TemA, 17 Korrik 2013
Ish- ambasadori i Danimarkës në Shqipëri, Karsten Jensen, i njohur për intervistat e tij të forta kundër qeverisë në largim, deklaroi njëherë se habitej se si Shqipëria me kaq shumë burime, me kaq shumë diell, bukuri natyrore dhe me një pozicion të tillë strategjik, është kaq e varfër.
Një shembull që vjen nga Norvegjia na fakton se ai ka pasur të drejtë.
Një qytet në këtë vend ka vendosur që më në fund të fitojë disa rreze dielli në dimër.
Qyteti Rjukan ndodhet në një luginë, ku në dimër nuk e kap asnjë rreze dielli.
Për këtë arsye, banorët kanë vendosur që të ngrenë pasqyra gjigande lart në mal për të reflektuar rrezet e diellit direkt në qendrën e qytetit.
Qyteti nuk preket nga rrezet e diellit mes muajve shtator dhe deri në mars.
Për vite të tëra, banorët, të etur për diell, kanë ndërtuar teleferikë të posaçëm për t’u ngjitur në mal dhe për të shijuar ndonjë rreze dielli.
Por tani gjërat do të ndryshojnë pasi helikopterët kanë nisur që të vendosin pasqyra gjigande në një lartësi prej 450 metra mbi luginën.
Pasqyrat, të njohura edhe si helistate, janë të projektuara për të gjurmuar lëvizjen e diellit dhe për të reflektuar dritën direkt në sheshin kryesor të qytetit.
Ideja nuk është e re, pasi është propozuar 100 vite më parë nga një punonjës në një hidrocentral aty pranë.
Pasqyrat do kontrollohen me anë të një kompjuteri./ep