Preç Zogaj, 02.02.2010
Rezoluta e Këshillit të Europës për krizën politike të Shqipërisë ka vënë në një provë leximi krerët e shumicës në pushtet. Disa prej tyre, teksa kanë kuptuar se ka diçka të papritur dhe të thellë në këtë rezolutë, po presin.
Kurse më “guximtarët” , si zakonisht, nuk po lexojnë çfarë është shkruar, por çfarë do të kishin dashur të ishte shkruar në atë dokument. Thënë ndryshe, nuk po e lexojnë, por po e interpretojnë sipas dëshirës, me qëllim që të shmangin hetimin e kutive.
Rezoluta kërkon hetimin e zgjedhjeve në kuadrin e një marrëveshjeje politike të negociuar, por nuk e përmend gjëkundi fjalën kuti. Opozita thotë se përderisa materiali zgjedhor është në kuti, hapja e tyre nënkuptohet. Përndryshe, çfarë do të hetohet?
Qeveria këmbëngul për të kundërtën. Hetim pa kufi, por kutitë nuk hapen, thotë kryeministri Berisha. Me pak fjalë, rezoluta është e ngrirë, sa kohë që për çështjen themelore, palët janë në pozicionet e tyre të fillimit. Në këto kushte, nëse nuk do të ketë lëvizje, Europa do të detyrohet të shprehet në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe për kutitë.
Nuk ka dyshim se Europa do të ishte shprehur për kutitë edhe në Rezolutë. Besoj nuk e ka bërë, për të ruajtur dinjitetin e qeverisë shqiptare. Pasi ke njohur krizën, ke kërkuar hetimin e zgjedhjeve, ke mandatuar presidentin e Republikës si arbitër të dialogut, pra pasi i ke bërë të gjitha këto, të kërkosh edhe hapjen e kutive do të thotë ta nxjerrësh me zero qeverinë, çfarë nuk është e këshillueshme pa u mbushur kupa.
Europianët kanë arsye të shpresojnë se qeveria do ta lexojë në tërësi mesazhin e Europës.
Shenjat e deritanishme janë se qeveria nuk po bën këtë, por po kapet pas episodeve të shkëputura apo të pathënave, që i duken të leverdishme për debatin e ditës.
Mirë! Gjithkush është lirë të lexojë siç di dhe siç do. Miopia në vetvete nuk është një gabim apo një faj, edhe pse pasojat mund ti ketë më të mëdha. Por, realisht është shumë vonë për shakara të tilla pa pikë vlere tashmë.
Pse nuk ka në rezolutën e fundit hapësira për shakara të tipit të vjetër, ku sekush mund të lexojë e të interpretojë si t’i leverdisë, duke e lënë krizën pezull?
Pse nuk mund të trajtohet kurrsesi ky dokument, ndihmës dhe paralajmërues, siç është trajtuar deri me sot vetë kriza politike në vend, herë si një tekë e shefit të opozitës Edi Rama, herë si një sajesë e “mafias puniste mafioze” në opozitë! Pikësëpari, sepse është një dokument që ka lindur nga një njohje e thellë dhe e drejtpërdrejtë e zhvillimeve në Shqipëri pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009.
Me bojkotin dhe protestat për hapjen e kutive, opozita ka treguar se ku qëndron problemi, ku është lidhur nyje çështja e normalitetit të Shqipërisë.
Por është krejtësisht e pasaktë të mendohet se opozita ka zhvilluar e fituar një garë me shumicën në Strasburg, në Bruksel apo gjetkë. Në pikën e sensibilizimit të faktorit ndërkombëtar, opozita nuk ka qenë agresive.
Po të ishte rezoluta e KE-së një çështje gare midis së majtës dhe së djathtës apo midis opozitës dhe pushtetit, qeveria kishte mjete dhe mundësi shumë të mëdha për të nxjerrë një dokument sipas shijeve të saj. Qeveria e tentoi ndryshimin e projektrezolutës nëpërmjet dhjetë amendamenteve që paraqiti kryetari i delegacionit shqiptar në KE, zoti Rusmaili.
