“Fronti për Shqipërinë”, prezantohet nisma e re në mbrojtje të votës

0
50

Shekulli Online, 06.02.2010

DURRËS – Edi Rama nga qyteti i Durrësit ka lançuar nismën më të re opozitare që do të quhet “Fronti për Shqipërinë”. Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë të qytetit bregdetar, Rama u shpreh se “përshkallëzimi i protestes ka zgjeruar frontin e aleancës sonë mes partish, ka zgjeruar edhe frontin edhe me përfaqesues të shoqërise, shoqata apo persona dhe shumë shpejt ky front i ri për Shqiperine do te jete publik përtej partive politike përtej çdo kufiri që na ndan ne kushte normale po nuk ekziston ne kushtet kur duhet te garantoje liri dhe demokraci per te gjithë”.

Pritet që zyrtarisht ky grupim të prezantohet nesër kur mblidhet edhe tryeza e partive aleate. Burime për gazetën thanë se “ish-pronare, pensioniste, ish-ushtarake, minatore do t’i bashkohen këtij fronti”.

Fronti synon bashkimin e të gjithë segmenteve opozitare, të majtë e të djathte. Me sa duket fronti është ndryshim i emërtimit të idesë që është përfolur deri më tani për federatën e majtë.

Ndërsa i pyetur për çështjen e mandateve ai tha se “kjo (mandatet) nuk është një çështje që na shqetëson. Përsëritja e këij refreni bëhet për të spostuar gravitetin e debatit në telenovela si kjo e radhës, digjen apo nuk digjen mandatet. Ne nuk e ushqejmë këtë telenovelë dhe jemi shumë të keqardhur për rënien në kurth të shumëkujt që bëhet pjesë e diversitetit të Berishës.

“Mandatet tona janë mandatet e popullit opozitar janë më pak se ç’ka dhënë populli. Saliu, Iliri dhe Fatosi nuk do të mundem tas shkatërrojnë PS-në. Ajo është garant nga vullneti demokratik I shqiptarëve. PS as nuk shitet as nuk blihet. Përgjigjja që ne kërkojmë është çfarë do të bëhet me lirshmërinë e zgjedhjeve për tu ndaërë nga një epokë e shëmtuar e vjedhjes së votës”, u shpreh ai.

****

Partia Socialiste është deklaruar sërish sot në mbështetje të dialogut në tryezën e Presidentit për t’i dhënë një zgjidhje krizës së rëndë politike.

“Kriza mund të arrihet vetëm përmes transparencës së plotë të zgjedhjeve ç’ka thuhet shprehimisht edhe në rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës”, u shpreh deputeti Blendi Klosi.

Sipas tij, hapja e kutive të votimit është një element i domosdoshëm për të hedhur dritë mbi të vërtetën e këtyre zgjedhjeve dhe si e tillë, ajo përbën një kërkesë të panegociueshme të Partisë Socialiste.

“Fatkeqësisht dje, Sali Berisha, njeriu që është shkaktari kryesor i situatës së vështirë në të cilën ndodhet sot vendi, na provoi me po të njëjtën gjuhë të politikës së vjetër se atij i mungon vullneti për zgjidhjen e krizës që ka mbërthyer Shqipërinë, e cila po paralizon jetën institucionale, po rrënon ekonominë dhe shtetin e së drejtës”, konstatoi Klosi.

Duke shtuar se “Partia Socialiste është e gatshme të dialogojë për të zbardhur të vërtetën e 28 qershorit me ose pa Sali Berishën, dhe këtë hetim ai nuk e ndalon dot as me dëshirën e tij e as me forcën e pushtetit”.

*****

INTERVISTA/ Rama: Të vendosur për kutitë

Ndërsa të gjitha palët kanë rënë dakord të ulen në një tryezë për të trajtuar ngërçin politik që ka përfshirë vendin, Partia Socialiste është e vendosur që paralelisht të protestojë për këtë situatë. Për këtë qëllim, kreu socialist, Edi Rama, ka nisur dje nga Tirana të zhvillojë një tur të ri bashkëbisedimi me gazetarë dhe qytetarë për të sqaruar arsyet përse kjo forcë politike dhe e gjithë opozita do të protestojë, por edhe për të bërë të ditura njëkohësisht kushtet, me të cilat socialistët do të ulen në tryezën e presidentit. Stacioni i radhës i këtij turi do të jetë Durrësi, për të vijuar më pas në një sërë qendrash të mëdha urbane në të gjithë vendin.

