FJALËFORMIMI GJATË PËRKTHIMIT TË BIBLËS

0
48

Dom Simon Filipaj, Bibla (përkthim), “Drita”, Ferizaj 1994

Ali R. Berisha

Në fillim ishte gjuha /…/ Prej saj u bë çdo gjë” (Bibla fq. 1505)

Te populli shqiptar librat që u janë kushtuar Zotit kanë gëzuar respekt si t’ishin pikërisht dhurata prej tij. Ata janë ruajtur në vende të caktuara – lartë, larg dëmtimeve, ndyerjeve, por në vende të dukshme, janë përdoruar me duar të lara, janë shfletuar ngadalë e me kujdes – si gjëra të shenjta. As ari as paraja, madje as buka nuk kanë gëzuar përkujdesje e respekt sa librat e shenjtë siç janë Bibla, Kur’ani e tjera. Me një përkujdesje e adhurim poashtu të veçantë ato edhe janë shkruar, përkthyer, shtypur, vënë në qarkullim dhe shitur, zakonisht falur. Shkrimtarët, përkthyesit ose hartuesit e tyre, kur kanë filluar punën kanë ndjerë një përgjegjësi të jashtëzakonshme, prandaj edhe nuk kanë kursyer mundin, kohën madje as lirinë, sepse librat e tillë te ne shqiptarët për një kohë të gjatë janë përcjellur nga censura, frika e dhuna si te rrallë ndonjë popull – deri në vitët e nëntëdhjeta të shekullit që shkoi.

Ndër të parët që e kanë patur të përkthyer Biblën, kanë qenë stërgjyshërit tanë – nga Shën Pali. Rrugë të ngjashme ka ndjekur edhe Imzot Dom Simon Filipaj – Prelat Nderi i Papës Gjon Pali II, laureat i urdhërit “Naim Frashëri i Artë”.Ky njeri i madh i fesë, i kulturës dhe i gjuhës shqipe, duke mos kursyer asgjë, arriti ta përkthejë Biblën integrale në gjuhën shqipe dhe ta botojë në vitin 1994 në “Drita” të Ferizajit. Në lidhje me këtë përkthim Donika Omari thotë” ‘Kam parë përkthimin shqip të Dom Simon Fiulipajt, që është nga më të mirat përkthime të bëra deri më tani.”

Në shenjë nderimi dhe përkujtimi, këto ditë në Shkodër, u organizua një Konferencë shkencore, me rastin e dhjetëvjetorit të vdekjës dhe 15 vjetorit të botimit të Biblës në shqip.”Në këtë Konferencë studiuesit temën bosht e shpalosën nga këndvështrimi i tyre si: punën përkthimore të Biblës, kontributin e Filipajt në aspektin gjuhësor, letrar e …” etj. (Nga shtypi ditor.) Natyrisht sepse shkrimi i dashur meriton edhe gjuhë të zgjedhur, ku dallohen fjalët e mira, të zgjedhura, domosdo edhe fjalët e reja.

Librave fetarë u ka hije gjuha e zgjedhur. Ato ditët kur u botua ky tekst i Biblës, ndër të tjera është thënë se Imzot Dom Simon Filipaj gjatë përkthimit ka përdorur shumë fjalë të reja (neologjizma) të zgjedhura dhe të krijuara prej tij me një kujdes dhe mjeshtri gjuhësore të qëlluar. Kjo gjë mund të na bind kur marrim dhe e lexojmë librin. Kështu që aty hasim prurje të reja gjuhësore të formuara me mjeshtri, kujdes dhe përgjegjësi të lartë shkencore. Me një punë të till ai ia ka ngritur tekstit vlerën përmbajtësore e gjuhësore pa e prekur përmbajtjen fetare.