Në sallën e Asamblesë, Shqipëria përfaqësohej vetëm nga deputetët e qeverisë; e djathta ka shumicën në Këshillin e Europës; vetë zoti Rusmaili i paraqiti qartë dhe me korrektësinë e duhur amendamentet. Pra, në pamjen e jashtme, fusha për ndryshime ishte më se e hapur dhe shanset flisnin për qeverinë. Të shtojmë këtu edhe ndërhyrjen pa precedent të deputeteve të LMN-së, që kishin gjetur pikërisht këtë moment për t’i nisur një letër kreut të grupit socialist të Asamblesë.
E megjithatë, shtatë amendamentet që ndryshonin thelbin e Rezolutës, nuk u pranuan. Ekziston kriza, zgjedhjet duhet te hetohen, opozita duhet të kthehet në Kuvend, presidenti i Republikës duhet të thërrasë tryezën e partive. Paralelisht, do të kemi një delegacion të lartë të KE-së në Tiranë, pastaj edhe delegacione të tjera, të gjitha me një qëllim: si të zgjidhet me kosto sa më të ulët kjo krizë.
Nëse nuk do të ketë rezultat ky opsion, do të provohen opsione të tjera. Shqipëria është pjesë e perëndimit euroatlantik dhe nuk braktiset në fatin e saj.
Të gjitha këto janë më se të qarta në tekstin e rezolutës.
Por, kjo rezolutë ka akoma më të qartë kontekstin e saj. Politikanët profesionistë këtë duhet të dinë të lexojnë: kontekstin. Përndryshe ç’dallim do të kishin ata nga njerëzit që nuk merren e nuk paguhen për të bërë politikë. Konteksti është ky që një institucion politik i dominuar nga të djathtët, si KE, voton jo sipas përkatësive politike partiake një rezolutë për krizën në Shqipëri dhe zgjidhjen e saj. Figurat vendimmarrëse të këtij institucioni orientojnë një pjesëmarrje dhe një votë që siguron kalimin e projektrezolutës.
Çfarë ka ngjarë? Historia nuk është e tillë që të tregohet me dy fjalë dhe ndoshta nuk ka më kohë për të treguar se si dhe qysh edhe europianët, në mbyllje të vitit 2009, kthyen sytë dhe panë një Shqipëri shumë të ndryshme nga ajo që dinin deri atëherë.
Një Shqipëri në krizë politike dhe…më tej, një Shqipëri në gjendjen dhe perspektivën e një krize ekonomike me shumë pikëpyetje. Prej këtu edhe raporti i reporterëve dhe rezoluta e Asamblesë. Në gjithë këtë histori, opozita ka meritën se nuk e ka mbuluar me vello, por e ka treguar me zë të lartë krizën që rritet vetë kudo ku shkelet ligji.
Por betejën në Strasburg e ka fituar pikësëpari e vërteta e Shqipërisë kështu siç është dhe detyrimi, për të mos thënë alarmi i Europës për të ndihmuar jo sa për të larë duart. Zakonet e vjetra, cic-micet, shitjet, blerjet, llogaritë me rrjedhje deputetësh nga opozita në qeveri, si forma më e shëmtuar e rrjedhjes- të gjitha këto nuk kanë më asnjë vlerë përkundrejt regjimit që po vendos e vërteta e gjërave në Shqipërinë tonë të hapur, anëtare e KE-së, anëtare e NATO-s.
Kush vazhdon “leximin” e vjetër, thjesht do të mbesë edhe më shumë se deri tani mbrapa ngjarjeve dhe zhvillimeve reale në vend. Rezoluta është thirrja e fundit për ta për të qenë pjesë e zgjidhjes dhe jo e problemit.
Si test politik i veçantë, ka gjasa që në veprimin e vet, kjo rezolutë të nxjerrë nga loja politike dhe mandej edhe nga skena politike një numër të konsiderueshëm dritëshkurtrish me poste dhe funksione të larta. Kjo do të jetë mirë. Por e mira e të mirave do të ishte zgjidhja e krizës sipas rekomandimeve të freskëta të Këshillit të Europës.