Arjan Th. Kallço
Mbrojtja më e mirë është sulmi dhe sulmi më i mirë nxitet nga zilia
Jemi mësuar me debate dhe përleshje mes politikanëve nëpër botë, Shqipëria nuk bën përjashtim nga rregulli, ndonjëherë spektakli i kalon përmasat e etikës edhe me fjalë tepër fyese që të vjen pështirë që t’i dëgjosh edhe nëpër shtëpiat tona. E kemi të qartë që debatet dhe sulmet janë pjesë e jetës edhe në kulturë, mjafton që t’i hedhesh sytë në këtë verë të nxhetë në Korçë në të gjithë shtrirjen e saj kohore dhe do të kuptosh sa shumë pjesa më elitare e trashëgimisë është infektuar keqazi nga politika. Në debate përfshihen të gjithë, të njohur dhe të panjohur, artistë të vërtetë dhe të pavlerë, profesionistë dhe amatorë, pra me një fjalë me kuç e me maç, duke e shtuar më tepër konfuzionin.
Jemi mësuar edhe me debatet dhe sulmet shqiptare, bile në forma aspak të qytetëruara, por banale, që sot po mbushin faqet e të përditëshmeve me pseudo të vërteta të shpallura nga pseudoshkrimtarët apo intelektualët. Verë e nxehtë, natyrisht sulme të nxehta. Por në botë mesa duket taktika është e ndryshme, pasi pushimet janë pushim etë shenjta dhe askush nuk ka dëshirën që t’i bëjë ato verrem. Por sapo ato përfunduan, në formën më të mirëpërcaktuar, edhe duke ngjallur një lloj interesi për famë. Shpërthejnë dukshëm, shkohet edhe më tej, kur sulmohen pikërisht ata që nuk jetojnë më.
Nuk është e moralshme të merresh me të vdekurit, kur nuk ke arritur t’ia thuash mendimet drejtpërdrejt në sy. Burracakëria nuk është vetëm pjesë e poltikës, por edhe e atyre –ucëve të vegjël që me sulme përpiqen ta ndërtojnë famën e tyre, pasi ndonjë komision diku nëpër botë do të frymëzohet apo mallëngjehet nga të vërtetat e pathëna ndonjehërë më parë që në momente të caktuara dalin si me porosi. Një mënyrë tepër e ulët. Por dikush edhe mund të ketë të drejtë në debate, si në rastin e dyshes Ëallace-Ellis, por jo me një denigrim të tillë, sepse nuk i ka hije kalibrit të tyre, për më tepër kur kolegu i tij nuk jeton më. Si shprehja që përdorim shpesh, po me të vdekurit ç’patën?
I pari që e ndezi zjarrin e sulmeve quhet Ellis kur thotë se shkrimtari David Foster Wallace zotëronte një dëshirë letrare për t’u dukur, saqë i vinte turp që i përket të njëjtës industri letrare, akuza të qarta ndaj autorit të romanit Mbreti i zbehtë që vdiq i vetvrarë më 12 shtator 2008, në moshën 46 vjeçare. Më tej vazhdon : Foster Wallace është shembulli më i mirë i shkrimtarit bashkëkohor që tregonte pallavra me qëllim që të kapte tipin e madhështisë kulturore të frikshme, por që nuk arriti ta merrte. Një mashtrues, këmbëngul shkrimtari 48 vjeçar, Ellis, shkrimtari i vëllimit Psikopatit amerikan. Sulmi i dhunshëm, ndoshta fryti i netëve të pafund të pagjuma, por që i preku edhe fansat e shumtë të Fosterit, duke i quajtur të marrë: një brez që lexon librat e tij vetëm e vetëm që të ndihet më i zgjuar. Kushdo që e konsideron atë një gjeni letrar, duhet të përfshihet në panteonin e budallenjve.
Mjaftuan këto pak radhë që zhurma e madhe mediatike apo edhe në internet ta ndante Amerikën në dy pjesë. Rreth 99% të cicëruesve i doli shkrimtarit të ndjerë në mbrojtje, të tjerë e quajnë veten krenarë për përkatësinë në Panteonin e budallenjve, të tjerë ndihen të indinjuar nga shija e keqe e autorit që guxoi të sulmonte një person që nuk mund të mbrohet.
Në një vend ku fama letrare e shkrimtarit Foster Wallace ka marrë përmasa mitesh, në kampuset universitare veprat e tij konsiderohen njëlloj si autorët Bellow dhe Fitzgerald – kritiku Elis do të humbë gjithçka – thotë një gazetar Italian në artikullin e tij. Kjo është hera e fundit që shkrove një libër të susksesshëm? – e pyesin fansat e Foster Wallace-it, që thonë se është shtyrë nga zilia dhe dëshira që ta tërheqë vëmenjden mbi vete. Këto deklarata e nxitën edhe shkrimtarin tjetër amerikan, Jay McInerney, që në ditar të premtojë se do ta lexojë biografinë e re të autorit të vetvrarë, që të kuptojë se çfarë e ka zemëruar kaq shumë mikun e tij Ellis.
Shkak mund të jetë biografia e parë zyrtare e Fosterit që sapo doli në Amerikë. Në librin prej 386 faqesh biografi shkruan se përmbledhja me tregime të shkurtëra Vjaza me flokë të çuditshëm, botuar në vitin 1989, ai frymëzohet nga një vepër e Ellisit të 1985, por Fosteri refuzoi ta pranonte, bile e mohoi se e kishte lexuar librin e rivalit të tij. Nuk mund ta pranonte kurrë atë borxh letrar. Antipatia mes të dyve ishte e njohur që në vitin 1993 kur Wallace nuk i kursehu kritikat ndaj veprës së famshme të Ellisit: Psikopati amerikan mund të konsiderohet një lloj përmbledhje paraformuese mbi problemet sociale të fundviteve ’80, por asgjë më shumë. Një inat që Ellisi ia shpërbleu saqë edhe pas vdekjes nuk pushoi së denigruari.
Nuk e vlerësoj atë – tha dy vjet më parë në një intervistë – libri i tij, Shaka e pafund, është i palexueshëm. Stili i tij mediokër, historitë konfuze dhe plot me sentimentalizëm të shtirë të mesperëndimit. Një vit më vonë e shtoi dozën kur theksoi se shkrimtari më i mbivlerësuar i brezit tonë është David Foster Wallace. Nuk është hera e parë që Ellisi bën zhurmë me komentet e tij. Pas akuzave për mizogjini në vitin 2010 kur theksoi se gratë nuk mund të jenë regjizore të zonjat, vitin e kaluar shkaktoi polemika të forta kur pohoi se aktori Bomer si homoseksual nuk mund të interpretojë rolin e një personazhi heteroseksual.