ANILA DUSHI, 11.01.2010
SHKODËR – Policia ka bllokuar aksin Shkoder-Moriqan, pasi prezenca e ujit ne rruge eshte tejet e madhe.
Rreth ores 17:00 uji i lumit Buna doli mbi uren me te njejtin emer duke bllokuar dy akse Shkoder-Moriqan qe lidh Shkodren me Malin e Zi dhe aksi tjeter interurban Shiroke- Zogaj.
Aktualisht ne keto akse kalojne vetem mjetet automobilistike tip fuoristrade.
Evakuimet
Ndërsa të dhënat e KESH-it flasim për ulje të shkarkimeve nga HEC-et, niveli i ujit në zonat e përmbytura thuajse nuk lëviz asnjë cm. Madje shumë banorë e shohin veten në rrezik dhe kanë thirrur për ndihmë. Siç bën të ditur shtabi i emergjnevace gjatë ditës së sotme, që është dita e 10 e përmbytjeve, janë evakuuar mjaft banorë nga fshati Mali i Jushit, nga Dajçi si dhe nga fshati Melgushe. Ndërsa vazhdon transporti i cadrave per strehimin e banoreve ne Dajc.
Sipas Ministrisë së Brendshme, forcat e ushtrisë kanë vazhduar sot gjatë gjithë ditës të ngarkojnë ushqime me helikopterë nga aeroporti i Gjadrit në drejtim të Shkodrës.
***
Kryeministri i vendit Sali Berisha ka folur me tone euforike sot nga Shkodra për menaxhimin e situatës së përmbytjeve në këtë zonë.
Duke e cilësuar një katastrofë ekologjike, ai sikundër më parë kryeparlamentarja Topalli ka kujtuar se është shmangur shumë mirë katastrofa njerëzore.
“Kjo ndodh njehere ne 100 vjet.. Ia dolëm ta shmangim një katastrofe njerëzore, kur ishim në prag të saj. Vërtet kemi 10 mijë hektarë të përmbytur po nuk kemi asnjë jetë njeriu të humbur dhe kjo është meritë e jashtëzakonshme e një operacioni shpëtimi, më të fuqishmin, më të suksesshmin që vendi ka njohur”, ka thënë Berisha.
***
Topalli në zonat e përmbytura: Shmangëm katastrofën, Britania e Franca s’ia dolën dot
Kryetarja e parlamentit, deputetja e Shkodrës, deklaroi nga zonat e përmbytura se qeveria e saj ka bërë atë që nuk e bën dot Britania e Madhe dhe Franca, duke shmangur katastrofën.
Topalli tha se në Europën Perëndimore po humbasin jetë, çka nuk ka ndodhur në Shqipëri.
Duke iu referuar reshjeve të borës, që natyrshëm kaplojnë veriun e kontinentit çdo vit, e që bllokojnë një pjesë të infrastrukturës, Topalli gjeti një moment për të krahasuar situatën atje me hapjen e digave në mënyrë të qëllimshme nga qeveria për të përmbytur banorët e zonës së saj. Topalli nuk është përgjigjur ashtu si shefi i saj pyetjes se a ka pasur reshje më shumë se herë të tjera në këtë periudhë dhe cilat kanë qenë kuotat e Fierzës.
“Unë çdo minutë, veç të tjerash flas edhe me kryetarët e komunave, të cilët me stafin e tyre të shoqëruar nga forca të ushtrisë dhe policisë ndjekin nga afër situatën. Deri tani kanë shkuar 40 ton ushqime, ujë, si dhe ushqim edhe për gjënë e gjallë. Angazhimi shkon përtej asaj që mund të imagjinohet. Kemi si asnjëherë më parë një menaxhim me sens të madh përgjegjësie dhe qëndrim më afër njerëzve, në këto kushte që vijnë si shkak i ndryshimeve të klimës, dukuri që po e shohim në Greqi, Poloni, Gjermani, Britani ku ju e keni parë si është izoluar edhe aeroporti, hekurudhat etj. Këtu, për fatin tonë të mirë nuk kemi humbje në jetë dhe i gjithë vullneti dhe përqendrimi ynë është të mos lejojmë asnjë humbje jete. S’ka gjë më të shtrenjtë se jeta e njeriut. Gjithçka që varet nga strukturat shtetërore është në menaxhim e sipër me përgjegjësinë më të madhe,” tha Topalli.
