Eva Dore, 11.11.2011
Një djalë i guximshëm e i talentuar, nga fshati Brrut i Malësisë së Madhe, botoi më 19 gusht 1990, në gazetën letrare “Drita”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, një poezi me njëzet e një vargje, të cilën, kushdo që e lexoi atëherë veç një herë, ndoshta nuk e kuptoi edhe aq mirë. Për atë periudhë shpirtmbytëse, i guximshëm u tregua ai, e të guximshëm qenë edhe ata që e botuan. Kishte disa kohë, të paktën në kujtesën dhe këndvështrimin tim, duke filluar nga viti 1986, që Tirana, qyteti ku unë jetoja, kishte veshur një hije të zymtë gri. E mbaj mend shumë mirë ditën kur një shok klase më zgjati gazetën “Drita”, gjatë orës së mësimit.
E lexova një herë shpejt e shpejt dhe i thashë: “E çfarë pastaj?”, sikur çfarë të ishte?! Më tha: “Lexoje! Lexoje sërish dhe mendohu pak!”. E mora me vete në shtëpi dhe e rilexova me kujdes e me vëmendje. E çmoja shumë shokun tim të klasës dhe e dija shumë mirë që po të më thoshte ai dy herë “Lexoje!”, diçka duhet të kishte. Kam dhe një arsye krejt personale të lidhjes sime me këtë poezi dhe datën e botimit të saj: atë ditë ka lindur ime bijë, së cilës për shkak të asaj periudhe kur erdhi në jetë, i vura emrin Besa. Bëhej fjalë për poezinë “Kuajt” të Gjekë Marinajt, djaloshit të çartur e të talentuar në vitin 1990, të cilën po e riprodhoj nga kujtesa më poshtë:
KUAJT
Tërë jetën duke vrapuar rrimë.
Shohim veç përpara.
Ç’bëhet prapa s’duam t’ia dimë.
Ne nuk kemi emër,
të gjithëve kuaj na thonë.
Nuk qajmë.
Nuk qeshim.
Heshtim.
Dëgjojmë.
Hamë atë ç’na japin,
ecim nga na thonë.
Asnjë nga ne s’është mendjehollë.
Kush qe kalë mbreti,
posti qe i lartë.
Kush qe kalë princeshe,
i bënë shalë të artë.
Kush qe kalë fshatari,
pat samarë me kashtë.
Kush qe kalë i egër,
tërë jetën fjeti jashtë,
por qemë dhe mbetëm kuaj, para
njeriut!
Atëherë në shtyp nuk para qarkullonin shumë personazhe me kurajë. Edhe ne, si të rinj që ishim, nuk e kishim shumë të qartë se çfarë ishte në të vërtetë shtypi, liria për t’u shprehur dhe aq më shumë ai, që sot e quajmë “shtyp i lirë”. Fajin për gjithë atë boshllëk nuk do t’ia vija edhe aq moshës sonë të brishtë dhe padijes, se sa programit të kufizuar shkollor dhe “veshokëve të kuajve” që na i kishin vënë të gjithëve me zor mbi sy, për të na detyruar të hidhnim hapat vetëm në një drejtim të paracaktuar dhe të mendonim në mënyrë të njëllojtë e të njëtrajtshme.
Këto ishin plagë e vuajtje që meritojnë e përbëjnë një histori më vete. Në shtypin e rrallë të atëhershëm kishte shumë pak penda drithëruese e të ndjeshme që shkruanin, ose më saktë, që krijimet e tyre lejoheshin të shihnin dritën e botimit. Pjesa më e madhe e tyre shpalosnin artikujt të porositur e të miratuar nga lart, dhe mjerë ai apo ata që guxonin të qëndisnin qoftë edhe një artikull, reportazh, tregim, novelë apo poemë që binte ndesh me frymën zyrtare.
