FONDI I REPUBLIKËS SË KOSOVËS ISHTE PROJEKT I QEVERISË SË KOSOVËS

0
35

Nga Xhafer LECI

Intervistë me Kryeministrin e parë të Republikës së Kosovës, z. Jusuf Zejnullahu

Zotëri Zejnullahu, në janar të vitit 1992 ishim takuar në Lugano të Zvicrës, ndërsa në tetor 1992 në Lubjanë të Slovenisë, me Ju dhe ministrin e arsimit, zotëri Muhamet Bicaj. Atëherë patëm biseduar për shumëçka, rreth okupimit të Kosovës nga Serbia pushtuese etj. Shumëçka është harruar nga atëherë, sepse nuk kemi shkruar asgjë për opinionin. Kësaj radhe dëshiroj të bisedojmë për opinionin rreth 3%-it, e të tjera.

Jusuf Zejnullahu, e motra Zyle, Xhafer e Refike Leci, gruaja e Jusufit DetiNga e majta: Jusuf Zejnullahu, e motra Zyle, Xhafer e Refike Leci, gruaja e Jusufit, Deti

Xh.Leci: Kur dhe si u lindi ideja për formimin e Fondit të Republikës së Kosovës?

J. Zejnullahu: Po , jemi takuar në rrethana të posaçme. Kosova ishte e okupuar, kurse Qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës ishin larguar, me qëllim që të vazhdojnë punën e vet.
I kam në kujtesë ato bisedime dhe faktin se ju jeni ndër të parët që keni vu kontaktin me mua, sepse si veprimtar i vjetër i çështjes tonë kombëtare, keni qenë i preokupuar, për ta forcuar e ndihmuar Qeverinë, për realizimin e aspiratave tona kombëtare.
Sa i përket harresës, ne shqiptarët vuajmë nga harresa ose nuk duam të ballafaqohemi me të vertetën. E kjo na kushton shumë e na përcjell gjatë. DUHET TE KUPTOHET SE PA NDRIÇIMIN E TË KALUARËS, NUK MUND TË SHIHET E ARDHMJA.

Pas grusht-shtetit të Serbisë, më 5 korrik 1990, Kosova përsëri u gjend nën okupimin e Serbisë. Shkatërrimi i institucioneve, që shprehnin autonominë e Kosovës në Federatën Jugosllave, largimin nga puna të të gjithë shqiptarëve nga organet administrative dhe shtetërore,vënien e ndërmarrjeve ekonomike nën drejtimin direkt të Serbisë, largimi sistematik dhe të shpejtë të të gjithë të punësuarëve shqiptarë në ndërmarrje ekonomike dhe në institucione joekonomike, ishte shprehje brutale e regjimit okupues.

Për të përfunduar me të shpejtë planin e eliminimit të të gjitha të drejtave të shqiptarëve dhe shkatrrimin e bazës materiale të Kosovës, Serbia emroi prefektin e Kosovës, si në kohën e krajlit .
Serbia e kishte planifikuar vështirësimin e jetës politike të shqiptarëve e veçmas atë sociale. Planifikonte që shqiptarët t`i sjellë në pozitë të tillë materiale, të cilët pa burime elementare për jetë, do të gjunjëzoheshin para regjimit okupues.
Në mbledhjen e përbashkët të dy Qeverive, Serbi – Kosovë, e cila qe mbajtur në Gërmi, afër Prishtinës, më 6 qershor 1990, në të cilën pas 20 orë zgjatje, mbledhja mori fund, me refuzimin tim të prerë dhe të vendosur të Ultimatumit, për përkrahjen e politikës serbe për Kosovë, të cilën e pat prezantuar, kryetari i Qeverisë së Serbisë.

Ishte ai kundërshtimi i parë institucional, për 50 vite, që iu bë Serbisë, me refuzimin e politikës së saj. Përveç kërcënimeve të shumta, ata në atë mbledhje u shprehën se tani e tutje me shqiptarët do të bisedohet vetëm përmes tytës së pushkës!
Për të evituar gjendjen e rëndë eventuale sociale dhe gjunjëzimin e popullatës, para okupatorit serb, duhej kërkuar zgjidhjen e problemit ekonomik dhe social, përmes solidaritetit te popullata, sidomos nga mërgata shqiptare, e cila kishte më shumë mundësi, për të kontribuar me mjete materiale dhe në mënyrë direkte nuk ishte e ndikuar me okupimin e Kosovës.

