Fshati Sllupçan – në mëshirë të fatit

0
48

Marrë nga inaonline – 12/07/2015

Jetoj por nuk di pse jetoj, plas por nuk di pse plas, ndaj dhe vdes me shpresë se fshati im dikur do të shndërrohet në një qendër durimi, qendër e pushkës dhe trimërisë.

Të flas dhe të shkruaj në qetësi për fshatin tim më duhen ditë, muaj, jetë, por unë e gjej veten time në këtë tekst, sepse dua të shpërthej me ndjenja dhe me kurajo se legjenda e këtij vendi do të quhet “Parajsa e lirisë”.

Pamje nga një aktiviet në fshatin Sllupçan

Fshati im, vendlindja ime, ka mbi 5 mijë banorë, 800 shtëpi, dy xhami, të prishura këto gjatë periudhës së luftës, ku më pas banorët e këtij vendi të bekuar me djersë e me mund i rindërtuan, që të kërkojnë mëshirë nga Zoti, të falen dhe të luten për fëmijët e tyre jetimë, të falen për ata që mbetën dëshmorë të kombit, të falin mëkatet e sllavit, të cilët me hordhitë tyre me granatim shkatërruan shtëpi, lagje, rrugica… Ky fshat ka katër lagje, ka dëshmorë, ka fëmijë jetimë, ka një shkollë fillore, ka male dhe fusha, ka natyrë të pasur me blegërima të qengjave, ka bagëti dhe plot pezëm.

Para luftës ka pasur edhe një Ent të kombinuar për fëmijë, ndërsa tani nuk ekziston më, u bë gërmadhë e luftës, dhe mbeti vetëm në histori të kohës.

Ky është i gjithë “mozaiku” i këtij fshati. Vendi legjendar dhe vendlindja ime nuk është asgjë tjetër vetëm se një vend i lënë pas dore nga Qeveria, dhe partia aktuale shqiptare në vend. Periudha e luftës mori me vete shumë histori, la dhembje dhe asgjë tjetër pos shpresa që kemi te Perëndia.

Në këtë fshat as që munden të hyjnë forcat e specializuara në saj të trimërisë të fshatarëve por ata gjetën versionin tjetër, granatimin dhe kështu u bë dëm i madh dhe stres i jashtëzakonshëm i banorëve. Jo më kot Fridrih Niçe thotë se “shpirti shndërrohet në deve, kurse deveja në luan, dhe në fund luani në fëmijë”.

Vullneti i mirë këtij vendi solli në mbivalencën e njeriut, i bëri ata të devotshëm se këta banorë duhet të arrijnë vetë, nga ndihma e askujt, dhe kështu pas luftës jetuan dhe jetojnë me një qetësi nga jashtë dhe breshëri nga brenda, por shpirti ndonjëherë edhe shpërthen, sepse të kesh karakter dhe dinjitet nuk është e lehtë të shohësh “maska“, që gjoja thonë se ne jemi ata që ju duam, ndërsa në anën tjetër ta fusin thikën në shpinë. Sllupçanasit pa hamendje pranuan t’i dalin zot çështjes kombëtare, krijimin e një strukture ushtarake për t’i fituar të drejtat e nevojshme, që ju takonin në këtë shtet.

Dhe ata e bënë, pra e bëmë bashkë, të gjithë, ata që mbetën gjallë falë jetës, dhe ata që ranë dëshmorë të luftës. Ish ushtarët e UÇK-së me ngulm fshiheshin nëpër skuta dhe gjithë guxim dhe trimëri thonin se do të fitojmë dhe do të arrijmë në liri, në demokracinë e vendit, sepse e drejta e shqiptarit fitohet me gjak, me luftë dhe me durim, që të arrijnë deri te fitorja e sigurt dhe lapidari i qëndresës.

Liderët e partive vijnë në vendlindjen time, gjatë fushatave parazgjedhore ose më 2 Maj –Dita e dëshmorëve të kombit. Të tronditur nga lufta e madhe që u zhvillua në Maqedoni, atëherë intervenoi bota dhe Evropa, normal në favor të popullit shqiptar.

Edhe pse lufta ka mbaruar, edhe pse nuk ka më plumba, nuk ka më zhurmë dhe vaje fëmijësh, përsëri kujtimet e errëta nuk shuhen kurrë. Fshati im, Sllupçani, ka mbetur në harresë të kohës, ligji për ish dëshmorët e UÇK-së ende përmbytet nga dallgët që i lëshon në pakufi Nikolla Gruevski, ata që ranë dëshmorë i mbyllën sytë, por hija e tyre nuk zhduket kurrë. Ata nuk e kanë dheun e lehtë në parajsë, u mungon diçka, ndërsa këta që janë të gjallë, fëmijët, familjet, gratë, populli presin ditë më të mira.

Qëndresa e tyre është e pashmangshme, por jeta vazhdon dhe gjaku nxehet në pakufi. A do e kujton dikush këtë fshat të mjerë, këtë vend të bekuar me gjallëri shqiptare, Kala e sakrificës e cila krahasohet me Kalanë e Krujës. Ndonjëherë edhe njeriu duhet të shndërrohet në mbinjeri, që të krijon një përkufizim të vetin se ne duam dhe dimë, por askush nuk na përkrah. Koha do e tregojë të vërtetën, djalli po sillet rreth e rrotull Maqedonisë, të gjithë janë të rraskapitur nga mposhtja sllave, që po na bëjnë dhe secili hyn në vrimën e kërmillit për t’u strukur diku, sepse trimëria shkoi dhe u varros së bashku me dëshmorët e ish–UÇK-së dhe dëshmorëve të tjerë që ranë në luftën për lirinë e kombit. Unë shkruaj me gjak dhe gjaku simbolizon shpirtin tim, dua dhe ndjej mall për ata që ikën dhe për këta që janë. Shpresojmë për një ardhmëri më të sigurt.

Ne, fshati Sllupçan, nuk kërkojmë lëmoshë, as edhe para, as edhe financa por kërkojmë respekt dhe ideal. Mbetemi në një qëndrim të thellë se jeta është e gjatë dhe ne do shohim shumë ndryshime, shume dilema, por pak ringjallje të këtij vendi të humbur në harresë. Jemi vigjilentë dhe kurrë nuk e humbin durimin. Drejtësia do të dalë në pah.

(Hadi Osmani)
(25 Janar 2010, Gazeta 24Orë)

Shënim: Pas leximit të këtij shkrimi që tregon për jetën e këtij fshati heroik, ajo që sllupçanasit duhet të kërkojnë së pari është shkollimi i fëmijëve të tyre si dhe investime në infrastrukturë dhe në ambiente të shërbimit e punësimit ndaj banorëve. Se me dije vjen edhe puna, rriten e argumentohen edhe kërkesat për një jetë më të mirë e më me dinjitet. /AÇ