
Preç Zogaj, 31.10.2010
Reagimet dhe jehona ndaj pohimit të kryeprokurores Ina Rama për “krimin e jakave të bardha” në Shqipëri ishte dhe vijon të jetë shumë më i zbehtë se sa duhej të ishte. U tha si pa të keq ajo deklaratë e tmerrshme. U tha pa ton, pa solemnitetin e kërkuar, pa ngrysjen e fytyrës, si në ato skenat skematike të përballjes se personazhit pozitiv me të keqen që i kanoset vendit. U tha me një buzagaz të kursyer femëror, me pafajësinë e një dore që tregon një bombë, me teatralitetin e ri ndoshta, që i përgjigjej vetëdijes së shkeljes në një fushë të minuar.
Si të ishin molepsur nga sportiviteti dhe kujdesi me të cilën e hodhi dorashkën kryeprokurorja, apo sikur ta dinë të gjithë, i madh e i vogël, se krimi i jakave të bardha ka marrë fuqinë dhe vendos për gjithçka në këtë vend, institucionet, me ndonjë përjashtim, e kaluan dhe po e kalojnë në heshtje kumtesën e gruas që drejton organin e akuzës në vend. Por kjo nuk e ndryshon thelbin e çështjes: kumtesa e Ina Ramës është një mandatë në kuptimin e plotë të fjalës.
Në çdo vend të botës demokratike një kumtesë e tillë do të shkaktonte tronditje të mbarë sistemit. Parlamenti do të thirrej në kauzë me urgjencë për të debatuar për problemin. Qeveria do ta konsideronte një sinjal alarmi dhe do të shpallte pa vonesë qëndrimin e vet. Tribunat e opinionit publik, siç janë mediat dhe organizatat joqeveritare do të zienin. Ka akoma media dhe zëra që nuk e kanë humbur ndjeshmërinë dhe guximin për të folur për këto gjëra.
Reziston dhe nuk mund të mposhtet Shqipëria e ndershme, kritike dhe e drejtë. Por edhe heshtja për shkak të frikës, konformizmit apo mpleksjes me abuzimet është shumë e madhe. Kurse heshtja për deklaratën e kryeprokurores është disi e veçantë. Është një heshtje si për një sëmundje të frikshme apo si për një kërcënim fantazmash. Në fakt ashtu siç u tha pa bujë, lajmi i zi vazhdon të përhapet pa bujë, si pika e ujit në gotën që derdhet. Edhe gota e tejmbushur kështu derdhet. Me një zhurmë të mëndafshtë që nuk mund të quhet zhurmë.
Por ama gota e së keqes është mbushur plot, nuk mban më.
Kam përshtypjen se kryeprokurorja nuk ishte spontane, por ishte menduar mirë për kohën, vendin dhe për atë që do të thoshte në tribunën ku foli. Qëkurse është emëruar kryeprokurore ajo është paragjykuar apo konsideruar herë si vegël e një institucioni, herë si vegël e një tjetri të kundërt me të parin. Ajo është mbështetur, por edhe kritikuar e sulmuar nga media e pavarur.
Nuk ka dyshim se Prokuroria e drejtuar prej saj nuk ka arritur të ngrihet në nivelin e pritshmërisë së publikut për luftën kundër korrupsionit dhe krimit në përgjithësi dhe atij të stampës zyrtare në veçanti. Qasja e kësaj gruaje ndaj një detyre të vështirë , siç është drejtimi i organit të akuzës në një vend ku shumica e qeveritarëve kanë si preokupim kryesor të sigurojnë edhe mbesat e nipat me paratë e ryshfeteve dhe korrupsionit, është gdhendur në ecjen dhe lukun e saj: pak shmangie, pak moskokëçarje…
Ne vajtojmë mungesën e kurajos së prokurorisë për t’u përballur me korrupsionin e niveleve të larta në vend, por askush, besoj, nuk mund ta akuzojë Ina Ramën për mungesë inteligjence. Përkundrazi. Që prej fillimit të detyrës, prononcimet e saj të kursyera dhe lakonike kanë qenë një konfirmin i rezultateve të saj të larta në shkollë dhe në karrierë, falë të cilave edhe i është besuar posti i lartë. Ja përse deklaratat e saj të fundit jo vetëm nuk duhen konsideruar “një krehje e bukur”, siç kam dëgjuar të thotë një politikan, por duhen analizuar me seriozitet maksimal.
