Flamuri raporton fjalimet e Jozit dhe Lul-it nga Shkodra

0
26


Nga Antena brenda familjes

E vetmja gjë e mirë që ndodhi dje ishte fjalimi i Jozefinës në Shkodër, pasi në atë atmosferë të zymtë, njerëzit kishin filluar të qeshnin. Flamuri, i cili është ngarkuar nga ai burri të mbikëqyrë situatën në Shkodër, përtoi të shkonte deri atje dhe porositi dikë që t’ia dërgonte me sms deklaratat që bënte Lul-i dhe Jozi nga Shkodra.

SMS e parë i mbërriti duke cituar Jozin.

“Shkodra është një nga vendet e bukura të Shqipërisë ku njerëzit kanë banuar prej shekujsh”, ishte fjalia e parë telegrafisht.
– Hajt mo, tha Flamuri. Ja ka fut fjalim patetik, mirë ka bërë, se ka pak nevojë aty.

Ndërkohë erdhi sms e dytë. Prapë citon Jozin.
“Ky është vendi më ters në Ballkanin jugperëndimor pasi në këtë basen derdhen gjithë lumenjtë e Ballkanit”.
– Po kjo bibë, tha Flamuri, dhe thotë që aty kanë jetu gjithë jetën, dhe thotë që është më ters në gjithë Ballkanin.

Mbërrin sms e tretë.
“Unë nuk besoj se ka vend për panik. Askush të mos hapë panik”.
– Shumë mirë, tha Flamuri me vete, ja kështu duhet folë.

Sms e katërt.
“Skena ç’ka me ba, janë çmendë krejt lumenjtë dhe po përmbysin qytetin”.
– Hej dreq, tha Flamuri me vete, ia filloi prapë.

Sms e pestë.
“Unë u bëj thirrje qytetarëve për evakuim. Të largohen nga zonat e përmbytura”.
– Ja bravo, kështu flitet, tha Flamuri me vete.

Sms e gjashtë.
“Shkodranët kanë jetu këtu dhe këtu do jetojnë gjithmonë në shtëpitë e tyre, s’kanë pse me lujtë prej tyre”.
Flamuri e humbi durimin.

– Nuk qenkan çmend lumenjtë, qenka çmend Jozefina, tha. Ca thotë në fjalinë e parë, e mohon në të dytën. Qenka bërë si Lopë e Çmendur.
I tërbuar merr në telefon njeriun e tij në Shkodër.
– Ma lër këtë Jozefinën, mos ja jepni në media këto broçkulla që thotë, dhe shiko pak ku është ai Lul-i.
– Këtej është shef, i tha shkodrani. Nuk po flet akoma. Më ka thënë po pres të mbarojë Jozi dhe të thotë të kundërtën.
– S’ke ça thu të kundërtën mor Lul, i thuaj, se Jozi i ka thënë vetë dhe të mbarat dhe të kundërtat.

– Të shpikë ndonjë gjë tjetër ai.
– Po ça të shpikë shef?
– Po i thuaj të flas për Ed Ramën që s’ka dekoru qytetin për festat.
– Po ene ky në Shkodër s’e ka dekoru shef? Mos na e merr për ters.
– Po ai ka të drejtë se nuk është e qartë kur ka ikë gjermani i fundit më 28 apo 29, kurse në Tiranë është e qartë, ka ikë më 17.

– Mirë shef, po ja përcjell Lulit, por ai prapë këmbëngul që do t’ia fusë Jozit, të flasë kundër saj.
– S’ka ç’i bën as zoti Jozit me ato marrina që ka thënë, i tha Flamuri. Ka vetëm një shans, të thotë ndonjë më të madhe se ato.
– Mirë shef, po ja them.

Luli mori mesazhin e Flamurit seriozisht dhe u ul po mendohej. Më në fund thirri kamerat.

– Unë jam këtu sot, në emër të qeverisë dhe kryeministrit Berisha t’iu siguroj ju se kjo që po ndodh është vepër e Zotit, por ajo që do të bëj qeveria do të jetë një vepër më e madhe se Zoti. Ne do ta bëjmë Shkodrën si Venecia. Ky qytet pas hyrjes së liqenit brenda tij, ka perspektivën të shndërrohet në Venecia të Ballkanit dhe gjithë botës. Qeveria do porosisë gondola dhe aty ku kanë qenë “Pesë Heronjtë” do të ndërtojmë San Markon.

Bumi turistik që pritet këtë vit do të jetë i paparë. Bashkë me heqjen e vizave shkodranët realizuan dhe ëndrrën për t’u bërë qytete bregdet dhe mund të nisen lirshëm pa viza në Itali. Në emër të qeverisë së kryeministrit Berisha ju premtojmë se qeveria ka marrë një vendim të brendshëm që gjithë pushimet verore të saj të bëhen në Shkodër, dhe zoti Berisha do të provojë të thyejë sërish rekordin e notit, duke shkuar Shkodër-Tiranë me not për 2 orë e 45 minuta.

Flamuri që po dëgjonte në celular fjalimin, shtangu.
– Pasha zotin, tha, as më shkonte mendja që ndonjë tjetër do thoshte marrëzira më shumë se Jozi. Po Lul-i mbetet Lul. Ja kaloi dhe kësaj radhe.