Fitorja e parë e opinionit publik

0
91

Nga Mero Baze

Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, duhet të jetë në një telash të madh. Ajo duhet të anulojë tenderin për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar, i cili tani ka shpallur dhe një fitues, që është arkitekti i njohur austriak, Wolfngang Prix. Pas kësaj, i duhet të marrë një vendim parlamenti, ku të anulojë vendimin e mëparshëm votuar me shumicë absolute nga grupi i PD-së, përfshi dhe votën e vendosur të zotit Basha, ndërsa kryeministrit Berisha i duhet të anulojë vendimin e qeverisë që ka autorizuar shpenzimet buxhetore për këtë projekt. E gjithë kjo duhet të ndodhë këtë javë, që të marrë besueshmëri deklarata e Lulëzim Bashës se ai nuk do ta prish Piramidën dhe është kundër ndërtimit të kompleksit parlamentar atje.

Ka shumë njerëz që e marrin joserjozisht këtë deklaratë, për shkak të profilit jo të besueshëm të Bashës. Ka të tjerë që thonë se kjo është vetëm për fushatë. Unë në fakt pranoj pa druajtje se fushatat janë një rast i shkëlqyer për të reflektuar dhe premtimet e marra nën presionin e opinionit publik, duhet të mbështeten. Basha ka bërë sondazhe dhe ka parë se firma e tij për prishjen e Piramidës ja ka çuar 40 mijë vota diferencën minus me Edi Ramën. Mes shume faktorëve, duket se qëndrimi i tij ndaj Piramidës i del me shumë peshë në këtë diferencë të madhe dhe ka marrë lejen e Berishës e Topallit, për t’u tërhequr nga ky projekt.

Pikërisht këtu fillon problemi.

Shumë nga gjërat që premton Basha dihet që nuk kanë për t’u bërë kurrë, se duan aq pare, sa Basha i ka parë me sy vetëm në rrugën Rrëshen-Kalimash. Por. ky është një premtim që nuk do pare. Biles, ky është një premtim që kursen pare. Ky është nga ato premtime që duhet të realizohet para 8 majit. Basha duhet të bindë Berishën dhe Topallin që, ashtu siç i bën letrat brenda javës për ta prishur Piramidën dhe për të ndërtuar parlamentin, ta bëjnë brenda javës procedurën për të anuluar prishjen e Piramidës dhe për të vazhduar ndërtimin e Teatrit Kombëtar në atë godinë, ku janë harxhuar ndërkohë nja 6 milionë euro.

Natyrisht që është pak e vështirë që zonja Topalli ta gëlltisë të qeshurën e saj si hingëllimë pele, kur Berisha fliste për prishjen e Piramidës, por politika i ka këto. Përderisa kandidati i tyre kryesor në këtë betejë elektorale, ka llogaritur se humbet shumë thellë me këtë fakt, ata duhet ta mbështesin. Nëse e mbështesin, ata skanë për të humbur asgjë. Thjeshtë, do t’u ngulitet në kokë që jo çdo gjë bëhet duke mos respektuar opinionin publik. Nëse këmbëngulin, atëherë thjeshtë kanë hequr dorë nga fitorja e Lulëzim Bashës dhe demonstrojnë një mungesë të madhe mbështetje ndaj tij, për të mos thënë një thirrje për të mos e votuar.

Lulëzim Basha natyrisht që duhet ta ketë diskutuar gjatë me Berishën këtë tërheqje nga ky pozicion. Berisha po ashtu duhet ta ketë qetësuar zonjën Topalli nga acarimi i nervave që mund të ketë pasur kur e ka dëgjuar Bashën të thojë që jam kundër prishjes së Piramidës, edhe pse ka qenë votuesi më i zjarrtë në Kuvend për prishjen e saj. Problemi qëndron a do ta lënë atë një deklaratë boshe të Bashës për t’i forcuar atij profilin qesharak në fushatë, pra, si njeri që nuk ka nga pas mbështetjen e qeverisë, apo do ta mbështesin për të dëshmuar se kanë reflektuar për këtë situatë. Për Berishën ka leverdi të tërhiqet nga projekti i tij për ta prishur Piramidën dhe të mbështes Bashën.

Kjo mund të mos i jap Bashës fitoren, por do të jetë një fitore e opinionit publik mbi arrogancën e politikës ndaj shoqërisë. Dhe kjo nuk është pak. Por, nëse nuk e mbështesin, është mire që Basha ta lërë fare fushatën dhe të kthehet në shtëpi, pasi prej sot e tutje ai do mbetet kandidati me profilin më qesharak në fushatë, që merr vendime dhe jep premtime si fryn era. Mungesa e identitetit të tij personal, ka qenë dhe mbetet e meta më e madhe e tij në këtë fushatë. Nëse këtij handikapi i shtohet dhe braktisja nga Berisha dhe Topalli për premtimin e tij për mosprishjen e Piramidës, atëherë ai ngelet një kandidat pa ngjyrë, pa shije dhe pa fytyrë të tij.

Ai nuk guxon të jetë as antikomunist, as i moderuar, as iniciues i veprave të mëdha publike, as guximtarë për të prishur të shkuarën e qytetit, as demokrat, as komunist, as liberal as konservator, as holandez, as shqiptar, as me Gjykatën e Hagës për krime lufte, as me luftëtarët e UÇK-së që janë të akuzuar prej saj, as me bazën e vjetër të PD-së, as me prurjet e reja pa identitet në atë parti, as kandidat për kryetar bashkie, as i deleguar i kryeministrit për Bashkinë e Tiranës…pra, do të jetë një pirg i shëmtuar dilemash, të cilat do ta zënë nën vete. Ai po krijon idenë e një kandidati plastelinë që merr formën e ditës, dhe jo të një drejtuesi me një statur të fort, që ka idenë e vet, profilin e vet, dhe planin e vet për qytetin.

E ritheksoj se tërheqja e tij nga prishja e Piramidës, edhe pse të gjithë e kuptojmë se është fallco, është e rëndësishme, pasi është fitorja e parë e opinionit publik ndaj Berishës, por ajo do të punojë shumë herë më tepër kundër Bashës, nëse ai nuk detyron Berishën dhe Topallin t’ia konkretizojnë premtimin. Jo çdo gënjeshtër të shpëton nga situata. Ka të tilla si kjo që të varrosin më keq.