FRYNI ERA E NA U ÇEL TARABA*

0
210

Ismet Hasani

Në shenj respekti e nderimi ndaj rapsodëve vëllezër: Hajdar e Tahir Botusha
Hakmarrja e Vezirit të Shkodrës përmes Bejta’ Sylës

Fryni era, e na u çel taraba*
Shpejt ia mbërrini ai Vezir Pasha,
A je këtu, o Halil aga?
Hajde, hajde, o Vezir Pasha,
me treqindë sejmênë* përmrapa!


Elementi i tradhëtisë, i veprimit tinëzar, i shpirtëligësisë e zemërngushtësisë së Vezir Pashës se Shkodrës, shpirtëlig, me zemër të gonueme/njollosur, përshkak të vrasjës së djalit dhe të grues, i pangopur në hakmarrje ndaj njerëzve të thjeshtë e të varfër, e thërret Bejta Sylën, e ngacmon dhe e nxitë që t’i tradhëton miqt (vëllezërit e gruas), e ky farë “qen qafiri” i thotë: “Vezir Pasha, pse s’m’ki kallxue, fill në Shkodër t’i kisha prue!”…

Regjimi sundues i Perandorisë Osmane i ka bërë shumë të këqija popullit – kombit shqiptar. Të gjitha të mirat që i ka poseduar populli (kombi) shqiptar: traditën, besën, burrninë, trimëninë, fjalën e dhanun, bujarinë, mikëpritjën, vlerësimin e lartë dhe respektin ndaj mikut…, gjatë sundimit Pesë Shekullor turk, tërsisht janë asgjësuar dhe janë shndërruar në të këqija. Këto të kqija kanë qëndruar Pesë Shekuj dhe vazhdojnë të qëndrojnë té Kombi Ynë edhe që njëqind vjet nga largimi i Osmanlinjëve! Po droj se do të qëndrojnë edhe Pesë Shekuj të tjerë, nga se fara e keqe, kudo që mbjellet, nga ajo mbijnë bimë dhe fryte të kqija. Me një fjalë, sunduesit otomanë – turk, kanë qenë plotësisht faqezinj dhe atë faqe të zezë na kanë lënë në trashëgimi – si amanet (porosi)! Pra, kanë qenë farë e keqe dhe fatkeqësisht, rrënjët e kësaj farë të keqe janë shumë thellë dhe vështirë që ç’rrënjosen edhe për një periudhë të gjatë kohore. Mjerisht. Prandaj, duhet të bashkohemi si Komb Shqiptar dhe të organizohemi në mënyrë të dinjitetëshme, të bëjmë edhe të pamundurën, në mënyrë që nga thellësia e tokës, t’i qesim në sipërfaqe, e në sipërfaqe ajo errësirë e ndyerë, duke mos i duruar rrezet e diellit e të dritës, mu njashtu sikurse urithi, do të paralizohet, dalëngadalë dhe njëherë e përgjithmonë do të zhduket.
Një grimë dritë e zhdukë errësirën, e po të ndezën reflektorët
e krejt botës, ditës nuk i shtojnë dritën.
Lidhur me këtë nuk do të ndalëm aq gjatë këtu. Qëllimin e kam të shpjegoj faqen e zezë të një Pashai Turk të Shkodrës – Vezir Pashës. Krahas këtij Pashai edhe të pabesin Bejta’ Sylën, i cili, për t’ia plotësuar deshirën vezirit të Shkodrës, tradhëtoi dy miqt e vet (vëllezërit e gruas) duke iu shkruar letër në emën të motrës se
”/motra juve ratë n’dyshek/me mall’ t’juvin po don me ’dekë!/
Dhe, pas marrjës së letrës të dy vëllezërit – Halili dhe Musa, vendosin të shkojnë prej Kosovës në Shkodër, se:
“pse thotë motra se kam vëlla!? /n’sahat t’dekës duhet m’i pá!”/
Për të shpjeguar këtë jam frymëzuar nga shumë të dhëna, nga shumë këngë të rapsodëve të ndryshëm, që secili thuaj se në “mekam”/melos të ndryshëm e këndon, por këtu do të theksoj atë që kam mësuar nga kënga me titull: “KËNGA E HALILIT dhe MUSËS SË VOGËL”, që si varijantë këndohet dhe me titullin: “FRYNI ERA, E NA U ÇEL TARABA*”, apo edhe si “Kënga e Bejta’ Sylës”.
________________________________________________________
*taraba-derë e oborrit e mbaruar prej copave të dërrasave, e cila nuk mbyllet, vetëm se pështetet dhe lehtë mund të çelet, bile edhe era/fryma lehtë mund ta çel’.

Kam mundur ta përzgjedh një titull krejt tjetër: “Hajde, hajde, o Vezir Pasha, me treqindë sêjmênë përmrapa”, nga se kjo është përgjigjëja e Halilit kur vjen Vezir Pasha me i marrë Halilin e Musën që i kishte “nxânë”/tradhëtua Bejta Syla, e porsa hapet taraba (dera e oborrit e marueme prej copave të dërrasave), Vezir Pasha thërret: “A je këtu, o Halil aga?”, e Halili i përgjigjet: “Hajde, hajde, o Vezir Pasha, me treqind sejmên’ përmrapa…!”
Mirëpo, duke u mbështetur në faktin se kjo kangë njihet si kangë me titull ”Fryni era na u çel taraba”, atëherë edhe vendosa që t’ia lë këtë titull.

