Frika e popullit nga “padija” dhe frika e Berishës nga “dija”

0
36

Nga Mero Baze

Ka një shqetësim real që po  ngjizet në publik rreth asgjësimit të lëndëve kimike në Shqipëri. Më shumë se sa shqetësim nga e vërteta, është një shqetësim nga paqartësia dhe përvoja e hidhur që shqiptarët kanë lidhur me përgjegjësinë ndaj vendit të tyre.

Një pjesë e shoqërisë civile, që ka bërë betejën kundër importit të plehrave, është mobilizuar të jetë kundër asgjësimit në Shqipëri të lëndëve kimike të Sirisë. Pjesa tjetër, që bën dhe si më agresive, janë enturazhi i Berishës, që po përpiqen të flasin jo aq kundra asgjësimit të lëndëve kimike, por kundër faktit që ky është një oportunitet për qeverinë aktuale, tek e cila ata si xhambazë shikojnë përfitime dhe flasin për rreziqe.

Por kulmin e anës tinëzare të reagimit e ka arritur Sali Berisha, që ka shkruar një koment në emër të dhëndrit të vet në gazetën Panorama, me fjalitë, stilin dhe logjikën e tij, jo kundër rrezikut të asgjësimit të lëndëve kimike në Shqipëri, por kundër rrezikut të përftimit që mund të ketë qeveria dhe vendi në rast se ky operacion realizohet me sukses dhe hiqen frikërat e rreziqeve që në kemi për shkak të paqartësisë që ekziston mbi këtë operacion.

Pra, kemi dy reagime. Njërin që është i sinqertë dhe që vjen nga tradita ambientaliste e shëndoshë dhe paqartësia për thelbin e këtij operacioni, për të cilin është kontaktuar Shqipëria, dhe një reagim që bën si agresiv, por që në fakt nuk e ka hallin tek asgjësimi i plehrave, por tek oportuniteti që nuk i është ofruar qeverisë së tyre.

Ndërsa i hedh një sy shkrimit të Sali Berishës, që ka përdorur për pseudonim emrin e dhëndrit, e kupton se dhe një i diplomuar formalisht për biolog, kur është pjesë e asaj familje, nuk ka shqetësim atë që kanë njerëzit e thjeshtë apo ambientalistët, por konjukturën politike. Kur mbaron së lexuari shkrimin e Sali Berishës, e kupton se ai ndryshe nga shqiptarët, është i tmerruar se mos Edi Rama e merr përsipër këtë operacion me SHBA, ia del me sukses dhe atij i bien gjithë teoritë e Kasandrës që ka për pushtetin e ri. Sali Berisha është i vetmi lider në Shqipëri, ndaj të cilit ka një akuzë se ka përdorur lëndë kimike kundër popullit të vet në vitin 1997, dhe i është shmangur gjykimit për këtë çështje për shkak të oportuniteteve politike. Për këtë shkak, ai nuk është i fiksuar tek rreziku nga armët kimike, por tek rreziku nga një pushtet, i cili ka një oportunitet të tillë.

Ky lloj qëndrimi të bën të besosh se çështja e asgjësimit të armëve kimike në Shqipëri, për shoqërinë është një debat, i cili ngjall frikë të ligjshme nga padija për rreziqet e këtij procesi, ndërsa për Berishën ngjall frikë nga dija që ai ka mbi rreziqet politike të procesit, dhe jo ato ekologjike dhe njerëzore.

Për këtë arsye, qeveria duhet të mos kompleksohet për të hyrë në debat për këtë çështje. Qeveria, së pari duhet të bëjë të qartë nëse hezitimi i gjatë i saj prej 40 ditësh, vjen nga reagimi popullor, apo nga fakti që dhe ajo i njeh këto rreziqe për të cilat kemi ne frikë. Arsyetimi i qeverisë se nuk mund të hyjë në debat pa përfunduar marrëveshjen, nuk qëndron, pasi ajo duhet ta bëjë këtë debat duke dëshmuar që është palë e qartë. Pra, qeveria ka të drejtë të trembet nga reagimi i popullit, por ka dhe detyrë të shpjegojë përmes ekspertëve të saj sa rreziqe ka nëse i marrim këto lëndë kimike për të asgjësuar. Ky është një debat i madh në botë. Ka ambientalistë që e kanë kauzë të tyre shkatërrimin e lëndëve kimike dhe shikojnë atë si proces në ndihmë të mjedisit. Por frika në Shqipëri është se kur flitet për asgjësim lëndësh kimike, u kujtohet demontimi i Shkëlzenit dhe Mediut dhe tmerrohen.

Pra, qeveria duhet të hyjë në debat publik pa komplekse, duke ndarë anën politike të problemit nga ana teknike. Për anën teknike ne nuk mund të dëgjojmë ambientalistët tanë, që nuk dallojnë dot bajgën nga superfosfati, por ekspertë të besueshëm kombëtarë dhe ndërkombëtarë të lëndëve kimike.

Pra, qeveria nuk duhet t’i ikë betejës paraprakisht, përkundrazi, është koha të hyjë në betejë së pari për të sqaruar rrezikun apo dobinë e asgjësimit dhe së dyti të përballojë debatin politik rreth saj.

Ajo që po bën Sali Berisha, është tinëzare dhe më e rrezikshme se armët kimike, pasi po tenton të helmojë debatin publik, jo për rreziqet që i vijnë nga armët, por për rreziqet që vijnë nga një qeveri, që i bie ky fat të demontojë lëndët kimike të armëve kimike të përdorura në Siri.

Me tone më të ulëta, këtë po bën dhe Lulëzim Basha, i cili po ashtu e anashkalon çështjen nëse duhet të vijnë apo jo armët, por vë theksin tek fakti që qeveria nuk flet për këtë çështje.

Një Shqipëri e emancipuar, në raste të tilla e përballon këtë debat me argumente dhe me qëndrime të qarta. Ajo që ne po shikojmë është se opozita politikisht nuk është kundër, por është teknikisht kundër, pra është kundër faktit që qeveria mund ta përdorë këtë gjest si prioritet pushteti. Qeveria duket e frikësuar nga reagimi popullor dhe po bën gabim politik që nuk përfshihet në debat publik për anën teknike të çështjes, e cila realisht po tmerron shqiptarët. Sa më shumë ta lësh këtë debat në dorë të diletantëve dhe OJQ-ve të pakualifikuara, aq më e vështirë do të jetë beteja, kur qeveria të jetë para marrjes së vendimit. Një vendim, i cili shoqërinë e ka hutuar nga padija, ndërsa Berishën duket që e ka mërzitur nga ajo çfarë ai di që është kundër tij në këtë histori.