Analizë nga ARBEN RROZHANI
Shqiptarja.com risolli dje disa detaje të vilës qeveritare në Vlorë që është gati të presë parinë e vendit gjatë fundjavave. Nuk ishte lajm i ri, sepse arredimi me mbi 500 milionë lekë të vjetra ishte shpallur që një vit më parë nga Agjencia e Prokurimit Publik dhe pamjet e brendëshme kishin dalë në median e printuar.
Po ashtu mëse një javë më parë, “Top Channel” solli pamjet filmike me një kamera amatore se si ishin arreduar ambientet e brendëshme. Kësaj radhe gazeta solli ca detaje edhe më pikante: pishina dimërore dhe ajo e jashtme, sauna, dhoma e bilardos, bari me banakun dhe karriket e larta, ambientet rekreative, poltronat e butë, perdet dhe kornizat e tyre për të përfunduar në disa tipe shtretërish matrimonialë me dyshekë latex “king Size”, shumëllojshmëria e sofave, cohave dhe nojmave që mbushin interierin dhe nga pas një taborr me shërbëtorë që do të kenë nën kujdesin pushtetarët që do të pushojnë aty.
Mëse një javë më parë, kur dolën pamjet filmike të vilës, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, tha se vila nuk ishte e Berishës, por e personaliteteve të vendit. Ky është avaz i vjetër. Kur Berisha bleu makinën Benz- Mercedes 700 mijë dollarë, u tha se nuk ishte për shefin e qeverisë, por për personalitetet e huaja që do të vinin, a thua se Merkel apo Sarkozi, kishin refuzuar të vizitonin Shqipërinë, pse nuk ishte benz-i ultraluksoz. Po kështu u tha kur qeveria porositi dhe po blen për mbi 5 milionë euro helikopterin VIP.
Problemi është se këto bukuri që po blen qeveria me paratë e taksapaguesve shqiptarë, të vrasin. Jo vetëm sytë, por zemrën, kur shikon se sa mjerim është shtuar këto vite, kur duhet të kish ndodhur e kundërta. Mjerim te minatori i varfër që vdiq dje në një minierë në Tropojë, mjerim dhe sytë pa dritë të fëmijëve të Bulqizës që kanë lindur mbi ar dhe mezi mbushin barkun me bukë, mjerim te ata qindra mijëra pensionistë që mezi arrijnë të blejnë bukën dhe ilaçet, te ato dhjetra mijëra familje, që sot nuk arrijnë më as të marrin ushqimet me listë, te ata dhjetra mijëra të papunë dhe të pashpresë.
Kjo është shumica e shqiptarëve, që për fat të keq duhet të llogaritin mbijetesën dhe jo cilësinë e mirëqenies dhe kjo është Shqipëria e turpit, e padenjë për Europën e vitit 2012, por e denjë për kohën e Sulltanit. Nga ajo kohë mbeti shprehja: fukarallëk, maskarallëk dhe që të dy janë trashur aty ku nuk mban më.
Shkrimi u botua ne Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)