokim. Si përkufizim për gjithë opozitën e re që i ka dalë kundër dhe si provokim për gjithkënd që mendon ta lërë të vetëm në ditët që vijnë. Thellë- thellë në përgjigjen e tij e pranonte se nëse këta bëhen të gjithë bashkë, e mundin, por problemi sipas tij është se ata janë “fundërrina” dhe ai s’mund t’ua lërë pushtetin atyre. Brenda këtij përroi psikik, që buron nga një vetëdije humbësi që ka brenda vetes, fshihet alarmi, hakërrimi, kërcënimi, por dhe thirrja për të mos e dorëzuar pushtetin.
Së dyti, i ka dhembur ideja që pushtetin e ka vënë në shërbim të Klanit dhe jo PD-së. Tentoi të flasë gjatë për reklamat shtetërore, që ia ka faturuar të gjitha Frangajt, tentoi të bëjë krahasime që nuk i dilnin askund, dhe në fund e nxori atë që i ka dhembur më shumë, braktisjen e atyre me të cilët ka bërë opozitë. Iu kujtua si fantazma e Bankos TV Shijak, ekrani ku ka mbijetuar tetë vite në opozitë, ekranin që e ka përdorur si qendër zëri dhe skuadër pushkatimi, ekranin që shpesh herë duke përdorur sinqeritetin e të rinjve që punonin aty, e ka përdorur dhe për të komanduar vrasje deri në Tropojë. Iu kujtua dje në përroin e tij psikik dhe akuzoi Edi Ramën që nuk i ka dhënë reklama.
U kujtua se Rama i paska dhënë reklama tre televizioneve, Top Channel, Vizion Plus dhe News 24, në fakt tri më të shikuarve, dhe paskësh harruar Shijakun. E thotë njeriu që sapo mori pushtetin, u fshiu numrin e telefonit, u hoqi dhe ato reklama që u kanë pasë dhënë socialistët, nuk i la as të ndërtonin një ndërtesë për televizionin e tyre, i poshtëroi në ekstrem duke i vënë nën komandën e Frangajt, njeriut të vetëm, me të cilin ata luftuan për ta sjellë Berishën në pushtet. E përmendi jo se i dhimbset TV Shijaku, i mbytur ne borxhe dhe varfëri, i kyçur praktikisht sot, por shembulli i hipokritit që i jep para njerëzve të partisë së tij, për mënyrën si respekton ata që shkojnë pas tij. Është i frikësuar realisht nga ideja se të gjithë e shikojnë si të paburrë, të pabesë, të pacipë dhe të pangopur, siç do thoshte Frrok Çupi po të mos e kish graduar drejtor të madh.
I ka djegur greva e ish- të persekutuarve, jo se do t’i rrëzojnë qeverinë, por se ata janë të parët që rrëzuan mitin e hipotekës së tij mbi atë klasë shoqërore. Greva e tyre nuk ka për tu dhënë atyre para, as dëmshpërblimin që u takon, por i ka dhënë Sali Berishës pamjen e “varkëtarit” të djemve të Enverit dhe njeriut, ndaj të cilit tani e tutje nga kjo kategori mund të drejtohen qese mielli mbi kokën e tij. Ata nuk kanë vrarë askënd deri më sot, as persekutorët dhe as ata që po i persekutojnë, ndaj Berishës i kanë shkuar dëm lekët për jelekun antiplumb. Por ajo që Berisha nuk ndal dot është një qese mielli mbi fytyrën e tij nga këta njerëz, që po lë të vdesin dhe për një copë bukë. I ka djegur greva dhe tentoi të flasë për grevë politike, kundër tij. Po, po, politike është. Ata janë përballë varkëtarit të djemve të Enver Hoxhës. Janë dy klasa të ndryshme, dy histori të ndryshme dhe natyrisht dy ideale të ndryshme.
I ka dhembur biznesi i fëlliqur i armëve me njerëzit e gruas së tij në Serbi. I mbrojti deri në fund si një dhëndër krenar për ta. I mbrojti siç mbrojti sekserin e vet Fazliç disa vite më parë, kur e ftonte në parlament apo kur e fuste në Këshillin e Sigurimit Kombëtar. I sigurt se mes përpjekjes për t’i shpallur sekrete pazaret me serbët e kërkuar nga gjithë bota, fshihen milionat për Familjen në pushtet, ai tentoi t’u jepte kurajë të vetëve, se nuk është gati të dorëzojë kokën e askujt që ka bërë biznes për llogari të familjes së vet. I duhet doemos kjo garanci. I duhet t’i sigurojë të gjithë që i kanë shërbyer personalisht se nuk do t’i bëjë koka turku. Frika se presioni i opozitës mund t’i shthurë radhët, e ka bërë të veten. Ndoshta ka dëgjuar që Ruli apo Pollo po parasqarojnë dosjet me opozitën.
Në fund tentoi të shpjegojë dhe arsyen përse nuk është një pedofil politik, edhe pse përdhunon çdo ditë fëmijët nëpër shkolla. E shpjegoi kur tha nuk shkoj dot tek shkolla e mbesave të tij. Ky është lajm i mirë. E kanë kuptuar dhe ato që e kanë gjyshin e marrë dhe u vjen turp t’u shkojë në shkollat e tyre se i tallin shoqet. I janë lutur të mos e bëjë këtë dhe i paska dëgjuar. Kaq mjafton. Tek fëmijët e tjerë le të shkojë. Ata kanë nevojë ta kuptojnë të ardhmen, pasi të takohen me të. S’ka nevojë më t’ua shpjegojë dikush ç’do të thotë fundërrina!