FJALËT MBARUAN…

0
57

Ilir Yzeiri, 10.07.2011

Pas njëzet vjetësh tranzicion askush nuk e kishte menduar se do të gjendeshim këtu ku ndodhemi sot, të qeverisur nga një qeveri pa dinjitet ligjor, e akuzuar se ka vrarë njerëz të pafajshëm, e akuzuar se ka vjedhur pasurinë kombëtare dhe e ka shpërdoruar atë më keq se një pushtues barbar, e akuzuar gjithashtu se ka pasuruar ose ka vjedhur duke pasuruar familjarët e Kryeministrit të Shqipërisë, e akuzuar se manipulon shifrat dhe fsheh të vërteta rrëqethëse si për sa i takon tërësisë territoriale, ashtu edhe shenjës kombëtare, e akuzuar më në fund se të vjedh edhe mandatin, të grabit edhe votën, të deformon vullnetin popullor dhe të imponon qeverisjen.

Ajo që ndodhi me grabitjen e mandatit të Tiranës është dëshmia më e qartë se tashmë fjalët kanë mbaruar. Gjyqtarja e Apelit me emër lindor nuk lexoi vendimin e Kolegjit Zgjedhor. Jo. Ajo lexoi diagnozën e vdekjes së sistemit politik në Shqipëri. Ajo, ashtu si dikur prokurorët apo gjyqtarët e gjykatave popullore, dha vendimin për vdekjen përfundimtare të demokracisë në Shqipëri.

