Flasin shtatë sibila të kohës sonë

0
69

Nisja, ideja, vështirësitë dhe përfundimi i një cikli dokumentarësh për shtatë shkrimtare bashkohore shqiptare. Kelmend Karuni udhëton me Luljeta Danon, Mimoza Ahmetin, Ledia Dushin, Flutura Açkan, Rita Petron, Luljeta Lleshanakun dhe Olimbi Velajn.

Shekulli, 07.01.2013

Sibila të kohës sonë, ky është titulli i një cikli dokumentarësh nga Kelmend Karuni, që pritet të shfaqet së shpejti. Disa nga detajet e këtij punimi Keldi, ashtu siç e thërrasin të gjithë Kelmendin, do të na i zbulojë në këtë intervistë. Ky është dokumentari i poeteshave. Janë shtatë poete shqiptare që do të ndjekin Keldin në një rrugëtim mjaft poetik e ekzistencial. Ky nuk është një dokumentar biografike e as kritikë nuk ka.

Në thelb të tij qëndrojnë mendimet e këtyre poeteshave mbi historinë, besimin, poezinë, artin, kohën dhe gjithçka tjetër që përbën shqetësime te njeriut bashkëkohor. Keldi i ka ndjekur këto poete përreth një vit. Ka qenë pjesëmarrës në çdo mbrëmje poetike ku poeteshat ishin të ftuara. Ka vendosur ta titullojë “Sibila të kohës sonë” këtë cikël dokumentarësh ku sibilat quhen: Luljeta Lleshanaku, Mimoza Ahmeti, Ledia Dushi, Flutura Açka, Luljeta Dano, Olimbi Velaj dhe Rita Petro.

Nuk është thjesht një zë femëror, por zëri i këtyre krijueseve që jetojnë kohën tonë dhe nëpërmjet artit të tyre filtrojnë esencën e saj. Këndvështrimet e tyre nuk shkojnë vetëm drejt koncepteve poetike. Ato qasen drejt e në gjithçka që i jep vlerë jetës së njeriut. Keldi do të na tregojë në këtë intervistë diçka më shumë. Nisja, ideja, vështirësitë dhe përfundimi i një cikli dokumentarësh vjen sot nëpërmjet Keldit, djalit që pasi studioi për ekonomi, saktësisht investime burse dhe që u kthye në Shqipëri për të qenë pjesë e Akademisë së Arteve e për të ndjekur rrugën e vërtetë sipas tij.

Keldi, si lindi ideja e një cikli dokumentarësh për poeteshat shqiptare?

Shkëndija e parë e idesë ka ardhur kur kam parë një dokumentar të vitit 1984, “Kur flasim për poezinë” i realizuar nga Kinostudio “Shqipëria e re”, me autore Ylli Demneri dhe Diana Gjiknuri, im at Ferdinand Karuni ka qene operator i këtij dokumentari. Në te duket sikur koha ka ndaluar për këta poetë. Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Natasha Lako e disa të tjerë flasin me poezinë e tyre. Ne të brezit të ri nuk kemi pasur mundësi t’i njohim këta artistë të letërsisë sonë dhe kur i sheh në të shkuarën, të rinj duken si një nga ne, të prekshëm, të demistifikuar, të gjallë.

E njëjta gjë me një poet rumun shumë të njohur, që unë e kam shumë përzemër, Nichita Stanescu. Ai kishte vdekur në momentin kur unë u njoha me poezinë e tij, dhe kur kam para një dokumentar me të personazh jam ndjerë shumë pranë tij dhe botës së tij. Këtë desha edhe unë të bëja, sado elitare është poezia, unë mendoj, që është këtu ku vëmendja e njerëzve duhet të drejtohet. Duhet të njihen gjykimet estetike të këtyre intelektualeve, me të cilat mund të bien ose jo dakord, por ato qëndrojnë aty si kolona të ngritjes së civilizimit të shoqërisë tonë. Thonë që një libër duhet ta lexosh me të njëjtin kujdes dhe maturi me të cilin është shkruar.

Po, poezia që mbart një univers të tërë në njësi aq të shkurtër. Ndaj unë them Ndal, dhe reflekto. Përtej kësaj, ky dokumentar, erdhi edhe si reagim kundër produktit që na ofrohet nga media sot, e cila gjithnjë e më shumë bëhet trumbete e triviales, banales, antivlerës, përgjumjes mendore të shoqërisë tonë. Procesi i hipnotizimit të mendjeve tona vazhdon, shumë shpejt do të gjendemi të paralizuar, të pamundur për të gjykuar vetë. Unë nuk dua të jem pjesë e ushtarëve të konformizmit, e ushtarëve mediatik që largojnë mendjet e njerëzve nga e bukura, nga arti, nga vullnetarizmi, nga bonsensi dhe mendimi.