Xh.Leci: A ka qenë projekt i Juaj vendimi për themelimin e Fondit të 3 %-it?

J. Zejnullahu: Më vonë me formimin e Qeverisë së Përkohshme, Isa Mustafa inkuadrohet në të bashkë me këtë dokument të cilin ai e posedonte si përgjegjës, të cilin e kisha emruar pas përfundimit të tij definitiv.
Statuti i këtij Fondi, në mënyrë precize, i ka parapa çështjet e realizimit të obligimit, për përdorjen e kontrollit rigoroz të mjeteve të tij.
Shpallja e këtij obligimi dhe fillimi i realizimit nuk u caktua. Unë isha në aktivitetet e krijimit të Qeverisë gjithëpërfshirëse të Republikës së Kosovës.

Pas shpalljes së Republikës, Kosova u gjet në një situatë krejstëisht të re dhe tejet të ndërlikuar. Situata kërkonte unitet të të gjithë faktorëve, që veq kishin qenë të inkuadruara në vendimet rreth Deklratës Kushtetuese dhe shpalljes së Republikës. Ishin këto partitë alternative politike me vend të posaqem të LDK-së, të cilën, ndër të parat e përkraha edhe si kryetar i qeverisë, por edhe si qeveri, bashkë me përkrahjen e zgjedhjeve të lira dhe shumëpartiake.

Xh.Leci: A e keni informuar Dr. Ibrahim Rugovën për punën e Qeverisë në Kroaci ?

J. Zejnullahu: Po, në nëntor 1990, në Zagreb u takova me Dr.Ibrahim Rugovën, kryetar i LDK-së. Me të isha takuar edhe disa herë ma parë në Kosovë e herën e fundit, për tu marrë vesh rreth Shpalljes së Kosovës Republikë, për çfarë ishim dakorduar plotësisht.
Në gjendje okupimi, Kosova kishte më shumë se kurrë nevojë, për krijimin e unitetit për çështje të rëndësishme. Takimet me Dr.Ibrahim Rugovën, ishin të rëndësishme dhe vendimtare për krijimin e këtij uniteti dhe të ardhmen e Kosovës. Me Rugovën, bashkarisht, shqyrtuam çështjet më të rëndësishme të asaj kohe. Për të gjitha çështjet u dakorduam plotësisht. Diskutuam për çështjen e mbrojtjes të lirisë së popullit, të drejtave kombëtare të Republikës dhe evitimin e vështirësive që të ashpërsoheshin përditë.

Dr. Rugovën e njoftova edhe për krijimin e Fondit, me shkallë prej 3%, dhe në vija të shkurtëra edhe funksionin e tij, e veçmas atë për parandalimin e katastrofës sociale, të cilën, me qëllim dhe me veprime ndëshkuese, do ta shkaktonte Serbia dhe se Fondi do të hyjë në funksion menjëherë pas krijimit të Qeverisë, në të cilën do të inkuadrohen të gjithë faktorët relevant të asaj kohe.
Dr.Rugovës ia komunikova gadishmërinë time, që edhe pozita e kryetarit të Qeverisë të jetë në disponim, dhe i shpreha gatishmërinë, nëse e kërkon nevoja të largohem, për hirë të krijimit të unitetit dhe përfaqësimit proporcional të forcave relevante politike dhe shtetërore të asaj kohe. Dr.Ibrahim Rugova nuk u pajtua me këtë dhe kategorisht e hodhi poshtë mundësinë që unë të largohem nga posti i Kryeministrit dhe, në vazhdim, kërkoi që unë të kam kujdes, të mos bie në duar të policisë serbe, sepse, ai tha: “Situata me atë rast do të komplikohet”! Dr.Rugova ma nuk erdhi. Si duket ata ”shokët” e kanë bindur që LDK-ja të formojë vet Qeverinë e Përkohshme, me njerëzit nga radhët LDK-së.

Xh.Leci: Ju përmendët “shokët”, në thojza, që nënkuptohet se disa ishin të dyshimtë dhe ia kishin me hile Rugovës. A e keni vënë në dijeni Dr. Rugovën për dyshimet që keni pasur për këta njerëz, për t`i larguar nga LDK-ja?

