Daut Gumeni, 11.07.2011
1. “Të analizuarit” e pushtetit…
Një nga “të analizuarit” e shumtë të pushtetit aktual e të të gjithë pushteteve, po komentonte dje gjithë zell e hare pushtetare “fitoren e ndershme e të ligjshme” të kandidatit të pushtetit për Bashkinë e Tiranës, edhe pse e di mirë si ai dhe punëdhënësit e tij, se ajo fitore e grabitur në tryezën e “levave të partisë” ishte më e paligjshmja dhe më e pandershmja “fitore” e këtyre dy dekadave të lodhshme të viteve të inercisë së diktaturës së perënduar.
“Si nuk e kupton kjo opozitë destruktive që nuk ka asnjë bazë ligjore për të kërkuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Tiranë, vetëm e vetëm për një mospërputhje numrash, si pasojë e gabimeve të pafajshme njerëzore?”… Jo vetëm çuditej aq shumë me opozitën “i analizuari” nga të gjithë pushtetet, por u kërkonte dhe mbarë qytetarëve të këtij vendi që të ndanin me të tok gëzimin e asaj “fitoreje të ndershme e të ligjshme”, tani që “si pushteti qendror dhe ai vendor në Tiranë kanë rënë në të njëjtën dorë të sigurt” dhe kjo na qenkej “në të mirë të demokracisë e të të gjithë qytetarëve” (!)… Duket se “i analizuari” në fjalë nga të gjitha pushtetet, mezi përmbahej për të mos e thënë dhe publikisht nga ekrani i vogël atë parullën e vjetër bolshevike: “I gjithë pushteti sovjetëve!”…
Është e drejta e tij, edhe si “i analizuar” i të gjitha pushteteve, që ta dëshirojë edhe emrin e Republikës së Shqipërisë të kthyer në: “Republika Sovjetike e Shqipërisë”, por ç’kusur kanë qytetarët e Tiranës, që votuan kandidatin e opozitës dhe pushteti pas dy muajsh u nxjerr një tjetër fitues për bashkinë e kryeqytetit? Ç’kusur kanë votat e qytetarëve të numërohen sovjetikçe nga shërbëtorët e pushtetit, kur janë numëruar një herë edhe nga ambasadorët e aleatëve tanë të mëdhenj dhe faqe tërë botës?
Ç’kusur paska zëri i qytetarëve të mbytet aq keq nga ngjirjet e kusarëve? E më në fund, ç’kusur kanë qytetarët e lodhur nga mashtrimet 20-vjeçare të misionarëve besnikë të diktaturës së Partisë së Punës, që të fyhen aq rëndë publikisht nga kjo specie “të analizuarish” të të gjitha pushteteve, pushtete e pushtetarë që kanë parakaluar në këtë Tiranën tonë bujare herë me uniforma cariste, pasi carizmi qe rrëzuar, herë me uniforma fashiste pasi fashizmi qe shpartalluar e herë me kapardinat e murrme të Sigurimit të diktaturës komuniste, pasi diktatura komuniste kishte kapitulluar?…
2. – Majmuni i kapur vetë në qypin me arra…
Pushteti aktual nuk la gur pa lëvizur për dy vjet të tërë, në mënyrë që të hidhte në dorë me çdo mjet Bashkinë e Tiranës. U përdorën të gjitha marifetet, nga votuesit ambulantë brenda e jashtë kufijve shtetërorë e te votuesit e shumëfishtë. Dhe këta u përdorën në një shkallë aq të gjerë e aq të hapët, sa të dukej se pushteti demokratikas po zbatonte për këto zgjedhje vendore atë parullën e famshme të Mao Ce Dunit: “Fshati të rrethojë qytetin!”…
U përdorën lista zgjedhore të manipuluara e karta identiteti të falsifikuara, u përdorën shtimet e vendeve të punës nëpër ndërmarrjet shtetërore vetëm për kohën e votimeve. U përdorën si “banesa me qira” edhe garazhet e makinave e depot e veglave, madje dhe institucionet arsimore me nxënës e me studentë brenda. U përdorën jo vetëm votuesit e periferisë së Tiranës, por edhe votues nga rrethet, pasi kishin votuar një herë nëpër qendrat e tyre. U përdorën shkeljet flagrante të ligjit zgjedhor, duke e zgjatur orarin e votimit deri pas mesit të natës e duke ndaluar me polici edhe deputetët e opozitës që të mos shikonin se kush po votonte nëpër errësirë…
Çfarë nuk përdori pushteti për të hedhur në dorë me çdo kusht e me çdo mjet Bashkinë e Tiranës? Dhe përsëri, më datën 14 maj, në prani të ambasadorëve të aleatëve tanë të mëdhenj, ambasadorë aq të nderuar që u kthyen në numërues të duruar të votave tona, populli ia dha fitoren kandidatit të opozitës.