Duke komentuar vizitën e Ramës në Shkodër, ajo shtoi se opozita bën karrierë me mortin.
“Ka njerëz në këtë vend që lindin më shpresën që të shohin vetëm morte dhe e bazojnë karrierën e tyre në to. Edhe pse ka ardhur në Shkodër pas dhjetë ditëve ai mbeti i zhgënjyer se nuk gjeti asgjë nga këto. Unë që e njoh këtë zonë dhe njoh problemet që kjo zonë ka pasur në dekada nga përmbytjet, për shkak së është e rrethuar nga uji, nuk kam parë ndonjëherë një menaxhim, vullnet politik dhe sens përgjegjësie më të madhe.
Unë mendoj se kësaj radhe masat parandaluese kanë qenë ato që kanë bërë që të mos jemi në gjendje katastrofe si Britania, Franca, etj. Unë nuk mbaj mend ndonjë rast tjetër, të tilla masa parandaluese dhe menaxhim të tillë kur ministrat janë të instaluar këtu 24 orë në 24 në funksion të çdo banori,” tha Topalli.
***********************
‘Kokëfortësia’ e shifrave: Justifikimi i ‘rreshjeve të pazakonta’ nuk qëndron
Një nga justifikimet për situatën në Veri, ka qenë sipas autoriteteve, “reshjet e pazakonta të këtij viti në zonën e përmbytur”. A është e vërtetë kjo alibi? Shifrat nuk na lenë të gabojmë. Më poshtë janë disa shifra krahasuese nga Shërbimi Sinoptik.
Është përdorur rëndom këto ditë, sidomos krahasimi me vitin e lagësht 1963.
Ky vit, eshte nje vit në të cilin nuk ishte ndërtuar rrjeti i hidrocentraleve mbi Drin (që shërben, veç të tjerash, edhe si rregullator i padiskutueshëm i prurjeve të lumenjve); vit, në të cilin, pothuaj, e njëjta zonë, është përmbytur. Bëhet fjalë për përmbytjen masive të 13 janarit 1963.
Specialistë të sinoptikës i kanë krahasuar shifrat e reshjeve dhe të nivelit të ujërave në lumin e Drinit në 13 janar 1963 (niveli i ujit në postin hidrometrik tek ura e Bahçallëkut), dhe në datat 4 dhe 5 janar të këtij viti, në të njëjtin post.
Konkretisht, në dhjetor ’63-in, në Shkodër ka pasur 374 milimetra shi dhe në janarin e ’64-ës, pati 424 milimetra. Në Lezhë, në dhjetorin e 63-it, pati 244 milimetra shi dhe në janarin e ’64-ës, pati 495 milimetra shi.
Të dhënat e Sinoptikës saktësojnë se mesatarja shumëvjeçare për këto dy zona, është respektivisht 253 dhe 211 milimetra për Shkodrën dhe 157 dhe 154 milimetra për Lezhën. Pra, në dhjetor-janar të 46 vjetëve më parë, ka pasur pothuaj dy herë më shumë reshje se kjo mesatare.
Ndërsa, krahasimi i shifrave të reshjeve për dhjetor-janarin e tanishëm, jep një tablo krejt tjetër. Në Shkodër, në dhjetor 09´ dhe janar 10´, reshjet kanë qenë brenda mesatares shumëvjeçare, madje 1.5 deri në 2 herë më të pakta se në të njëjtën periudhë të viteve ’63-’64. Në Lezhë, sa për shembull, në ditët e para të janarit, ka rënë vetëm 50 milimetra shi.
Këto janë vetëm disa nga shifrat që na dëshmojnë fare thjesht se ndikimi i reshjeve në përmbytjet e shkaktuara këto ditë, ka qenë pothuaj i papërfillshëm, shtuar këtu dhe faktin që ujërat e Drinit, disiplinohen nga tre hidrocentralet e ndërtuar mbi të.