Frika e Berishës (Replikë me B.Fevziun)

0
63

Nga Endri Fuga*

Refuzimi zyrtar i kryeministrit për t’u përballur në një debat publik me liderin e opozitës, ishte lajmi kryesor i ditës së hënë dhe me gjasë do të jetë një temë e debatuar e të gjithë javës politike që sapo ka filluar, e më gjatë. Kjo jo vetëm për faktin se refuzimi për të debatuar me Edi Ramën ishte refuzimi i dytë brenda së njëjtës ditë, që Sali Berisha iu bëri ofertave e kërkesave të opozitës, por, edhe sepse ideja për të përballur në një debat publik Sali Berishën me Edi Ramën këtë herë ishte një sfidë e drejtpërdrejtë e kryeministrit në hije ndaj kryeministrit në detyrë dhe jo thjesht një ide e lëshuar spontanisht nga ndonjë palë e tretë. Dhe pakkush mendonte se Sali Berisha do të zmbrapsej përpara një sfide të tillë. Përtej arsyeve të kryeministrit për t’iu shmangur debatit të shumëpritur me liderin e opozitës, të cilat janë analizuar gjerë e gjatë nga shumë opinionistë, më tërhoqi vëmendjen një shkrim i gazetarit Blendi Fevziu.

Duke qenë se bëhet fjalë për një gazetar të vjetër e me përvojë, e për më tepër për një nga moderatorët e suksesshëm të debateve politike, logjika ta donte që zoti Fevziu në shkrimin e tij të merrej më pak me dështimin e debateve të shkuara dhe të fokusohej më shumë tek nevoja për një debat mes Ramës e Berishës. Madje, pikërisht për shkak të profesionit të tij, prisja që zoti Fevziu të ishte një nga njerëzit që do të ushtronte influencën e tij publike dhe personale mbi Kryeministrin për ta bindur të mos kishte frikë nga një përballje e tillë.

Sepse, në fund të fundit, nëse do të perifrazoja vetë zotin Fevziu, ai që i shmanget debatit shihet gjithnjë si më i dobëti dhe i humburi në sytë e opinionit publik. Por opinioni në fjalë shtron po ashtu nevojën e disa saktësimeve të tjera që mendoj se janë me vend për të ndihmuar të gjithë lexuesit për të pasur një tablo më të qartë e më realiste të situatës. Së pari, në dallim nga debati me zotin Mustafaj, në zgjedhjet vendore të vitit 2007 dhe 2011, përballja më e natyrshme e Edi Ramës në një debat publik do të kishte qenë me vetë Sali Berishën e jo me kandidatët e Sali Berishës për Bashkinë e Tiranës.

Dhe për hir të së vërtetës, në zgjedhjet e fundit lokale një përballje e kësaj natyre mes Ramës e Berishës do të kishte qenë realisht e rëndësishme dhe e nevojshme për vetë karakterin politik që mori fushata zgjedhore, sidomos pas vrasjeve të 21 janarit. Për të mos harruar pastaj që kandidati i Berishës për Bashkinë e Tiranës përgjatë gjithë fushatës zgjedhore, jo vetëm që u fshihej kamerave, të cilat nuk ishin plotësisht nën kontrollin e tij dhe mediave që nuk pranonin materialet filmike të montuara prej stafit të fushatës së tij, por madje i refuzoi edhe vetë zotit Fevziu ftesën për një bisedë kokë më kokë në studion e “Opinionit”.

Së dyti, është e pavërtetë të thuash se Rama i është shmangur debateve me Berishën në një kohë që vetëm gjatë vitit të fundit lideri i opozitës e ka pranuar dy herë ftesën për të debatuar publikisht me Kryeministrin në tryezat publike të organizuara nga ky i fundit, njëherë në lidhje me reformën zgjedhore dhe herën tjetër në lidhje me planin e qeverisë për të shembur Piramidën. Dhe për ironi të fatit, të dyja këto debate publike janë zhvilluar në një periudhë joelektorale. Është po ashtu i pavërtetë pretendimi i Berishës se Rama s’paska pranuar të debatojë me të para zgjedhjeve të vitit 2009, pasi në atë rast kryeministri nuk bëri asnjë ftesë publike përveç ndonjë fjale të hedhur në media se ishte gati të përballej me liderin e opozitës.

Për hir të së vërtetës të njëjtën gjë e ka bërë në disa raste edhe Edi Rama në përgjigje të interesimit të gazetarëve, po kjo nuk mund të quhet ftesë për debat dhe aq më pak pastaj mund të krahasohet me rastin konkret kur kryeministri në hije e ka sfiduar publikisht kryeministrin në detyrë në një moment tejet delikat për vendin. Tek ky moment ia vlen të ndalesh pak më gjatë sepse pikërisht këtu duhet kërkuar ndryshimi themelor mes debateve që nuk ndodhën kurrë në të shkuarën dhe debatit që po refuzohet sot prej kryeministrit.