Dom Simon Filipaj si njohës i mirë i teksteve biblike, kur u përcaktua ta përkthejë këtë tekst integral të Biblës, mori përsipër ta bëjë një përkthim sipas parimit, të cekur pikërisht në këtë tekst të Biblës, “nëse nuk ia di vështrimin fjalës, unë do të jem i huaj për atë” (fq.1622) që më dëgjon. Ky parim është ndjekur nga autori edhe në rastet e krijimit të fjalëve të reja. Edhe tekstet letrare, veçmas të atyre poetike, duke përmendur edhe përkujdesjen e përkthimit dhe përshtatjes me gjuhën tonë të sentencave, fjalëve të urta, urimeve, shprehjeve dhe pjesëve të tjera, dëshmojnë se përkthyesi ka bërë një punë me përkushtim të madh.

Nga dhjetra e dhjetra fjalë të reja, krijues i të cilave do të jetë padyshim Dom Simon Filipaj. Nuk e shohim të udhës e as të vendit të shënojmë gjithë ato fjalëformime të krijuara e të future në përdorim të qëlluar në këtë tekst. Do të shënojmë vetëm disa, si.psh.: afërmendësi, e ka përdorur Betim Muço gjatë përkthimit të romanit Lolita të Nabokovit, “K. dit”, 2005, fq. 780), ambëltingëlluese, bakeqësi, ie bami, barkshuar, bashkëgrishur, bashkëshpërblimtar, beronjësi, bushtëri , çelëstar ( njerëzit e future nën çelës, të burgosurit),çmosi, çmoskënd, çmoskurrje, dashnorësi, derdhja mujore e gjakut (menstruacionet), dijesi, dijekeqas (të cilën e hasim edhe te Camaj: Rrathë / 172), ditëpakët, dysheritje, erëbërës, erëpërftues, erëzues , ëndjetar, faqefaqas, felgrim (në botimin e Tiranës – Shoqata Shqiptare e Biblës e vitit 1995 pa autor: zemërim), fjalëmbarë , fundër , fundësor , fundsor , gëziliroj , gruari , gurëngulur , gjallor , gjasësisht, gjehena e zjarrit (ferri), gjallor (e gjejmë edhe te Jusuf Luzaj: Lumturia e yjeve / 41), gjelaroja (lloj shpendi), gjithpushtues, gjithpushtetësi, hujar, hyjshërbesë , hyjshmëtar , hyjshmi , hyjshmoj , hyjshmor , hyjshmues, jetëpak , (e ka përdorur edhe Kasëm Trebeshina) e kinseshme (fiktive), krepçi, njënesë, kobësi, kremtorisht, kuptari, kuptimshkurtër, letërndarje, mbaston, mbëltisurat (të), mbushmendje (në disa shkrime e hasim fjalën mbushamendje e krijuar ngjashëm me fjalën marramendje; Simonaj preferon tipin mbushmendje analog me vramendje), njerake (e krijuar për t’ia përshtatur origjinalit, në vend të fjalës – grua ose femër), Njëlindur, padëgjesë, të paevarishmit, parakallëzues, paudhëria, përbujtë – më dhatë strehë (isha shtegtar e më përbujtët / isha i zhveshur e më veshët), përdhimtim, përerimi, (e ka Mehmet Elezi te Fjalori i tij, bashkë me fjalën erëmirim), përkryeshmërisht, qenës shëlbimprurës, shërbesoj, shkërraj, shndritësi, shtatkë (në botimin e Tiranës – shufër), shujtore,tëbanishtë (në botimin e Tiranës – kamp) tëbanishtim, tëbanishtoj, tremja ( bot. i Tir. oborri), tytësi, thesarorja (e kemi në përdorim termin dhoma e thesarit), urrelë, vërtetisht (te disa autorë – vërtetësisht), zbuluetas, zezëhaje, zverkngurtë, zhurmëzë, zhveshtësi, e shumë të të tjera. Ska nevojë për ndonjë thellim të gjatë për të konstatuar se ky përkthyes i Biblës shpërfaqet edhe njohës shumë i mirë i gjuhës.

