FRIKA ME QENË QYTETAR!

0
30

R. KasumajBerlin, nëntor 2015

(Mbi një soj të robnisë)

1.
Kemi dëgjuar ndër vite shumë sintagma mbi magjinë e politikës dhe mundësitë e tejandejme që jep pushteti i saj. Në përskajim të thjeshtësuar, do të thuhej se ajo është një levë mjeshtërisht e fortë: për shpirtërat e mirë dhe për ata të liq. Për të parët – që ti shërbejnë përulshëm atyre që i përfaqësojnë dhe për të dytët – që të nëpërkëmbin brutalisht ose lëmueshëm, të drejtat e tyre.

Galeri e të dytëve, ndërkaq, e shumtë si armatë krimbërore, vuan kompleksin e niçeanizmit primitiv. Përjetojnë, ashtu, ekstazën barbare të dorëvënjes mbi fatet e të tjerëve: duke i poshtëvënë, vjedhur e përbuzur që, të tillë, i shndërrojnë mandej në qenje turmash amorfe tek s’ndjejnë më as dhimbje, as dëshirë, as zemëratë e as shpresë…

2.
Që këtej rezulton, me gjasë, arsyeja pse kjo tipologji hierarkësh, i tmerrohet statusit të qytetarit të lirë. Nuk e imagjinojnë dot humbjen e kënaqësisë që u jep sadizmi shtetëror, i ushtruar me zell mbi kopenë zgjedhore. Por, njëkohësisht, megjithë akumulimin e pakufi të frerëve pushtetarë, i gërryen poaq, një frikë e thellë që kujdestaron prorë në ndërgjegjen e errtë… Është droja zhbiruese se, sado e flashkët, turma ose anonimati i heshtur mund të formulojë një ditë pyetjen e, fill pas saj, akuzën fatale: deri kur? E tutje: a erdhi koha e përballjes me bëmat që i kishin krusmuar përdhé?!

Dhe, më pas, si thotë Libri i Vjetër, dita e fundit e keqe, bën të harrohen të gjitha ditët e lumtura të ikura. Pikërisht nga mneri i kësaj të mbramës ditë, shmangin e shtyjnë ata rikthimin e statusit të humbur të qytetarit të lirë. Ndaj dhe, duan shkallare të epërme nomenklature: të pakufizuar me Fuqinë dhe të pafund me Kohën. Janë ato që mbajnë çelësat e shpëtimit nga një hata tronditëse, pse civiliteti i tyre mund të mos jetë nderëplotë dhe as i lirë. Por, megjithatë, prapë më vezulluese ngjan kjo robni sfilitëse se tirania e jetës së shfronësuar qytetare, në pritje të ca hekurave të tjerë…

3.
Kështu do të meditoja në këto orë kur era fryn tërbueshëm dhe vjeshta me ansamblin e bukurisë së pikëlluar, nuk jepet dot…Do të përsiasja, jo pa deshpërim, tek pashë lajmin e zi, se Isaja e Hashimi, një duo infernalisht komplementare, gatiten të ndërrojnë rolet e tyre. Ata paskëshin betonuar paktin për të ndjekur maninë e ligë putiniste të përhershmërisë. Kryetar i përjetshëm, historik (pa histori), i nderit, legjendar (pa prekur ende muzgun e jetës) – janë floskulat që mbushin ambientin politik provincial…E njeriu, posa merr pakëz frymë nga thënja prehëse biblike, kujton sëmbueshëm një tjetër varg, tashmë, agollian: “ditës së nesërme që s’më erdhi kurrë, do i lë takim në varrezë…”!

4.
Vërtetë, si do të dukej formati i tyre civil? Pa supore. Grada. Ofiqe. Shpurë. Vetura të zeza. Tullacë të armatosur që i rrethojnë…Dhe a do ti shohim ndonjëherë? Apo, ndoshta, ata do të zbresin poshtë, por ne s’do mrekullohemi për ti parë më…Kushedi, do qëndrojnë në larginë. Pas perdesh me tela…Diku përtej ngjyrave të jetës..!