Ky dokumentar shpesh më është dukur si një mllef i bukur ndaj asaj fasade politike që ofron media sot sepse këtij populli po i largohet vëmendja nga gjërat esenciale, sepse ai po mbijeton me plehrat që po i jep politika. Gjithë kjo arrakatje drejt pasurimit, e gjitha behët me kokën ulur, pa parë as veten në fytyrë aq më pak njerëzit rreth nesh. Po largohemi nga vetja, nga ajo çka na bën njerëz, nga dashuria, nga e bukura, nga mirësjellja nga besimi, duke treguar simptomat më të këqija të një kapitalizmi të keqkuptuar. Kështu, endemi fort drejt vetmisë, konformizmit dhe ftohjes.

Hyrja dhe përfundimi në këtë projekt qëlloi të realizohet njëlloj siç e menduat në fillim apo ka pasur edhe devijime nga projekti i parë?

Përqasja fillestare drejt këtij cikli dokumentarësh ishte ideja e realizimit të diçkaje “nga femrat prej femrave”. Shpejt kuptova që ishte një qasje jo thelbësore. Poezia nuk ka gjini, e as mendimi. Sa më shumë iu afroja botës së tyre, aq më shumë i largohesha konceptit të parë që kisha krijuar për këtë cikël dokumentarësh. Me kohën kuptova se mund të arrija diçka më të rëndësishme duke ndërthurur poezinë në gjendje të pastër me mendimet e tyre mbi shqetësimet dhe ngjarjet e kohës. Fjala kyçe është“Tani”. Këtu doja të mbërrija. Një tablo konceptesh për ne, Tani. Duhet thënë edhe se qëndrimi pranë tyre më dërgoi në shtigje dhe ide të reja.

Ky cikël dokumentarësh ka një lloj ndarjeje. Si vjen kjo ndarje dhe a ka detaje të tjera që mund t’i ndash me ne?

Janë shtatë poetesha. Secilës prej tyre i kushtohet një material më vete, një bisedë dhe një qasje më vete. Secila është e ndarë nga tjetra, por të gjitha janë të barabarta. Minutazhi dhe vëmendja që i kam ofruar njërës është e njëjtë për të gjashta të tjerat. Pyetjet janë të ndryshme, përgjigjet gjithashtu. Nuk flitet për fillesën e tyre dhe as për detaje biografike. Nuk ka kritikë të poezisë së tyre. Biseda ka ardhur shumë spontane.

Takimet janë bërë në ambiente publike, aty ku ka njerëz që jetojnë e frymojnë si çdo ditë tjetër. Ekziston një magji e madhe tek “e papërsëritshmja”. Ky dokumentar nuk ka dubla, nuk ka përsëritje imazhi, nuk ka një provë të dytë. Biseda i falet momentit pa ndërhyrë dhe pa bërë përsëritje. Është një lloj videoje që nuk ka elementët e dokumentarit që na ka ofruar tradita, pra është një dokumentar pa elementet e një dokumentari tipik.

Pse ky titull?

“Sibila të kohës sonë” është titulli. Isha në dyshim mes këtij titulli dhe “7 nuanca të së vërtetës”. Zgjodha atë të parin duke e lënë këtë të dytin si nëntitull, në përpjekje për të mos e zhdukur fare. Sibilat janë shkëputur nga mitologjitë e botës antike e sidomos greke. Sibilat janë orakujt femra. Ato lajmërojnë diçka, kanë zë dhe peshë. Ato janë orakuj të fateve dhe çështjeve ekzistenciale.

Për çfarë i keni pyetur këto shkrimtare?

Pyetjet janë shkëputur nga një gamë e gjerë që i përkasin çështjeve ekzistenciale. Estetika, etika, dashuria, historia, lindja, vdekja e gjithçka tjetër që përbën jetën e njeriut. Ekzistenca dhe raporti i tyre me kohën, besimin apo instinktet. Ato janë prej mishi, njëlloj si të gjithë ne. Kam mundur t’i pyes për kaosin që ofron bota moderne apo ku po shkon koncepti i familjes sot. Të gjitha pyetjet ndryshojnë nga njëra poete tek tjetra. Për shembull, Luljeta Lleshananklun e kam pyetur për vlerësimet historisë, kohës, të kaluarës, për konceptin e së drejtës.

Këtë pyetje nuk e përdora kur bisedoja më Mimoza Ahmetin. Me Rita Petron kemi folur për erosin, familje, çiftet dhe për dashurinë. E bukura qëndron se në këto biseda ato nuk e shohin veten si femra krijuese, por si njerëz të një bote si e jona, njerëz që i zë syri çdo ditë plehra dhe padrejtësi. Ato jetojnë dhe flasin për të njëjtën botë që jetojmë të gjithë ne, për botën shqiptare. Të gjitha flasin me një gjuhë të pastër e të thjeshtë, gjuhën që ofron shoqëria shqiptare sot.

Cila ishte biseda më e ngrohtë? Cila dinte të luante më kamerën? Udhëtimi më i bukur?

