Prof. asc. Pëllumb Karameta
Pas njoftimit të pushimit nga puna të mbi 1500 mësuesve, riorganizimit të agjencive të saj vartëse, ndryshe reduktim i specialistëve në shërbimet mbështetëse dhe, së shpejti, rajonalizim institucional, ndryshe zvogëlimin drastik të numrit të shkollave ose thellim i pabarazive për t’u shkolluar, çuditërisht, MASh pa të udhës të promovonte vlerat e një prej sistemeve më efikase të botës – sistemit arsimor finlandez. “Ne – theksoi në hyrje ministri ynë i Arsimit dhe Shkencës, Tafaj – kemi projektuar reforma të tjera nëpërmjet të cilave do të përfundojmë modelin më të përshtatshëm të arsimit tonë parauniversitar dhe universitar”.
Si për ironi të bëmave tona, konferenca në fjalë tregoi se mundësitë e barabarta për shkollim, administrimi i sistemit dhe mësuesit profesionist, elemente që MASh po i reformon për të satën herë pa ditur si t’i vërë në shërbim të arsimit cilësor të nxënësve, në Finlandë janë faktorët themelorë të suksesit. Këtë e demonstroi me mjaft elegancë në ekspozenë e tij ambasadori i Finlandës z. Erkki Huttinen. Shkathtësitë matematikore, ato shkencore dhe të leximit të 15-vjeçarëve finlandezë – pohoi z. ambasador – u cilësuan si më të mirat ndër 40 vendet në ciklin e vlerësimit ndërkombëtar PISA 2006, ndërsa për zgjidhjen e problemeve nxënësit finlandezë mund të krahasohen vetëm me moshatarët e tyre koreanojugorë. Arritje të tilla e kanë vendosur Finlandën në qendrën e vëmendjes ndërkombëtare – mijëra mësues dhe dhjetëra ministra Arsimi nga mbarë bota kanë vizituar atë vend për të parë me sytë e tyre realitetin e shkollës finlandeze. Vetëm kohët e fundit, p.sh., në shtypin prestigjioz gjerman janë shkruar të paktën 300 shkrime rreth këtij subjekti.
Barazi mundësish dhe besim
Mundësi arsimimi të barabarta pavarësisht gjendjes shoqërore të nxënësve (equal learning opportunities) dhe besimi se secili prej tyre mund të nxërë – përbëjnë një prej kolonave mbi të cilat ngrihet dhe funksionon ky sistem efikas shkollimi. Vendin e krahasimit të arritjeve të nxënësve e zë mbështetja dhe drejtimi i nevoja të veçanta arsimore, çka ka bërë që shumë pak nxënës të përsëritin klasën dhe vetëm 0.5% e kontingjentit të mos përfundojnë arsimin bazë. Mundësitë e njëjta janë konkretizuar në një rrjet shkollash të përhapura në çdo qendër banimi, në shkollimin falas për të gjitha nivelet e sistemit arsimor, në ngrënien e drekës falas për nxënësit e arsimit parauniversitar, shtuar këto me shërbim shëndetësor dhe dentar falas, me plotësim të nevojave të veçanta arsimore, me transport dhe mjetet shkollore po falas për arsimin bazë.
Barazia dhe besimi në mundësitë e fëmijëve për të arritur në shkollë e në jetë rrënjëzojnë thellë në vite. Studiuesi i mirënjohur anglez, John Abbott, në botimin e tij interesant (Të mbishkolluar, por jo të edukuar – nëntor 2009) pohon: “një libër i botuar në 2009 ‘Pse shoqëritë më të barabarta thuajse gjithmonë përparojnë më mirë’ shpjegon një faktor kritik për të kuptuar lidhjet ndërmjet arsimit të Anglisë dhe Finlandës. Nëse në këtë të fundit raporti i të ardhurave ndërmjet pesë më të pasurve me pesë më të varfrit është vetëm 1:3,7, në Angli është 1:7,2. Finlandezët – vijon Abbott – e shpjegojnë suksesin e tyre edhe me ndikimin e filozofit të madh çek, Jan Amos Komenius (autor i Didaktikës e Madhe, 1638), konsideruar si babai i asaj që sot njihet me termin Pedagogjia me nxënësin në qendër. Kjo pedagogji, e njohur për parimet e kalimit nga e përgjithshmja tek e veçanta, nga e lehta te më e vështira, kërkon që nxënësit të mos mbingarkohen dhe të mos detyrohen të merren me gjëra që janë në kundërshtim me prirjet e tyre natyrore. Ajo po konfirmohet sot nga studimet në neurobiologji, në shkencat e njohjes dhe studimet e evolucionit.