Me sa kam lexuar, shiquar e dëgjuar kangën ”Fryni era e na u çel taraba”, përveç se Vëllaznit Hajdar e Tahir Botusha, e këndojnë shumë kangëtarë, ndër të cilët po i theksoj me emra këta: Riza Ballaca, Dervish Shaqa, Bajrush Doda, Sefë Mleqani dhe djemtë e tij, Augustin Ukaj, Rifat Dragaj, Marash Krasniqi, Mon Sokoli, Vëllaznit Çetaj, e shumë të tjerë, të cilët, për t’i radhitur do më duhej një faqe e tërë, dhe nga të cilët kërkoj ndjesë, për mostheksimin e emrave të tyre, por duke i lutur për mirëkuptim dhe se kursesi nuk do mbetën në harresë nga unë.

E zgjodha këtë këngë dhe këta dy kangëtarë, pra, Vëllaznit Hajdar e Tahir Botusha, nga fshati Botushë – rajioni ”Reka e Keqe” e Dukagjinit, ku njihen edhe me emrat: Hajdar e Tahir Bajrami. Këta rapsodë i përzgjodha për shumë arsye, e më e veçanta është se kjo këngë, ashtu siç këndohet nga këta raposdë dallon nga të gjitha varijantët tjera që i këndojnë rapsodë e këngëtarë. Me një fjalë është kënga më e plotë, shumë përmbajtësore e domethënëse, e këndojnë me një ”mekam”/melodi të jashtëzakonshme, nga e cila mësojmë shumë, ngase gjatë këndimit disa herë e ndërrojnë ”mekamin” dhe këngë ne bëjnë jashtëzakonisht të pranueshme…
Për të shpjeguar sa më mirë, dhe për t’ia bërë më të kuptueshme dhe më tërheqëse lexuesëve të këtij portale por edhe dëgjuesëve dhe dashamirëve të këngëve të vjetra folklorike dhe rapsodëve të rinj, këtë temë – vepër e ndava në tri pjesë: (1) Përmbajtja e këngës, (2) Kënga e plotë (me 208 vargje), dhe (3) Qëllimi i veprës.

(4) Po ashtu krejt në fund, për hir të respektit dhe mirësjelljës ndaj vëllezërve Hajdar e Tahir Bajrami nga Botusha e Gjakovës, e kam përzgjedhur edhe një këngë që u është kushtuar këtyre rapsodëve e të cilën ” e ka qitë”dhe e këndon rapsodi i mirënjohur Januz Mushkolaj në prezencën e këtyre rapsodëve*, me rastin e video- xhirimit të ”Këngës Folklorike, Botusha 2013” në Kullën në Botushë dhe ishte befasia më e këndshme e këtij video-xhirimi, natyrisht edhe për dëgjuesit e shiquesit, por edhe për ta*
*Prej vëllezërve ”Botusha”, Tahiri nuk është më në jetë, kështuqë Hajdarit i ndihmon i vëllai, Hyseni.

Këtë e bëra ngase ishte diçka e mrekullueshme dhe mahnitëse për mua, kur dëgjova që këngëtari më i ri këdon këngë për këngëtarët më të vjetër – kjo më impresionoi dhe më nxiti të thëm këtë mendim personal:
”Trego respekt dhe mirësjellje ndaj atyre që janë më të vjetër, sepse po kështu do të sjellen të tjerët ndaj teje kur të plakesh!”
Andaj, JU LUTËM të keni durimin dhe me vëmendje të përqëndruar t’i përcjellni më radhë, në mënyrë që edhe ju, pas leximit, në formë opinioni, komentesh e mendimesh të vlerësoni këtë vepër, mbi çka do të ju jam shumë mirënjohës.

(1) Përmbajtja e kangës

Vezir Pasha i Shkodrës, shpirtëlig, me zemër të gonueme/njollosur me pikë, gjëja përshkak të vrasjës së djalit dhe grues, thërret Bejta Sylën, njeriun e lig e të pabesë dhe e ngacmon që ky t’i tradhton miqt e vet (dy vëllezërit e grues: Halilin dhe Musën), t’i bjen në Shkodër e t’ia dorëzon Vezir Pashës, në mënyrë që ky të hakmerret.
Bejta Syla e n’gon Vezir Pashën dhe i drejtohet me këtë fjalë:

“Vezir Pasha, pse s’m’ki kallxue,
fill në Shkodër t’i kisha prue?!”

Bejta shkon në shtëpi, e mashtron gruen e vet duke i thënë se e ka marrë malli për vëllezërit e saj dhe don të di se ku janë, për t’i thirrë në konak, me i gostitë dostat, e mos me i lëshue p¨r pa u bâ gjashtë javë:

”Fort për ta malli m’ka marrë,
Me i qitë Zoti sonte me ardhë,
Nuk i lëshojë për pa u bâ gjashtë javë!”

Motra i tregon se

“Halili në Magurë ô shkue,
e Musa i Vogël në Llap tuj jetue”.

Bejta e merr n’i letër, e shkruan në emën të grues dhe ia dërgon Halilit, e ky kur e lexon e kupton se

“…motra e sëmutë, ratë n’dyshek,
me mall’ t’juvin po don me ‘dekë!”

Halili i mërzitun shumë nga lajmi për motrën, shkon të Musa në Llap, ia tregon letrën, po Musa i thotë:

“Na të dytë n’Shkodër mos me shkue,
Tertip* miki na ka marue, *mashtrim
ta dhashë besën na ka tradhtue!”

