Aleanca Kuqezi, LZHK, PDK dhe partia e Ngjelës pritet të ftohen për bisedime
Fatjona Mejdini, 7 Gusht 2012
Fryma e Re Demokratike ka nisur negociatat për krijimin e një koalicioni të qendrës së djathtë, i cili do të garojë përkrah dy koalicioneve klasike, të drejtuara nga Partia Demokratike dhe ajo Socialiste. Me përfshirjen e ish-presidentit Bamir Topi në drejtimin e kësaj partie dhe po kështu në kuadër të afrimit të zgjedhjeve të ardhshme lokale, ambiciet e FRD-së janë rritur ndjeshëm, duke kërkuar formimin e një koalicioni të përbërë me parti të së djathtës dhe të qendrës, të cilat në pjesën më të madhe janë pjesë-pjesë të koalicioneve të PD-së dhe PS-së.
Burime nga grupi themeltar i FRD-së bëjnë të ditur se bisedat informale mes drejtuesve të kësaj partive dhe atyre të partive të vogla të qendrës dhe të djathta ka nisur tashmë dhe pritet që këto takime të transformohen në negociata zyrtare në vjeshtën e këtij viti. Qëndrimi për të dalë në krye të një poli të tretë politik dhe në udhëheqje të një koalicioni të qendrës së djathtë është kuptuar edhe nga deklaratat e ish-presidentit Bamir Topi, në krahë të kreut aktual të FRD-së, deputetit Gazmend Oketa.
Sipas Topit, FRD-ja nuk duhet të bënte aleancë me asnjërën prej dy partive të mëdha në vend, por vetëm me qytetarët, të cilët në një mënyrë ose në një tjetër ishin zhgënjyer dhe nuk i besonin më votën e tyre PS-së apo PD-së. Duket se strategjia e një koalicioni të tillë do të ketë në qendër jo vetëm mbledhjen bashkë të partive të djathta dhe të qendrës, por dhe të riaktivizimit të një shtese të re qytetarësh në gjendje të votojnë, por që prej vitesh nuk e kanë ushtruar këtë të drejtë.
Burimet bëjnë të ditur se partitë me të cilat pritet të negociohet për krijimin e këtij poli janë Aleanca Kuqezi e Kreshnik Spahiut, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar e Dashamir Shehit, Partia Demokristiane e Nard Ndokës, Partia Ligj dhe Drejtësi e Spartak Ngjelës, por dhe partitë që përfaqësojnë Ballin Kombëtar. Nga ana tjetër, këto forca pritet të kenë përballë koalicionin e drejtuar nga Partia Demokratike, që si aleat më të afërt për vitin 2013 pritet të ketë Lëvizjen Socialiste për Integrim të Ilir Metës dhe Partinë Republikane të Fatmir Mediut.
Po kështu, Partia Socialiste pritet të ketë në koalicionin e saj, partitë tradicionale që e kanë shoqëruar në pushtet dhe në opozitë, Partinë Socialdemokrate të Skënder Gjinushit dhe Partinë Demokracia Sociale të Paskal Milos. Ende nuk dihet nëse PS-ja do të arrijë të mbajë të bashkuar aleancën me PDK-në e Nard Ndokës, apo me PLD-në e Spartak Ngjelës. Ajo që dihet me siguri është se skena politike do të ketë surprizat e saj në muajt që vijnë, si pasojë e nevojës për bashkim në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të vitit 2013.
Burimet bëjnë të ditur se partitë me të cilat pritet të negociohet për krijimin e këtij poli janë Aleanca Kuqezi e Kreshnik Spahiut, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar e Dashamir Shehit, Partia Demokristiane e Nard Ndokës, Partia Ligj dhe Drejtësi e Spartak Ngjelës, por dhe partitë që përfaqësojnë Ballin Kombëtar.







