Forca të shumta policie me skafandra përplasen me opozitën

0
45

Nga Tema

Forca të shumta policie me skafandra janë përplasur dje me deputetë të opozitës, ndërsa qëllimi ka qenë të garantojnë shkatërrimin e godinës 12-katëshe të kunatit të deputetit të Partisë Socialiste, Dashamir Peza.

Deputetët e opozitës nuk e kanë lejuar policinë që ta ndërmarrë këtë veprim, ndërsa situata është tensionuar shumë. Ka qenë një urdhër i beftë që ka bërë që forcat e shumta të policisë të tërhiqen.

Ndërkohë, pronari i godinës, Ilir Mata, doli para medieve, ku theksoi se ndërtimi është bërë konform të gjitha ligjeve dhe rregullave. Mata tha se ai disponon vërtetimin për pronësinë e tokës që e ka blerë nga pronarët e vjetër, lejen e ndërtimit, vendimin e KKRT dhe atë të KKRRTRSH. Mata tha se ndjehej i pezmatuar, për shkak se kjo do të thotë që çdo qytetar në këtë vend është i kërcënuar.

Ai u shpreh se ka besim se drejtësia do të vendosë gjërat në vend, ndërsa shtoi se edhe në vitin 2007 ndërtimi i tij ishte sulmuar për arsye politike, por kishte qenë prokuroria që kishte vendosur që çështja të pushohet, për shkak se godina kishte të gjitha dokumentet e rregullta.

Edhe Dashamir Peza, i sulmuar ashpër nga kryeministri, Sali Berisha, tha se ai dhe familja e tij ndjeheshin të kërcënuar. Peza e quajti të gjithë këtë, skenar politik. Edhe ai kërkoi që gjykata të vendosë drejtësinë në vend.

Ndërsa deputetja e opozitës, Shegush Ligori, tha se në vend po instalohet diktatura.

Kryetar i Inspektoratit Ndërtimor të Tiranës, Afrim Qendro, tha se Inspektorati i Lartë nuk ka të drejtë të ndërhyjë në territorin e Tiranës.

Deputeti socialist Xhemal Qefalia tha dje se PS do të jetë në mbështetje e çdo qytetari apo biznesmeni që kërcënohet nga qeveria Berisha.

“Mbrëmë Sali Berisha, nga tmerri i hapjes së kutive, kaloi nga kërcënimet verbale në kërcënimet fizike në adresë të opozitës shqiptare. Sali Berisha përdori në kundërshtim me ligjin pushtetin duke kërcënuar lirinë e pronës private, pronë të cilën studentët e dhjetorit e fituan 19 vjet më parë. Gjithë këto ditë kemi dëgjuar helm dhe vrer për figurën dhe familjen e kryetarit të partisë më të madhe në vend. Këto ditë kemi dëgjuar akuza dhe shpifje për deputetët të Partisë Socialiste, të cilët, përveçse kolegë, janë prindër dhe familjarë. Mbrëmë ne ishim dëshmitarë se si një qytetar, biznesmen i ndershëm që nga viti 1992, u bë pre, për të vetmen arsye se është i afërm i një deputeti të parlamentit shqiptar. Deputetët e opozitës nuk ishin sot në mbrojtje të pronës së ligjshme të biznesmenit, por në mbrojtje të shtetit dhe të së drejtës, në mbrojtje të çdo biznesi të ligjshëm dhe të çdo qytetari shqiptar që pronën, fitimet dhe mirëqenien e familjes së tij nuk e ka lidhur me shërbimin ndaj pushtetit. Berisha kërkon ta frikësojë opozitën, që ajo të tërhiqet nga kërkesa jetike për demokraci që është transparenca e votës së vjedhur më 28 qershor. Partia Socialiste i thotë Berishës: Hap kutitë ose largohu, pasi kërcënimet e tua nuk i bëjnë përshtypje askujt! Ne i deklarojmë sot çdo qytetari, biznesmeni, që ndihet i rrezikuar nga pushteti i sotëm se ne do të jemi në krah të tyre, deri në fund, në mbrojtje nga ky regjim”, – tha Qefalia.