Komeniusi u ftua në Angli në mesin e 1660 nga poeti dhe filozofi John Milton, aso kohe sekretari i punëve të jashtme të Kromuellit, për të shtjelluar idetë e tij, por nuk mundi të ndikojë pasi Kromuelli vdes dhe projekti dështoi. Ai gjen Finlandën – që në atë kohë sundohej nga Suedia – ku zhvilloi idetë e Didaktikës. Finlandezët, pra, kanë 400 vjet që zbatojnë “një arsim të hapur dhe të gjithanshëm” që synon krijimin e njeriut inteligjent me personalitet të gjerë. Atje besohet se fëmija është mjaftueshmërisht i pjekur për shkollë pasi mbush 7 vjeç; finlandezët theksojnë, veçanërisht, zhvillimin emocional të fëmijëve në vitet më të hershme të shkollimit si pararendës të zhvillimit intelektual të tyre. Shkollat e tyre 9 vjeçare janë të vogla dhe rrallë mund ta kalojnë numrin 700. Provimi i parë shtetëror zhvillohet në moshën 16 vjeç dhe përdoret si udhërrëfyes diagnostikues për format e shkollimit të mëtejshëm.”
Për shkollën e mendimit socio-konstruktivist finlandez koncepti i inteligjencës po përjeton fazën e kalimit nga inteligjenca krejtësisht kognitive në inteligjencën e shpërndarë mbi larmi burimesh njohëse ose jo, individuale apo të ndërtuara nga shoqëria. Pikëpamja e re për inteligjencën e percepton atë më shumë si tërësi të zakoneve të mendjes që mund të kultivohen. Kjo ka bërë që në Finlandë shkollat të kultivojnë te nxënësit aftësitë rigjeneruese, intuitën ose ndjeshmërinë dhe të mos shqetësohen më për “menaxhimin e kohës”, strukturimin e testeve dhe mësimet e pafundme rreth gjërave, duke i transmetuar, analizuar dhe rishpjeguar ato vazhdimisht sikundër bëjmë ne në shkollat tona. Në arsimin parauniversitar – (dhe jo vetëm), ku ndihet i fuqishëm ndikimi i socio-konstruktivizmit, gjithnjë e më shumë, po merren parasysh veprimi i nxënësit dhe ndërtimet e tij mendore, përmasat shoqërore dhe kulturore të nxënies, bashkë me natyrën kontekstuale të saj.
Por, edhe nëse vendosni të kryeni studimet e larta në Finlandë, ju do të gjendeni në një nga vendet që vendos standardet për shumë vende të tjera. Finlanda ka gjashtë universitete në renditjen botërore të universiteteve të bëra nga The Times në 2006. Në nivelin e shkollimit terciar, Forumi Ekonomik Botëror e rendit Finlandën të parën në botë në frekuentimin e shkollës dhe cilësinë dhe të dytën në matematikë dhe shkencat arsimore. Studentët e huaj përbëjnë 5% të popullsisë në institucionet e arsimit të lartë. Shumë disiplina jepen në anglisht.
