Fjongo lidhur rreth një bombe

0
47

Frida Kahlo - Kolona e thyer

Véronique Prat, 22.02.2010

Frida Kahlo pikturoi jetën, ekzistencën e saj, një torturë fizike të cilën ajo e shndërroi në art autentik. Me rastin e hapjes së ekspozitës personale në Bruksel, një portret i artistes meksikane që tablo pas tabloje ngriti legjendën e saj.

Mendohet se për Frida Kahlon dihet gjithçka, se jeta dhe arti i saj kanë frymëzuar libra, ekspozita dhe filma. Pikturat e saj kanë kapur çmime fantastike. Jeta e saj si grua e plagosur, e shkatërruar, e sakatosur e ka bërë ikonë të vuajtjes e shpëtuar nga arti.

Vitet ’80, janë dëshmitarë të një “fridamania” të vërtetë: Madonna ka koleksionuar vepra të saj, stilisti Jean-Paul Gaultier i ka kushtuar një koleksion, i tëri i frymëzuar nga stili “princesha inkase” i Fridës, emrin e saj ja vunë kukullave dhe një marke tequila. Pas Virgjëreshës së Guadalupës, imazhi më i shitur në Meksikë është i saji.

Por, viti 2007, viti i pesëdhjetëvjetorit të vdekjes së Diego Rivera-s, me të cilin ajo krijoi një çift legjendar, dhe njëqind vjetori i lindjes së Fridës, qe një surprizë: u zbuluan tridhjetë arka me vizatime, letra, sende personale të çiftit Rivera-Kahlo, që për më shumë se gjysmë shekulli ndenjën në hije dhe në fshehtësi. Kishte mbi 22 000 dokumente. Histori e çuditshme.

Një vit pas vdekjes së Fridës (1954), Diego Rivera ritakohet me Dolores Olmedon, mikeshë dhe e dashur që ai e kishte njohur më 1928 në Meksiko kur pikturonte freskat e ministrisë së Arsimit.

Pastaj e kishte humbur nga sytë. Ritakohen më 1955. Dolores do të jetë njeriu i besuar i Diegos deri në vdekjen e tij më 1957. Për të ajo do të ishte një mecenate bujare: ai i propozon të blejë veprat e tij të destinuara për tregun për të ngritur një muze “Rivera”.

Ajo do të mblidhte më shumë se njëqind. Dhe kur Diego merr vesh se familja e inxhinier Eduardo Morillo Safa-s, koleksionisti më i madh i veprave të Fridës, shet 25 piktura ndër më të bukurat e saja, ai i kërkon Doloresit që t’i blejë. Që nga ajo kohë, tablotë do të mbeteshin në familjen e saj.

Koleksioni Olmedo bëhet kështu një kthesë e detyrueshme për njohjen e veprave të Frida Kahlos dhe Diego Rivera-s. Para se të vdiste, Diego i la testament Doloresit tridhjetë arkat që ruanin dokumentet personale të dy artistëve: një tufë fotografish, disa prej të cilave të nënshkruara nga Brassaï dhe Man Ray, skica, libra me shënime, kujtime intime.

Rivera kishte kërkuar që arkat të mos hapen para vitit 1972 (15 vjet pas vdekjes së tij), por Dolores Olmedo i majti të fshehta deri në vdekjen e saj, më 2002. Pastaj ishte radha e arkivistëve për të studiuar këto mijëra objekte emocionuese.

U bënë publike më 2007, por pa e lënë Meksikon, ato do të paraqiten pjesërisht në ekspozitën e Brukselit, në Palais des beaux-arts, deri më 18 prill, pranë pikturave të mrekullueshme të Fridës prej koleksionit Olmedo.

S’do t’ia dijë për surealizmin

Gjithë jeta e Fridës rishfaqet papritur. E dhimbshme dhe plot pasion, jeta e saj kishte gjithçka që ta bënte mit si Van Goghu, Modigliani, Camille Claudel, dhe si gjithë këta artistë me fat tragjik.

Ajo lindi në Meksikë, më 6 korrik 1907. Ndonëse pretendoi se kishte ardhur në jetë më 1910, viti i revolucionit popullor, ai ku Emiliano Zapata që prej jugut të vendit, nisi kryengritjen e tij të madhe. Në moshën 6-vjeçare, e zë poliomeliti: këmba e djathtë i atrofizohet.

Për mos të dëgjuar më shokët e saj të klasës që i kishin ngjitur mbiemrin “Frida këmbëdruri”, ajo vishet si djalosh ose mban çorape të gjata e të trasha leshi edhe kur bën vapë. Fati i saj gremiset një mbrëmje shtatori më 1925: kthehet në shtëpi me autobus, ndërsa në Meksiko, tramvaji i Ksokamilkos kalon mbi binarët ku do të kalonte autobusi. Trami nuk kalon shpejt, autobusi ndoshta ka kohë që të kalojë. Ndoshta jo.

Trami e godet autobusin në qendër, dhe e hedh pas murit. Trupi i Fridës shpohet tepërtej nga bërryli metalik i ndenjëses, shtylla e saj kurrizore është thyer. “Jam zhvirgjëruar nga një autobus” do të thoshte me ironi më vonë.

