Nga Arben Manaj, 22 Gusht 2012
Duket sikur po rikthehet pragmatizmi politik dhe bashkë me të c’principalizimi i politikës nga opozita shqiptare në përpjekjet për largimin nga pushteti të Berishës. Ndryshe nga ç’pritej dhe prej nga pritej, ky sinjal ka ardhur jo nga forca kryesore opozitare, por nga një forcë e re që synon të hipotekoj një vend të rëndësishëm në buxhakun e ardhshëm politik të Shqipërisë.
Aleanca KuqeZi, kërkoi së fundmi, publikisht aleance me ”çdo djall” për të larguar Berishën. Kjo deklaratë duket se reflekton reflektimin e kësaj force të re politike e cila pak kohe më parë kondicionoi aleancat e ardhshme elektorale, duke ekskluduar partinë më të madhe numerikisht në elektoratin shqiptar, PS e Edi Ramës.
Por fatkeqësisht, ky lloj reflektimi për krijimin më në fund të një “fronti kundër regjimit”, duket se ka ngelur në një deklaratë të thatë nga selia roze. Fakti që ende sot ka artikulime pakënaqësie, apo vërejtje opozitarësh për opozitën, siç janë deklaratat e Ngjelës, Gjinushit apo ndonjë tjetër, përfshi edhe autokritikat dhe kritikat konstruktive të Braces ndaj funksionimit të shtëpisë së tij politike, tregojnë se diçka nuk shkon ose nuk po punohet për fiksimin e tyre.
Rama dhe Partia Socialiste si partia më madhe, apo “babai” i shtëpisë opozitare, e ka për detyrë të mbledh jo vetëm fisin e tij politik dhe trazovaçët dhe plëngprishësit, por edhe ata që Spahiu i quajti “ çdo djall” në betejën e tij vendimtare për c’berishizmin e demokracisë shqiptare.
Një ndërmarrje e tillë është jo vetëm imperativë, por është shumë e vonuar, pasi muajt po mblidhen dhe “Ujku me antiplumb” ka nis ofensivën për të gllabëruar nga “kopeja opozitare” sa më shumë deshër që kanë filluar të bëjnë kakërdhi paraelektorale.
Realisht në këtë lëvizje tektonike për krijimin e cunamit opozitar në zgjedhjet e ardhshme, Rama do të duhet të shmang ato defekte dhe sjellje politike, por edhe jo vetëm të atilla, që i kushtuan shtrenjtë këto vite.
Atij i duhet të jetë shumë më mëndjehapur politikisht, gjë që e nënkupton parimisht klasi i tij intelektual, ndaj magnetizimit të çdo elementi anti-regjim dhe çdo vote në zgjedhjet e ardhshme të cilat mund të përcaktohen lehtësisht me fotofinish.
Zgjedhjet lokale shpresoj të jenë bërë një leksion i madh për opozitën socialiste dhe liderin e saj, i cili poqese do ishte treguar pak “më Berishë”, sikur vetëm me Milloshin dhe komunistët e tij do ishte sot sërish Kryetar Bashkie. Aq më tepër që sot edhe fizikisht nuk e ka Milloshin vërdallë e që me siguri është duke u kritikuar në atë botë nga Enveri për tradhtinë me kapitalisto-komunistin Berishë.
Nëse realisht kërkohet që të mposhtet Djalli, ai mposhtet vetëm “me çdo djall”, që është në lojë. Në këtë mes nuk ka vend për komplekse për shkelje parimesh. Në fund të fundit e tillë është politika, e pandershme, se nuk dua të përdor një fjalë tjetër të njohur.
Kështu është sjell politikisht Berisha në rikthimin e tij pas 97, duke bërë aleancë me dreq e të bir, duke përqafuar ish kundërshtarët e vetë, e duke lëpirë aty ku kishte pështyrë.
