Fishekët e fundit të një diktatori

0
56

Nga Rildo Ngjela

Dhuna dhe kërcënimet e përdorura kohët e fundit nga kryeministri Berisha duket se kanë acaruar akoma më shumë situatën politike në vend. Gjuha e përdorur nga kryeministri rreth një javë më parë në parlament tregon se nuk i ka mbetur më asnjë argument për të kundërshtuar opozitën. Kjo ka bërë që situata të degradojë në dhunë verbale e ditët e fundit edhe fizike. Kryeministri Berisha ka sulmuar së fundmi nga foltorja e parlamentit dhe më pas nga ajo e Kryeministrisë një grup biznesmenësh, të cilët i quajti mafiozë dhe kryemafiozë, për faktin e vetëm se këta të fundit janë pronarë të medieve kritike me qeverinë dhe pushtetin e tij.

Bombardimi që Berisha i ka bërë opinionit publik, duke krijuar situata të tilla luftarake, dhe shpallje të tilla armiqsh, si rasti i këtij grupi biznesmenësh, pa përmendur ata të tijtë, është bërë vetëm për të shmangur vëmendjen nga thelbi i skandalit, i cili qëndron te fakti se krimi dhe korrupsioni kanë depërtuar në kupolën e lartë të shtetit.

Kryeministri ka quajtur mafiozë një grup biznesmenësh, duke qenë se mafia është pranë tij.
Kryeministri ka quajtur mafiozë një grup biznesmenësh, duke qenë se mafia ka kapur Familjen e tij. Kryeministri ka quajtur mafiozë një grup biznesmenësh, duke qenë se njerëzit pranë tij kanë ngritur fshatra turistikë në bregdet. Kryeministri ka quajtur mafioz një grup biznesmenësh, duke qenë se mafia nuk qëndron kurrë në opozitë.

Por plani i tij për të egërsuar opozitën nuk ka funksionuar. Reagimet jo të dhunshme të saj kanë shkaktuar efekt “bumerang” duke e egërsuar më tepër kryeministrin Berisha, i cili dy ditët e fundit filloi fushatën e dhunës.

Dy ditët e fundit forcat e rendit janë keqpërdorur për të ushtruar kontroll në portin e jahteve në Orikum, në pronësi të pronarëve të “Vizion Plus”, televizion në opozitë me qeverinë Berisha, dy ditët e fundit forcat e rendit janë keqpërdorur për të arrestuar mbi dhjetë punonjës të Bashkisë së Tiranës me një arsyetim krejt anormal, dy ditët e fundit forcat e rendit janë keqpërdorur për të ndaluar një protestë paqësore përpara Kryeministrisë. Të gjitha këto ngjarje i japin të drejtën çdo qytetari shqiptar të mendojë se veprime të tilla të qëllimshme kanë për synim të provokojnë situata të dhunshme, që më pas Sali Berisha të dalë si viktima e vetme.

Pra, sulmi i kryeministrit ndaj biznesmenëve, të konsideruar si antiqeveritarë, sulmi i kryeministrit ndaj opozitës dhe antimitingjet që do të organizohen, nuk janë asgjë tjetër veçse një fishek manovër i përdorur për të bërë zhurmë dhe trembur kundërshtarët e tij politikë, të cilët i kanë dhënë provat se nuk frikësohen më.