Olldashi: Pallati që po shembim, është ndërtuar mbi rrugë

Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, tha dje se pallati që po shembet, është ndërtuar mbi një rrugë.

“Kemi të bëjmë me një pallat të ndërtuar mbi truall publik të dhënë me qira, është një çështje që ka qenë në vëmendjen e shtypit prej disa vitesh rresht, pasi është rasti, besoj unik në planet, kur një rrugë është e dhënë me qira, në mënyrë që mbi të ndërtohet një pallat.

Kjo është kontrata e qirasë midis Bashkisë së Tiranës, përfaqësuar nga kryetari i saj, z. Edi Rama, dhe qiramarrësit, Ilir Mata.

Në qoftë se i referohemi nenit 3 të kontratës, qiraja vjetore për 51 m2, është 1600 lekë në vit për 1 m2, gjithsej 8.160 lekë të reja në vit, apo 81 mijë lekë të vjetra në vit. Në qoftë se secili prej jush parkon automjetin e tij në një nga rrugët e Tiranës dhe e lë atje të parkuar për një vit, do të paguani jo më pak se 365 mijë lekë të vjetra në vit. Zotëria ka marrë një pallat me 12-kate dhe paguan 81 mijë lekë, e kuptoni se ç’është kjo, ka marrë një pallat, e ka vendosur mbi një rrugë dhe paguan 81 mijë lekë, nëse ju duhet të parkoni makinën, do të paguani 365 mijë lekë, kjo është politika e Bashkisë së Tiranës që ndiqet me ndërtimet”, – tha Olldashi.

Sipas tij, ankesat ndaj këtij ndërtimi janë bërë që në kohën e qeverisë socialiste.

“Me vendim të KRRTRSH po të kohës kur qeveriste z. Nano, është vendosur që Bashkia e Tiranës të parashikojë lënien e kalimit këmbësor publik Veri-Jug, pra të lërë të lirë rrugën. Vendim ky që ndërtuesi ka refuzuar ta zbatojë që nga dita e parë që ka marrë lejen dhe deri më sot, dhe është pikërisht ky vendim që ne po e vëmë në zbatim. Po lirojmë rrugën, rrugën që është pronë publike dhe që për 81 mijë lekë të vjetra në vit zotëria e ka marrë me qira pafundësisht”, – tha Olldashi.

Edhe Koço Kokëdhima ngre padi ndaj kryeministrit

Pas firmës “Edil Al”, është botuesi Koço Kokëdhima qe ngre padi për shpifje dhe shpërdorim detyre ndaj kryeministrit, Sali Berisha.

Sipas drejtorit të 2K Group, avokatit Alban Mësonjësi, dje ata kanë depozituar katër padi në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Këto padi janë drejtuar ndaj kryetarit të Këshillit të Ministrave Sali Berisha, kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, kinistrit të Transporteve, Punëve Publike dhe Telekomunikacioneve, Sokol Olldashi, dhe Partisë Demokratike. Këto padi kanë për objekt shpërblimin e dëmit moral që i është shkaktuar Koço Kokëdhimës dhe publikimin nga personat e sipërcituar të përgënjeshtrimeve përkatëse.

Po sipas avokatit Mësonjësi, brenda pak ditësh 2K Group do t’i drejtohet edhe prokurorisë nëpërmjet depozitimit të një kallëzimi penal në lidhje me veprat penale të fyerjes, shpifjes dhe shpërdorimit të detyrës, të kryera në mënyrë të përsëritur nga kryeministri i republikës.

“Politika represive ndaj 2K Group është përshkallëzuar sidomos pas përfundimit të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, kur kryeministri Berisha i palumtur me fakte të ndryshme që mediet e kësaj kompanie e në veçanti gazeta “Shekulli” kanë raportuar për publikun, ka shtuar presionin ndaj botuesit Kokëdhima duke arritur deri në atë pikë sa nga foltorja e parlamentit apo nga karrigia kryeministrore, ka lëshuar një lumë shpifjesh e fyerjesh ndaj Kokëdhimës dhe disa biznesmenëve të tjerë, të cilët gjithashtu zotërojnë aksione në medie të ndryshme”, – thuhet në një njoftim të zyrës së shtypit pranë 2K.