Fred Abrahams: Ja spiunët e Sigurimit të Shtetit që i mori Sali Berisha në qeveri

0
46

voal.ch | 22 gusht 2015

Mehmet Elezi nga Tropoja, ish kreu i medieve në Partinë e Punës dhe ish kreu i rinisë komuniste, shërbeu si këshilltar i presidentit

Shkrimtari amerikan, Fred Abrahams, në librin e tij për Shqipërinë, konfirmon atë që është artikuluar deri më sot si një dyshim dhe hipotezë. Fred Abrahams shkruan se Sali Berisha mblodhi rreth vetes dhe qeverisë spiunët e Sigurimit të Shtetit për disa arsye të mirëmenduara. Fred Abrahams thotë se Berishës i interesonte të kishte pranë vetes bashkëpunëtorë të regjimit komunist, me qëllim për t’u bërë presion dhe për t’i pasur nën vete. Sipas tij, me anë të spiunëve të Sigurimit, Berisha jo vetëm synonte të mbante pushtetin me metoda jo demokratike, por edhe t’i mbante ata në rresht, duke i shantazhuar me të kaluarën e tyre të zezë.

Berisha ka qeverisur me njerëzit e Sigurimit të Shtetit. Sali Berisha zgjodhi ish kreun e organizatës komuniste për të rinjtë, i cili ishte ulur pranë Ramiz Alisë në dhjetor të 1990 dhe priste studentët. Mehmet Elezi nga Tropoja, ish kreu i medieve në Partinë e Punës dhe ish kreu i rinisë komuniste, shërbeu si këshilltar i presidentit. Berisha i fali këta persona për të kaluarën e tyre dhe ata nga ana e tyre, premtuan besnikëri për të. Në fakt, Berishës i interesonin këta njerëz që kishin bashkëpunuar me ish Sigurimin e Shtetit, për t’u bërë presion që të mos dilnin nga linja e tij, por ai synonte edhe të mbante pushtetin me këta njerëz”, shkruan Abrahams në librin e tij.

Në librin e tij “Shqipëria Moderne-Tranzicioni nga Diktatura në Demokraci”, shkrimtari amerikan thotë se Sali Berisha largoi nga puna shumë mbështetës të PS dhe ndryshoi ligjin e punës në interes të tij. “Gjatë fushatës elektorale të 1992, Berisha përdori frazën “të gjithë përgjegjës, të gjithë viktima”, domethënë që të gjithë shqiptarët luajtën një rol në vendosjen e diktaturës dhe duhet të shmangnin hakmarrjen. Ditën tjetër, Parlamenti bëri ndryshime në ligjin e punës, që i lejonte ndërmarrjet shtetërore të largonin nga puna punonjës pa as edhe një lloj shpjegimi. Mijëra njerëz humbën vendet e punës në ministri, universitete, mediat shtetërore dhe kompani. E ndërsa këto vende pune kishin nevojë për ndryshime, terminologjia e paqartë e ligjit i cili nuk kundërshtohej, i hapi rrugën politikave të spastrimit”, thuhet në libër.

Politika e spastrimit
Shkrimtari amerikan, Fred Abrahams, në librin e tij për Shqipërinë, thotë se Sali Berisha, pasi mori pushtetin nisi spastrimin në administratën shtetërore në bazë të bindjeve politike. Ai tha se të gjithë njerëzit që nuk mbështesnin Sali Berishën u ndëshkuan. Shkrimtari amerikan shkruan se Sali Berisha ngriti një regjim të ri pas rrëzimit të regjimit të mëparshëm. “Socialistët u ankuan për politikën e spastrimit dhe deklaruan se 250 mijë vetë humbën punën. Shumë socialistë u shkarkuan nga puna si në polici, në policinë sekrete dhe në dogana. Sipas zyrtarëve të PD, çështja nuk ishte se çfarë pune kishin bërë më parë, por nëse mbështesnin Berishën dhe regjimin e ri”, thuhet në libër.

Adriatik Doçi
E shtunë, 22 gusht 2015