Por Halili ia bân:

“QouMusë, more vëlla,
se nuk bon motrën pa e pà,
pse thotë motra se kam vëlla,
n’sahat të dekës po m’duhet me i pá!”

Kështu e bindi Musën dhe u nisën, duke trupua për Kosovë, e kur mbërrijnë në Fushë të Kosovës, Musa âsht ndalë e po mallkon veten:

“Moj Kosovë, oj Kosova e shkretë,
kom’a e Musës mâ nuk ka me të shkelë!”
Vazhdojnë rrugën, kështu që
”T’parën natë n’Gjakovë kanë mbërri
T’dytën natë bâjnë në Malësi,
të tretën natë, n’Shkodër janë hî!
N’derë të mikit ia kanë mësy’!”

Ia mësyejnë derës se mikut dhe Halili thërret në derë. Motra nga brenda ia ban Bejtës:
“Zâni i Bacit, m’duket po thërret!?” Këtu Bejta, “si me e pas dijtë” se kanë me i ardhë miqt, i ngërmohet grues:
“Çou hin n’maxhe me gatue,
dostllarë t’mi sonte m’kanë ardhë mue!”
Del Bejta e i merr të dera dhe i qon në sobë* (odë të burrave) dhe ju bôn shumë muhabet, bile:
“na e prêu dhinë, o ma ka prê cjapin,
për Musën e Vogël e Halil Kastratin!”
Për t’ia arrijtur qëllimit të pabesisë në konak t’vet, iu qet rakì, dhe kur i ka nxânë rakija, Bejta ua fsheh armet dhe “i çon gjinën” të Veziri: “Muzhde Pashë, se u nxû Halili, hajde sonte, n’dash po t’i lidhi!?”
Ardhjen e Vezir Pashës të Bejta Syla, rapsodi e këndon kështu: “Fryni era, na çel taraba* o shpejt ia m’rrini, o Vezir Pasha!” Vezir Pasha, në vend së ta thërret Bejtën, si provokim frige, e thërret Halilin: “A je këtu, o Halil aga?”
(*Taraba – dera e oborrit me copa dërrase)

E Halili, sy patrembur, prej odës i përgjigjet: “Hajde, hajde o Vezir Pasha, me treqind sêjmênë përmrapa!” Kur i dëgjon këto, Musa i Vogël i drejtohet Halilit: “Ku i kam armet vëlla, e jatagan?”, e Halili ia ban: ” Mshef na i ka q’ai miku promë/s’e ka menën me na i dhânë/ e paska menën me na nxânë/.
Bejta Syla ia dorëzon Vezir Pashës miqtë e lidhur, dhe i t’fillojnë për të xhelatxhija me ua shkurtue kokat. Në oborr ndalet Musa ( i bindur se i ka tradhtue motra, dhe ashtu i lidhur, i drejtohet së motrës me këto fjalë:

“A merr vesh, moj e zeza motër?
/Kurrë mos t’lêft ty djalë në votër/
qysh na rrêjte, na prune n’Shkodër?!”
Motra, duke mos pasë ndjenjën e pafajsisë, i përgjijet të vëllait:
“Mos m’left’ djalë, as mos m’left çikë
…edhe n’m’lêftë, mos m’u rritt/
q’eso pune motra n’past’ dijtë/
se po i prêt dhondrri miqt!”
dhe i betohet të vëllait:
“Hajt, e hajt o vëlla i motrës
t’i pret motra dy qen* të Shkodrës!” *( dy njerëz faqezi)

Të dy vëllezërit, të lidhur e nën përcjellën e sêjmênëve të Vezir Pashës, kryelartë shkojnë qarshisë përpjet’ tuj k’nue*, e Xhelatxhìa ua nderpet këngën: “Kush janë këta trima që s’m’tuten mue?” Dy vëllezërit, me guxim të fuqishëm, kokë lartë ia bajnë:

“Xhelatxhì more gjakatar/
kur je bô ti me prê shqiptarë?!”
*(Kanga âsht vaji i burrit!).
Nuk vonojnë shumë, dhe
“Xhelatxhìja ma mrehi shpatën,
Musa i Vogël, e shtrêni qafën:
prêjem mue, mos ma prêj Bacën*!” *(vëllain e madh)
Ndërkaq vëllai madh – Halili ia ban:
“/Hajt e hajt, o Musë lum baca,
ti përpara e unë përmbrapa”
/Musën e Vogël e fali* Pasha/ *(E fali, mos me ja prê kokën, se i ri)/
Pa Halilin t’gjallë mos paça!”/.

Pasi ua prênë kokat të dyve:
“xhelatxhíja po bân bê:
“kurr kësi trimash n’Shkodër s’kam prê/
as s’kam prê, as s’kanë me lê/.
Pas një kohe, me të dëgjuar lajmin e zi për dy djemt’, vjen nôna e tyre, e qet kokën e Musës në prehër dhe përmallshëm flet:
“Qyqja lokja, mor djalë/
qysh s’ju gjeta kurrnjônin gjall’/
coll hallallin me ja u marrë?”
dhe për ngushëllim:
/kryet e Mus’s n’prehen po i flet/
qinro nanë, e bôn gajret
/ishalla përpiqemi në ahiret/
i bôjmë tri ditë për lezet/
se treqin’ për kijamet!”
Po shkon nôna në punë të vet!

