Lorenc Vangjeli, 09.04.2011
HYRJE – ANALIZË: Nuk janë vetëm dy ministrat me më shumë skandale financiare mbi shpinë. As vetëm dy ministrat me shqiptarë të vdekur në ndërgjegje: njëri të vrarët e Gërdecit dhe tjetri të vrarët e 21 janarit. As vetëm dy ministrat që i kanë bishtuar drejtësisë me burracakëri. As vetëm dy ministrat që janë riemëruar si të tillë nga S. Berisha, pas mega-skandaleve.
I bashkon edhe një rekord tjetër. Dy ministrat që më shumë janë jashtë Shqipërisë se në zyrat e punës. Dje Shekulli botoi të dhënat e udhëtimeve jashtë vendit të ministrit të brendshëm, kandidat për Bashkinë e Tiranës. Sistemi i Rinasit ka regjistruar dalje thuajse çdo dhjetë ditë të z. Basha gjatë gjithë vitit 2010, shumica me përkim të plotë me udhëtimet e gruas me pasaportën holandeze NSL 225933 çka do të thotë që shumica dërrmuese e udhëtimeve nuk janë për çështje zyrtare.
Kurse rasti Mediu është parë në këtë analizë të gazetarit Lorenc Vangjeli në një prizëm shumë më të detajuar.
* * *
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, gjatë kohës së qëndrimit në detyrë është ndodhur në zyrë vetëm 555 ditë dhe ka qenë jashtë më shumë se 400 ditë. Që do të thotë se ka udhëtuar mesatarisht një herë në javë jashtë shtetit. Një krahasim i udhëtimeve shqiptare me modelin britanik të Ministrisë së Mbrojtjes tregon se është e vetmja pikë ku tejkalojmë britanikët (janë të dytët në botë për shpenzimet ushtarake) me 60 miliardë dollarë buxhet në vit. Homologu britanik ka dalë vetëm një herë në muaj jashtë vendit; destinacioni i tij kryesisht Iraku e Afganistani
Ka thyer çdo rekord. Rekordi i tij është thjesht i pabesueshëm. Brenda një periudhe pak më tepër se dyvjeçare, Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes, ka udhëtuar plot 135 herë jashtë shtetit. Me një mesatare matematike, prej 4.2 udhëtime në muaj. Çfarë do të thotë pak më shumë se një udhëtim jashtë shtetit në javë. Duke marrë si mesatare tre ditë zgjatje qëndrimi dhe udhëtimi, për një nga këto udhëtime (ka pasur dhe të tjerë që kanë zgjatur dhe shumë më shumë), del se zoti Mediu ka qëndruar jashtë shtetit në kohën që ka mbajtur detyrën e ministrit e pak muaj pasi ka dhënë dorëheqjen, plot 405 ditë. Krahasuar me vetëm 555 ditë që ka qëndruar në Shqipëri.
Një llogari e thjeshtë mund të nxjerrë edhe shpenzimet e përafërta të kryera nga buxheti i shtetit për të përballuar turizmin politik të ish-ministrit të Mbrojtjes. Por asnjë llogari e tillë nuk do të ishte e saktë, sepse shumës së biletave do të duhej t´iu shtohej edhe pagesa për plot tetë fluturime me avion Charter. Do të duhej t´i shtohej padyshim edhe pagesa e përballuar gjithashtu nga buxheti për deputetët shoqërues apo dhe punonjësit e tij që zoti Mediu merrte me vete në udhëtime, bashkuar me pagesën e dietave, hoteleve e lloj-lloj shpenzimeve të tjera.
Sa për të dhënë disa shembuj që dëshmojnë pikërisht këtë qëndrim të pabesueshëm në ajër të zotit Mediu; Në maj të vitit 2006, janë pesë udhëtime të tilla jashtë vendit. Zoti Mediu ka udhëtuar në datat 1, 5, 20, 25 ndërsa në datën 28 maj të këtij viti, ka porositur dhe një avion Charter. Një muaj më parë, në prill, sapo është kthyer nga Vjena në datën 27 prill, ka rimarrë sërish rrugën jashtë vendit.
Po në të njëjtën datë, nga Rinasi, ai ka udhëtuar drejt Malit të Zi, por kësaj here me makinën e tij me targë ushtrie me katër njësha. Në shkurt të vitit 2007, një periudhë që përkon dhe me kohën e hedhjes poshtë në Këshillin e Ministrave të projektit të parë të demontimit të municioneve me kompaninë amerikane “SAC”, zoti Mediu ka udhëtuar në datat 6 dhe 10 shkurt 2007, kurse pas miratimit të vendimit të dytë me të njëjtin objekt (kësaj radhe pa përmendur me emër kompaninë që fitoi të drejtën e demontimit) ka udhëtuar në datat 17, 25 dhe 30 mars 2007.
Dy muaj më pas, brenda vetëm katër ditëve, institucioni i mbrojtjes ka porositur dy fluturime Charter për zotin Mediu. I pari, më datën 27 maj 2007 dhe i dyti më 1 qershor. Vlera? Disa dhjetëra-mijëra euro. Ish-ministri i Mbrojtjes ka përdorur të njëjtën mënyrë largimi nga Rinasi dhe kthim në të, (udhëtimin me Charter) edhe pesë herë të tjera, tetë herë në total, në datat 20 korrik 2006, më 5 shtator 2006, më 8 prill 2007, 15 prill 2007 dhe 5 maj 2007.