Administrimi i sistemit
Administrimi i të gjithë sektorit arsimor është përgjegjësi e Ministrisë së Arsimit, përfshirë këtu arsimin e përgjithshëm, atë profesional, si dhe vetëarsimimi i të rriturve. Ministria e Punësimit dhe Ekonomisë përgjigjet për trajnimet në tregun e punës. (Te ne MASh dhe ajo e punës vijojnë ende të diskutojë përgjegjësitë e njëra tjetrës në fushën e arsimit dhe trajnimit profesional). Ministria finlandeze e arsimit harton politikat dhe strategjitë arsimore (finlandezi nuk do ta besonte po t’i thoshim se MASh organizon deri dhe tenderë për blerjen e mobilierive) dhe në bashkëpunim me Bordin Kombëtar të Arsimit përgjigjet për zbatimin e këtyre politikave çdo 4 vite. Bordi ka një rreth të gjerë detyrash që lidhen me zhvillimin e arsimit në të gjitha nivelet, nga arsimi bazë deri te arsimimi i të rriturve. Ndërkaq, shumë çështje vendosen nga ofruesit e arsimit dhe trajnimit që janë organet lokale dhe partnerët e tyre. Kështu, niveli qendror përcakton objektivat e arsimit parauniversitar në ligje dhe kurrikulin bërthamë.
Organet lokale mbikëqyrin ecurinë e institucioneve arsimore, ndërsa shkollat kanë liri në përcaktimin e një pjese të kurrikulit, të metodave dhe aspekteve të tjera që ndikojnë cilësinë. Shkurt, një model i përsosur i administrimit të centralizuar të një sistemi të decentralizuar. (Ndërsa te ne nuk ka të reshtur retorika e më së paku 6 ministrave të arsimi, që duke filluar nga viti 2000 nuk po dinë më si të lakojnë termin decentralizim. Strategji sektoriale apo të integruara, strukturime institucionale të njëpasnjëshme etj., synojnë të decentralizojnë vendimmarrjet në sektorin e arsimit. Rezultati: vetëm në Tiranë, p.sh., titullari i Drejtorisë Arsimore Rajonale të qytetit vendos për emërimet, largimet dhe promovimet në detyrë të mbi 3000 mësuesve dhe drejtuesve (!), drejtori i shkollës nuk merr dot asnjë vendim së i takon stafit, burimeve materiale apo atyre financiare, ndërsa i shumëlakmuari bord i shkollës, si pikëtakimi i komunitetit me botën e shkollës gjallon vetëm në vendimet ministrore. Pushteti lokal ndikon në lyerjet e klasave).
Besojnë te mësuesit
Profesioni i mësuesisë është shumë popullor në Finlandë, çka bën që universitetet të mund të përzgjedhin aplikantët më të motivuar dhe më të talentuar. Fillimisht studenti mësues merr diplomën Bachelor (180 Kredite ECTS) dhe, më pas, diplomën Master (120 kredite). Formimi universitar i mësuesit përfshin praktika të konsiderueshme mësimore. Formimi i mësuesve për shkollar profesionale sigurohet nga njësi që funksionojnë pranë shkollave të larta politeknike. Nga përhapës të dijes mësuesit finlandezë janë shndërruar tani në drejtues të nxënies. Nxënësit, deri në fundin e kl. VI, mësohen nga një mësues, çka vlerësohet si faktor kyç për raportin e nxënësve me edukatorin e tyre. (Ndërsa te ne që në klasat e ulta po fillojnë të japin mësim gjithfarë instruktorësh të muzikës, fizkulturës, anglishtes. Për më shumë, MASH vijon të mos njohë as nivelet arsimore të mësuesve, pasi ka planifikuar në Projektin “Cilësi dhe Barazi në Arsim” krijimin e databasës për mësuesit dhe drejtuesit etj.). Sindikata e Arsimit në Finlandë ndikon vendimet për politikat arsimore dhe zhvillimin e sistemit pedagogjik e arsimor.
Gjithsesi, edhe konferencat na duhen, pasi asgjë nuk vlen sa ëndrra për të krijuar të ardhmen.







