Flamuri ynë!

0
41

Nga Mero Baze, 23 Qershor 2012

Edhe pse shumica me humor, qindra mesazhe më kanë mbërritur këtë të shtunë pas emërimit të Flamurit Ministër i Brendshëm. Shumë njerëz të PD, që dërgojnë mesazhe, janë seriozë dhe më hakërrehen se unë duke u tallur me një personazh të krijuar tek rubrika Antena dhe duke e bërë si lolon e pushtetit, arrita ta bëj nga një i papunë që ngjiste postera me lek, në një milioner dhe njeri të gjithëpushtetshëm tek PD. Të tjerë, kryesisht kolegë apo njerëz të opozitës, tallen dhe thonë se Doktori nga inati i rubrikës ‘Antena brenda Familjes’, që i prish gjakun çdo mëngjes ka graduar personazhin kryesor të saj dhe e ka bërë ministër. Në të vërtetë nuk kanë të drejtë as ata njerëz të PD e ish miq të mi që hakërrehen se u bëra një idiot ministër, dhe as opozitarët apo gazetarët që nuk pushojnë së qeshuri duke shqiptuar fjalinë “Muli ministër”.

Në të vërtetë “fenomeni Flamuri”, i cili u përgjithësua nga Antena duke u bërë një personazh superpopullor si lolo i pushtetit nuk ishte fantazia jonë, por realiteti i PD, që po degradonte. Ne nuk bëmë asgjë tjetër veçse pikasëm dëshirën e Sali Berishës për të degraduar nivelin e qeverisjes me figura qesharake që t’i kishte nën kontroll dhe përpjekjen e tij për të shmangur një qendër të re pushteti në selinë e PD dhe këto nevoja atij nuk kish kush t’ia plotësonte veçse një njeri qesharak që mund të kyçte PD e të mbante çelësat në qafë dhe të ishte linja informale e pushtetit të tij nga Tirana në fshatin më të humbur të Shqipërisë.

I pagdhendur, provincial, i paditur, i palexuar, i palarë, i pangopur, i pafytyrë dhe i patru, siç ishte gatuar, ky njeri ishte kyçi i artë për Sali Berishën që ia zgjidhte gjithë problemet në strategjinë e tij për të mbajtur gjithë pushtete vetë. Figurat politike të PD dhe ish- disidentët e Berishës, të kthyer kokulur në oborrin e tij, kishin tani një dënim të ri, të mos kishin punë me Sali Berishën, por lolon ku ai kishte deleguar pushtetin.

Militantët e PD, ata që shpresonin se kishte ardhur dita e tyre dhe i dërgonin SMS Doktorit, çuditeshin kur përgjigjet i merrnin nga lolo i tij. Ministrat e PD, që nga ata që kanë pordhë të mëdha si intelektualë dhe deri tek ata që janë si Muli, filluan të ishin të gjithë nën kontrollin e lolos së pushtetit. Nënkryetarët e PD, por sidomos sekretarët e saj, nuk guxuan që nga viti 2005 të shkonin ndonjëherë në zyrat e tyre në PD, pasi çelësat i kishte lolo i PD, dhe nëse ata do t’i kërkonin të shkonin në punë pa leje të atij lart, dyshoheshin për komplot.

Në biografinë e këtij njeriu nuk ka asgjë se ç’të mbash shënim. Në vitin 1990 ai ka tentuar të futet ilegalisht në Kosovë, është ndaluar nga policia serbe, është mbajtur disa ditë në zyrat e policisë, ka firmosur një procesverbal dhe është lënë i lire në tokën shqiptare. Sot, që për turpin e këtij vendi është emëruar Ministër i Brendshëm, është mirë të dalë para Komisionit të Sigurisë Kombëtare dhe të japë shpjegime çfarë i ka ndodhur me shërbimin sekret serb dhe çfarë ka firmosur. Ndoshta ka qenë një procedurë formale emigranti, por ai duhet të shprehet zyrtarisht dhe parlamenti duhet t’i kërkojë police serbe të japë informacion për këtë.

