Frika e ringjallur më 8 Dhjetor 2010!

0
53


Nga Mero Baze

Dje në mbrëmje kryeministri i parë i Shqipërisë pas-komuniste, Aleksandër Meksi, promovoi një libër, në të cilën ka përmbledhur dokumente të Lëvizjes së Dhjetorit, lindjes dhe funksionimit të Partisë Demokratike si dhe fakte që kanë të bëjnë me ndryshimin e sistemit në Shqipëri. Në ceremoninë e organizuar në Universitetin Evropian të Tiranës, ishin qindra protagonistë të Lëvizjes së Dhjetorit.

Kishte ish-ministra të qeverisë së Partisë Demokratike, ish-deputetë të saj, ish-zyrtarë të saj, njerëz të thjeshtë që kontribuuan në Dhjetor, por që nuk u morën më me politikë, dhe studentë të UET. Por, megjithëse të gjithë ndjeheshin mirë me njëri- tjetrin, ajo që binte në sy ishte se nuk kishte asnjë njeri nga shumica zyrtare që sot do të shtiret sikur feston 8 Dhjetorin, ditën e vrasjes së frikës mbi diktaturën.

Unë e kuptoj që Sali Berisha ka aq mllefe dhe kapadaillëk primitiv në kokën e tij sa të mos shkojë në krah të ish-kryeministrit të tij dhe njerëzve më të cilët ka nisur rrugëtim jo-komunist në politikë. Kuptoj dhe një tufë njerëzish që s’kanë asnjë lidhje as me Dhjetorin dhe as me PD, që janë në atë parti rastësisht për të bërë ndonjë lek. Por nuk kuptoj çfarë i pengon të shkojnë në një ceremoni të thjeshtë njerëzore shumë njerëz të pushtetit të sotëm që ishin protagonistë të Lëvizjes së Dhjetorit dhe janë sot pjesë e pushtetit.

Ç’e pengon për shembull Arben Imamin, Neritan Cekën, Arben Demetin, Astrit Patozin, Genc Rulin… Natyrisht frika nga Berisha dhe shijet e tij për 8 Dhjetorin. Dhe kur tremben këta që kanë një status politik në PD, ç’pret për zëvendësministra apo drejtorë të thjeshtë të kësaj administrate, që e konsiderojnë një takim të tillë, qoftë dhe kulturor, si vepër “anti-parti”.

Por problemi është përtej këtij protokolli të tredhur nga frika e pushtetit të ri. Problemi është se 20 vjet pas rënies së komunizmit, Berisha ka arritur të krijojë një kulturë komuniste të re dhe në raportet njerëzore mes shqiptarëve. Sot një protagonist i Lëvizjes së Dhjetorit, që nuk është pjesë e pushtetit, apo që nuk është dakord me Berishën, urrehet nga ajo parti më shumë se një anëtar i Partisë së Punës së asaj kohe, që tani mund të jetë me PS, PD apo LSI.

Kultura e ndarjes klasore, që Berisha ka kultivuar dhe tashmë po funksionon vetë në këtë vend, është bilanci më tragjik i 8 Dhjetorit 1990 në vitin 2010. 20 vjet më pas shqiptarët ndjehen të ndarë në njerëz të lirë dhe njerëz të frustruar. Në ndryshim nga komunizmi, njerëzit e lirë 20 vjet pas 8 Dhjetorit janë njerëzit që nuk janë në pushtet, dhe të frustruar ata që janë në karriget e pushtetit.

Salla e djeshme në UET, ku ish-kryeministri i parë i qeverisë së Partisë Demokratike festonte me miq dhe protagonistë të Lëvizjes së Dhjetorit, pa thuajse asnjë element që përfaqësonte pushtetin, është tregues i qartë i cilësisë së lirisë që kemi prodhuar për këto 20 vite. Duke riprodhuar tiparet e shtetit klasor, në raport me biznesin, në raport me intelektualët, në raport me median dhe sidomos në raport me qëndrimin, që shoqëria mban ndaj pushtetit të tij.

Sali Berisha i ka bërë një atentat të rëndë 8 Dhjetorit të vitit 1990. Ai e ka varrosur atë në rrënojat e frikës së njerëzve të pushtetit për të komunikuar me miqtë e tyre, me bashkëkohësit e tyre, me njerëzit e lirë me të cilët nuk i ndan asgjë, përveç një emri: Sali Berishës.