Dihej gjithashtu që shumica e gazetarëve asokohe kishin studiuar për Gjuhë-Letërsi, ashtu sikurse edhe ne që ishim ulur atë vit për herë të parë në bankat e Universitetit Shtetëror “Enver Hoxha” të Tiranës. Pas diplomimit, secili prej nesh e shikonte veten në të ardhmen e vet si gazetar, redaktor ose mësues dhe tek-tuk ndonjëri ëndërronte të bëhej poet apo shkrimtar i mirëfilltë. Nuk kishte dhe aq shumë vend për fantazi apo pavarësi mendimi e krijimi po të diplomoheshe në atë degë. Po të kthehemi prapa në kohë, gazetarët më në zë të vendit tonë sot, dhe analistët po ashtu, kanë dalë nga bankat e atij Universiteti.
Do doja të sillja në vëmendje edhe një fakt tjetër: në Amerikë, ku liria e shtypit dhe tradita e të menduarit, të shprehurit dhe e të shkruarit është e hershme, ka një rregull të pashkruar, por ngahera të zbatuar e të vërtetuar, në bazë të të cilit, avokatët më të suksesshëm të atij vendi, kur diplomohen në universitet, edukimin parësor dhe themeltar e marrin për “Master of Arts” në Gjuhë-Letërsi, dhe pastaj mund të ndjekin atë që quhet “Law School”.
Atje i mëshohet shumë rëndësisë që mbart kultura e të shkruarit, e gojëtarisë dhe e shprehjes së qartë të mendimeve dhe argumenteve. Tek ne ndodh krejt e kundërta: mbaron gjimnazin e shkon drejt në universitet për t’u diplomuar më pas si jurist apo gazetar e për t’u “graduar” më vonë si opinionist, analist dhe tru-shpëlarës i gjithëditur. Duket sikur ne këtu gjithmonë i bëjmë gjërat mbrapsht…, prandaj na mungojnë dijet dhe aftësia e duhur, për të mos thënë guximi dhe kurajoja e nevojshme për t’i thënë gjërat rrjedhshëm e troç ashtu siç janë.
Që të kthehemi sërish në pikënisje, ne shkonim levend në shkollë, kurse Gjekën e panjohur, por të ndjeshëm e të talentuar e thërrisnin në Degën e Punëve të Brendshme të Shkodrës, kryeqendrës së kulturës e dijes së motmotshme shqiptare, ku e merrnin në pyetje se çfarë kishte dashur të thonte me atë poezi, ku e torturonin psikologjikisht e ndoshta apo me siguri, edhe fizikisht, e më pas e nxirrnin duke e kërcënuar që do ta thërrisnin prapë.
Dhe itinerari i gjallesës së Gjekës në atë kohë ishte ky: shtëpi – Degë e Brendshme. Derisa ai vendosi që një natë, duke marrë me vete vetëm një batanije dhe disa libra të dashur e të shtrenjtë për të, të arratisej dhe të merrte rrugën pa kthim të mërgimit. Vetëm për një poezi! Vetëm se guxoi të shprehte atë që ndiente! Vetëm se i dha jetë një fenomeni që në Shqipëri ishte zhdukur për rreth katër dekada: lirisë për t’u shprehur e për t’u botuar! Shumë vite më vonë, mësova se jeta e tij u shndërrua në një ferr të vërtetë në një moshë kur ne lexonim me detyrim “Iliadën” dhe në mendje kishim “Sa mall” të Kadaresë!!!!!! Dhe poezinë e Gjekës e kishim harruar pothuajse fare.
Në ato ditë, dhe do ta theksoj që viti 1990 numërohej atëherë me ditë dhe jo me muaj, sepse ishte tepër i ngarkuar psikologjikisht dhe i mbushur me ngjarje rrokullisëse drejt përmbysjes së gjithanshme të diktaturës, ne, studentët e Tiranës, nuk e dinim që në mendjen e Gjekës ishte thurur një plan arratisjeje. Ai donte të ishte një njeri i lirë dhe i barabartë midis njerëzve të tjerë, përtej kufijve dhe dyerve të Degëve të Brendshme apo të kuvlive të Sigurimit. Si djalë i mençur që ishte ai e kishte ndier se ç’kishte bërë dhe ç’kishte trazuar në mendjet e turbullta të njerëzve me pushtet gri në vitin 1990.