Në anën tjetër, motra i merr të dy djemt’, i lanë dhe i ndërron dhe i qon të bërberi me i rrue. Bërberi e pyetë:
/kuj i kan gâ q’eta dy djem?/ e kjo si nanë i përgjigjet:
/qe ky i Madhi – babës vet/
po i prêt miqt’ n’konak të vet/
e ky i vogli – dajës vet/
se n’Saraj* pushkë po qêt/. Saraj* – Pallati i Pashait).
/Mirë berberi djemt na i rrue/
i merr nona n’shpi i ka çue!
I merr të dy djemt dhe i çon në shtëpi, iu urdhëron:
/Sa mirë shtratin ja u paska shtrue/
bini nonë me babë të juve/
bini nonë, për me fjetë/
dal po e marr edhe n’i dyshek/

e kjo del dhe e merr një thikë të ndryshkur, hyn në dhomë dhe dogri* (*menjëherë) i m’shon me thikë burrit, e djalit madh i del gjumi dhe trishtueshëm bërtet “o kuku…” ia ban nënës: “Mo’ bre nonë, mos me prêj mu*!? Nëna e mllefosur ende në tradhtinë e burrit, ia ban djalit: “S’muj lum nona, për me t’lanë,
tutna i ‘get babës t’and –
rritësh e fëlliqë krejt dynjanë!”
Kështu motra, ashtu siç ishte betuar në oborr, para vëllezërve dhe të gjithëve: “Hajt, e hajt o vëlla i motrës, se t’i prêt motra dy qen të Shkodrës!”, ashtu edhe veproi dhe “e prêu t’shoin* e prêu t’birin.” *(burrin).
Mëpastaj motra shpjegon:

“Kur ia ngula thikën burrit,
si t’mi ngallshin vëllaznit prej burgit!
Kur ja ngula thikën djalit,
si me i nxjerrë dy sytë prej ballit!

Dhe, krejt në fund, rapsodi e përmbyllë këngën, me këto pak fjalë, por shumë domethënëse:
“Bejta Syla, shka fitove?
Faqën e zezë e ni parë pishtole*!”
(*armet që ua ka fsheh miqve).

___

(2) KËNGA E PLOTË

Vezir Pasha n’kom’ na u çue,
– Bejta Syla, më m’nigue mue:
– q’ata miq’ me mi tradhtue?
– zemrën témé ma kan’ gonue*, *ma kanë bâ pikë, ma kanë njollos
– vra m’i kan’ djalë e grue!
– Vezir Pasha, pse s’m’ki kallxue?
– fill në Shkodër, t’i kisha prue!
Kqyre Bejta në kom’ u çue,
fill të sh’pija, Bejta ô shkue,
gruen e vet e ká mashtrue:
– A din gjâ për vëllazën tu’-e?
– fort për ta jam përmallue,
– me i lëshue Zoti sonte me ardhë,
– nuk i lëshoj pa u bâ gjashtë javë!
Kqyre gruja kóka mashtrue,
nisi drejt me na i kallxue:
– Ky Halili n’ Magurë ô shkue,
– Musa i Vogël, n’Llap po rrin!
Bejta Syla, q’ai kopil,
fort kopil Bejta ô qillue,
merrka ‘i letër ma paska shkrue,
n’emën t’motrës letrën e ka shkrue,
këtij Halilit ja paska çue,
Këtij Halilit letra na i ka shkue,
Kqyr n’at letër shka paska shkrue:
– Qou, po i thot’ me u shtërngue,
– motra juve smut’ o qillue,
– O qillue ô rat’ n’dyshek,
– me mall’ t’juvin po don me ‘dekë!
Halil Kastrati n’kom’ na u çue!
Lotët për faqe djalit na i kanë shkue,
Ka marrë rrugën ô t’fillue,
Fill të Musa n’Llap ô shkue
E q’at letër ja ka kallxue,
Kqyre Musa shka i ka kallxue:
– Thot’ Halil, vëlla a m’nigon mue?
– Na të dyt’ n’Shkodër mos me shkue,
– Tertip* miki na ka marue! *sfidë, plan të keq, kurthë
– Ta dhashë besën na ka tradhtue!
– Qou, po i thotë, Musë, more vëlla,
– s’e nuk bon motrën pa e pá!
– Se thotë motra: Pse kam vëlla!
– N’sahat t’dekës po m’duhen me i pá!

Kanë marrë rrugën, kokan t’fillue,
për Kosovë trimat kanë trupue.
N’Fushë t’Kosovës trimat kur janë dalë,
Musa i Vogël, koka ndalë:
– Moj Kosovë, Kosova e shkretë!?
– koma e Mus’s mâ nuk ka me t’shkelë!
Kanë marrë rrugën, apet janë t’fillue
t’parën natë n’Gjakovë janë shkue,
t’dytën natë kanë fjetë n’Malësi,
t’tretën natë n’Shkodër jan hì,
n’derë të mikut paskan m’sy,
n’derë të mikut, Halili po thërret,
mirë e motra në zâ pi ngjeh’
– Zâni i Bacit m’doket po thërret?!
Kqyre Bejta shka po na i flet:
Kqyre Bejta ju ka ngërmue:
– Qou hin n’maxhe, me gatue!
– Dostllarë t’mi, sonte m’kan ardhë mue!
U prinë para, n’sobë na i ka çue,
muhabet boll ju ka marue:
Ma preu dhinë, o ma ka prê cjapin,
për Musën e Vogël e at Halil Kastratin,
dhe rakí djem’ve ju ka dhânë,
mirë rakíja djem’t na i ka nxânë.

