Shekulli Online, 29.06.2010
UPDATE – Parregullsi në zgjedhje, probleme në numërimin e votave dhe plotësim i disa standardeve, por jo arritje e gjithë standardeve demokratike. Këtë konstaton raporti i fundit i Freedom House për vendet në tranzit, ku bën pjesë edhe Shqipëria.
Në një kapitull më vete, raporti merr në analizë zgjedhjet, lirinë e medias, korrupsionin, pushtetin lokal, pavarësinë e gjyqësorit etj.
“Procesi i numërimit është kontestuar dhe u shoqërua me disa ankesa ligjore. Sipas raportit të OSBE-së zgjedhjet e vitit 2009 nuk realizuan plotësisht standardet më të larta demokratike”- thuhet në raport, ku shtohet se gjithsesi ato u konsideruan nga organizatat ndërkombëwtare dhe qeveria si më të mirat të mbajtura ndonjëherë në vend.
Më poshtë ju sjellim në mënyrë më të detajuar atë cfarë thotë raporti I publikuar sot nga organizata Freedom House
PROCESI ZGJEDHOR
Zgjedhjet parlamentare u zhvilluan në Shqipëri më 28 qershor,
2009. Zgjedhjet u zhvilluan nën një kod të ri zgjedhor të miratuar në mënyrë konsensuale nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste gjashtë muaj
para ditës së zgjedhjeve. Për herë të pare ishte kompjuterizuar Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile. Zgjedhjet u zhvilluan në një mjedis të ndezur politik. Nuk janë vënë re incidente të mëdha, por gjatë numërimit të votave është kontestuar procesi dhe ka patur mjaft ankesa ligjore. Zgjedhjet nuk arritën plotësisht tu përmbahen standarteve, edhe pse ato u konsideruan si zgjedhjet më të mira të mbajtura ndonjëherë në vend. Vlerësimi i procesit zgjedhor në Shqipëri mbetet I njëjtë si një vit më parë.
SHOQËRIA CIVILE
Shoqeria civile shqiptare është në një udhëkryq dhe po mbetet prapa organizatave si motra në rajon. Arsyet janë burimet e pakta financiare, varësia e lartë nga donatorët, mungesa e antëtarësimeve, si dhe është vërejtur rënie e aktivitetit të tyre. Segmente të ndryshme të sektorit civil u përshinë në zgjedhjet e qershorit, dhe udhëheqësit e disa OJQ-ve konkuruan në zgjedhjet parlamentare. Kjo ka hedhur dyshime të shumta mbi paanshmërinë e shoqërisë civile në Shqipëri
LIRIA E MEDIAS
Raporti thekson se mediat shqiptare kanë avancuar në drejtim të teknologjisë, por
korniza ligjore që mbron mediat e lira nuk është përfunduar ende. Mediat favorizojnë interesat e pronarëve dhe politikanëve në vend, se sa të publikut. Kjo pengon cilësinë editoriale. Mbulimi I zgjedhjeve të 28 qershorit ishte I ndarë në favor të partisë në pushtet dhe opozitës kryesore, duke lënë pa mbuluar, menjanë, partitë e vogla. Reforma e transmetuesit publik është bllokuar. Rastet e dhunës kundër gazetarëve kanë qenë te vecuar, megjithatë gazetaria investigative ende mbetet e kërcënuar. Mjafton të kujtojmë rastin e kryredaktorit të gazetës Tema, Mero Baze. Si shkak I kësaj në këtë raport liria e medias paraqitet e përkeqësuar
PAVARËSIA E PUSHTETIT LOKAL
Polarizimi e jetës politike në nivelin qendror dhe niveli i qeverisjes ka patur një ndikim negativ në punën e pushtetit lokal.
Procesi i decentralizimit është në vazhdim, por pengohet nga shkurtimet në buxhetet lokale. Parlamenti miratoi një ligj për të ulur normën e tatimit për bizneset e vogla, e cila redukton të ardhurat e pushtetit lokal, përgjegjës për mbledhjen e taksave të biznesit të vogël. Megjithatë qeveria qëndrore nuk ka marrë ndonjë masë për të kompensuar këto humbje ne buxhetet vendore. Vlerësimi për pavarësinë e pushtetit lokal përkeqësohet për shkak të shkurtimeve të të ardhurave , si dhe bojkotit të opozitës.
PAVARËSIA E GJYQËSORIT
Sistemi gjyqësor në Shqipëri nuk është krejtësisht i pavarur, dhe Shqipërisë i mungon një strategji e përgjithshme për reformën gjyqësore. Qeveria vazhdon të marrë veprime për të trembur gjyqtarët dhe prokurorët, ndërsa sjell raste politikisht të ndjeshme në gjyq. Dy ministra ishin të akuzuar për shpërdorim detyre, por rastet e tyre u hodhën poshtë nga Gjykata e Lartë mbi baza procedurale. Konferenca Gjyqësore nuk mund të thërrasë një takim për të zëvendësuar anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD) mandatet e të ciliëve kanë skaduar për shkak se dy forcat e mëdha politike nuk mund te arrijne konsensus. Janë vërejtur vonesa dhe funksionim i dobët i sistemit te drejtësisë gjatë gjithë vitit. KLD është në procesin e rritjes së numrit të gjyqtarëve në gjykatat e rretheve më të mëdha, për të zgjidhur çështjet e shumta.
Institucionet shtetërore kanë dhënë një shembull të keq në lidhje me ekzekutimin e vendimeve të gjykatës, dhe mungesa e besimit i ka detyruar shqiptarët të sjellin rastet e tyre para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
KORRUPSIONI
Korrupsioni vazhdon të jetë një fenomen shume i përhapur në Shqipëri, dhe përceptimi i korrupsionit në shërbimet e ndryshme publike mbetet i lartë. Përpjekjet e qeverisë për të ndaluar korrupsionin kanë ngecur në fazën e strategjisë, ose është aplikuar në mënyrë selektive. Gjithsesi qeverisë shqiptare i mungon strategjia antikorrupsion. Imuniteti i zyrtarëve të lartë vazhdon të jetë një pengesë në luftën kundër korrupsionit. Përmendet rasti i ministrit të Mjedisit Fatmir Mediu, i akuzuar në lidhje me shpërthimin në fabrikën e municioneve në Gërdec, që vrau 26 persona në vitin 2008-të.
VITI 2010
Aplikimi I Shqipërisë për anëtarësim në BE do të merret në shqyrtim gjatë këtij viti ndërsa vendi pret një përgjigje. Ka të ngjarë që vendi të përfitojë një regjim pa viza në zonën e Shengenit brenda 2010. Më shumë se gjysma e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese do të përfundojë mandatin e tyre, dhe zëvendësimi është shumë i rëndësishëm pasi Gjykata Kushtetuese luan gjithnjë e më tepër rol vendimtar në funksionimin e institucioneve kryesore dhe ruajtjen e të drejtave kushtetuese.