Ai, të shtojmë edhe këtë, jep edhe propozimin për “ndreqjen” e ndonjë fjale, si pësh. Për mbiemrin i,e ashtuquajtur, përdor fjalëkrijimin ashtutëquajtur (fq. 1616), për foljen ndyej ose fëlliq, ai përdor fëlliqësoj (fq.152), por edhe nuk ngurron ta zëvendësojë fjalën menstruacion me konstruktin original të shqipes, pastaj në vend të kuptimit – më dhatë strehë, përdor më përbujtët, e të tjera. Me këtë rast shenova vetëm disa nga shumë të tjera. Don Nosh Gjolaj në Reportazhin kushtuar dhjetëvjetorit të vdekjes së ktëij njeriu të madh shkruan ,.Duke shtuar se në punë përkthimesh Filipajt “I ndihmoi njohja e thellë kulturës dhe e të folmeve popullore me prërmasa buzukiane, ashtu i kontribuoi gjuhës shqipe me 78 fjalë të reja, duke pasuruar leksikun e gjuhës shqipe.” Revista “Drita”, shtator 2009 fq.10.

Shumica e këtyre fjalëve janë prurje të Filipajt, kurse të tjerat janë krjime te tij të reja brendagjuhësore. As të parat e as të dytat nuk janë shënuar në fjalorët e botuar deri më tash. Mirëpo autor ia ka dalë të gjejë të tillë shembuj fjalësh që e kryejnë me sukses të plotë rolin e kontekstit përmbajtësor fetar e po me aq mjeshtëri edhe atë gjuhësor. Ai është i bindur se fjalët e mira e rrisin pëlqesën ndaj tekstit, kështu që kemi të bëjmë me një përkthim të natyrshëm. Duke e përdorur gjuhën e njësuar, të them kështu, të përplotësuar, ai ndjek parimin se një gjuhë e bashkuar bashkon gjuhësisht edhe e folësit e viseve të saj.

Nga ana tjetër shumë nga këto fjalë brenda vetvetes ngërthejnë një domethënie të thuktë. Gjatë punës së tij Filipaj ka qenë shumë i lirë, prandaj gjithaty ku e ka kërkuar konteksti dhe brendia kuptimore ka krijuar fjalë të reja me baza nga rrafshi dialektor, në këtë rast nga dialekti i gegërishtës të cilat janë përdorur në kontekstin e duhur, duke i ndihmuar lehtëkuptueshmërisë përmbajtesore.

Për të mos hyrë në hollësi të mëtejme, se këtij përkthimi, do të mund t’i bëhej një studim i gjatë shumëdrejtimësh, kësaj radhe po mjaftohemi me kaq, duke shtuar se një përkthyes i përqendruar në literaturën fetare të ketë edhe prirje për të krijuar fjalë të reja kaq me vend e kaq të qëlluara është vërtet për çdo lavdërim. Edhe në aspektin terminologjik ky përkthim i Biblës, pos për teologjinë, paraqet një lëndë të pasur terminologjike edhe për shkencat e tjera si biologjia, zoologjia, astrologjia, etj. Edhe në aspektin letraroartistik këtij përkthimi mund t’i jepen vetëm fjalë miradije.

Aspekti i tillë e këtij libri ka një vlerë të lartë përkthimore. Falë kësaj ai reflekton kënaqësi gjat leximit, frymëzim të veçantë dhe shpirtorësi brendiore. Na merr mendja se përkthyesi me gjuhën e përpunuar që e ka përdorur aty ka arritur jo vetëm ta ruajë përmbajtjen tekstuale të origjinalit por edhe t’ia japë ngjyrimin e natyrës së gjuhës shqipe.Në disa raste, si psh.“Mendoja se do të ishte më mirë shqip”. (sqarimi fq. 25), ose: “Ndoshta më lehtë do të kuptohej me një përkthim më të lirë që është i mundshëm …”(fq. 1630) sqaron përkthyesi në fusnotat shpjeguese.

Po shtojmë në fund se për Biblën tani mund të flasim si për një vepër të shkruar burimisht në gjuhën shqipe, sepse ky përkthim me meritë do të qëndrojë në lartësinë ku ndodhen përkthimet tona më të mira letrare. Autori ishte i vetëbindur se Bibla e meriton një përkushtim të tillë perkthimor. Prandaj kjo anë e ndritshme e sublimitetit të këtij teksti fetar, ka bërë që ai të jetë akoma më i adhuruar nga çdo shqipfolës, pa marrë parasysh përkatësinë fetare.