Bejta Syla, q’ai qen qafiri,
na i qoi gjinén, o të Veziri,
– Muzhde Pashë, se u nxû Halili,
– Hajde sonte, n’dash po t’i lidhi!

Fryni era , na u qel taraba,
O shpejt ja m’rrini, o Vezir Pasha,
– A je këtu, thot’ o Halil aga?
– Hajde, hajde, o Vezir Pasha!
Me treqindë sêjmênë përmbrapa,
t’tonë n’aponga – t’pa çerapa,
t’tonë n’çerapa – t’pa apong’,
Musa i Vogël na u çojke n’kom’:
– Ku i kem armet vëlla, e jatagan?
– Mshef na i ka q’ai miku promë,
– s’e ka menën o qeni me na i dhônë!
– e paska menën me na nxânë!
– I mjeri u’ i mjeri, Musa po bôn,
– Qysh s’e pata n’i jatagan?!
– I mjeri u’ i mjeri për n’i palë pishtole,
– paç me i bô dy teste* vorre! *dy dhetshe 2×10

Të dy djemt na i kanë t’fillue,
n’derë t’a borrit kur janë dalë,
Musa i Vogël, kôka ndal’
kôka nal’ q’ai Musa i Vogël:
– A merr vesh, moj e zeza motër?
– Kurrë mos t’léft ty djal’ n’at votër,
– Qysh na rrêjte, na prune n’Shkodër?
– Mos m’leftë djalë, as mos m’lêft çikë,
– edhe n’m’lêftë, vëlla, mos m’u rritt,
– qeso pune motra n’past’ dijtë,
– se po i prêt dhondrri miqt!
– Hajt e hajt, o vëlla i motrës,
– t’i prêt motra dy qen të Shkodrës!

Të dy djem’t na i kanë t’fillue,
shkojnë qarshisë përpjetë tuj k’nue*, * kanga âsht vaji i burrit
Xhelatxhija n’derë ô qillue:
– Kush janë këta trima që s’m’tuten mue?
Musën e Halilin ja paskan çue.
Xhelatxhija ma prêhi shpatën,
Musa i Vogël ma shtrêni qafën:
– Prêjem mu’, mos mâ prêj Bacën!
Musën e Vogël, e fala Pasha,
– Pa Halilin të gjallë mos paqa!
– Hajt e hajt, o Musë lum’ Baca,
– ti përpara e unë përm’rapa!
– Xhelatxhì, more gjakatar!?
– Kur je bô ti me prê shqiptarë?
– Xhelatxhì, more krye hut,
– preje Musën e mos u tut!
Xhelataxhija pak ô munue,
Të dy djemt na i ka shkurtue* * i la t’pa kokë
Xhelatxhìja po bôn bê!
Kurrë k’si trimash n’Shkodër s’kam prê!
– As s’kam prê, as s’kan me lê!
Të dy djemt’ na i kanë shkurtue,
Nanës vet xhevapi i ka shkue.
Shka po bâjka nona e shkretë:
Fill po shkon tek ju kanë prê djemt’
kryet e Musës n’prêhen p’i qet:
– Quqja lokja, more djal’
– Qysh s’ju gjeta kurrnjônin gjallë,
– Coll hallallin me ja u marrë!
Kur don Zoti, mallin ja hjek’,
Kryet e Musës n’prêhen po i flet:
– Qin’ro nanë, bôn gjaret,
– Ishalla përpiqemi se n’Ahret* *’namshim, n’botën tjetër
– i bôjmë tri ditë, nano për lezet,
– se treqindë për kijamet!
Na shkoj nôna në punë të vet!

Kqyre motra shka ka punue:
nja dy djem’ na i kanë qillue,
i ka la djemt’ mirë i ka n’rrue,
të bërberi, djemt’ na i ka çue,
i qojka djemt’, nona për me i rrue.
Mirë bërberi, po ma dvetë:
– Kuj i kanë gâ q’eta dy djem?
– O ky i madhi – babës s’vet,
– po i prêt miqt’ n’konak të vet,
– O ky i vogli – dajës s’vet,
– Se n’ Saraj pushkë po qêt!
Mirë berberi djemt’ i paska rrue,
i ka marrë nôna, n’shpi i ka çue,
sa mirë shtratin jau paska shtrue:
– Bini nônë, me babë të juve,
– Bini nonë, për me fjetë,
– dal pi marr n’i dyshek!
E përjashta nôna ô dalë,
n’i thikë t’ndryshk’t e paska marrë,
e për mbrê’na nona po shkon,
dogri burrit me thikë po i mshon.
Djalit t’madh, gjumi i ka dalë,
t’madhe brittka: ” Kuku moj nânë!”
T’madhe briti: “Ou kuku!”
– Mo’ brè nônë, mos me prêj mu’
– S’muj lum nôna për me t’lânë,
– tutna i ‘gêt, nano babës t’ând,
– rritt e fëlliqë, nanô, krejt dynjanë!
Burrë e djal’ na i ka shkurtue,
për shpirt t’vëllaznive ka punue.
I preu motra burr e djal’
për dy vëllaznit hak ka marrë
Q’bani e motra për Halilin?
– E preu t’shoin*, ma ka prê t’birin, *shoqin, burrin
– duel po rrin me t’kushërinin.
– Kur ja n’ova thikën burrit,
– Si t’mi lëshojshin dy vëllaznit prej burgit,
– Kur ja n’ova thikën djalit,
– si me i nxjerrë dy sytë prej ballit!
– N’dash t’jenë marre, n’dash mërzi
– dal po rri me t’kushëri!

