
Intervistë
Deputeti i Partisë Demokratike, Mark Marku, thekson se në rast se videoja Meta-Prifti e publikuar në emisionin investigativ “Fiks Fare” konsiderohet si e pamontuar, atëherë koalicioni qeverisës do të dëmtohet, ndërsa nëse ndodh e kundërta fatura e dëmtimit do t’i shkojë opozitës. Në një intervistë për “Shqip”, deputeti demokrat thekson se palët duhet të kenë durim dhe të presin vendimin e prokurorisë për këtë çështje, duke shtuar se Ilir Meta bëri një gjest të duhur politik, duke dhënë dorëheqjen.
Nga ana tjetër, Marku shprehet i sigurt se prokuroria do të jetë e pavarur në qëndrimin e saj për këtë çështje, kjo dhe për arsyen se marrëdhëniet mes saj dhe PD-së, nuk janë shquar për të ngrohta, madje kanë qenë të acaruara. Në lidhje me demonstratën që do të mbahet sot në Tiranë, Marku thekson se opozita po mundohet që situatën politike ta precipitojë në revolta popullore, gjë që sipas deputetit të PD-së është e pamundur.
Z. Marku, si e shikoni situatën e krijuar mes palëve politike pas publikimit në emisionin investigativ të një bisede të përgjuar mes dy ish-ministrave të kabinetit, aleat të PD-së në qeverisje? Mendoni se kjo çështje do të “ndëshkojë” koalicionin qeverisës në zgjedhjet lokale që janë në prag?
Situata është e ngjashme me një fushatë elektorale. PS-ja po mundohet të nxjerrë nga një video që në një pjesë të saj është deklaruar edhe nga vetë publikuesit e saj si e manipuluar, një përfitim të dyfishtë. Ajo po mundohet që ta precipitojë situatën në mënyrë të atillë që të ketë një revoltë popullore, gjë që më duket praktikisht e pamundur. Nuk shoh ndonjë arsye për gjithë këtë agjitim të opozitës. Publikimi i kasetës ka sjellë reagimin politik të koalicionit dhe zotit Meta, i cili ka dhënë dorëheqjen duke u hapur rrugën hetimeve.
Mbetet tani nga organet e drejtësisë të vërtetohet nëse kaseta është e vërtetë siç pohon opozita apo është e montuar siç deklaron zoti Meta. Varësisht vendimeve të organeve të drejtësisë do të ndëshkohen edhe palët: nëse videoja rezulton e vërtetë, atëherë do të dëmtohet koalicioni qeverisës, por nëse rezulton e kundërta do të dëmtohet po aq PS. Deri atëherë le të bëjmë durim.
Si e gjykoni reagimin e Kryeministrit Berisha në lidhje me këtë videoskandal dhe a keni besim në një rezultat të pavarur nga ana e prokurorisë për këtë çështje?
Reagimi mendoj se ka qenë politikisht korrekt. Kryeministri Berisha e ka pranuar dorëheqjen e zotit Meta dhe ka deklaruar se i takon prokurorisë dhe gjykatës të merren me këtë çështje. Natyrisht, koalicioni dhe qeveria e zotit Berisha është favorizuar shumë nga vendimi i zotit Meta, i cili duhet pranuar se ka treguar përgjegjshmërinë e duhur politike duke marrë vendime të guximshme në funksion të partisë që përfaqëson – LSI-së, si dhe të koalicionit qeverisës. Për sa i përket besueshmërisë në punën e prokurorisë, mendoj se për momentin ka dy arsye që na bëjnë të besojmë në punën e saj.
E para: se ajo ligjërisht është një institucion i pavarur dhe i pakushtëzuar nga forcat politike. Sipas legjislacionit aktual, askush nuk mund të ndërhyjë në punët e saj. E dyta: Gjatë gjithë periudhës që nga emërimi i zotit Rakipi, i zotit Sallaku e deri tek emërimi i zonjës Rama, ky institucion ka pasur marrëdhënie të tensionuara me PD-në. Në këtë kuptim nuk ka arsye të dyshojmë se pikërisht në këtë moment ajo të marrë anën e PD-së.
Ditët e fundit, situata politike në vend është acaruar edhe si rezultat i seancës së fundit plenare, ku mes palëve nuk u arrit të bëhej asnjë diskutim normal dhe u artikuluan akuza dhe deklarata jo etike për sallën e ligjvënësit shqiptar. Cila palë mendoni se është përgjegjësja kryesore për këtë situatë dhe çfarë mund të bëhet për të pasur një komunikim normal mes mazhorancës dhe opozitës?
Pavarësisht se si komentohet acarimi i ndodhur në Kuvend apo ngjarjet e mëvonshme është krejt e palogjikshme të mendohet se PD-ja, LSI-ja dhe forcat që qeverisin vendin të jenë të interesuar për një acarim të situatës. Zakonisht dhe thuajse përherë, acarimet politike i interesojnë opozitës. Mjaft ta kujtojmë shkarazi këtë logjikë politike dhe e kuptojmë se është opozita ajo që është e interesuar për tensionimin e situatës dhe që po e bën një gjë të tillë
Opozita ka thërritur popullin në demonstrata këtë fundjavë. Si e shikoni këtë rikthim të opozitës te protestat dhe si gjykoni se do të ndikojë kjo në jetën politike të vendit?
Mendoj se protestat apo demonstratat, përveç faktit që do të dëshmojnë edhe njëherë faktin se jemi një vend i lirë dhe demokratik ku opozita i ka të mundura të gjitha format legjitime të luftës politike nuk do të dëshmojnë gjë tjetër.
Cili mendoni se do të jetë efekti i kësaj situate të tensionuar në vend te zgjedhjet lokale të 8 majit?
Nuk shoh ndonjë të mirë për zgjedhjet, nëse situata do të vazhdojë të jetë e tensionuar. Në një situatë të tensionuar politike, alternativat nuk shpalosen dhe fitojnë terren thirrjet. Unë mendoj se një situatë e tensionuar i largon qytetarët nga zgjedhjet dhe i bën ato pronë të vetëm një trupe elektorale ngushtësisht militante.