J. Zejnullahu: Po, për këtë e kam pas njoftuar Rugovën qysh në gusht të viti 1990. I kam thënë krejt atë që ne e kemi ditur dhe besoj se ai këtë e ka marrë si serioze. E di se Rugova nuk ka pasur pushtet ekzekutiv, por vetëm moral, të bazuar në vullnetin e popullit dhe se nuk ka qenë hiç e lehtë për Rugoven ta bënte pastrimin nga „shokët“, të cilët e rrethonin në kabinetin e tij!

Dr. Rugova, si duket, si parim kishte: hudhjen e librezave të LKJ-së, bashkimin e të gjithë shqiptarëve në një forcë të përbashkët, pavarësisht, a ishin ata titistë, enveristë apo nacionalistë. Qëllimi ishte për ta mundur pushtuesin serb. Megjithatë, ka qenë dashur të përpiqet për t`i larguar të dyshuarit nga kabineti i Tij. Kur jam këtu, sot dihet, se unë e kam përkrahur formimin e LDK-së, masovizimin e saj dhe çfarë është me rëndësi, nuk kam lejuar që Dr. Ibrahim Rugova, për kundër kërkesave dhe insistimeve të mëdha, të ndalohet, malltretohet, apo edhe të burgoset, vetëm pse ishte kryetar i një partie alternative. Dihet se LDK-ja i ka marrë krahët dhe përforcimin mu në kohën sa unë isha kryetar i Qeverisë. Ajo lirisht u zhvillua dhe pa pengesa, në tavolina, në qendra të qyteteve të Kosovës, bënte regjistrimin e antarësisë. Në atë kohë, mua Serbia më ka akuzuar, vazhdimisht, si njërin nga kryesorët e themelimit- formimit të LDK-së, për shkak të përkrahjes së saj dhe bashkë me ministrin e legjistarturës së Federatës dhe kryeministrit Ante Markoviç, e kemi krijuar bazën ligjore për regjistrimin e saj në Federatën e atëhershme, si parti politike.

Xh.Leci: E majta ekstreme e Kosovës, gjithmonë ka akuzuar Ibrahim Rugovën se partinë e tij, LDK-në e ka regjistruar ke maqedonasi Vllado Kapovski, sekretar i at’hershëm në Beograd. Cila është e vërteta për regjistrimin e LDK-së si parti politike?

J. Zejnullahu: Absolutisht, jo. Bazën ligjore për regjistrimin e LDK-së në Federatën e atëhershme, e kam përgaditur unë bashkë me ministrin e legjislaturës së Federatës dhe kryeministrin Ante Markoviç.

Xh.Leci: A e dinit se në radhët e kryesisë së LDK-së, dhe antarësisë së saj të zgjeruar kishte shumë atdhetarë e intelektualë të ndershëm?

J. Zejnullahu: Po, si jo, shumë prej tyre kanë qenë njerëz me të cilët kam bashkëpunuar gjatë, në shumë çështje të rëndësishme për Kosovën: Gazmend Zajmi, Fehmi Agani, Idriz Ajeti e disa të tjerë i kam njohur edhe nga koha e studimeve. Vetëm për ata që nuk e dijnë, po e përmendi akademik Gazmend Zajmin, i cili ka qenë kuadër shumë i përgaditur, Ai ishte njëri prej atyre që ka punuar në tekstin e Deklaratës Kushtetuese, të aprovuar më 2 korrik 1990 dhe më parë në Kushtetutën e vitit 1976.

Xh.Leci: Ka zëra që flasin e shkruajnë se Dr. Ibrahim Rugova ka kërkuar Autonomi, e jo Republikë për Kosovën! Sa qëndron kjo?

J. Zejnullahu: Kjo nuk qëndron fare, dihet botërisht Deklarata e Kushtetuese e Kaqanikut, Kosova Republikë. Referendumi…

Xh.Leci: Cilat ishin problemet me të cilat ballafaqohej atëherë Qeveria, të cilën e drejtonit Ju?