Kur e pa pushteti se edhe dy vjet përpjekje të ethshme për të marrë Bashkinë e Tiranës i shkuan kot e i dështuan përballë frymës popullore, atëherë kaloi në “planin B” dhe u dha urdhri i prerë: Të mos dalë rezultati paraprak sipas ligjit! Të “rregullohen” e pastaj të hapen aq kuti sa na duhen për të fituar në tryezë atë që humbëm me vota!…
Pastaj e pamë të gjithë, me shqiptarë e me ndërkombëtarë, atë shfaqje të turpshme të ndryshimit të rregullave në mbarim të lojës nga ana e KQZ-së e nga ana e KZ-së bashkë me të. Një shfaqje e turpshme që zgjati dy muaj të tërë dhe nuk turpëroi vetëm organizatorët e aktorët e saj, por edhe vetë emrin e Shqipërisë. Një shfaqje e turpshme për të gënjyer veten pushtetarët e pavotuar nga populli dhe për të gënjyer veten të gjithë ata që besonin deri më sot se dhe ne paskemi institucione zgjedhore të pavarura e të paanshme, paçka se shohim përditë tek vihen në rresht edhe institucionet gjyqësore të këtij vendi me kokën e kthyer sipas komandës: “Nga pushteti, ndero!”…
Por ajo shfaqje e turpshme është poshtëruese jo vetëm për ata që grabitën fitoren me anën e “levave të Partisë”. Është poshtëruese për të gjitha përpjekjet shqiptare drejt BE-së, por është poshtëruese edhe për ambasadorët e nderuar të akredituar në Tiranë, që e shtynë opozitën të shkonte në zgjedhje pa asnjë garanci ligjore minimale, sepse premtuan që garancia më e mirë do të ishin vetë ata ambasadorë të nderuar të demokracive të mëdha. E bukur garanci për zgjedhje të ndershme e të lira, zotërinj ambasadorë! Tani dhe ambasadorët e aleatëve tanë të mëdhenj janë po aq të poshtëruar nga manipulimi transparent i zgjedhjeve të 8 majit në sytë e tyre e të mbarë botës. Dhe këta ambasadorë aq të nderuar kanë prapë sy e faqe t’i thonë sot opozitës dhe mbarë këtij populli: “Zbatoni ligjin dhe vendimin e gjykatës!”
Cilin ligj, z. ambasador i OSBE-së, atë që shkeli pushteti në sy të të gjithëve dhe shkeljet i keni dhe ju me shkrim e me CD, sepse jua dorëzoi në kohë opozita, pikërisht që të mos shkelej ligji nga gjykata zgjedhore? Kësaj i thonë më tepër: “Zbatoni shkeljen e ligjit!”… Për të shkelur ligjin, ne kemi shembullin e pushtetit e nuk ka nevojë të na porosisni, veçse shqiptarët nuk e marrin vesh më se cili do të ishte shembulli juaj, si përfaqësues të botës së shtetit të së drejtës, të demokracisë e të të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut. Këtë kemi nevojë të dëgjojmë sot nga miqtë tanë ambasadorë të botës demokratike. Pse turpëroheni aq shumë t’i thoni dhe pushtetit tonë të zbatojë ligjin?…
Pas një talljeje me votën e popullit, me intelektin e me ëndrrat e tij për demokraci e për t’iu bashkuar Europës së popujve të lirë, kjo shfaqje e shëmtuar pushtetarësh të verbuar nga ethet për të sunduar, mbase pati dhe diçka të dobishme…
Mbase pati të dobishme atë sjelljen e njohur të majmunit, kur e kapin në xhungël me dorë të ngecur në qypin e arrave… Me tamahun e madh të majmunit për arra, pushtetarët tanë këtë herë e bënë vjedhjen jo fshehtazi, si gjithnjë në këto dy dekada tranzicioni, por haptazi e të pasqyruar në të gjitha ekranet e vendit e të mbarë botës. Kur majmuni i xhunglës fut dorën në qypin me arra, e mbush dorën shumë dhe mbetet i mbërthyer pas qypit, duke vënë ulërimën, pas së cilës e kapin gjahtarët.