Kjo është ajo që sot atij ja njohin si mjeshtëri dhe e quajnë ujk i vjetër në politikë. Kjo është ajo që bëri edhe Meta, duke bërë koalicion me atë që në fushatë i kërkoj të ikte. Kush nuk është makiavelist në politikë, është më mirë të merret me diçka tjetër. Kjo është realpolitika që aplikohet gjithandej dhe nuk shkakton asnjë habi, askund.
Ndaj Rama dhe opozita nuk duhet të kenë më asnjë paragjykim në misionin e madh të c’komunistizimit të demokracisë shqiptare, proces që edhe nëse fiton opozita do të haj goxha kohë.
Aleatët dhe kundërshtarët e vegjël ideologjik , kur e dinë se çdo votë e tyre peshon, normalisht që ashtu do sillen dhe do jenë tekanjoz dhe ekstraegzigjent, deri në çmenduri ndonjëherë ndaj të Madhit. Dhe i Madhi kërcen edhe nga belaja dhe i thotë derrit dajë, siç jam i sigurt i thotë me vete Berisha Metës dhe Meta Berishës.
Rama për vet specifikën e mandatit të dytë të parevokueshëm si kryeopozitar, në bazë të statutit të partisë së tij, ndryshe nga partitë e tjera, qe janë shndërruar praktikisht ne sekte fetare, lipset të urbanizoj çdo paragjykim për aleanca .
Atij i duhet edhe Fatos Nano, edhe Bamir Topi, edhe Kreshnik Spahiu edhe Ilir Meta, edhe Nard Ndoka( nëse nuk është vonë) edhe komunistët e Milloshit. Berisha dhe PD-ja kanë bërë dhe do bëjnë pa as më të voglin dyshim, gjithshka legale dhe jolegale politikisht që të bëjnë subversion si dhe të mbledhin çdo votë nga çdo tribunë në koloseumin politik shqiptar.
Ndërkaq Rama, në cilësinë e kreut të opozitës, do duhet edhe brenda partisë së tij të ndryshoj disa gjëra.
Shumë nga deputetëve të vetë u ka humbur vula në diskursin politik opozitar e të tjerët janë me” leje krijimtarie ”. Nuk mbahet furia mediatike e Berishës, dhe e medieve të tij proqeveritare, vetëm me Twitter-in e vetë dhe jo vetëm Facebook-un e Erjon Braces e shkrimet Pandeli Majkos, padyshim ndër opozitarët më aktiv në vënd.
Imazhin dhe emrin e opozitarit duhet ta meritojnë gjatë gjithë opozicionit dhe jo në pesë-gjashtë muajt e fundit kur fillojnë e bëhen listat për deputet.
Sakaq, Rama mendoj se duhet të korrigjoj, (ashtu siç korrigjoj lavdërueshëm marrëdhëniet me një pjesë të medies) edhe sjelljen e tij dhe qasjen njerëzore me simpatizantët e vetë të thjeshtë, por edhe ish elitarët socialistë.
Jo rralle, ka ankime për një fodullëk dhe shikim nga lart- poshtë të njerëzve të thjeshtë, ( jo për shkak të gjatësisë së tij trupore) qoftë edhe në ambientet e selisë së PS-së apo edhe takimet me njerëzit e thjeshtë në bazë.
Rama është akuzuar nga kundërshtarët se është “mish i huaj në atë parti”, gjë që unë deri diku nuk e besoj, por sensitiviteti ndaj atyre, që të japin votën është shumë i rëndësishëm në mentalitetin shqiptar dhe ballkanas.
Ata që rijnë tërë ditën tek dera e PS për një shikim dhe një buzëqeshje të Liderit apo edhe ata që takon në bazë, një fjalë e mire dhe begenisje , siç bëjnë kundërshtarët e tij me të tyret, është ndonjëherë shumë vendimtare në votë-marrje, aq sa është vendimtare më shumë për Ramën sesa Berishën, mejdani i ardhshëm elektoral.