Fondi i “Kuadrove”

0
93

Nga: Vjosa Osmani-Sadriu, 30 Korrik 20130

Skema e Fondit për Kuadro është themeluar me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës, siç thuhet, për të krijuar, mbajtur dhe zhvilluar përvojën, kualifikimet dhe shkathtësitë në pozita strategjike dhe parësore të dikastereve qeveritare. Kjo skemë mundëson paga konkurruese në raport me sektorin privat dhe organizatat ndërkombëtare për një numër të pozitave të caktuara në Shërbimin Civil të cilat janë me rëndësi parësore dhe strategjike për Qeverinë.

Me tej në Rregulloren e Qeverisë thuhet se Fondi për Kuadro në radhë të parë synon të mbështesë pozitat ekzistuese në Shërbimin Civil të cilat edhe tani financohen nga buxheti i shtetit si pjesë e stafit aktual të autorizuar të ministrive dhe në të njëjtën kohë ka për qëllim të sjellë kuadro të reja të kualifikuara dhe me përvojë. Por e vërteta është se ky Fond lëre që nuk ka kthyer thuajse asnjë kuadër deficitar në Shërbimin Civil, por përmes presioneve politike ka larguar dhe po largon edhe më tutje edhe ato pak kuadro që ka pasur.

Pagat shtesë të këtij Fondi po ndahen jo mbi baza të meritokracisë apo të arritjeve të veçanta profesionale por mbi baza të militantizmit partiak. Qeveria e Kosovës po vazhdon ta keqpërdorë buxhetin e Kosovës duke shpërblyer me “ekstra paga” rreth 200 nëpunës civilë, shumica prej te cilëve nuk i plotësojnë kriteret e parapara me rregullore, dhe duke diskriminuar njëkohësisht nëpunësit e tjerë të administratës shtetërore të cilët në fakt i plotësojnë këto kritere. Ky keqpërdorim i parasë publike, sado simbolik që të jetë sipas parametrave keqpërdorues të Qeverisë Thaçi, dëshmon se kjo Qeveri prioritet të vetëm e ka vetveten dhe jo qytetarin e saj.

Tri fushat me prioritet për Qeverinë për të cilat duhet të paguhen pagat shtesë; zhvillimi i politikave në fusha kryesore, raportet e Kosovës me organizatat ndërkombëtare në veçanti me organizatat financiare ndërkombëtare dhe integrimet evropiane lëre që nuk janë përfillur fare nga dikasteret qeveritare, por kriter të vetëm shumica e Ministrive kanë vënë militantizmin partiak duke larguar kështu kuadrot profesionale nga shërbimi civil i Kosovës. Nuk janë të pakta rastet kur personat e përfshirë në këtë Fond janë të tillë që sapo kanë filluar punën dhe lëre që nuk kanë përvojë të mjaftueshme te punës por as nuk kanë përfunduar afatin provues tremujor. Rast i theksuar është ai i Ministrisë së Punëve të Jashtme ku kuadro përfitues largohen nga lista për tu zëvendësuar me futbollistë dhe persona të tjerë me dosje të personelit për shkak të procedurave disiplinore të ngritura ndaj tyre.

Në një situatë kur reforma e administratës publike është parakushti numër dy i dhënë nga Komisioni Evropian për Kosovën, fondi i kuadrove është shndërruar në një fond të shokëve e miqve të shumicës së ministrave, në mënyrë që të akomodojnë njerëz pa përvojë e pa meritë. Injorimi i meritokracisë dhe kritereve të tjera që kërkohen me ligj në vlerësimin që po i bëhet zyrtarëve të Administratës Publike nuk lë asnjë shpresë se reformimi i administratës do të jetë i suksesshëm. Në fakt, shpresa po i mbytet çdo të riu që punon, studion, krijon përvojë dhe dëshiron ta japë kontributin e vet në ndërtimin dhe forcimin e institucioneve publike. Krejt kjo ndodh në Kosovë, shtet gjysmë-autoritar i cili degradon pensionistët, ku qytetarët vazhdojnë të vdesin nga sëmundje tashmë thuajse të zhdukura nëpër botë dhe në shtetin e nëntë në botë për nga mjerimi. Zhvillimi i politikave të tilla, krijon rrethana që Kosova të ketë numrin e tretë më të madh të azilkërkuesve në botë, pavarësisht faktit se Kosova ka vetëm 1.8 milion banorë. Shqetësuese.

(Autorja është deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe anëtare e Kryesisë së LDK-së. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën Tribuna)