Sepse përtej rasteve specifike që i përkasin të shkuarës dhe që në të gjitha rastet s’mund të kushtëzojnë të sotmen apo të ardhmen, arsyeja më e fortë përse duhet të ketë sa më parë një përballje publike mes Kryeministrit dhe liderit të opozitës, është situata në të cilën ndodhet sot Shqipëria:
 një situatë që nuk i afrohet asfare normalitetit demokratik, ku liderët e dy forcave të mëdha politike duhet të presin zgjedhjet për të debatuar në sytë e opinionit publik. Kemi të bëjmë me një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për vendin, kur për të dytën herë, në mënyrë të përsëritur e të paprecedentë, Bashkimi Europian, sipas të gjitha gjasave, fatkeqësisht, do t’i refuzojë Shqipërisë, statusin e vendit kandidat.

Në këto kushte, kur të gjithë shqiptarët duan të dalin nga kjo krizë që e bën Bashkimin Europian tejet kritik ndaj vendit tone, kur të gjithë duan të dinë e të informohen se si e shohin palët daljen nga kjo situatë, por kur media shqiptare është gjithmonë e më shumë nën kontrollin apo nën presionin e pushtetit dhe qëndrimet e palëve rëndom deformohen qëllimisht, nuk ekziston asnjë mënyrë më e mirë për ballafaqimin e alternativave të opozitës e qeverisë sesa kjo përballje të drejtpërdrejtë, publike, mes personit që qeveris e atij që pretendon të qeverisë në të ardhmen.

Do të ishte 
vërtet një fatkeqësi sikur kjo t’u bëhet shqiptarëve e pamundur në këtë moment dhe që për më tepër shumëkujt, t’i duket si diçka krejt normale. Sepse vetë fakti që kryeministri i vendit ka frikë nga një përballje publike me liderin e opozitës tregon më së miri se sa jo normal është momenti që po kalon vendi.

Sot, në kushtet ku ndodhet Shqipëria, një debat publik mes Ramës e Berishës do të ishte i domosdoshëm, jo për përftimin politik të njërit apo tjetrit, por për të mirën e qytetarëve, që do të shihnin si mund të ballafaqohen në mënyrë të civilizuar dy vizione dhe projekte krejt të ndryshme për rrugën e integrimit. Dhe në fund të fundit ky do të ishte edhe një debat i shëndetshëm edhe për vetë median, ku siç e di fare mirë vetë zoti Fevziu, debatet shpesh bllokohen pikërisht siç po përpiqet Berisha të bllokojë këtë debat të shumëpritur nga shqiptarët.

*Drejtor i Komunikimit në Partinë Socialiste

————————

FTESA E RAMËS
Blendi Fevziu / Gazeta Panorama

Po, dua! Kjo është përgjigjja që Edi Rama, kreu i PS, i ka dhënë në fundjavë një kërkese të përsëritur që ua kish refuzuar në tetë vjet katër personave. Një refuzim, në të gjitha rastet i bërë nga Rama, që fillon me debatin e munguar Rama – Ngjela, në zgjedhjet lokale të vitit 2003, vijon me Rama – Olldashi, në zgjedhjet e 2007-s, me debatin e pritshëm Berisha – Rama, në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009 dhe mbyllet me debatin që vetë ai e konsideroi të pavlerë, Rama – Basha, në vitin 2011.

Në të gjitha rastet përgjigjja e tij ka qenë e thjeshtë: Nuk dua!
Në fakt, kjo “nuk dua” s’ka qenë thjesht një vendim personal, por rrënim i një standardi të vendosur që në zgjedhjet lokale të vitit 2000, kur ai vetë u përball me kandidatin e atëhershëm të PD, Besnik Mustafaj. Rrënim i një standardi demokratik, i pranishëm kudo në botë. Një standardi që jo vetëm s’do ta dëmtonte, por do ta shëndoshte dhe do ta bënte më transparente demokracinë e brishtë shqiptare.

Rama ka pasur arsyet e tij për këtë refuzim të katërfishtë, por fakti që ai u kthye mbrapsht, në një praktikë që ka qenë prezente në nisjen e karrierës, të bën të besosh se udhëheqësi i opozitës e ka kuptuar gabimin. Por jo vetëm të tijin. Ai po priret drejt një standardi që s’duhet ta refuzojë askush dhe që duhet të jetë i vendosur, po ashtu si data e zgjedhjeve dhe procedurat e fushatës elektorale. Në këtë kontekst, nisma e tij duhet përgëzuar. Ajo është nisma e një të penduari që e ka kuptuar se refuzimi i vazhdueshëm nuk ka prodhuar asgjë pozitive për politikën shqiptare dhe për atë vetë.

