Nga Thomas Roser, “Die Welt”
Një martesë e lumtur nuk vjen gjithmonë nga të kuptuarit e njëri-tjetrit. Me një thikë të mprehtë, Blagos Djokoviç pret disa feta proshutë, ndërsa gruaja e tij Lena u shërben miqve kafenë plot aromë.
Tre muajt e parë të martesës së tyre ajo nuk ka kuptuar asnjë fjalë, rrëfen shqiptarja flokerrët në një serbishte relativisht të rrjedhshme.
Tri herë e kishte vizituar burri i saj i sotëm atë në fshatin e lindjes, në Hot, përpara se të shpërngulej në fshatin serb, Crcevo.
Ajo nuk ishte domosdoshmërisht entuziaste me shtëpinë e saj të re, tregon 28-vjeçarja. “Por burrin e kisha në rregull. Me kalimin e kohës mësova gjuhën dhe u ambientova me fshatin. Jam e lumtur këtu.”
Vajzat serbe preferojnë më shumë të flenë
Dhoma e ndenjes e familjes Djokoviç sheh për nga malet e blerta dhe majat e mbuluara me dëborë. 12 shtëpi dhe 50 banorë jetojnë në fshatin malor, jo shumë larg qytezës Sjenica, në Sanxhakun jugor serb.
“Lopa kullot aty ku ka bar”, – përgjigjet me mprehtësi Blagos, kur pyetet se si i ka ardhur ideja që të shkojë në Shqipërinë e largët për të kërkuar grua.
Gra ka edhe në Serbi, por mundësitë e përzgjedhjes për beqarët vendas janë të pakta: “Vajzat serbe nuk duan të jetojnë në fshat. Ato pinë cigare, flenë shumë gjatë – dhe nuk kanë aspak dëshirë që të punojnë ndër fusha ose që të mjelin lopë.”
“Gratë serbe mund t’i mbash për dy ditë në fshat”, – thotë kushëriri i tij Dragovan: “Por përgjithmonë nuk do donte asnjëra që të jetonte këtu.”
Ndryshimet ekonomike kanë sjellë në rajonin, e strukturuar dobët, në jugperëndim të Serbisë, një valë privatizimesh fatkeqe, papunësi në masën 40 për qind dhe largim të popullsisë.
102 fshatrat e zonës së Djenicës kanë humbur 5 mijë nga 40 mijë banorë, thotë zv/kryebashkiaku Momir Kovaçeviç.
Sidomos fermerët e rinj janë ata që vuajnë më shumë këtë eksod rural, thotë aktivisti i organizatës “Stara Raska”, që bën përpjekje për të rigjallëruar zonën e Sanxhakut. “Problemi me mungesën e grave nuk është vetëm i yni, por i të gjitha zonave rurale në Evropë.”
Përpara disa viteve, klani Djokovic në Crveco dukej se ishte pranë zhdukjes.
Por ishte eksploruesi Miklovan, që i pari u nis në Shqipëri: Lajmet se një fermer i martuar me një shqiptare kishte gjetur lumturinë, bënë që edhe ai të kërkonte fatin në dhé të huaj.
Me ndihmën e një përkthyesi që luante dhe rolin e taksistit, ai gjeti atje Violetën – që më vonë e bëri atë baba të lumtur.
Shembullin e tij e ndoqën me shpejtësi vëllezërit dhe kushërinjtë e pamartuar.
Falë Lenës, Maries, Dhuratës dhe Mirës, pothuajse të gjithë beqarët e Crcevos kanë gjetur shpirtin binjak.
Shqiptaret kanë marrë në dorë rilindjen e fshatit. Tre fëmijë janë lindur tashmë, ndërsa pasardhësi i radhës i Djokovic është në pritje për të mbërritur.
Gjyshja Rasta përqafon krejt dashuri nipin sykaltër, Jan. Gruaja e djalit është punëtore, e dëgjon, dhe më së fundmi i ka dhuruar dhe nipin e shumëpritur, ndaj gruaja e moshuar me shami në kokë thotë: “Unë e dua atë si bijën time.”
Por serbët janë dhe njerëz të mirë
Edhe në Shqipëri, 250 kilometra më larg, gjendja në familjet e zonave rurale nuk është aspak më e mirë, thotë flokëkuqja Violetë.
“Që prej ndryshimit të regjimit, ne nuk kemi më punë. Familje të tëra, kryesisht djem të rinj, largohen nga vendi për të gjetur punë jashtë. Mikeshat dhe gratë i gjejnë në vendet ku punojnë”, – thotë shqiptarja.
Faktin që do të jetojnë në rajonin e ftohtë të Serbisë, ajo nuk e kishte imagjinuar kurrë. “Ajo ç’ka më rëndësi për mua është natyrisht burri. Por serbët janë dhe njerëz të mirë. Dhe male kaq të bukura si këtu s’ma do mendja të ketë te ju. Unë jetoj këtu më mirë se në Amerikë.”
Megjithatë, akoma Serbia e afërt është një destinacion i pazakontë për emigrantët shqiptarë. Shumica e shqiptareve të martuara me serbë vijnë nga zonat e varfra të veriut të vendit, thotë Idro Seferi, korrespondenti në Beograd i televizionit shqiptar Top Channel: “Martesa jashtë vendit është dhe një arrati drejt një të ardhmeje më të sigurt – një mënyrë për të siguruar jetën.”
Një nga historitë më të bukura të Ballkanit Perëndimor
Në të vërtetë shqiptarët, për shkak të konfliktit të gjatë të Serbisë me ish-provincën e Kosovës, kanë një imazh të keq këtu. Në sondazhe të ndryshme, për sa i përket shkallës së pëlqimit, ata renditen të fundit, pas myslimanëve të Bosnjës dhe romëve.
Por kjo nuk mund ta ndalojë diplomacinë e martesave. 30 martesa shqiptaro-serbe u regjistruan vetëm në vitin 2006 në Sjenica, në Sanxhak numri i tyre llogaritet të jetë mbi 150.
Si “një nga historitë më të bukura në Ballkanin Perëndimor”, e vlerëson gazeta “Politika” “diplomacinë e dashurisë serbo-shqiptare”.
Kushërinjtë Djokoviç bëjnë kryqin, përpara se të nisin rrëfimin nga buzët e lagura me raki.
“Kohët kanë ndryshuar”, – e mbyll ligjëratën, Dragovani, burri i Mirës.
Para pesë vitesh ai ndoshta nuk do të guxonte të përmendte se kishte ndërmend të martohej me një shqiptare: “Njerëzit do të çmendeshin. Por gjërat lëvizin. Në tre ose katër vjet, martesat shqiptaro-serbe do të jenë krejtësisht normale këtu.”