Deklarata e saj i referohet krimit të zyrtarëve të veshur me pushtet dhe bashkëpunëtorëve të tyre nga fusha e biznesit të paligjshëm dhe mafias. Deklarata e saj identifikon këtë grup kriminal shumë të rrezikshëm, që qëndron mbi ligjin, që ka thyer e nënshtruar prokurorinë dhe gjykatat e vendit, duke goditur themelet e shtetit të së drejtës në vend.
Ina Rama ua njoftoi këtë situatë prokurorëve të rinj dhe nëpërmes tyre mbarë opinionit publik dhe politik vendas dhe të huaj. Ajo nuk dha referenca konkrete dhe nuk shpalli ndonjë paketë masash apo ndonjë fushatë të prokurorisë kundër jakave. Vetëm pohoi. Vetëm njoftoi: ja ku jemi.
Bëri mirë apo keq që foli? Disa mendojnë se kryeprokurorja nuk flet, por vepron. Prapa këtij parimi përgjithësisht libresk fshihen edhe ata që e duan kryeprokuroren kukull, marionetë apo lloshe. Disa të tjerë mendojnë se kryeprokurorja përfshihet me masë në debatet e fushës , por kur është fjala për pohime gjenerike si ato të daljes së fundit, qëndrimet e saj nuk duhet të ngelin në nivelin e deklaratave, por duhet patjetër të shoqërohen me njoftimin e masave për rregullimin e gjendjes. Përndryshe, për shkak të postit që ajo mban, deklarata të tilla të pashoqëruara me masat përkatëse përcjellin një frymë disfatiste dhe krijojnë panik në publik.
Midis të folurit dhe heshtjes së kryeprokurores në situatën e krijuar unë zgjedh të folurin. Edhe pse, si mijëra e mijëra shqiptarë, nuk po marr një informacion të ri kur mësoj se në vendin tim korrupsioni dhe krimi me stampë shtetërore po përpiqet me të gjitha format t’i mbivendoset ligjit dhe shtetit të së drejtës. Por kur për këtë lloj krimi flet zyrtarja më e lartë e organit të akuzës, problemi merr një peshë tjetër. Veç kësaj, vetë e folura është një kundërsfidë ndaj sfidës që krimi i jakave të bardha i bën ligjit dhe interesit publik.
Deklarata e Ina Ramës është pozitive si provokim. Heshtja e qeverisë për llojin e krimit që denoncoi ajo “jehon” në progres-raportin e ri të BE-së për Shqipërinë dhe në vendimin e paralajmëruar të Europës për refuzimin e kërkesës së Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat edhe për shkak të korrupsionit dhe krimit këtu.
Deklarata e Ina Ramës është pozitive edhe si distancim. Vetë ajo, duke treguar me gisht kush po i merr frymën drejtësisë, ka kryer aktin e distancimit nga banda e jakave të bardha. Kjo është shumë më mirë se sa të hiqej sikur nuk e shihte. Kjo e nderon personalitetin e saj.
Deklarata e saj është pozitive edhe si kapitullim. Ajo duhet ta gjykojë me këtë sy pozicionin e saj, nëse nuk e ka gjykuar akoma. Më mirë shpallja e kapitullimit përballë së keqes, se sa mbajtja peng e një pozicioni publik. Kryeprokurorja foli dhe shpëtoi shpirtin e saj. Por kaq nuk mjafton, gjërat nuk mund të lihen në mes, topi është përsëri në fushën e saj për një zgjidhje që do të të krijonte mundësinë e një rezistence të re dhe ofensive të re të prokurorisë kundër krimit të jakave të bardha.