Nga 8 maji deri më 8 korrik u zhvillua një betejë me fjalë, me argumente e kundërargumente, me akuza dhe me kundërakuza, me shkrime patetike e social-romantike e me satira. Edhe unë vetë rashë viktimë e patosit nacional-romantik dhe e grisha Artan Kalanë bashkë me kolegët e tij që të merrnin rolin e apostujve. Unë, madje, por edhe shumë si unë, u dhanë atyre pa të drejtë një rol që ata jo vetëm nuk e donin, por nuk kishin as se si ta merrnin. Në shpatullat e tyre të ngushta nuk mund të rrinte ajo peshë. Unë, por edhe shumë si unë, besonim se kriza e rëndë e besimit ku është futur ky vend do të zgjidhej nga një juri profesioniste, por unë dhe shumë si unë harruam se ata ishin kolegët e Tomës dhe vida të një pushteti të ndryshkur. Mirëpo, atëherë, pra para datës 8 korrik, të ngjante se fjalët kishin ende pushtet dhe mund të ndikonin që të shëndoshej besimi dhe të ndalej vjedhja e votës, deformimi i dëshirës, shkatërrimi i vullnetit politik dhe ndarja e Shqipërisë më dysh. Unë, po edhe shumë të tjerë si unë, u gabuam dhe tani kemi ulur kokën e shohim se, për fat të keq, fjalët mbaruan. Nuk ka më as edhe një imazh, as edhe një koncept, as edhe një gjysmë shenjë që ta shtyjë më tej debatin. Tani, pas njëzet vjetësh, në Shqipëri është instaluar përfundimisht një regjim i paligjshëm që nuk ndërrohet më me votë. Është bërë zakon në këta njëzet vjet tranzicion që mbështetësit e kryeministrit të sotëm të shajnë diktaturën e Enver Hoxhës, të kreshpërohen se ata janë antikomunistë dhe se vazhduesit e komunistëve janë kundërshtarët e tyre. Personalisht nuk më intereson aspak se si e etiketojnë njëri-tjetrin kundërshtarët politikë në Shqipëri. Unë, duke krahasuar dy regjimet të cilat i kam jetuar vetë, kam arritur në përfundimin se nuk kanë as edhe një ndryshim. Kjo është një temë e gjerë që meriton më shumë argumente sesa korniza e një shkrimi të tillë dhe, natyrisht, nuk lidhet as me lirinë dhe as me pronën private apo me lëvizjen e lirë. Të gjitha këto në Shqipëri erdhën si rezultat i zhvillimeve globale. Ndërsa regjimet e Hoxhës dhe ky i Berishës sot, në thelb, kanë fare pak ndryshim. Shqiptarët në vitet ’90 nuk e kishin menduar se duke mbushur sheshet dhe duke kërkuar demokraci do të sillnin në Tiranë një regjim që do të grabiste pasurinë kombëtare dhe do ta shpërndante atë mes klientësh të qeverisë. Sot fëmijët e Enver Hoxhës ti mund t’i shohësh nëpër rrugët e Tiranës si qytetarë normalë, madje për ironi të fatit, kur u burgos njëri prej tyre në Kavajë më duket, avokat i tij ka qenë Arben Ristani, në mos gaboj. Ndërsa bijtë e kryeministrit të sotëm deklarojnë miliona euro pasuri, toka e troje. Nëse në vitet ’90 shqiptarët do të ishin pyetur dhe do t’u ishte kërkuar që a do të dëshironin ta ndërronin regjimin e tyre dhe të zëvendësonin një regjim arkaik me një tjetër regjim kriminel që do t’i vidhte shqiptarët e do t’i vriste, unë nuk jam në gjendje të parashikoj se si do të ishin përgjigjur ata. Një nga përparësitë e diktaturës ishte ndëshkimi i skajshëm i shkelësve të ligjit. Shqiptarët janë edukuar me ndjenjën e ndëshkimit. Aq shumë janë edukuar me këtë ndjenjë, sa shpesh kjo i ka bërë ata të përunjshëm e frikacakë atje ku s’duhet dhe cuba prapa ferrës në shumicën e herës. Nëse para njëzet vjetësh shqiptarët do të ishin pyetur se a do të pranonin ata të qeveriseshin pa gjykata, me gjyqtarë të komanduar nga një njeri i vetëm, unë nuk e di si do të ishin përgjigjur, por jam i sigurt se kur bërtisnin “e duam Shqipërinë si gjithë Europa” nuk kishin ndërmend këta gjyqtarë që, të kërrusur dhe me fytyra të vrerosura, lexuan diagnozën e vdekjes përfundimisht të demokracisë në Shqipëri. Unë e di se, ndërsa jam duke shkruar këto radhë, edhe vetë jam i pafuqishëm, shoh se fjalët nuk duan të rreshtohen dhe të rrinë njëra pas tjetrës, e ndiej se bëj sikur shkruaj, po në fakt fjalët nuk kanë as edhe një kuptim, ato janë zhveshur nga brendia e tyre dhe nga shenjueshmëria, ato nuk janë më bartëse të kombinimeve të papritura të mendimeve apo emocioneve. Ato janë pa ngjyrë, sepse në këtë vend fjalët mbaruan. Një regjim gangsterësh dallon, veç të tjerash, edhe pse ai i përçmon fjalët, e përçmon dialogun dhe zgjedh në çdo rast shkatërrimin e institucionit të fjalës. Kjo qeveri është varrmihësja e fjalës, sepse ajo e përdor fjalën për të kapur në kurth të tjerët. E përdor fjalën për të joshur dhe për të vjedhur e pasuruar një grusht njerëzish. Demagogëve dhe sharlatanëve nuk u mbarojnë fjalët kurrë. Ata nuk kanë drojë, sepse nuk e njohin bashkëbiseduesin. Në vend të dialogut, ata bëjnë monolog dhe sapo rrëmbejnë pushtetin, gjëja e parë që bëjnë, asgjësojnë fjalën. Shumë gazetarë janë tronditur kur kanë parë se si një dorë deputeti, nën gazetë shtyp butonin dhe voton për një deputet tjetër. Pas kësaj ka dëgjuar të qeshurën proverbiale të spikeres së Kuvendit, e cila ka miratuar ligjin. Për një njeri normal dhe në një shtet demokratik ku respektohet fjala, kjo do të ishte çmenduri. Këtu te ne është normë, sepse fjala nuk përdoret për të kuptuar tjetrin dhe për të shënjuar rendin e gjerave dhe hierarkinë e sendeve. Dallkaukëve, gangsterëve apo llomotitësve me zë të hollë fjala u duhet për të mbuluar vjedhjen, zullumin, shkeljen e ligjit, për të jetësuar një regjim që nuk ka ndërmend të largohet me fjalë. Në këtë kuptim, fjalët kanë mbaruar. Demokracia është një marrëveshje fjalësh, në thelb të së cilës qëndron një parim universal që pushteti ndërrohet me votë. Kjo marrëveshje është nënshkruar me fjalë. Në regjimet autokratike nuk ekziston një marrëveshje e tillë. Enver Hoxha, bie fjala, kur e mori pushtetin, ndërtoi një kushtetutë në të cilën sanksionoi se pushteti buron nga populli dhe i takon popullit. Ai mbrohet me gjak. Pra, ai pushtet nuk ndërrohej me fjalë dhe kjo ishte e shkruar e bardha mbi të zezë. Kushtetuta që përdor qeveria e sotme, thotë të kundërtën, thotë se pushteti ndërrohet me votë, pra me fjalë, sepse në votë është shënuar më fjalë dëshira e votuesit. Por kur pushteti e shkel fjalën dhe thotë se unë të “çoj për lesh”, siç thoshte me titull të madh gazeta pranë Kryeministrit, populli çfarë duhet të bëjë… Natyrisht, e kam fjalën për popullin në përgjithësi, se populli im i dashur është mësuar ta durojë të keqen, është mësuar të mbajë në kurriz lloj-lloj sharlatanësh. Deri kur…nuk jam në gjendje ta them…