Fjalori ordiner, si thirrje për të vrarë

0
41


Arben Rrozhani, 31.01.2011

Çka nxjerrë nga goja muajin e fundit, “burri i shtetit” – Sulmet nekrofile të kreut të Ekzekutivit ndaj kreut të opozitës, Edi Rama. Nga funerali madhështor i përmendur në 24 dhjetor 2010 deri te mënyrat e eliminimit të deklaruara pas demonstratës së 21 janarit.

Me sjelljet dhe fjalorin prej ordineri, ai prodhon një sfond interaktiv krimi, ku ndaj kundërshtarëve të vet krimi të mobilizohet vetë, duke pasur sigurinë se pushteti nuk e ngacmon

E (ri)nisi më se një muaj më parë, natën e Krishtlindjeve, me fjalorin e tij që mbante erë vdekje, ku flitej për testamente, obsesion vdekjeje, funeral shtetëror dhe fjalim nekrologjik. Sigurisht, në adresë të kundërshtarit politik, shefit të opozitës së majtë. Një leksik që kapërcen çdo kufi të bashkëjetesës sociale, kërcënime që bëjnë vetëm kapobandat për rivalët.

Prej mbrëmjes së 24 dhjetorit 2010, kur nga foltorja e Kuvendit, Sali Berisha do t’i përmendte vdekjen dhe varrimin shefit të opozitës, Edi Rama, deri pak ditë më parë, në mbledhjen e qeverisë, shefi i qeverisë e ka thënë troç atë që do të donte tashmë për kundërshtarin: vdekjen.

Thënie të tilla si: “Po të vdesë do t’i bëj funeralin shtetëror më madhështor që ka njohur Shqipëria dhe fjalimin më të bukur nekrologjik”, “Unë jam kryeministri i vendit dhe duhet të matet mirë”, “të garantoj se do të trajtohesh njëlloj si bandat dhe trafikantët”, “do të marrë ndëshkimin ekzemplar dhe askush tjetër përveç atij”, “në mënyrë absolute do të marrësh përgjigjen e merituar të një puçisti”, “i kam dhënë ultimatum të prerë se do të amnistohet çdokush tjetër përveç atij”, “Edi Rama do të përballet me pasoja që ai vetë nuk mund t’i imagjinojë” etj., etj., janë zhargoni i kriminelëve, por kurrë i politikanëve, kryeministrave dhe atyre që janë cilësuar prej ndonjë ambasadori si “burrë shteti”.

Dje morëm vesh edhe publikisht atë që kishte disa ditë që qarkullonte në Tiranë: kërcënimet me jetë ndaj kreut të opozitës. Në rrethana më normale, ky vulgaritet përfundon në prokurori dhe maksimumi që arrihet është të gjendet personi dhe të ndëshkohet. Por historia shqiptare e politikës, sidomos kjo e viteve të fundit të Berishës, ka prodhuar një rrezik të ri për situata të ngjashme kërcënimesh ndaj kundërshtarëve të tij.

Nga mënyra se si Berisha ka vepruar vitet e fundit me gjithë problemet që u janë krijuar nga njerëz nga më ordinerët deri tek figura politike kundërshtarëve të tij, e kupton lehtë se ai vë në dispozicion çdo mekanizëm të pushtetit për të mbrojtur njerëzit që shantazhojnë ose likuidojnë dhe fizikisht kundërshtarët e tij.

Me sjelljet dhe fjalorin prej ordineri, ai prodhon një sfond interaktiv krimi, ku ndaj kundërshtarëve të vet krimi të mobilizohet vetë, duke pasur sigurinë se pushteti nuk e ngacmon. Për Berishën ka rëndësi të përçohet mesazhi që kush vret kundërshtarë politikë, apo njerëz që nuk janë njerëz të mijtë, të flejë i qetë se nuk do të kapet kurrë.

Është pikërisht kjo strategji ajo që prodhon frikë në shoqëri, dhe bën “bashkëpunëtorë vullnetarë” të pushtetit kundër opozitës çdo idiot, çdo trafikant, çdo vrasës, çdo hajdut, çdo prostitutë, apo dhe çdo polic politik.