Vijojnë tridhjetë e dy operacione kirurgjikale, tri aborte, dhe një amputacion. Tani jeta e saj do të zhvillohet në mes lëmshave të gjakut dhe erës së kloroformit, fashave, ageve dhe bisturive si banderila.

Në korse allçie ka trupin të gjakosur, shufra metali dhe instrumente të tjera torture që si përfundim do ta lënë krejtësisht të paaftë në një karrocë. Pas aksidentit, e ëma i krijon një shtrat me tendë, si tavan, një pasqyrë për të zbutur universin e mbyllur të kësaj dhome prej të sëmuri.

Frida është vetëm me veten, me imazhin e saj, me ankthet e saj. Por është akti nxitës i gjithë rrugës së saj: ajo do të arratiset me pikturën. Me një këmbalec të vogël që mund ta shtrëngoj mes gjunjëve, furça dhe ngjyra, ajo do të marrë veten për model.

Nën shembullin e Rembrandt-it dhe Van Gogh-ut, ajo do të tregojë jetën e saj përmes autoportreteve. Gjendjet e pasionit, të vuajtjes dhe në fund refuzimi, heqja dorë janë tek meksikania po aq të përziera sa tek dy holandezët e mëdhenj.

Për Frida Kahlo-n piktura nuk do të jetë kurrë kërkim për një zhvillim stilistik apo çështje për t’u bashkuar me avant-garde-ën: ajo nuk ka më interes as për surealizmin as për abstraksionin. Piktura e saj është thelbësisht autobiografike: një kompozim i thjeshtë që pa ngurrim vendos figurën në qendër, një prekje e vazhdueshme, një ndezje e ëmbël. Ka dëshirë për të treguar dhe një naivitet që të kujton gravura religjioze.

Për sa kohë mund të qëndrojë në këmbë, me etje për të jetuar gjatë muajve të gjatë e të palëvizshëm, Frida frekuenton mjedisin artistik. Ajo shkon të takojë Diego Rivera-ën, piktorin më të famshëm meksikan të pikturës murale, një gjigant 2 metra dhe 120 kilogramë, i quajtur “Pikasoja i Botës së Re”. Ai ka një shëmti tërheqëse, ajo një bukuri të çuditshme.

Ai është i famshëm, ajo fillestare. Ai është 43 vjeç, ajo 22. Martohen më 1929. Çift i çuditshëm: ajo e adhuronte, ai e tradhtonte, i kërkonte falje, ajo hakmerrej. Ndahen, martohen prapë. Ishin të pandashëm. Dashuroheshin.

Vendosen së bashku në shtëpinë e fëminisë së Fridës, Casa Azul. Aty strehojnë Trockin në mërgim, për dy vjet. Më 1938, presin André Breton-in, i dërguar nga Quai d’Orsay për një tur konferencash në Meksikë. Papa i surrealizmit është i habitur nga vepra e Fridës të cilën e fton për të ekspozuar në Paris.

Ajo nuk do të jetë e lumtur, por ekspozita do të jetë një sukses dhe nderim i vërtetë: njihet me Paul Eluard-in dhe Max Ernst-in, thuhet se Kandinsky “u mallëngjye me lot” nga vepra e saj, Yves Tanguy dhe Joan Miró janë entuziastë, Picasso, në shenjë miqësie, i ofron një palë vathë fildishi.

Megjithatë Frida refuzon që t’i bashkohet grupit surealist dhe të ndjekë diktatet e André Breton-it: “Unë kurrë nuk kam pikturuar ëndrrat e mia, thotë ajo, kam pikturuar jetën time.”

Ditë të bardha dhe net të zymta kur ajo vuan “si shtazë”.

Më 1939, Frida dhe Diego ndahen, dhe martohen një vit më pas: ndarje, tradhti nga të dy krahët, stuhi, asgjë nuk do të arrijë t’i ndajë në njëzet e nëntë vjet të rrëmbyeshëm. Ka ditë të lumtura kur Frida e kapërcen dhimbjen, pastaj net pa fund kur ajo vuan “si kafshë”.

Gjatë gjithë këtyre viteve, ajo e pikturon veten nganjëherë si perëndeshë inkase, flokët të thurur gërshet, të zbukuruar me lule dhe fjongo, vështrimi i zjarrtë, nganjëherë ajo tregon me naivitet në mënyrë ex-voto, plagët e trupit të saj të dërrmuar. Pi shumë, gjithnjë e më shumë, konjak, dy litra në ditë: shishe bosh i gjejnë tek këmbët e shtratit të saj. Alkoolin e përzien me ilaçet, pastaj me morfinë.

Mjeku ia ka këshilluar për lehtësimin e dhimbjeve, por ajo i dyfishon dhe i trefishon dozat. Pikturon më pak, lëvizjet e saj janë më pak të sigurta, por ajo vijon ditarin e saj ku flet për artin, dashurinë, për politikën, seksualitetin, jetën.

Më shumë se gjysmë shekulli pas vdekjes, bukuria magjepsëse e veprës së saj, që i takon edhe ditarit të saj therës, rend gjithmonë. Një magji për të cilën André Breton-i e krahasonte veprën e Fridës me “një fjongo lidhur rreth një bombe”.