Z. Rama, ju sapo deklaruat nisjen e një udhëtimi shpjegues për arsyet e protestës suaj. A nuk duket pak si pavend një gjë e tillë, kur nga ana tjetër po negociohet për realizimin e një tryeze për zgjidhjen e kësaj krize, apo është ky një mjet presioni ndaj mazhorancës për atë që kërkoni të merrni nga kjo tryezë?

Unë po flas për arsyet e protestës, nuk po flas për datën e demonstratës, ne jemi në protestë edhe tani, qysh ditën që kemi vendosur të refuzojmë pjesëmarrjen në një parlament,t i cili në këndvështrimin tonë duhet të legjitimojë veten duke pasur kurajën që të ushtrojë të drejtën e tij kushtetuese. Kështu që arsyet e protestës janë të gjitha arsyet që ne jemi në pozicion që jemi sot, pse jemi jashtë parlamentit, të gjitha arsyet pse ne jemi dhe do jemi në betejë pavarësisht nëse do ketë ose jo një manifestim të madh proteste në varësi të rezultatit të dialogut, për ta respektuar këtë dialog dhe për të mos krijuar asnjë ekuivok për palën që nuk është e interesuar ta zgjidhë çështjen tonë. Ne nuk kemi shpallur datën e manifestimit të protestës, por nga ana tjetër, ndërkohë që përgatitet dialogu të përgatitemi intensivisht, madje dhe për alternativën, që është protesta. E kam thënë Berisha nuk mund ta përdorë kohën për dialog si një kohë për të përgjumur opozitën.

Po bëhen përpjekje për të mbajtur një tryezë, për të cilën duket se të gjitha palët janë dakord. Ju me çfarë kërkesash do të shkoni në tryezë?

Kriza në Shqipëri është një krizë tërësore, shumë përmasore. Kjo është një krizë që po rrënon ekonominë, po rrënon demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Ka shumë gjëra për të folur ashtu siç ka plot gjëra për të korrektuar. Dialogu pa dyshim do të shtrihej në gjitha aspektet e kërkesës sonë publike për të pranuar të hyjmë në parlament. Në rast se kjo kërkesë nuk do të kushtëzohej me moshapjen e kutive, pra në rast se objekti i hetimit do të ishte i lirë dhe shumica e komisioneve hetimore e përbërë nga opozita do të lejohen që objekti i hetimit ta shtrijnë në gjithë horizontin e deformimit të procesit zgjedhor atëherë dialogu do të trajtonte të gjitha pikat. Ne jemi gati të flasim për të gjitha pikat që përfshijnë jo vetëm kutitë, por edhe transparencën lidhur me gjithë presionin dhe deformimet parazgjedhore dhe paszgjedhore që nga elementi i cenimit të lirisë se rrogëtarëve të shtetit përmes trysnisë përmes funksionarëve, që kërkonin votën brutalisht duke ua kondicionuar vendin e punës me këtë votë, tek heqjet nga puna për arsye të mosdhënies së votës, apo të pjesëmarrjes në aktivitetet e opozitës, tek kufizimi brutal i ndihmës ekonomike, sidomos në fshat, tek lirimi në shkelje të plotë të ligjit të kriminelëve nga më të rrezikshmit të dënuar nga gjykata e krimeve të rënda për të ushtruar presion, duke shkuar më tej tek deformimi i pasqyrës mediatike përmes abuzimeve të rënda me buxhetin e shqiptarëve. Shkatërrimi i balancave ligjore dhe demokratike në institucionet monitoruese qoftë në KKRT, qoftë në bordin e TVSH, më pas tek misteri ende i pahetuar i errësuar edhe më shumë i vrasjes së deputetit Xhindi mu në prag të fushatës elektorale, e më radhë në çështje të tjera, për të ardhur tek anoncimi ogurzi i marrjes së shërbimit sekret shqiptar nën kontrollin e kryeministrit. Të gjitha këto gjërat në një shtet të së drejtës janë të patolerueshnme. Fatkeqësisht, kjo nuk është një shtrirje e mundshme në gjithë gjerësinë e vet, sepse është kushtëzuar me kufizimin e objektit të hetimit. Gjë që nuk do të thotë se nuk do t’i diskutojmë këto gjëra, por do të thotë që kërkesat tona nuk janë një listë për pazarin e ditës derisa aty jetë kryer pazari. Kërkesat tona kanë një rend prioritetesh, të cilat s’mund të vendosen në kandar as më numër as me peshë. S’mund të thuhet hiqni dorë nga kutitë, ne po ju lemë këto të tjerat. Në rast se s’hetohen kutitë nuk ka hetim të zgjedhjeve, ka vetëm një ardhje përqark qendrës së gravitetit të krimit elektoral. Në rast se ka krim elektoral këtë mund ta përcaktojnë transparenca e kutive ashtu si dhe gjithë këto që thashë, pa kutitë relativisht këto të tjerat rrëzohen.

