FILMAT “TAKEN 2”, “AGON” DHE GARDIANËT E NDERIT TË SHQIPTARËVE NËPËR BOTË

0
45

MUSTAFA NANO, 18 Dhjetor 2012

Filmi “Agon” i regjisorit Robert Budina nuk është shfaqur ende në Shqipëri, por jehona e tij ka mbërritur. Ka mbërritur në formën e reagimeve kundër. Për hir të së vërtetës, filmi është përshëndetur nga shumë të tjerë, por kritikët kanë qëlluar të jenë më të zëshëm (apo kritikët janë gjithnjë të tillë?), dhe kështu kanë qenë ata që kanë rënë në sy; edhe në sytë e vetë Budinës, i cili është marrë me këto reagime në një intervistë të publikuar në numrin e djeshëm të “Panoramës”.

Në intervistën e Budinës më bëri përshtypje një ngjarje e rrëfyer prej tij, e që kish lidhje me premierën e filmit në SHBA, në një sallë ku kish edhe shqiptarë. “Pashë njerëz të ngriheshin më këmbë të irrituar; mes tyre, kish dhe njerëz nga familja ime. Njëri syresh doli nga salla në mënyrë demonstrative”, tregon Budina. Njerëz të irrituar prej filmit gjen edhe në web dhe që të gjithë nuk para japin konsiderata teknike, artistike, profesionale (deri tani kanë munguar konsiderata të tilla edhe nga kritika e specializuar). Kritikat janë të natyrës patriotike dhe etike, d.m.th janë ca që nuk durojnë dot faktin që ndonjë apo ndoca shqiptarë vizatohen si të dhunshëm e të pacivilizuar në një krijim artistik, dhe janë ca të tjerë namusqarë (ndoshta janë të njëjtët), që tërbohen prej fjalorit “të rëndë, të pistë” të vënë në gojën e personazheve të filmit.

Është hera e parë që vihen re reagime të natyrës etike lidhur me gjuhën e fjalorin e përdorur në një film shqiptar. Ka pasur reagime të tilla për gjuhën e gazetave, të publicistikës, të ndonjë programi televiziv (tabelë qitjeje është bërë shpesh programi “Portokalli” i “Top Channel”-it), por është hera e pare, që kjo gjë bëhet për një film. Arsyeja është e thjeshtë: Është hera e parë që regjisori vë në gojën e personazheve një fjalor të rënduar me fraza, të cilat ne i përdorim pa të keq në jetën tonë të përditshme, e të cilat nuk e kemi parë të udhës t’i përdorim në art, letërsi, e sidomos në kinema.

Kinemaja shqiptare, ajo soc-realiste, por edhe kjo që është bërë gjatë dy dekadave të fundit, është një kinema namusqare (personazhet nuk puthen, nuk zbulojnë pjesë të trupit, nuk bëjnë seks, nuk thonë fjalë të pista), e në këtë kuptim, Budina ka tentuar me sa duket të “revolucionarizojë” gjuhën e kinemasë, e cila ka qenë përgjithësisht e varfër, e ndrojtur, e drunjtë.

Të kuptohemi, nuk është se gjuha “e pistë” i kundërvihet vetvetiu kësaj tradite. Absolutisht jo. Përkundrazi, gjuha “e pistë”, edhe pse mund të jetë një risí, mund të jetë një vulgaritet e aq, mund të jetë një gjuhë po aq skematike sa ajo e mëparshmja, por kritikët e filmit “Agon” nuk janë ankuar për një gjuhë vulgare e skematike. Ata janë ankuar për fjalorin “e pistë”. Budina është mjaftuar të mbrohet me idenë se “nuk mund t’i vërë një personazhi delinkuent një fjalor që s’e ka të vetin”, por s’do bënte keq të mbrohej edhe me nevojën për t’i çmistifikuar fjalët e pista.

Për sa u takon kritikave që bëhen me logjikë patriotike, ato janë një avaz i vjetër mes nesh. Sa herë që dikush bën një film, ku ka personazhe shqiptarë të pagdhendur e të dhunshëm, ngrihet menjëherë një fushatë histerike, që synon të denoncojë motivimin antishqiptar apo albanofobik të autorëve të filmit. Filmi ‘L’America’ i Gianni Amelio-s, ku jepej në mënyrë të vrazhdë e brutale – si mund të jepej ndryshe? – realiteti shqiptar i fillimviteve 1990, u shoqërua me protesta, ankesa, kritika dhe në këtë mes u dalluan dhe zëra të elitës shqiptare. Ndërsa rasti më i freskët është filmi “Taken 2”, vijim i filmit të suksesshëm “Taken”, në të cilët luajnë aktorë të njohur e të zotë të kinemasë së sotme botërore.

Në filmin “Taken 2”, personazhit Bryan (i luajtur nga Liam Neeson), i qëllon të merret me “keqbërës” shqiptarë, të cilët ishin betuar se do të merrnin hak për vrasjen e anëtarëve të klanit të tyre nga ana e Bryan-it, dhe e ndjekin këtë të fundit në Paris, Stamboll, etj. Skenaristi i ka dhënë dum punës t’i portretizojë shqiptarët si “të egër, të dhunshëm, të paqytetëruar”, e në këtë mes i janë bërë krah me siguri ca cliché, që janë krijuar mbi ne, prej nesh.

Kjo fabul e filmit bëri që të lindë protesta e shqiptarëve në web, tek të cilët ka diçka që nuk shkon: Përgjithësisht njerëz të tillë nuk shqetësohen e nuk e ngrenë zërin sa herë që sivëllezër e bashkëpatriotë të tyret pushtojnë faqet e para të gazetave të ndryshme të botës me bëmat e tyre të çuditshme në Shqipëri e jashtë Shqipërisë. Jam i prirur të mendoj se të pickuarit prej filmit të Budinës janë po ata që janë pickuar nga filmi i Amelio-s, nga filmi “Taken 2”, nga Behrami e Co., që luajnë me fanellat e Zvicrës e jo të Shqipërisë, nga zërat brenda vendit që ngrenë e mbajnë gjallë frymën e ndërgjegjen kritike e autokritike të shoqërisë, e kështu me radhë.

“Grekët kanë bërë filmin ‘Pengu’, ku i bien vendit të tyre, italianët kanë bërë filmin ‘La Nave Dolce’, ku dalin në shesh të gjitha të zezat që u janë bërë shqiptarëve para njëzet vitesh”, thotë Budina në një përpjekje për të legjitimuar fabulën e vet filmike përballë kritikëve të tij. Por nuk ka nevojë për precedentë të huaj, të cilët janë të panumërt, megjithatë. Mjafton të thuash se “artisti duhet të jetë i sinqertë, duhet të thotë të vërtetat që sheh” (dhe është kjo që Budina thotë, gjithashtu), dhe u ke dhënë përgjigjen e duhur “gardianëve të nderit e të imazhit të shqiptarëve nëpër botë”.