Nga qëndrimi i tij, ai inkurajon në distancë hienat të sulen mbi çdo kundërshtarë të vetin, qofshin këta kundërshtarë politikanë opozitarë, gazetarë kritik ndaj atij, apo dhe institucione të shtetit që nuk i binden pushtetit të tij. Berisha është frikacak të veprojë vetë, por është ndoshta politikani që trimëron më shumë se kushdo tjetër banditët, kontrabandistët, vrasësit dhe trafikantët të bëjnë gjeste politike ndaj kundërshtarëve të tij dhe si shpërblim të marrin moscenimin e tyre.
Më poshtë janë vetëm disa nga deklaratat e tij gjatë muajit të fundit:

24 dhjetor 2010
Fjalim në Kuvend i S. Berishës:

“…Në janar 2007, një diplomat i shquar në Tiranë më vjen në zyrë për çështjen e certifikatave. Sapo u fut në zyrë i ra telefoni, ishte Edi Rama… Pas 30 minutash sekretarja më thërret, të kërkon ai dhe shkova, diplomati hap altoparlantin e telefonit, ku dëgjohej Rama që thoshte: “kam hyrë në grevë urie…”. “Unë i thashë: vdis i thuaj. Po, po, vdis dhe do të vij të të hedh një batanije”…

Fjalim në Kuvend i S.Berishës:

“Në maj isha në Zagreb, kur më bie telefoni nga PE urgjent. Një mik i imi nga Parlamenti Europian… Unë i thashë, Edi Rama po të dojë ka një dhomë në katin e parë, ku jam unë, të bëjë grevë urie aty…
Po të vdesë, do t’i bëj funeralin shtetëror më madhështor që ka njohur Shqipëria dhe fjalimin më të bukur nekrologjik…

17 janar
(Grupi parlamentar PD) S. Berisha:

Mediat publikuan një video, e cila sot është në Prokurorinë e shtetit dhe unë si Kryeministër shpreha vlerësimin më të madh për: së pari, disponibilitetin e zv.kryeministrit për të mos i njohur vetes asnjë lloj imuniteti dhe për të qartësuar; së dyti, vlerësimin tim më të madh për gatishmërinë imediate të prokurorisë për të hetuar këtë çështje… Që ditën e parë unë denoncova një akt të shëmtuar të ulët dhe të pistë, me të cilin Edvin Kristaq Rama ka falsifikuar videon. Unë jam kryeministri dhe ai duhet të matet mirë…
… nuk e ka llogaritur mirë hesapin.

22 janar
(Konferencë shtypi) S. Berisha:

“…Dy fjalë për Edvin Kristaq Ramën. “…Me banda, banditë dhe me trafikantë… të garantoj se do të trajtohesh njëlloj si ata… Do të shkosh drejt atij fundi që meriton…

23 janar
(Mbledhje qeverie) S. Berisha:

Tani dua t’i them atij në mënyrë përfundimtare. Ky është vendimi im përfundimtar. Çdo tentativë e tij për dhunë ndaj institucioneve do të marrë ndëshkimin ekzemplar dhe askush tjetër përveç atij. Tentove më të rrethosh kryeministrin do të gjesh vetëm atë që meriton banditi që të rrethon. Nuk do të merrem në mënyrë absolute me asnjë njeri tjetër. Paraprakisht ju them se cilido tjetër është i amnistuar, përveç atij…

24 janar
(Fjalimi në Kuvend)

Por dua t’jua them edhe juve këtu, ai që rrethoi 5 orë kryeministrinë për të marrë karrigen e kryeministrit, po tentoi herën e dytën, në mënyrë absolute do të gjejë atë që nuk do të mund të tentojë më kurrë në histori. Unë direkt të them mos tento më të rrethosh institucionin… Tani uroj që të nxjerrë të gjitha rrjedhojat ai, zotëri.

24 janar
(Takimi me Gardën) S. Berisha:

Puçisti do të trajtohet si puçist dhe do të marrë përgjigjen e merituar… E këshilloj dhe i kërkoj të mos bëjë më qoftë dhe një metër të vetëm. Faza B do të dështojë më me turp se faza A e skenarit etj.

25 janar
(Takimi me policinë) S. Berisha:

“…Rama me njerëz të hurit dhe të litarit, të gurit dhe të drurit, të eksplozivave, u vërsul dhe rrethoi Kryeministrin. Në rast se tenton edhe një herë i kam dhënë ultimatum të prerë se do të amnistohet çdokush tjetër përveç atij. Kjo nuk lëviz… Unë jam shumë serioz… Rrethoi për pesë orë kryeministrin e vendit, duke fërkuar duart… totale dhe absolute etj.

28 janar, S. Berisha:

Kryepuçisti rrethoi për pesë orë Këshillin e Ministrave, me një grup horrash të ndryrë në bunker, rrugaçë, banditë e kriminelë të armatosur më revole, gurë e hunj ndaj kryeministrisë… Në rast se kryepuçisti Edi Rama tenton për herë të dytë, do të përballet me pasoja që ia vetë nuk mund t’i imagjinojë…