Këto që sapo deklaruat janë gjëra që janë thënë edhe më parë nga ju dhe të dëgjuara shpesh prej nesh. Por, nuk do ishte më mirë që të gjithë këto që thoni të thuheshin në Kuvend?

Ajo që dua të them është se gjithçka është shumë serioze. Hyrja në parlament jo vetëm nuk do krijonte kushte për ta fituar këtë betejë dhe me fitore nuk kuptoj rrëzimin e qeverisë dhe as rishpërndarje të mandateve. Më këtë kuptoj fundin e një historie me zgjedhje të kontestuara që sa vijnë e bëhen më keq, pavarësisht se në dukje përmirësohet mekanizimi i tyre, por në fakt sofistikohet mekanizimi i tyre për vjedhje. Pra, është një betejë për lirinë e votës, ndershmërinë e procesit të votimit dhe numërimit dhe për transparencë. Parlamenti ndryshe nga çdo lloj teatri dhe spektakli që zhvillohet në skenë përballë publikut është e vetmja shfaqje që nuk drejtohet nga një regjisor, por është publiku që përcakton rolet. Kush do qëndrojë në opozitë kush në qeveri i përcakton vetëm publiku. S’ka asnjë shans që opozita të hyjë aty brenda dhe të arrijë qëllimet e saj në atë teatër që bëhet aty. Moshyrja në parlament është refuzimi për ta mbyllur kapitullin e deformimit 20 vjeçar, hyrja në parlament do të ishte krejt e kundërta, vetëm mbyllja e radhës e syve përpara asaj që ndodhi dhe pastaj shkuarja symbyllur në një masakër tjetër elektorale me po ato fenomene.

Megjithatë z. Rama, ju s’mund ta mohoni që edhe bojkoti e ka dëmtuar demokracinë?

Së pari, bojkoti e kanë kritikuar dhe do vazhdojnë ta kritikojnë. E kam thënë unë qysh më parë se bojkoti nuk është një gjë e ëmbël për askënd, por është një ilaç i hidhur për të kuruar një sëmundje të rëndë. S’di ç’a keni parasysh kur e thoni këtë, por kjo lloj demokracie nuk ka shans të dëmtohet nga bojkoti, sepse është aq e dëmtuar. Qendra e gravitetit e marrëveshjes mes PD e PS është ajo që dy anëtarë të KQZ-së do kërkonin hapjen e kutive me besimin që sado të kishte procesi probleme në fund fare ato të ekspozoheshin në tryezën e KQS, e cila nuk është kërkesë e kushtëzuar nga asgjë, por e detyron KQZ-në të hapë kutitë. Ndërkohë që në momentin që forcërisht shumica e pushteti në KQZ vendosi të mos hapë kutitë vendosi njëkohësisht mos të ketë opozitën në parlament. Këtu fillon historia e kësaj çështjeje dhe këtu duhet të shikojmë arsyet përse PS-ja dhe opozita nuk është e gatshme t’i besojë thjesht procesin legjislativ dhe përmirësimit të kuadrit ligjor dhe të shkojë në një tjetër thertore elektorale. Në rast se gjithçka do të ishte thjesht një fryt i një imagjinate le të themi politike në funksion të një strategjie politike dhe nuk do kishte bazë sot ne nuk do kishim një pushtet, i cili që prej 28 qershorit sillet më keq se para 28 qershorit.

Folët për bojkotin që PS do të vazhdojë, por janë edhe pesë deputetë të vjetër që kritikojmë këtë qëndrim dhe që kanë deklaruar se do të futen në kuvend para datës skadimit të afatit kushtetuese. Çfarë do ndodhë me ta në rast se ndërmarrin këtë hap?

