Filip Çakuli, drejtuesi i njohur i “Fiks Fare”, ka pasur një javë të pazakontë. I akuzuar si “puçist” nga kryeministri, ai pasqyron në këtë intervistë një pjesë të përjetimit të tij aktual. “Edukimi dhe formimi komunist i Sali Berishës, arritja më e madhe e sistemit të shkuar”, sipas tij
1. Zoti ekziston, mund të ekzistojë, duhet të ekzistojë apo nuk ekziston?
-Duhet të ekzistojë. Po në fillim duhet sqaruar: E krijoi Zoti njeriun apo njeriu Zotin! “Nëse Perëndia nuk do të ekzistonte, do të ishte e nevojshme ta shpiknim”, ka thënë Volteri
2. Gjuha shqipe ju duket e pasur, e varfër, apo si të tjerat?
– Si të tjerat. Mjafton përkthimi i Shekspirit nga Noli, për ta dëshmuar këtë.
3. Njerëzit janë esencialisht të mirë, apo janë esencialisht të këqij?
-S’ka bardh e zi, si realizmi socialist, ku heroi do të ishte krejt i përsosur, negativi komplet i sterrosur. “Edhe engjëlli, edhe djalli, janë brenda te i gjalli”, thotë një poeti ynë i shquar
4. Do të ishit dakord që fëmija juaj të merrte pjesë në lojën televizive “Big Brother”?
-Nuk e ndjek këtë lojë. Ka lodra të tjera për fëmijët.
5. Harmonia ndërfetare në Shqipëri është një legjendë apo një realitet i bukur?
-Kur nuk beson shumë, pse të mos ketë harmoni?
6. Shihni ndonjë unitet të qartë kulturor midis Shqipërisë e Kosovës?
-Po, rruga e Kombit, një unitet pak i shtrenjtë për ne.
7. Cili është njeriu më i rëndësishëm, numrin e të cilit e keni në phonebook?
-Ia fshiva numrin.
8. Mendoni se në botën e sotme demokratike (mund të) bëhen vrasje për arsye shtetërore?
-Nëse ne futemi në botën demokratike, atëherë i bie që vrasjet e 21 janarit të ishin për arsye shtetërore.
9. Fan Noli udhëhoqi një grusht shteti apo një revolucion demokratik në vitin 1924?
-Revolucion demokratik, duke u nisur nga udhëheqësi i këtij revolucioni.
10. Ajo që komunistët e kanë quajtur “Lufta Nacionalçlirimtare”, ka qenë sipas jush edhe luftë civile?
– E përmban vetë togfjalëshi “Nacionalçlirimtare”; se ndryshe do të thuhej thjesht “çlirimtare”
11. Nëse do t’ju kërkonin të veçonit ndonjë arritje të diktaturës komuniste pesëdhjetëvjeçare, çfarë do të thoshit?
– Edukimi dhe formimi komunist i Sali Berishës.
12. Sikur të kishit jetuar në vitet e Luftës së Dytë Botërore, do të rreshtoheshit me partizanët, me Ballin Kombëtar, apo do të qëndronit asnjanës?
-Asnjanës, se as partizanët, as ballistët nuk kishin ç’i bënin italianit e gjermanit. Nga ana tjetër, ç’të keqe do të kishte të ishin këtu gjermanët e italianët, që sot po i kërkojmë e s’po na vijnë?
13. Largimi i Ahmet Zogut nga Shqipëria në prill të vitit 1939 është një gjest i qortueshëm apo i kuptueshëm?
– I patolerueshëm
14. Do të ishit dakord të përkthehej në gjuhën shqipe “Mein Kampf” i Adolf Hitlerit?
-Pse, nuk qenka përkthyer akoma?
15. Cili është njeriu më i rëndësishëm, me të cilin ju keni bërë një fotografi?
– Me Bamir Topin
16. Çfarë ishte në të vërtetë ajo që ndodhi në vitin 1997?
-Revolucion demokratikas.
17. Mendoni se do të ishit në gjendje të vrisnit një njeri në kushtet, kur ky njeri kërcënon jetën tuaj apo të të dashurve tuaj?
-Patjetër, qoftë ky dhe me imunitet.
18. Ne shqiptarët jemi europianë me titull të plotë?
Medaljet dhe titujt jepen shkallë-shkallë. Në fillim merret titulli “ballkanik”, pastaj rajonal, “evropian” dhe së fundmi “amerikan”.
19. Në cilën ngjarje të madhe të historisë botërore do donit të kishit qënë protagonist?
Në Jaltë, kur ndaheshin pronat e botës nga Stalini, Rusvelti , Çurçilli
20. Me cilin personazh të historisë së Shqipërisë do kishit dashur të bënit një bisedë të gjatë e të shtruar?
-Me Avni Rustemin, si e vranë Esat Pashën dhe si doli i pafajshëm.
21. Cili është libri që po lexoni?
– Veprën “Titistët” të shokut Enver, ku flet për puçin, për eliminimin e tij dhe poliagjentin Mehmet Shehu.
22. Cili komb europian ju ndjell më shumë me historinë e me kulturën e vet?
-Francezët, me mbretin Luigji XIV, që thoshte me krenari “shteti jam unë”.
23. Si do reagonit, sikur të merrnit vesh se djali/vajza juaj është homeseksual(e)?
– Ma prishi mendjen zbulimi i fundit që “Monna Liza” e famshme paska qenë burrë.
24. Keni frikë nga vdekja?
– Do të desha që vdekja të mos më gjejë gjallë.
25. Ç’është Atdheu?
-Mëmëdhe!
Bisedoi: Mustafa Nano
MAPO