TemA Online, 5 Shkurt 2013
Pushteti ka nisur tashmë fushatën e saj të ethshme për të siguruar sa më shumë vota në zgjedhjet e 23 qershorit, duke përdorur çdo lloj forme. Përveç punësimeve në këtë periudhë dhe premtimit të lekëve, tashmë kanë nisur që të qarkullojnë edhe formularë, ku punonjësit e administratës duhet të firmosin se do të votojnë për PD dhe LSI, si dhe do të sigurojnë edhe votat e familjarëve të tyre, në mënyrë që të mbajnë vendin e punës.
Një formular i tillë është bërë publik nga ana e deputetit socialist Erion Braçe. Në këtë formular për zonën e Beratit, LSI kërkon nga personat që ka punësuar në administratë, t’i sigurojnë 40 vota çdo person, në mënyrë që ta mbajnë vendin e punës. Formulari është konfidencial dhe mban sipër emrin e deputetit Nasip Naço.
“Kjo që shihni është një letër që i jepet çdo të punësuari në drejtoritë e shërbimeve publike që menaxhon LSI, në bazë të marrëveshjes për ndarjen e pushtetit me përqindje me Sali Berishën.
Çdo të punësuari, për të mbajtur vendin e punës në këto shërbime që paguhen me taksat tona, i jepet ky formular, ku ai duhet të plotësojë deri në detaje me 40 emra-familjarë, të afërm, rreth farefisnor, miq të ngushtë, që votojnë LSI në 23 qershor”, shprehet deputeti socialist, i cili pohon se do të kallëzojë penalisht çdo drejtor në Berat dhe Kuçovë, që do të bëjnë presion ndaj punonjësve të tyre.