Për vetë faktin që janë të rinj akoma besoj se nuk është e nevojshme që ju duhet të shqetësoheni për ata. Çdo njëri aq më tepër në moshën kur është i përgjegjshëm përpara Shqipërisë e ka në dorë veten e vet. Megjithatë, për sa kohë flasim për idenë dua të them se mandatet e PS-së nuk digjen, kjo është një telenovelë që zhvillohet në disa linja, një nga këto është ajo e mandateve, jo djeg jo se djeg. Nuk digjen mandatet e PS-së dhe kjo është një gjë qe e kam thënë qysh në krye të herës. Fatosi dhe Iliri mund ta dëshirojnë shumë që kur në te festojmë në 7 marsin, ata të nxjerrin grepat nga pjesa e llumit në fund të listave për të gërmuar deputetë që t’i çojnë në parlament që të betohen për Europën dhe integrimin. E për ta lënë opozitën jashtë, por është një dëshirë që nuk ua plotësojmë dot dhe është e kotë që ka një investim kaq të madh, sepse nuk ka asnjë shans që të digjen. Është një investim si hidrocentrali i Skavicës që do të ndërtojë Saliu, njësoj si plot megainvestime të tjera që nuk çojnë asgjëkund.
Ju thoni të hapen kutitë, Berisha tha se nuk hapen. Kjo do të thotë se kjo tryezë është e dështuar që në fillim? Cila mund të jetë një e mesme që mund të sillte kompromisin?
Është njësoj si le të themi të zgjedhësh midis lirisë dhe mungesës së saj. Ka një pikë të mesme që të mos jesh i lirë, por prapë të jesh i lirë, të mungojë liria, por prapë të jesh i lirë? Nuk ka të mesme në këtë për disa arsye, e para, sepse nuk mund të ketë hetim të zgjedhjeve pa parë se çfarë ndodh në kuti. Monitoruesit ndërkombëtarë kanë përcaktuar në një fjali të vetme objektin e hetimit që një e treta e numërimit është bërë dhe keq shumë keq.

Çfarë do ndodh nëse hapen kutitë, pra cila do jetë gjeja e parë që do bëni ju si parti, a do futeshit në parlament?

Mjafton një komision hetimor parlamentar me objekt hetimi të pakufizuar ku përfshihet edhe hapja e kutive dhe ne shkojmë në parlament, ulemi për të vazhduar të qëndrojnë aty deri kur t’i jepet fjala popullit për të gjykuar nëse rolet në shfaqjen demokratike duhet të mbeten po ato apo duhet të ndryshojnë.

Nëse kutitë hapen dhe PS do të rezultojë humbëse, do të largoheni nga drejtimi i kësaj force politike?

E thashë, e përsërita, hetimi nuk ka qëllim ndryshimin e rezultatit, por unë jam kryetar i rizgjedhur i PS-së, pasi dhashë dorëheqjen dhe në rast se rikandidova duke i kërkuar socialistëve në të gjithë Shqipërinë të gjykojnë idenë time, ishte vetëm sepse unë për asnjë moment nuk kam dyshuar që PS-ja i ka fituar zgjedhjet edhe pse nuk është zgjedhur. Në rast se unë do të kisha dyshuar qoftë edhe një moment të vetëm që ishte vota e shqiptarëve që kishte refuzuar projektin tonë politik, dorëheqja ime do të ishte pa kthim. Ndërkohë që rizgjedhja ime është bërë me një propozim të thjeshtë, dua votën tuaj për të çuar deri në fund një betejë për liri dhe demokraci në këtë vend duke bojkotuar parlamentin.

****

Berisha: Kutitë nuk hapen

Në pritje të organizimit të një tryeze dialogu nga presidenti i vendit dhe kur opozita thekson se pa hapjen e kutive nuk ka hetim të zgjedhjeve, kryeministri Sali Berisha deklarohet i prerë. “Kutitë nuk do të hapen”.

Gjatë një interviste për ‘Top Channel’, Berisha ka sqaruar se nuk është ai që pengon hapjen e kutive, por është Kushtetuta dhe ligjet, të cilat nuk do të shkelen në asnjë rast.