– Bejta Syla, shka fitove?
– Faq’n e zezë ore, o n’i parë pishtole*! *(armet që ua ka fsheh miqve)

___
Këtë këngë e këndojnë vëllezërit Hajdar e Tahir Botusha (Botushë, Gjakovë), të cilët, me melodi të veçanta, që mekamin,”meloditë i ndërrojnë ndryshe-ndryshe” disa herë gjatë këndimit të këngës, melodi tejet karakteristike, që dallohën shumë nga meloditë në këngët tjera. Këta dy vëllezër këngëtarë kanë kënduar këtë këngë nëpër Oda në regjionin e “Rekës së Keqe” – Rrafshi i Dukagjinit dhe me gjërë, nëpër Kosovë dhe jashtë saj.
Me këtë rast ua përcjelli një përshëndetje dhe përkujtim të thellë e të sinqertë, duke dëshiruar që ata me këngën e tyre të mbesin të përkujtuar dhe të pavdekshëm, nga se na lanë, jo vëtëm këtë, por edhe shumë e shumë këngë të tjera, që konsiderohen vepra sublime, me të cilat e kanë pasuruar, jo vetëm foklorin, por edhe historinë mbarëshqiptare, e Pasardhsëve dhe trashëgimtarëve të tyre – fëmijve të vet ua kanë lënë në trashëgim pasurinë më të madhe – Edukatën e mirëfillët.
Prandaj, edhe këta edhe të gjithë nè duhet ta kemi parasysh këtë të vërtetë të pamohueshme:
“Sa më të mëdhenj dhe sa më të njohur t’i kemi prindërit, aq më të
madh e kemi obligimin dhe përgjegjësinë që ata mos t’i koritim!” (Autori).
__

(3) QËLLIMI I VEPRËS

(1) Elementi i tradhëtisë, i veprimit tinëzar, i shpirtëligësisë e zemërngushtësisë së Vezir Pashës, shpirtëlig, me zemër të gonueme/njollosur, përshkak të vrasjës së djalit dhe të grues, i pangopur në hakmarrje ndaj njerëzve të thjeshtë e të varfër, e thërret Bejta Sylën, e ngacmon dhe e nxitë që t’i tradhëton miqt (vëllezërit e gruas), e ky farë “qen qafiri” i thotë: “Vezir Pasha, pse s’m’ki kallxue, fill në Shkodër t’i kisha prue!”
(2) Pas këtij premtimi, Bejta Syla shkon dhe e mashtron gruen e vet: “A din gjâ për vëllazën tu-e? Shumë për ta jam përmallu-e! Me u que Zoti sonte me ardhë, nuk i lëshoj pa u bo gjashtë javë!”, e kjo i tregon se ku janë;
(3) Bejta Syla shkruen letër dhe ia dërgon Halilit , përmes së cilës iu “hjek tertip”, i thirrë gjëja se motrën e kanë të sëmurë: “Motra juve ratë n’dyshek, me mall’ t’juvin po don me ‘dekë”;
(4) Kur vijnë këta në Shkodër, del e i merr të dera, i qon n’odë dhe ju bën “muhabet”: “Ma prêu dhinë, o ma ka prê cjapin, për Musën e Vogël e Halil Kastratin, dhe rakì djemve na u dhânë, mirë rakíja djemt na i nxânë”;
(5) Pasi këta dehën na rakia, UA FSHEH ARMET dhe i tradhton në konak t’vet; në mënyrën tinëzare, Bejta e qon fjalën të Veziri: Bejta Syla q’ai qen qafiri, qoj për myzhde të Veziri, “Myzhde Pashë, se u nxû Halili! Hajde sonte, n’dash po t’i lidhi!””
(6) Vezir Pasha vjen të shtëpija e Bejta Sylës me treqindë sêjmênë, por sa qelet taraba*, thërret: “O, a je këtu, o Halil aga?”, e Halili i përgjigjet: “Hajde, hajde o Vezir Pasha!”Këtu Bejta Syla të dy miqt’ ia dorëzon Vezir Pashës;
(7) Me të dalaë në oborr, ndalet Musa i Vogël dhe, duke menduar se i ka tradhtue motra e tyre, i kthehet motrës: “A merr vesh, moj e zeza motër!? Kurrë mos t’lêftë ty djal’ në votër, qysh na rrêjte na prûne n’Shkodër; ndërkaq motra, duke mos e ndier elementin e fajësisë, i kthehet të vëllait: “Mos me lêftë djal’, as mos m’lêftë qikë, qeso pune motra n’past dijtë, se po i prêt dhondrri miqt!” dhe vazdhon premtimin për hakmarrje ndaj të shoqit/burrit: “Hajt e hajt, o vëlla i motrës, t’i prêt motra dy qen të Shkodrës!”
(8) Trimëria dhe guximi i Musës dhe Halilit, të lidhur dhe “shkojnë qarshisë përpjetë tuj k’nue” dhe kur xhelatxhîja mundohet t’i frikëson: “Kush janë këta trima që s’m’tutën mue?”, këta i dredhën: “Xhelatxhi, more gjakatar, kur je bo ti me prê shqiptarë?!”
(10) Pasi ua shkurtojnë kokat, vjen nëna e tyre dhe kryet e Mus’s n’prehën po e qet… kryet e Mus’s n’prehen po i flet…”
(11 Hakmarrja e motrës për vëllezërit, e prêt me thikë burrin (Bejta Sylën), e prêt edhe djalin e madh, sepse ky, siq iu përgjigj bërberit për djalin e madh:
“Ky i madhi i ka gâ babës vet, i pret miqt n’konak të vet!” Pra MOTRA e prêu t’shoin, e prêutë birin!”
(12) Eshtë shumë interesant, sa e dhimbshme poaq edhe e tmerrshme: si nëna e prènë me thikë të birin, i cili, pasi e pa që nëna ia preu babën me thikë, iu lut s’ëmës: “Mô bre nonë, mos më prêj mu’!” E nëna e mllefosur në burrin e saj si farë e keqe, para së me e i ra me thikë, iu përgjigj të birit: “S’muj lum nona, për me t’lânë, tutna i get* babës t’and, rritësh e fëlliqë krejt dynjanë!”. *(i ngjanë, bëhesh si ai)
Dhe,
(13) Krejt në fund, fjalët të që rëndojnë dhe konsiderohen si ofendim ndaj Bejta Sylës:

