Fenomeni “Rezart Berisha”!

0
49

Mero Baze

Nga Mero Baze

Të dielën paradite Policia e Rendit u përplas me Policinë Tatimore para dyerve të kompanisë ARMO në Ballsh. Skena e denjë për një vend ku shihet qartë që banditët kanë kapur shtetin, u është transmetuar miliona shqiptarëve. Fabula e ngjarjes është e thjeshtë. Nga një anë janë organet tatimore që duan të zbatojnë ligjin me shumë vonesë dhe nga ana tjetër, banditë lokalë të policisë që majmen me rrogat e Rezart Taçit, duke mos parë se çfarë ndodh dhe si kalojnë autobotet me naftë të padeklaruar nga uzina, tashmë e tij, drejt tregut të karburanteve.

Por cili është thelbi i konfliktit të tatimorëve me Rezart Taçin?

Në muajin maj të këtij viti kam shkruar rreth abuzimeve flagrante të pronarit të ri të ARMO-s, Rezart Taçi, me naftën që fut nga jashtë dhe atë që blen nga “Albpetrol”.

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 52, në pikën 5 të tij thuhet: “ARMO, sh. a., brenda datës 5 (pesë) të çdo muaji duhet të raportojë pranë Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës dhe Autoritetit të Konkurrencës për sasinë e naftës bruto të blerë; sasinë e prodhimit të realizuar nga rafinimi; sasinë e tregtuar të produkteve të rafinimit; çmimet e blerjes dhe të shitjes, sipas kontratave të shitblerjes për këto produkte”… etj.

E ngrita këtë alarm që në muajin maj, pasi kryeministri, Sali Berisha, në një intervistë në TV Ora News, deklaroi se akciza nga nafta është rritur dhe se sulmet e mia ndaj ARMO-s së Rezart Taçit ishin personale. Madje garancitë e Berishës për Rezart Taçin kaluan dhe më tej. Ai deklaroi se nuk e ka sulmuar kurrë vetë Rezart Taçin si kontrabandist dhe se media kishte ngatërruar fjalën “Caci” me “Taçi”.

Gënjeshtrat e Berishës ishin lehtësisht të provueshme, por shqetësimi real që pata atëherë, ishte guximi i një kryeministri për t’i dalë zot një kontrabandisti. Shihej qartë se Rezart Taçi kishte depërtuar thellë në familjen në pushtet dhe përveç vajzës së Berishës që merrej me lobimin ligjor të tij, gruaja e Sali Berishës u shfaq krah tij në një stadium, ku, me paratë e munguara në buxhet, paguhej më shtrenjtë se kudo në botë një seancë stërvitore e Milanit në Tiranë. Ajo fotografi e gruas së kryeministrit në krah të Rezart Taçit shërbeu për një kohë të gjatë si pasaportë për evazionin e tij fiskal dhe shkatërrimin e tregut të naftës.

Por ligji është ligj dhe një ditë do të ndeshesh me të. U bë një vit që Rezart Taçi nuk e zbaton detyrimin ligjor për të deklaruar sasinë e naftës bruto, sasinë e prodhimit të realizuar nga rafinimi, sasinë e tregtuar të rafinimit dhe çmimet e blerjes dhe shitjes sipas kontratave. Por për këtë nuk është vetëm faji i tij.

Zyrtarët e ministrit Genc Ruli, i cili futi duart në aferën e pistë të privatizimit spekulativ të ARMO-s, e kishin detyrim ligjor çdo datë 5 të çdo muaji t’ia kërkonin këtë statistikë Rezart Taçit. Ata as guxuan t’i binin telefonit të tij.