Gjëja më e vështirë për t’u shkulur e për t’u çliruar paskan qenë vargonjtë e mendjes, me të cilat na kishin robëruar për gati gjysmëshekulli! Gjeka kishte thyer një tabu: luftën e klasave e kishte përshkruar si një ndarje kuajsh mbretërish, kuajsh princeshash, kuajsh fshatarësh, secili me fatet e veta të paracaktuara, por pa harruar t’i mëshonte fort së vërtetës se, gjithsesi, kuajt e egër e të lirë, të panënshtruar, me krifa të pakashaisura e krenare, nuk mund të bëheshin dot zap as nga diktatura dhe as nga veglat e saj të zellshme, qofshin këta shkrimtarucë, kalemxhinj apo pseudo-poetë, hetues apo kryetarë degësh.
Megjithëse, pothuajse që të gjithëve në atë kohë na kishin vënë me zor xërxallat e errëta mbi sy, duke na qorruar qëllimisht dhe ideologjikisht, njeriu/kalë shqiptar me shpirtin e tij të pasur e rebel mbetej gjithsesi një qenie dykëmbëshe më e prirur drejt lirisë dhe pavarësisë së mendimit e veprimit se sa kafsha besnike katërkëmbëshe e destinuar për të mbajtur mbi kurriz peshën e rëndë të diktatit të verbër. Me kokëkrisjen e malësorit trim e shkroi dhe e tha hapur, e botoi që ta lexonin që të gjithë. Gjeka e pagoi shtrenjtë guximin e vet, por vuri një gur themeli në ngrehinën e lirisë së mendimit, të shprehjes e të shtypit në vitin 1990 dhe e vendosi atë mjeshtërisht e me shumë dinjitet.
Në historinë e përmbysjes së sistemeve komuniste dihet roli i rëndësishëm i shkrimtarëve e në këtë pikë mendoj se ka dy këndvështrime kur diskutojmë për politikë: një real dhe një poetik. Gjekë Marinaj për mua ishte poeti-politikan, ëndërrimtari idealist që ndërtoi, duke përdorur një tjetër lloj vargu nga ai i zakonshmi e i rëndomti i shkrimtarëve dhe poetëve të “realizmit socialist”, shtypin e lirë të vendit tonë. Sot, mbase ulemi dhe flasim e shkruajmë në mënyrë tepër të shkriftë e të rehatshme për ato ditë të 1990-s, por jam e sigurt që nëse do të bisedonim mes nesh për fenomenin “Gjekë Marinaj – 19 gusht 1990” do të duhej të mendoheshim mirë.
E ka thënë dhe ai vetë që “artistët janë heronjtë më të ndershëm që ka kombi ynë. Të jesh sot artist do të thotë të shkyesh nga shpirti për të krijuar dhe të rrjepësh nga lëkura e kurrizit për të botuar.” Por çfarë shpirti po shkyejnë sot artistët dhe gazetarët tanë? Kurrizin e kujt po rrjepin për të botuar? Për të qenë më të saktë: ata po rrjepin kurrizin e pronarëve të gazetave e të mediave për të botuar e mbushur faqet e panumërta të revistave e gazetave, aq sa ne, prindërit mundohemi shumë herë të censurojmë brenda familjes, në mënyrë që fletë të veçanta revistash apo gazetash të mos bien në duart e fëmijëve tanë të mitur.