Bejta Syla, shka fitove?
Faqën e zezë e n’i parë pishtole*!
*armet që ua fshehu miqve.

Qëllimi i njeriut në jetën e tij është që gjatë tërë jetës të bën vepra të mira e jo vepra të liga, me të licat ia humbë fytyrën vetit, fëmijve, familjës, fisit dhe Kombit dhe, edhe sa të jetë gjallë, por edhe pasi të vdes, askush, as më të afërmit e tij, nuk e marin në gojë për të folë mirë për të, sepse nuk ka bërë vepra të mira.
Vepër e keqe është edhe gënjeshtra (rrêna). Edhe duke mos thënë asnjë fjalë, por duke heshtur para gënjeshtrës, gënjejmë. Por gënjeshtra më e madhe është gënjeshtra e heshtur kombëtare e vigane, që përkrah e ndihmon tiraninë, shpifjen, pabarazinë dhe të keqen, që mjeron një popull
Prandaj,
(1) I lumi ai njeri që vdes me nder, e pas vetes lën vepra të mira!
(2) Fundi i jetës nuk është vdekja. Fundi i jetës janë veprat. Ai që lën vepra të mira, përderisa përmenden veprat e tij dhe emri i tij, ai mbetët i pavdekshëm.
Pra, të pavdekshëm njeriun e bëjnë veprat.