Organet tatimore janë matur disa herë gjatë këtij viti të zbatojnë ligjin kundrejt tij, por spekulimet e tij me familjen e kryeministrit ishin të frikshme. Bisedat e tij të sajuara me kryeministrin në sy të zyrtarëve të shtetit, përfolja e tij nëpër tavolina për lekë të paguara në adresë të Familjes dhe oborrtarëve të saj, ngjallnin frikë dhe stepnin nëpunësit korrektë të shtetit shqiptar. Për të treguar fuqinë e tij të madhe financiare dhe për të vënë në gjumë organet tatimore ky mashtrues na bëri gazin e botës, duke deklaruar se do të blejë Bolonjën, Milanin dhe pse jo ndonjë ditë dhe Realin e Madridit për ta çuar të luajë në Ersekë. Të gjitha këto i bënte në emër të pushtetit të Sali Berishës.

Tashmë gënjeshtrat e tij nuk i mbulon dot askush. Kompania “Taçi Oil” ka zaptuar përmes naftës së Ballshit tregun shqiptar duke shkaktuar një tërmet në të ardhurat në dogana dhe tatime për shkak të shpërndarjes kontrabandë të naftës në këto pika. Ekspertët e tatimeve llogarisin mbi 70 milionë euro dëme që i janë shkaktuar buxhetit të shtetit nga evazioni fiskal i këtij spekulanti, por kjo është një çështje që i duhet lënë hetimit të agjencive kompetente. Ajo që nuk i duhet lënë në dorë qeverisë dhe sidomos kryeministrit Berisha në këto momente, është larja e duarve nga ky skandal. Rezart Taçi nuk do të guxonte të fuste asnjë litër naftë pa doganë, dhe të mos shiste asnjë litër pa e regjistruar, sikur të mos kishte mbrojtje publike nga kryeministri dhe familja e tij. Administrata jonë e terrorizuar politikisht ka nuhatje për të kuptuar kujt i duhet ngritur trari dhe kujt i duhet vënë dryni sipas oreksit të qeverisë. Askush prej tyre nuk ka fuqi të godasë një biznesmen që privatizoi në mënyrë spekulative këtë kompani dhe më pas përdori kryeministrin dhe familjen e tij për të prodhuar në të zezë paratë që s’i gjeti dot ditën që i duheshin. Askush prej tyre nuk kishte fuqi të zbatonte vendimin e qeverisë për rregullat që duhet të administronte ARMO në tregun e karburanteve. Askush prej tyre nuk kishte fuqi të ndalte anijet me naftë që futeshin pa doganë nga Vlora, edhe pse ky biznesmen, siç provuan dje vetë organet tatimore, nuk ka magazinë tatimore që të fusë naftë pa paguar në doganë. Shumë prej tyre më kanë shpjeguar me dëshpërim se e urrenin veten dhe punën e tyre, kur banditë të tij shkonin dhe kërcënonin doganierë dhe tatimorë në emër të Sali Berishës dhe familjes së tij. Ata ishin në një betejë të pabarabartë me një spekulant që kishte dy pasaporta, njërën biometrike, me emrin Rezart Taçi dhe tjetrën politike me emrin Rezart Berisha.

Tanimë kjo histori ka shpërthyer, dhe nuk jam i sigurt nëse do t’i shkohet deri në fund. Kryeministri Berisha po hesht, çka është një shenjë e fortë frike për administratën tatimore. Gruaja e tij, që e ka sponsor të fondacioneve të saj, po hesht dhe kjo e shton dhe më shumë frikën. Vajza e tij mund të bëjë sërish telefonata si gjithmonë kur ka halle ky spekulant dhe kjo i fut tmerrin administratës.

Ndaj sot duhet të jemi në krahun e atyre nëpunësve të thjeshtë profesionistë dhe të terrorizuar nga Rezart Berisha për të shpëtuar Rezart Taçin. Nëse kjo betejë shkon deri në fund dhe ky njeri përfundon aty ku e ka vendin, atëherë kemi një lajm të mirë për administratën tonë, pasi Familja e ka braktisur këtë kukull në duart e tyre. Nëse nuk veprohet për të bërë transparencën e këtij “Gërdeci” financiar, dhe çështja mbyllet në heshtje, atëherë duhet të lutemi për kurajën e atyre tatimorëve dhe zyrtarëve të lartë që janë prerë në besë duke u futur në konflikt me Rezart Berishën për Rezart Taçin.