Veçse majmuni i gjorë nuk ulëret se “po i vjedhin arrat” sikundër bërtet pushteti aktual se “opozita po sulmon institucionet e pavarura!”… Majmuni i zënë në qyp nga që nuk e hap dorën të lëshojë arrat, bërtet nga dhimbja, kurse pushtetarët tanë bërtasin për të mbrojtur “levat e partisë” nga ndonjë e papritur se mos u shkon mendja dhe atyre për të zbatuar ligjin e për të mos dëgjuar komandën e pushtetit për ta kthyer humbësin në fitues e fituesin në humbës…
Pati jo vetëm vjedhjen e hapur të votës së popullit faqe tërë botës kjo shfaqje e turpshme pushtetare, por pati dhe një rreshtim po aq të hapur të krejt taborit të misionarëve besnikë të diktaturës, që kësaj here frika nga vota popullore i detyroi të harronin dhe ngjyrat e fanellave dhe të bëhen bashkë kundër votës së lirë e kundër demokracisë, kundër vullnetit të popullit e kundër ëndrrës së shqiptarëve për t’u bashkuar me familjen e popujve të lirë të Europës. Kjo shfaqje e shëmtuar pushtetare tregoi sheshit këtë herë se cila është porosia që kanë marrë pushtetarët tanë kur i punësoi në politikë Partia mëmë…
Kjo fitore e grabitur në tryezën e ligjit dhe faqe popullit e mbarë botës, nuk tregoi vetëm që drejtësia jonë e tranzicionit ka mbetur dhe sot e këtë ditë një “levë e Partisë” si dikur, por i tregoi popullit dhe përfaqësuesve të demokracive të mëdha të botës, u tregoi dhe vetë pushtetarëve tanë të sëmurë nga zullumet e veta në kurriz të popullit e të ligjit, se grabitja e fitores në tryezën e ligjit, nuk është fitore por është një humbje poshtëruese. Na tregoi të gjithëve tok se urdhri i pushtetit për kthimin e humbësit në fitues e të fituesit në humbës, është shfaqja më e shëmtuar e kalbëzimit të një pushteti të paligjshëm.
Na tregoi se sundimi i gjatë i pushtetit të paligjshëm, lodhet nga teatri bajat demokratikas dhe përpiqet t’i japë fund tranzicionit të shpifur, jo më duke kryer reformat e domosdoshme për të kaluar nga diktatura në demokraci, por për të kaluar në një lloj sulltanati sui generis me bazë ideologjike bolshevizmin primitiv, me metoda sundimi një lloj përzierje komunisto-naziste, me fundamentalizmin partiak si mjet për të festuar dhe humbjet si fitore e për të tribalizuar mbarë shoqërinë dhe me tradhtinë kombëtare si monedhë për të blerë mbështetjen e fqinjëve për pushtetin.
Kjo grabitje e fitores së ligjshme të opozitës me anën e shkeljes së ligjeve nga vetë gjykata, u tregoi dhe vetë miqve të paguar të pushtetit kudo që janë, se tallja me votën e popullit fukara, nuk mund të hedhë kurrë themele të qëndrueshme për asnjë karrierë politike, sado e naurisur që të jetë ajo brenda e jashtë vendit.
3. – Kush fitoi më 8 maj?
Më në fund, gjithkush ka të drejtën e robit e të Zotit të pyesë: “Kush fitoi nga kjo shfaqje e shëmtuar e kalbëzimit të pushtetit, që rropatet kot ta fshehë paligjshmërinë e vet duke shkelur përherë e më keq ligjet dhe Kushtetutën e vendit?”… Fryma popullore kundër këtij lloj pushteti, ajo frymë zgjimi e demonstruar aq qartë në zgjedhjet vendore të 8 majit, ka shkrirë më në fund ato maskat prej dylli demokratikas të pushtetarëve të tranzicionit tonë 20-vjeçar.
Pas zgjedhjeve të 8 majit, ato maskat prej dylli demokratikas të pushtetarëve tanë besnikë të diktaturës, kanë rënë për tokë e janë bërë njësh me llurbën e zullumeve pushtetare dhe populli tanimë ka parë fytyrën e tyre të vërtetë. As fytyrën e tyre të vërtetë dhe as zullumet e tyre të panumërta, nuk ua fsheh dot këtyre pushtetarëve të paskrupuj asnjë grabitje mandati popullor, me anën e ca gjykatave paraushtarake të partisë në pushtet. Se tanimë ka perënduar koha e diktaturave dhe pushtetarët tanë çitakë nuk ua imponojnë dot më shqiptarëve diktaturën e antiligjit, në një epokë kur demokracia po shtrihet vrullshëm në mbarë botën.