J. Zejnullahu: Me formimin e Qeverisë së Përkohshme, në kushte tejet të vështira për Kosovën, filloi lufta për pushtet, e cila kurrë më nuk u ndal. Unë në Qeveri nuk kam hyrë për pushtet, sepse e dija që pushteti i atëhershëm ka qenë shumë i hidhur, këtë e kam pasur të qartë, por kam hyrë për të dhënë kontributin tim, edhepse në kushte e rrethana shumë të vështira.
Në momentin kur jam ballafaquar me pamundësi të kryej detyrën time, si kryetar qeverie, pas 3 muajve, kam dhënë dorëheqje, në shenjë të mospajtimit me udhëheqjen politike të Kosovës, drejtuar nga Rrahman Morina, dhe mospajtimit me politikën e Serbisë ndaj Kosovës.
Plot 3 muaj, Kuvendi i Kosovës, në debate të nxehta, nuk ka arritur të ma aprovojë dorëheqjen, të cilën kam qenë i detyruar ta tërheqi nga presioni i popullit. Shumëkush atëherë më thonin: “Tash je kryetar i vërtetë i qeverisë, sepse populli ka krijuar besimin te Ju…!

Xh.Leci: Në kohën kur Ju ishit Kryetar i Qeverisë së Kosovës, si u përgatit Deklarata Kushtetuese?

J. Zejnullahu: Pas gjitha këtyre që përmenda, më sipër, kulmoi mospajtimi me Serbinë, u përgatit dhe nën drejtimin tim u përcaktua varianti i fundit i Deklaratës Kushtetuese, e cila u aprovua më 2 korrik, nën masa të mëdha të sigurimit nga policia e Kosovës. Serbia, më 5 korrik 1990, ndërhyri me forca te mëdha policore, e ndihmuar me Korparmatën e vendosur në Kosovë dhe okupoi Kosovën, duke shpallë se më ka larguar nga pozita, bashkë me Qeverinë dhe Kuvendin.

Megjithatë, ne vazhduam punën dhe më 7 shtator 1990, pas përgatitjeve të duhura, takimit tim dhe marrëveshjes së plotë me Dr. Ibrahim Rugovën, u aprovua Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Kosova u shpall Republikë, me kushtetutë, që njihet si Kushtetuta e Kaçanikut dhe Qeverisë iu vazhdua mandati deri në zgjedhjet e lira.

Xh.Leci: Si ndodhi zëvendësimi i Juaj me zotëri Bujar Bukoshin?

J. Zejnullahu: Formimi i Qeverisë së Përkohëshme, mund të ketë qenë vetëm luftë për dominim dhe pushtet. Nuk kam pasur dijeni për formimin e saj. Një pjesë e Kuvendit është takuar në Slloveni dhe e kanë formuar Qeverinë e Përkohshme. Krijimi i saj ka qenë krejtësisht në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila nuk kishte paraparë formim të qeverisë, deri në zgjedhjet e lira e ato duhej të organizoheshin vetëm pas çlirimit nga okupimi.

Ai grup i Kuvendit e ka bërë edhe një gabim. E ka zgjedhur një Qeveri të Përkohëshme, në vend të asai legale dhe kushtetuese, të përkrahur edhe nga populli i Kosovës dhe nga opinioni botëror. Ajo luajti rol vendimtar për kundërshtimin e suprimimit të qeverisë legale dhe kushtetuese nga Serbia, nga opinion botëror, që pat ndikuar në lirimin tim nga burgosja në gusht të vitit 1990. U krijua ajo Qeveri e Përkohëshme, pa u shkarkuar ajo legale, sepse ai shkarkim as që ishte i mundur, për ate edhe u hesht. Me këtë edhe filloi praktika e mosrespektimit të Kushtetutës dhe ligjeve, e cila Kosovën po e percjell edhe sot.

Xh.Leci: Si ka mundësi të shkarkohet një kryeministër, pa e ftuar-informuar atë për pjesëmarrjen e tij në Kuvend?

J. Zejnullahu: Në esencë, unë këtë mund ta quaj një grushtshtet, i cili veproi hiç më ndryshe se ai i Serbisë, kur e largoi Qeverinë legale me 5 korrik 1990. Për shkak të situatës dramatike të asaj kohe, vendosa dhe zgjodha heshtjen, vetëm me qëllim që mos të futej përçarje në ambientin politik dhe shoqëror të Kosovës. Kosova dhe populli shqiptar kishte shumë telashe, e nuk kishte nevojë edhe për këtë. Në ato raste individët duhet t`u përulën interesave të larta dhe unë e bëra këtë.

Për inkuadrimin e dy minstrave të Qeverisë legale, në ate të Përkohëshme, nuk kam qenë i informuar-konsultuar. Për mua kjo ka qenë befasi edhe kur janë në pyetje ata dy individë . Ata kanë qenë pjesë e Qeverisë, ligjërisht, njerëzisht dhe moralisht ka qenë dashur të më informojnë, por shihet qartë se ata ishin karrieristë dhe hilegji.