“Rama thotë e njoh rezultatin por të hapen kutitë, kjo është e pamundur. Është e pamundur që të pranojë vlerësim politik për një çështje që e kanë ndaluar gjykatat. Ato thonë se nuk ka rinumërim pa kundërshtim gjatë procesit. Une nuk e kundershtoj per asgje tjeter pervec asaj qe eshte e pamundur, asaj gjeje qe e kane vendosur gjykatat”- tha Berisha.

Ai është shprehur i gatshëm të zbatojë pikë për pikë rezolutën e KiE-së dhe shton se mesazhi i saj është i qartë.

Duke pranuar se është i interesuar të shohë opozitën në parlament, Berisha ka thënë se ajo është e litë të zhvillojë protesta, të cilat nuk i konsideron si presion ndaj tij.

“Nuk ka njeri me te interesuar se une qe ata te zene vendin ne Parlament. Do të ishte dëshpëruese nëse opozita i kalon afatet kushtetuese, sepse do të krijonte precedentë dhe do t’i bënte një sfidë të madhe kushtetuese. Por duhet ta dijë, se e fundit gjë mbi tokë me të cilën mund të më bëjë presion është protesta. Një protestatori natyral, protesta nuk i bën kurrë presion”-ka thënë Berisha.

*****

Presidenti Topi: Po pergatis ftesat per Berishen e Ramen

“Presidenti i Republikës,Bamir Topi, duke ndjekur me vëmendje zhvillimet më të fundit politike në vend, mirëpriti gatishmërinë dhe vullnetin e shprehur për dialog të Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha dhe udhëheqësit të opozitës, Edi Rama”, thuhet në një deklaratë për mediat publikuar sot në mesditë në uebsajtin zyrtar të Presidencës.

“Në kontekstin e ri politik, Presidenti i Republikës do të vijojë në ditët në vazhdim kontaktet paraprake të punës me Kryeministrin e Shqipërisë dhe udhëheqësin e opozitës si dhe me bashkësinë ndërkombëtare për të përgatitur termat e bisedimeve që do të zhvillohen gjatë tryezës së përbashkët”, citohet në njoftimin që vjen një ditë pasi Kryeministri u deklarua i gatshëm për bisedime nën drejtimin e Presidentit Bamir Topi

Dje, Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se është i gatshëm të ulet në tryezën e dialogut me liderin e PS-së, Edi Rama, por për këtë pret ftesën e Presidentit.

Deklaratën Berisha u bë gjatë inaugurimit të zyrës së fondacionit “Konrad Adenauer” në Tiranë, ku ishte i pranishem edhe kreu i Bundestagut.

“Unë mendoj se serioziteti i procesit kërkon qëndrim serioz, por unë vetëm jam i gatshëm, që për çdo variant, qoftë për kafe, qoftë jo për kafe, qoftë me zotin Rama, qoftë me zotin Topi. Unë nuk kam absolutisht asnjë paragjykim për asgjë, por natyrisht, të mendohet se i shërbehet çështjes, pa një përgatitje, kjo nuk qëndron. Unë personalisht, megjithë eksperiencën time politike, më duket se përgatitjet janë të nevojshme”, ka thënë Berisha.

Ai ka sqaruar me tej, se nuk ka asnje problem qe kreu i shtetit, Bamir Topi te jete negociator mes paleve.

“Absolutisht nuk ka asnjë vështirësi për t’u ulur që sot pasdite. Ish-vartësin tim, kur unë kam bërë përpjekjet për ta zgjedhur president, nuk e kam zgjedhur për ta bërë vartësin tim. Ai është Presidenti i Republikës. Ka vetëm një njeri, i cili nuk e di nëse do ta marrë përsipër apo jo këtë gjë, por nëse ai e merr përsipër këtë, mendoj se nuk do të na ftojë me lugë në brez, por do të ulemi të punojmë. Hiqeni nga mendja se mund të ketë nga ana ime ndonjë lloj paragjykimi, për asgjë”- ka thene ai, duke perseritur ftesen drejtuar Rames.

Sipas Berishes, palet duhet te ulen, rezoluta është shumë e mirë dhe ne interesin e Shqipërisë, nderkohe qe ka theksuar se e rendesishme eshte qe te arrihet sukses nga tryeza.

*****************
GALERI FOTO:

Kryeministri Sali Berisha dhe Kryetari i PS Edi Rama, gjate, punimeve te konferences “Dy vjet nga nenshkrimi i MSA – Roli i Kuvendit te Shqiperise”, maj 2008