Gjatë gjithë këtyre udhëtimeve, pak vende kanë mbetur jashtë hartës së pilotimit nga zoti Mediu: ka qenë që nga SHBA e deri në çdo kryeqytet të Europës. Por udhëtimi më i jashtëzakonshëm duhet të ketë qenë vizita në Iran, kur ai iu përgjigj një ftese për të vizituar një panair ushtarak armatimi. Nuk është e qartë, nëse Shqipëria ka mundur të blejë apo ka pasur interes për armatimin e ekspozuar aty.
Ka të paktën dhe tre udhëtime të zhvilluara në Dubai, një vend i njohur për standardin mjaft të lartë të jetesës dhe turizmin elitar. Nuk ka të dhëna se cili ka qenë argumenti zyrtar i vizitës së zotit Mediu në këtë vend arab. Një nga premtimet e zotit Berisha kur mori pushtetin ishte se qeverisja e tij do të ishte një qeveri në dietë. Të paktën në rastin e zotit Mediu, apo zotit Basha, kjo gjë nuk rezulton e vërtetë.
* * *
Një dëshmi shumë interesante nga Britania e Madhe tregon të gjithë skedulin e vizitave zyrtare të sekretarit britanik të Shtetit në periudhën prill-mars 2008. Për vitin 2008, Britania e Madhe ishte vendi i dytë në botë për sasinë e shpenzimeve ushtarake, pas SHBA-ve që shpenzon një buxhet për luftën prej 650 miliardë dollarësh në vit. Britanikët shpenzojnë fare pak më pak se 60 miliardë dollarë, saktësisht, 59.7 miliardë dollarë në vit. Gjithashtu, Britania e Madhe, pas Shteteve të Bashkuara ka numrin më të madh të ushtarëve të përfshirë në operacione paqeruajtëse dhe është një nga kontribuuesit kryesorë të NATO-s.
Krahasimi i shifrave britanike për shpenzimet e mbrojtjes me ato të anëtarit më të ri të NATO-s, Shqipërinë, janë krejt të papërfillshme: i gjithë buxheti shqiptar për mbrojtjen nuk shkon më shumë sesa shpenzimet që nevojiten për një divizion të blinduar britanik. Por ka një vend ku Shqipëria e le mbrapa Britaninë e Madhe në mënyrë të jashtëzakonshme: sekretari i shtetit britanik, Rt Hon. Des Browne, brenda një viti, më 31 mars 2007 – 1 prill 2008, ka udhëtuar jashtë shtetit vetëm 17 herë. Ose diçka më tepër se një herë në muaj. Ka qenë tre herë në Irak, dy herë në Afganistan (dy vende, në të cilët nuk ekziston turizmi në kuptimin klasik të fjalës) e më pas, nga njëherë në SHBA, Kanada, Gjermani apo Zvicër.
Secili udhëtimi sekretarit britanik nuk ka arritur të kushtojë më shumë se 6700 paund, ndërsa ka pasur udhëtime që nuk kanë kushtuar asnjë qindarkë (janë përdorur mjete ushtarake fluturimi) apo kanë kushtuar disa qindra paund. Udhëtimi më i shtrenjtë i tij ka qenë në datat 28 prill-2 maj 2007, në Irak, kur ka qenë i shoqëruar nga 6 persona. Qëllimi i udhëtimit ishte vizita e trupave britanike paqeruajtëse në Irak. Ky ka qenë dhe udhëtimi me më shumë shoqërues të sekretarit britanik, i cili zakonisht ka pasur nga një deri në dy apo tre “bashkudhëtarë” në vizitat e tij.
Të njëjtin “fat” kanë pasur dhe ndihmësit e tij: ministri i Shtetit dukej i “prirur” gjithashtu të vizitonte Irakun, Afganistanin, Sierra Leonen apo dhe ishujt Folkland në nëntë daljet e tij jashtë shtetit brenda një viti. Nënsekretari tjetër parlamentar i shtetit, ka pasur edhe më pak “fat” gjithashtu, sepse ka udhëtuar në një vit vetëm tre herë; nga të cilët ka vizituar Afganistanin, Kazakistanin e Ishujt Folkland. Të njëjtit destinacion, rutine dhe frekuence i është “bindur” dhe homologu i tij, me tre udhëtime, Francë, SHBA e padyshim, edhe në Afganistan.
Të gjitha shpenzimet e britanikëve të mbrojtjes janë të detajuara. Ato përfshijnë datat e udhëtimit dhe të qëndrimit jashtë vendit, destinacionin, qëllimin e vizitës, mënyrën e fluturimit, numrin e pjesëtarëve të delegacionit dhe koston e shpenzuar. Një ballafaqim i shpejtë i këtyre shifrave, dëshmon dhe njëherë se ish-diplomacia shqiptare paska qenë shumë më intensive sesa ajo britanike. Por, nga ana tjetër, ishte e pamundur të sigurohej me burime shqiptare, edhe një detajim i tillë i udhëtimeve të ish-ministrit Mediu, të shprehura sipas parametrave të britanikëve.