Ata nuk është dashur të hyjnë në një qeveri të tillë, e cila nuk është e njohur për merita tjera, përpos disponimit dhe drejtimin e mjeteve materiale të fondit të 3%-it. Ndoshta nga këto mjete materiale është ndihmuar pak arsimi dhe lufta, por ato mjete nuk u përdorën për zbutjen e pozitës sociale dhe vështirësive tjera të popullit. Ato vështirësi i zvogluan njerëzit e Diasporës, me kontribut jashtë këtij Fondi. Për atë ajo qeveri, me kohë, e humbi edhe kuptimin e Qeverisë së Përkohshme dhe u shndërrua në drejtori të atij fondi dhe asgjë më shumë.

Xh.Leci: A kanë qenë pjesë e Qeverisë Tuaj nga fillimi i formimit të saj këta dy persona që po i përmendni Ju? Dhe, nëse po, a ua keni tërhequr vëretjen ndonjëherë?

J. Zejnullahu: Me rastin e formimit të Qeverisë më 1989, ka pasur reagime, veçmas, për rolin e tyre në udhëheqësinë e mëparshme të Kosovës, kur janë marrë vendime të rënda për Kosovën, si ato për pranimin e reduktimit të Autonomisë dhe izolimeve. Tani ata, thua se nuk janë të njëjtit, u inkuadruan në një qeveri, emrat e së cilës nuk u shpallën në qeverinë klandestine.

Xh.Leci: Ju Zotni Zejnullahu, a jeni takuar ndonjëherë për të biseduar me Qeverinë Bukoshi në ekzil ?

J. Zejnullahu: Qeveria e Bukoshit kurrë nuk më ka kontaktuar. Ata e kanë ditur se unë nuk do të bisedoja me ta, sepse i konsideroja jolegal dhe jokushtetues. Kështu e ka konsideruar edhe shumica e opinioni të vendit tonë dhe ai ndërkombëtar. Për ate ajo as që ka shkuar më larg se një grup, i cili është marrë vetëm me parat e Fondit dhe kontributin e mërgatës-popullit, dhënë për nevoja të popullit, për diplomaci, politikë, skamnorë dhe, krejt në fund, për luftën e fundit në Kosovë.

Pra, kjo është e vërteta e atij Fondi. Si duket ky fond edhe ishte shkaktar i formimit të Qeverisë së Përkohëshme, pasi ajo me diç tjetër nuk u shqua, nuk u bë e njohur.

Programi dhe kahjet të cilat ishin në përgaditje me një qeveri unike, garantonin suksese në planin e mbrojtjes nga sulmi i Serbisë dhe në planin diplomatik në botë. Kosova e asaj kohe kishte pozitë të volitshme gjeostartegjike, që ishte në përputhje me startegjinë e Aleancës Atlantike dhe botës demokratike. Konflikti i gjerë në Kosovë nuk do të lejohej. Dihet, sot, fare mirë se çfarë përbënte vija e kuqe, e tërhequr nga kryetari SHBA-ve, që do të intervenohet, në rast të sulmit te Serbisë në Kosovë, siç ndodhi, por me shumë vonesë, pasi që Sebia e filloi planin e vet përfundimtar, për shfarosjen e shqiptarëve dhe kulminoi me atë që Kosova është sot si shtet i pavarur. Pra vija e kuqe nuk ishte bllof, siç mendoi Serbia dhe siç nuk e kuptuam mirë e me kohë ne. shqipetarët.

Xh.Leci: Si e shini në të ardhmen Kosovën?

J. Zejnullahu: Siç e dini, rrjedhat e deritanishme në Kosovë, janë larg prej asaj çfarë, realisht, është pritur. Pasojat e këtyre kahjeve, deri tani dhe në të ardhmen, rëndë do të peshojnë mbi supet e popullit të Kosovës. Në horizont nuk vërehet asnjë shpresë e ndonjë ndryshimi pozitiv dhe në pajtim me aspiratat e popullit për liri politike dhe ekonomike dhe për një jetë më të mirë, për shtetin që aq shumë e kemi ëndërruar.
Por shpresa qëndron në ligjshmërinë e ecurive shoqërore, e cila nuk duron këto deformime të rënda dhe është e sigurtë se një ditë, në formë, ndoshta edhe brutale, do t´i ndëshkojë bartësit e tyre…!