4. Rapsodi për rapsodët

Është kënaqësi kur dëgjohen këngë që u kushtohen Burrave e Trimave të Mëdhenj Shqiptarë, që tërë jetën dhe tërë pasurinë e tyre ”e shkrinë” për Atdhé. Dhe, këngë të tilla më duket se kemi mjaft, por prapë mendoj se kurrë nuk është mjaft, aq shumë sa ky popull ka pasë Burra e Trima me zâ…!
E veçanta e këtyre këngëve është se këndohet ”kryetrimi” dhe dihet se kryetrimi është i madh, por është edhe me shumë shokë.
Përveçse për veprat e Burrave e trimave me zâ, këngëtarët kanë thur e kënduar këngë dhe për të tjerët…, por disi si e rrallë është kur këngëtari thur e këndon këngë për këngëtarin. Është e rrallë, nga shkaku se këngëtarët ”janë mësuar” t’iu këndojnë të tjerëve, veçmas atyre që kanë vepra të mëdha ndaj atdheut, kombit dhe popullit, e këta këngëtarë ”nuk janë mësuar” t’iu këndojnë shokëve të tyre – këngëtarë. Këtë nuk e kanë bërë shpesh, por edhe kur e kanë bërë, ka qenë një befasi e këndshme, pikësepari për personazhin e këngës – nëse është në jetë, por edhe për ata që e kanë dëgjuar këngën.
Në rajonin ”Reka e Keqe” gjithmonë kanë thënë: ”Kanga âsht vaji i burrit!”
Po ashtu kanë thënë se ”Kangët e vjetra janë histori!”
Prandaj, në dasma e raste gëzimi, kudo në Kullat e ”Rekës së Keqe” vend të veçantë u kanë kushtuar edhe këngëtarëve, pra atyne këngëtarëve që kanë qenë në zâ në atë kohë, bile, me rastin e ”thirrjes në dasmë”, burrat kanë dvetë: ”ko’ e kini për kangatar!? (ndërkaq gratë kanë dvetë: ”ko’ e kini me defa!?). Dhe, kur ua kanë thënë emnin e ndonjënit nga këngëtarët në zâ, të fëtuarit në dasmë janë gëzuar edhe më shumë, m’u përshkak se ”kangatarët paskan m’i kallë atyhen…!” Prandaj, ”aty ku ndihet kanga e çiftelia, kerset pushka e alltia!”
E bëra këtë pak si hyrje, përshkak të rëndësisë që u është kushtuar këngëtarëve, të cilëve, zakonisht u është caktuar vendin ”midis odës” dhe se ka qenë ”njeriu i caktuem për me ju bâ hyzmet vetëm kangatarëve”. Pra, përveçse burrave në Ballë të Oxhakut, respekt i veçantë u është bërë edhe këngëtarëve, sepse si burrat në anën madhe – prej Ballit të oxhakut, si këngëtarët, janë ata që ta ”shyhretojnë dasmën”, bile edhe ardhja ”mbas darke” – e atyre që nuk kanë qenë të thirrun në dasëm, ka qenë dukshëm më e madhe, vetëm spe e kanë dijtë se ”kush âsh për kangatar”.
Të kthehem aty ku ia nisa, të kangaterët që u kanë thur kangë dhe u kanë kënduar kangatarëve, konkretisht të kanga ”N’Grykë t’Botushs’, ku ban dritë hana” të cilën kangë, Januz Mushkolaj ua ka kushtuar vëllezërve këngëtare Hajdar&Tahir Botusha si dhe vëllait të tyre, Hysenit, i cili, pas ndërrimit jetë të të vëllait Tahirit, i ka ndihmuar me këndue të vëllait Hajdarit.
Januz Mushkolaj është këngëtar pak më i ri se vëllezërit nga Botusha dhe, në rastin konkret ka bërë një befasi të këndshme, duke u kushtuar këngë këture këngëtarëve të mirënjohur dhe befasia e ve¬çantë ishte kur pa pritë askush nga ata burra që ishte plotë oda, me rastin e video-xhirimit të emisonit ”Këngë folklorike – Botusha 2013” e muarr sharkinë dhe ia krisi kangës ”N’Grykë t’Botushs’ po ban dritë hana” dhe i la ”pa mend” të pranishmit, por i la ”pa koment” vëllezërit Hajdarin e Hysenin (se siç theksuam mësipër i vëllai i tyre ”dervish tahiri” ka ndërruar jetë) dhe gjatë kohës sa këndonte Januzi, këta mbetën me ”gojë hapur” dhe, pasi ”nuk guxonin të flsinin” vetëm sa rrijshin ”me duar në zemër”, në njërën anë duke e përshëndetur e duke iu falenderuar Januzit, e në anën tjetër ”tuj bâ seri, tuj u çuditë” prej kah ky burrë qenka inspiruar dhe ”e ka qitë” këtë kangë kaq të befasueshme, por kaq të mirëpritur, dhe disi vet qëndrimi dhe gjestet e Hajdarit dhe të Hysenit lënin përshtypjen e një ”te papritne” por dishka e jashtëzakonshme, që deri më sot nuk ua ka bërë as një këngëtar.
Përshtypja ime si autor i këtij shkrimi, e më parë si shiques e dëgjues i kësaj kënge të rapsodit Januz Mushkolaj, është e thellë, por po e theksoj vetëm atë që mendoj se është qenjësore: mirësjellja dhe respekti ndaj më të vjetrit!
Rapsodi Januz Mushkolaj na mundësoj të kuptojmë se: ”Në qoftë se tregon respekt dhe mirësjellj ndaj më të vjetrit, po kështu – me mirësjellje e respekt do të sjellen të tjerët edhe ndaj teje kur të plakesh!”
Të tjerat i thotë vetë kënga:

N’GRYKË T’BOTUSHËS KU BAN DRITË HANA
(kushtuar rapsodëve vëllezër, Hajdar&Tahir Botusha.
Këndon Januz Mushkolaj
)

N’Grykë t’Botushs’ ku ban dritë hana,
Dy bylbyla na i ka rritë nana!
Besa tani bukur ju shkoi zâni
Âsht Hajdari e Tahir Bajrami.
Me zâ t’ambel, paj n’tela t’sharkis’
Ju kënduet kangë o trimave t’ liris’
Bashkë me kangë po kerset dhe pushka
Goja u lumt’ o Hajdar Botusha!
N’ato vite, more ma të vështira,
Ju i kënduet kangët o ma të mira,
Për Sylejman Vokshin e Imer Prizrenin,
Mic Sokolin, more Isa Begin*. *Isa Boletinin
Avni Rrusten* dhe Sylejman Agën, *Avni Rrustemin, e Sylejman Agë Botushën
Musën e Vogël, more Magjarr Pashën.
Plot në Qiell juve ju shkoi fama,
Kur kënduet kangën: FRYNI ERA E NA U ÇEL TARABA!
Ju bat’ emën , more si kangëtarë,
U shpërblyet edhe me “Vend të Parë”.
Hije ju pat n’odë ndeja dhe kanga,
Kënduet ”Malsorçe” dhe kënduet me kavalla.
Dhe “’lahitë” more, kush i këndoj ma se miri?
Me zâ t’ambël, paj ”Dërvish” Tahiri*! *Tahiri ka qenë bâ “Dervish”
Kënduet pa u lodhë, edhe pa pritue,
Vëllau Hyseni, juve tuj u ndihmue.
Kështu kangëtarët, more kurrë nuk vdesin,
Shkojnë “n’atë botë”, por kangët ju mbesin.
Brez pas brezi, o ju ndihet zâni,
Ty Hajdar, o ty Tahir Bajrami!

__________________________________________
*Botushë 2013, Hajdari është gjallë, edhe Hyseni;”Dervish”Tahiri ka ndërrue jetë.
(Kangën e këndoi: Januz Mushkolaj, Botushë, 2013, i cili vet ”ua ka qitë” këtë këngë)

F U N D

*
Kontakti me autorin, E-post: ekspertimh@hotmail.com