Nga Xhon L. Uidhers, 27.11.2009
Më 28 shtator bota u zgjua me lajmet e sapoardhura për dhunë të parrëfyeshme ushtruar ndaj grave.
Në Guine, “beretat e kuqe,” garda e republikës, kishte përdhunuar, nën kërcënimin e armëve – në grup, gra të moshave të ndryshme, me një mizori të atillë saqë ato që nuk vdiqën menjëherë, ndërruan jetë më pas për shkak të plagëve.
As niveli apo as qëllimi i kësaj dhune nuk janë diçka e re.
Gjatë dhjetë viteve të fundit, në Republikën Demokratike të Kongos, ushtarët kanë dhunuar dhe gjymtuar gratë si pjesë e një strategjie të qëllimshme dhe të bashkërenduar për të shkatërruar bashkësi civile. Dhe, dhuna me bazë gjinore nuk përfundon në zonat e luftës apo në rajonet në konflikt.
Gratë dhe vajzat sulmohen për shkak të gjinisë në çdo pikë të jetës së tyre, që nga vrasja e fetuseve femra, në ofrimin e kujdesit shëndetësor dhe ushqyerjes së pamjaftueshme ofruar vajzave, në martesat që fëmijë, në trafikimin, në të ashtuquajturat vrasje “për nder,” në vrasjet e lidhura me pajën dhe në neglizhimin e dëbimin e vejushave – dhe kjo listë nuk është shteruese.
Dhuna ndaj grave dhe vajzave mbetet një problem serioz edhe në Shqipëri, një problem që prek dhe shkakton vuajtje për gratë e të gjitha moshave, profesioneve dhe prejardhjeve sociale.
Dhuna kundër grave dhe vajzave shqiptare manifestohet në abuzimin fizik, psikologjik, ekonomik dhe seksual. Të paktën një e treta e grave në Shqipëri përllogariten të kenë përjetuar dhunë fizike brenda familjes. Ato rrihen dhe, në disa raste, edhe vriten.
Shumë përballen me sulme verbale dhe poshtërim të vazhdueshëm, mbikëqyrje dhe izolim në shtëpi, kërcënim se do të ndahen prej fëmijëve të tyre, mohim të ushqimit dhe të nevojave bazë, si dhe refuzim punësimi. Në bazë të studimeve të dhunës në familje në Shqipëri, ky fenomen, si në shumë pjesë të botës, konsiderohet të jetë një çështje private, e megjithatë ndikon një përqindje të madhe të popullsisë së një vendi.
Ligji kundër dhunës brenda familjes ka ndihmuar në rritjen e ndërgjegjësimit mbi këto çështje dhe vënien në dispozicion të ndihmës për viktimat përmes sistemit ligjor dhe organizatave jofitimprurëse.
Megjithëkëtë, zbatimi i ligjit mbetet i mangët.
Kjo dhunë është një pandemi botërore. Ajo kapërcen përkatësinë etnike, racën, klasën, fenë, nivelin arsimor dhe kufijtë ndërkombëtarë: i vetmi element i përbashkët është që viktimat përzgjidhen për shkak se janë gra.
Që prej vitit 1991, bota ka veçuar 16 ditë që e lidhin 25 nëntorin, Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas, me 10 dhjetorin, Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, për të nënvizuar idenë që dhuna e kryer kundër grave për shkak të gjinisë së tyre është një dhunim thelbësor i të drejtave të njeriut. Kjo dhunë nuk është “kulturore”, është kriminale. Ky është problem i çdo kombi dhe ka nevojë për një përgjigje të tillë në përpjesëtim me seriozitetin e këtyre krimeve.
Sulmi mbi gratë nuk mund të fajësohet mbi disa shkelës anormalë. Por, këto forma të ndryshme të dhunës burojnë prej statusit të ulët, të rrënjosur prej kohësh, të grave dhe vajzave në mbarë botën. Dhënia fund dhunës – trajtimi i shkaqeve, por edhe simptomave – kërkon që ne jo vetëm të rrisim ndjekjen penale të shkelësve, por edhe të punojmë drejt barazisë së plotë të grave në çdo sferë të jetës.
Dhuna gjinore nuk është vetëm një çështje e grave, por është një sfidë botërore për të drejtat dhe sigurinë e njeriut. Si një problem ndërkombëtar, ajo kërkon zgjidhje ndërkombëtare.
Dhe qeveria e ShBA është e përkushtuar të punojë me qeveritë, institucionet shumëpalëshe dhe me një spektër të gjerë partnerësh privatë – duke nisur që nga aktivistët dhe mbështetësit, deri te të mbijetuarit dhe drejtuesit e shoqërisë civile – për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së autorëve të këtyre krimeve dhe për t’u siguruar që ligjet, të cilat njohin barazinë dhe të drejtat e grave që të jenë çliruara prej dhunës, të zbatohen plotësisht. Ne po u kërkojmë drejtuesve fetarë të përfshijnë këto mesazhe, të cilat janë kaq në harmoni me të gjitha besimet, në aktivitetet dhe në marrëdhënien e tyre me publikun.
Po ndihmojmë që të sigurohemi që djemtë dhe vajzat në të gjitha vendet të kenë mundësi të sigurt dhe të barabartë për arsimin cilësor, i cili u mëson atyre vlerën e brendshme të çdo personi.
Sekretarja Klinton e ka shndërruar këtë çështje në një përparësi kryesore për politikën e jashtme amerikane. Administrata Obama është gjithashtu e përkushtuar që t’i japë fund dhunës kundër grave në Shtetet e Bashkuara, vend në të cilin shumë gra ende keqtrajtohen dhe abuzohen.
Organizata joqeveritare shqiptare dhe aktorë të tjerë të shoqërisë kanë punuar shumë për të luftuar dhunën ndaj grave dhe për të zhvilluar rrugët për të çuar përpara të drejtat e grave në të gjithë sferat e jetës.
Gratë janë çelësi i përparimit dhe i begatisë në shekullin e 21-të. Kur ato anashkalohen dhe keqtrajtohen, njerëzimi nuk mund të përparojë. Kur u njihen të drejtat e tyre dhe u lejohen shanse të barabarta në shkollim, kujdes mjekësor, punësim dhe pjesëmarrje politike, ato ngrenë lart familjet e tyre, komunitetet e tyre dhe kombet e tyre.
Është koha që dhënia fund dhunës ndaj gruas të bëhet përparësi për të gjithë ne.