Me Rita Petron kemi qenë tek Metalurgjiku, në Elbasan. Unë madje nuk dija as si t’ia shpjegoja pse ishim aty. Poezia e saj më ofronte diçka potente dhe të egër, gjë që unë e lidhja me llavën që dilte për të shkrirë hekura, një llavë shkatërruese që të kujton furrat e Aushvicit. Ky është një udhëtim shumë i bukur. Kur u nisa, nuk isha kaq i sigurt për bukurinë që do të na ofronte ky udhëtim. Me Luljeta Danon kam bërë një udhëtim që nuk do ta kisha menduar kurrë për një vajzë që gjithmonë më është dukur e ndrojtur. Ajo tregohet shumë shumë e çlirët dhe e zakonshme në bisedë, kemi qenë në vende të panjohura për të dy si në gjeografi e në besim e botëkuptim.

Sipas saj çdo gjë, madje dhe universi e ka zanafillën tek dashuria. Me Mimoza Ahmetin kohën nuk e kishim në dispozicionin tonë. Atë e thërrisnin punët në Kanada. Ajo nuk heziton të këndojë një këngë në cepin e një lokali, një këngë vetëm për dokumentarin tim. Olimbi Velaj nga ana tjetër të ofron një bisedë konkrete, të mishtë, të prekshme e madje shumë serioze, që në sekondat e para ndiheshe si krijohej një miqësi me të. Luljeta Lleshanakun e përmenda pak më sipër për imazhin që të ofron vetë ajo dhe arti i saj, një yjësi imazhesh të jashtëzakonshme.

Me Ledia Dushin kemi udhëtuar deri në Zogaj, në liqenin e Shkodrës. Aty zbulova se ajo këndonte shumë bukur, sidomos këngët qytetare shkodrane. Ajo nuk ishte më poetesha që unë njihja, një femër shumë emotive. Dhe aty në një udhëtim si ky ne mundëm të flisnim për vështirësitë e të punësuarit, për vështirësitë e të siguruarit te jetesës. Flutura vjen si një kapedane në këtë dokumentar. Unë isha i bindur se gjërat nuk i vinin në mënyrë rastësore, por ajo i zgjidhte. Ajo më tregoi se për të pasur një gradë të atillë lirie duhet të luftosh që ta fitosh atë. Rita me mahniti me lehtësinë që të krijonte ajo vajzë për të komunikuar e për të folur edhe për gjërat më të fshehta të shpirtit.

Cilat janë vështirësitë që kanë lindur gjatë realizimit të këtij cikli dokumentarësh?

Ky cikël dokumentarësh është prodhim i “Digitalb” e do të jepet së shpejti në kanalin “T”. Unë kam pasur me këtë platformë dixhitale edhe bashkëpunime të tjera. Jam i lumtur që më kanë lënë liri dhe hapësirë të kënaqshme për të realizuar idetë e mia, duke besuar ne vizionin tim. Ndërsa, për sa i përket realizimit sigurisht që ka vështirësi. Stili i punës është si doku verite, jemi 3 veta me mjete teknike disi të limituara që organizojmë dhe realizojmë xhirimet. Me këto zonja të poezisë, jam kuptuar për mrekulli që kur jam prezantuar, por vështirësitë lindën për trajtimin filmik të poezisë së secilës. Të marr si shembull Luljeta Lleshanakun. Poezia e saj, sipas meje ka një aftësi të jashtëzakonshme për ta mbushur mendjen tënde me imazhe. Imagjinata jote fillon e i nënshtrohet fjalëve të saj vizualisht, te dikton.

Mirëpo, mua më duhet të gjej një imazh përtej asaj që përcjell poezia e saj. Dhe unë e kam ndier veten ngushtë kur jam vënë në kërkim të një imazhi më të lartë artistikisht se sa ai që ofron poezia e saj. Nga ana tjetër, Flutura ka një rebelim poetik me përmasa të mëdha. Gjithë ai vrull duhet nxjerrë në pah. Ndoshta nuk duket e vështirë me fjalë, por të gjesh elementet e duhur për të nxjerrë në pah vrullin e Açkës nuk është edhe aq e thjeshtë. Ashtu si edhe përshtatja e montazhit me materialet e filmuara për secilën për këto shkrimtare.

Si e shihni dokumentarin sot dhe nesër?

Për mua dokumentari është një thesar që mund të përmbajë vlera të jashtëzakonshme artistike dhe që mund të realizohet me fonde të vogla. Dokumentari nuk të kufizon në nivelin artistik, nuk ka sekonda të blera shumë shtrenjtë. Çdo dokumentar është një udhëtim shpirtëror, është një bibliotekë njohjesh dhe përjetimesh. Ai është stërvitja që i bëhet trurit për të qenë i përgatitur për filmin. Por, dokumentari sot tërhiqet prej hundësh nga mënyra se si e trajton media. Dokumentari është një gjini e fortë, goditëse, duhet trajtuar si e tillë. Gjithçka varet nga marketingu, si çdo copëz tjetër e artit në Shqipëri.

/Shekulli Print/Luela Myftari/