Më pas ai erdhi në Tiranë si një student që ia nxori shkollën partia dhe filloi Fakultetin e Mjekësisë, të cilin nuk do ta kishte mbaruar kurrë sikur të mos binte gjithnjë një telefon nga PD e tipit “është ai djali që mban foninë në miting, ka një provim, kaloje pak”. Kështu zvarrë pas PD për të marrë ndonjë provim, për të ngjitur ndonjë poster, për të dalë në ndonjë foto me Berishën, ky njeri arriti jo vetëm të merrte një diplomë mjekësie pa ditur të bëjë dhe një injeksion, por të specializohet si pasuniversitar për fat të mirë në një degë ku shumica e pacientëve nuk kanë shanse të jetojnë, në onkologji. Kaq është gjithë dija, intelekti dhe CV e tij, e cila fillon të shkëlqejë pas vitit 2005 kur Berisha i besoi detyrat që përshkrova më lart si lolo i partisë.

Atëherë do të desha të pyes ata që duken të zemëruar dhe ata që duan të tallen me këtë emërim, se kush e ka fajin për këtë degradim të pushtetit në Shqipëri? Pa diskutim ne të gjithë. Së pari miqtë e mi në PD që sonte janë të shokuar se si një budalla u bëhet ministër. Janë ata që u hapin rrugë budallenjve, mediokërve dhe njerëzve që Berisha i përdor si lolo për të fyer çdo personalitet të PD dhe për tu treguar se pushteti është një pasuri e tij që ai ia hedh dhe qenit (kupto: ia jep Flamurit) dhe atyre nuk ua jep. Nga ana tjetër dhe miqtë e mi të opozitës dhe kolegët gazetarë, që gajasen e thonë ‘Muli ministër, është mirë të bëhen pak më seriozë’.

Unë nuk e bëra Flamurin ministër. Thjesht e kuptova këtë 5 vite më parë kur të gjithë e injoronin rrezikun që Berisha kish nisur rrugën e dikurshme të mandatit të fundit të Ramiz Alisë, për të zgjedhur Lenkën, Palin, Simonin dhe lolo të tjerë të tij në pushtet. Për ta kuptuar ç’e ka gjetur Partinë Demokratike, shikoni me kë e nisi e me kë po e mbaron, e nisi me Pashkon, e mbyll me Boden, e nisi me Koplikun, e mbyll me Flamurin, e nisi me Zogajn, e mbyll me Aldon, e nisi me Selamin dhe po e mbyll po me Flamurin, i cili ka në dorë dhe partinë.

Ndaj “fenomeni Flamuri” nuk duhet parë as si aksident që të revolton, as si humor që ta prodhon pushteti, por si një fenomen i rrezikshëm i degradimit të pushtetit, i cili rrezikon çdo njeri në këtë vend. Është fjala për një idiot, i cili edhe mund të hapë zjarr, edhe mund të prishë e të shkatërrojë, edhe mund të hedhë në erë zgjedhjet që vijnë po mori urdhër. Eshtë një njeri i korruptuar, që është bërë milioner pa pasur brekë në bythë. Dy vëllezërit e tij kanë arritur të marrin shtëpi dhe në Sarandë nga Enti Kombëtar i Banesave, ndërkohë që shtëpinë e kanë në Kukës dhe banimin në Tiranë.

Eshtë një njeri që ka mbledhur gjoba e bakshishe për çdo emërim nga çdo cep i Shqipërisë, një njeri që ka ngritur kompani e biznese me fushatat elektorale të PD, një njeri që ka kontrolluar luftën e klasave kundër “armiqve të pushtetit” në PD për ta paraqitur si arsye dhe leje për të vjedhur. E kam provuar vetë si hakërrehej ndaj çdo njeriu që i dilte para në administratë apo në rrugë me mbiemrin tim, si çonte fadromat para shtëpisë së prindërve të mi për t’i prishur që t’i bënte qejfin Sali Berishës dhe si terrorizonte ministrat që dyshohej se mund të kishin folur në telefon me mua apo ndonjë gazetar, armik të qeverisë.

Eshtë një krijesë e pështirë alla kocixoxe, një njeri që ka më shumë makina se çorape siç thotë një kolegu im në këto raste dhe pa diskutim një fenomen që dëshmon se Sali Berisha jeton me paranojën e tradhtisë nga gjithë bashkëpunëtorët e vet dhe është kruspulluar tek një rreth njerëzish që i nxjerrin frikën ngaqë e shikojnë në sy dhe i thonë “hap gojën se na ke gati”. Mos e merrni për budalla Flamurin, edhe pse është i tillë, dhe as mos e merrni për aksident emërimin e tij edhe nëse e vlerësoni seriozisht qeverinë. Ai është Flamuri ynë, i të gjithëve ne që i kemi hapur rrugë një plaku të rrjedhur në pushtet që në fund po ikën duke e bërë qesharak dhe të papërgjegjshëm pushtetin.