Por, nëse nisma për një debat me Berishën duhet përgëzuar – nëse kjo duhet institucionalizuar për çdo herë që ka zgjedhje në Shqipëri, pavarësisht se kush e drejton PD dhe PS – ka edhe një problem që duhet analizuar. Si lider i opozitës, Rama ka bllokuar në dy vitet e fundit gjithë debatet e mëdha opozitë – maxhorancë. Të dyja institucionet ku zhvillohet beteja publike, Parlamenti dhe studiot televizive, kanë qenë krejtësisht jashtë loje.

Opozita kishte vendosur të mos shkonte në Parlament, dhe kjo ishte një zgjedhje politike e saj. Në këtë kontekst, në shumicën e kohës ajo ka qenë jashtë debatit politik me maxhorancën, sidomos për çështje madhore. Beteja politike nuk mund të zhvillohet me konferenca shtypi në distancë, dhe kjo ishte praktika e falimentuar e opozitës shqiptare.

Por, në vend që mungesën në Parlament, ta mbushte me prani në media, opozita zgjodhi t’i shmangë debatet e drejtpërdrejta televizive me maxhorancën që në vjeshtën e vitit 2009. Kjo teori arriti kulmin në mungesën e plotë të përballjeve midis kandidatëve konkurrente në zgjedhjet lokale të 2011-s. Një histori që s’kish ndodhur kurrë që prej vitit 2000, kur u instalua ky standard. Në dy vite, ballafaqimi opozitë – maxhorancë numërohet me gishtat e dorës, ndërkohë që betejën politike të opozitës e kanë bërë aleatët e saj. Studiot televizive kanë qenë të dominuara nga Preç Zogaj, Skënder Gjinushi, Paskal Milo, Spartak Ngjela, Nard Ndoka, Vangjel Dule, Petro Koçi. Qenë këta që u përballën me përfaqësuesit e maxhorancës, duke mbushur njëfarësoj boshllëkun e madh mediatik që vendosi standardi i Edi Ramës. Si pasojë e kësaj, në dy vite, shumë deputetë të rinj të PS janë ende “të panjohur”.

Shumë prej tyre s’kanë shkelur akoma në një studio televizive dhe fare pak janë përballur me deputetët e maxhorancës. Në më shumë se gjysmën e mandatit të tyre ata kanë mbetur thuajse anonimë. Edhe pse shumë janë personalitete në fushat prej nga vijnë. Kjo ka sjellë një tablo të deformuar politike, ku maxhoranca nuk është përballur me ekspertizën e opozitës, siç ka ndodhur në 10 vite, por me deklarimet e saj nga larg. Në kontrast me opozitën e dikurshme të Berishës, që ishte e gatshme dhe gjendej në çdo studio televizive për të akuzuar qeverisjen socialiste të Fatos Nanos dhe për t’u përballur me të.

Vetë Rama i është shmangur çdo debati prej vitesh. Njeriu që hyri në politikë si një polemist fshikullues, protagonisti që i trembte politikanët tradicionalë me stilin e tij tallës dhe ironik, nuk është përballur më me askënd që nga prilli i vitit 2003. Që prej 5 vjetësh ai s’guxon të futet në asnjë studio televizive ku “nuk është i sigurt” dhe gjithë gazetarët e dinë që ky njeri interesohet për pyetjet më shumë se sa për përgjigjet. Ai i ka reduktuar të gjitha format e komunikimit, përfshi konferencat e hapura të shtypit, ku u shmanget përgjigjeve me batuta, gjë që s’ka ndodhur dhe s’ndodh me asnjë politikan tjetër në Shqipëri.

Ndaj, ftesa e Ramës e kësaj fundjave është, pa dyshim, një gjë pozitive. Edhe pse unë besoj se ajo do të kishte më shumë vlerë nëse shihej si standard dhe jo si ftesë konkrete. D.m.th., që PD dhe PS të binin dakord dhe të sanksiononin faktin që në fushatë dy liderët e tyre, kushdo qofshin ata, të zhvillojnë dy apo tri debate televizive; që përfaqësuesit e tyre të mos u shmangen temave të mëdha, por të ballafaqohen me to; që debatet të kenë një standard dhe të mos kthehen në sherrnaja ku askush s’kupton asgjë. Ky do të ishte një zhvillim me vlerë. Një zhvillim që do të linte gjurmë për të ardhmen e vendit. Duke dëshmuar se Shqipëria po ecën në një rrugë të pakthyeshme. Dhe jo si deri dje, kur standardet e vendosura 10 vjet më parë rrëzohen më pas dhe kur opozitën e bëjnë gazetarët, ndërsa vetë opozita bën gazetarin!