FOTO REPORTAZH/ Një tallje e Berishës me rrugët (dhe me tropojanët)

0
45

Skandal në rrugën që lidh Tropojën me Kukësin. Rrugët e Berishës pas dy vjetësh bëhen të pakalueshme. Abuzimi kap vlerën e 6 miliard lekëve. Rruga u ndërtua nga biznesmeni i Familjes

Nga Lindita Çela, 18 Qershor 2013

Kryefjala dhe krenaria e qeverisjes së kryeministrit Sali Berisha janë rrugët. Jo më kot ai del i vetëm, në mes të rrugës, në çdo miting elektoral, duke folur se ka shtruar mbi 10 mijë kilometra rrugë.

Në fakt, askush nuk i ka vënë metrin rrugëve që thotë Berisha, por e vërteta e madhe është se jetëgjatësia e tyre, ndonjëherë është aq sa zgjat një miting elektoral. Skandali i radhës i kësaj qeverie me rrugët, pa frikë mund të konsiderohet aksi rrugorë që lidh Tropojën me qytetin e Kukësit. Sot rruga është e pakalueshme për makinat e vogla, ndërkohë që rruga u inaugurua në prag të zgjedhjeve elektorale të vitit 2011. Pa kaluar as edhe dy vite, jo vetëm fotot, por edhe vendasit, tregojnë se sot kjo rrugë, e shtruar nga miqtë e familjes, është jashtë funksionimit.

Skandali me 6 miliard lekë

E vetmja rrugë tokësore që lidh Tropojën me pjesën tjetër të vendit, është Qafa e Luzhës. Ndërkohë që prishja e tragetit të Komanit jo rrallë herë ka izoluar zonën, për shkak se rruga është e pakalueshme edhe në verë.

Por edhe sot Tropoja nuk ka një rrugë që të lidhë këtë qytet me vendin. Shumica e banorëve, por edhe atyre që u bie rruga në këtë qytet, përdorin pikën kufitare të Gjakovës.

Kjo për faktin e thjeshtë se sërish, rruga e përfunduar këtu e dy vjet të shkuara, sot është jashtë përdorimit.

Fotot e bëra e dëshmojnë më së mirë se Qafa e Luzhës sërish është e pakalueshme, ndërkohë që për vendasit duket se prishja e rrugës është kthyer në një makth të vërtetë.

Ky segment rrugor u përurua në maj të vitit 2011, e vetë Berisha ka marrë pjesë në inaugurimin e saj, duke kërkuar votën e tropojanëve për hir të premtimeve të mbajtura.

Segmenti që është dëmtuar më së shumti është Qafa e Luzhës– Kam e Tropojës. Ky segment i dëmtuar është i gjatë 16.7 km, e fillon në kilometrin e 14-të në Qafë Luzhë dhe përfundon në kilometrin e 31-të në Kam, dhe është pjesë e rrugës Tropojë– Kukës, në një distancë prej 60 kilometrash.

Ndërtimi i kësaj rruge nisi pasi Ministria e Transporteve organizoi tenderin me objekt: “Sistemim Rruga B.Curri – Has Segmenti Rragam– Kam (Tropojë). Loti 1 me vlere rreth 600 milion lekë të reja”.

Megjithëse asnjëherë nuk u kuptua se si fitues i këtij tenderi ishte një ndërtues i familjes në pushtet, punimet nisën në vitin 2010.

Fituesi i tenderit të kushtueshëm, dhe realizues i punimeve për këtë rrugë ishte firma “Gener 2” Sh.p.k. e drejtuar nga Bashkim Ulaj, një biznesmen ky i favorizuar me ardhjen e Sali Berishës në pushtet.

Pas një viti punimesh, rruga u përfundua në maj të vitit 2011, e vendasit thonë se, pa kaluar 6 muaj, rruga filloi të prishej, ndërsa sot është në gjendje thuajse të mjerueshme.

Sipas vendasve, në këtë rrugë nuk mund të lëvizësh me automjet normal, veturë, por vetëm me fuoristradë dhe me mjete të mëdha. Shtresat asfaltike të rrugës janë dëmtuar krejtësisht dhe në rrugë janë formuar gropa e gunga me dhe e asfalt mjaft të rrezikshme për drejtuesit e mjeteve.

Ndërsa në pjesë të ndryshme asfaltin e ka marrë uji dhe në rruge ka vetëm shtesë me materiale e dhera.

Nga prishja e asfaltit dhe dalja në sipërfaqe e nënshtresave duket qartë se në rrugë mungojnë ose më saktë nuk janë vendosur nënshtresat e domosdoshme për bazamentin e një rruge sipas specifikimeve teknike. Aty duhet qartë, që si nënshtresa janë përdorur material i zakonshëm rrethanor dhe jo sipas specifikimeve teknike.

Nga prishja e rrugës dallohet qartë se shtesa e asfaltit thuajse është si një flete e hollë letre, sepse asnjëherë nuk është në trashësinë 10 cm, por varion nga 2-4 cm.

Ende pa kaluar një vit nga inaugurimi, gjatë gjithë segmentit rrugor janë dëmtuar muret e betonit. E ndërsa situata është në këtë gjendje, kryeministri Berisha vazhdon të thotë se ndërton rrugë.

Ka ndërtuar rrugë, të cilat duket se kanë jetëgjatësinë sa për mitingjet elektorale të Sali Berishës.