Nuk na u nda apo më mirë, nuk iu ndamë dot censurës! Faqe të tëra revistash dhe gazetash të mbushura me lajme pa kuptim, me foto, figura, thënie të turpshme e fenomene negative të shoqërisë sonë, vajza ende pa mbushur të 16-t të zhveshura deri aty ku nuk mban më, thurje himnesh, zvetënimit dhe degjenerimit shoqëror. Lexon dy faqet e para të gazetave të përditshme dhe faqet e mëtejshme nuk i kthen dot më, sepse nganjëherë goditesh drejt e në tru nga pafytyrësia dhe pavlefshmëria, nga broçkullat pafund dhe endjet e opinioneve pambarim të artikuj-shkruesve, analistëve apo opinionistëve tru-shpëlarës që vazhdojnë ta tjerrin një çështje si të kishte qenë pëlhura e bekuar e Penelopës! Shikon vetëm duar që zgjaten të rrjepin honorarin ditor nga të pasurit e rinj botues të një vendi ende të brishtë e pa përvojë në këtë fushë.
Mund të themi që po, e kemi fituar lirinë e shtypit, nuk të merr më njeri e të të tërheqë zvarrë në degën e brendshme, në komisariat, apo të të plasë në Spaç apo Qafë-Bar (fatmirësisht janë mbyllur njëherë e përgjithmonë!) pse shkrove kundër kryeministrit apo presidentit. Vetëm pak kohë më parë ishte shtypi ynë i lirë dhe i guximshëm që botoi kabllogramet e shumëpërfolura apo rastet e panumërta të korrupsionit aktiv ose pasiv të drejtuesve të lartë të shtetit. Për të mos ua ngrënë hakun se në fakt, qëllimi im nuk është të bëj një analizë të shtypit apo lirisë së shtypit, ka dhe gazeta e gazetarë që identifikojnë lajmin e vërtetë dhe është kënaqësi të lexosh opinionet apo “zbulimet” e gazetarëve të patrembur dhe botimet e gazetave që e meritojnë katërcipërisht emërtimin të pavarura.
Ama, nga ana tjetër, kemi dhe raste kur, bazuar në ligjet e demokracisë, për fyerje dhe shpifje çohesh në gjykatë dhe kur pafytyrësia dhe padrejtësia, e vulosur dhe e certifikuar nga drejtësia shqiptare, na serviret çdo ditë në faqet e para të gazetave. Madje kemi shkuar dhe më larg, deri te Gjykata e Strasburgut, duke trokitur në dyert e avokatëve dhe dhomave të avokatëve më në zë të shteteve fqinje për të “pavërtetat” (që as në shqip nuk tingëllon bukur, sepse o thua të vërtetën, o gënjeshtrën, por ky është kapitull më vete!) që filan gazetar apo analist apo edhe historian, është shkëlyer të nxjerrë të palarat e politikanëve tanë të shtrenjtë e të ndershëm. Gazetari është artist në shpirt.
Gazetari/analisti/tru-shpëlarësi nuk do të gënjente, nuk do të shpifte, nuk do të sajonte, nuk do të provokonte në qoftë se do të ishte vërtet njeri i lirë, i pavarur dhe i ditur. Ndoshta po kërkoj ca si shumë, po të shkruaj që nuk do t’i bënte të gjitha këto nëse do të ishte “kalë i egër” dhe i prekur nga “sindroma apo fenomeni Gjekë Marinaj”. Ai që e meriton këtë titull “gazetar”, se mbase gazetar mund të vetëquhet edhe ai/ajo që sajon kronikat e suplementit “Bluetooth” ku jo më larg se të dielën e kaluar “martuan” me dëshirën e tyre dhe jo të të interesuarve, djalin e ish-kryeministrit Nano, do duhet ta dijë shumë mirë që të jesh sot, në këtë kohë të trazuar antivlerash në Shqipëri, gazetar, do të thotë të kesh një shpirt më të madh se kushdo tjetër, ta kesh mësuar e kuptuar misionin e vërtetë të gazetarit, të kesh hulumtuar qoftë dhe një detaj pa rëndësi si shembulli i lartpërmendur, ta njohësh e përmendësh historinë shumëshekullore të vendit tonë, në mënyrë që të shkruash e të thuash gjithmonë të vërtetën. Një gazetar është gati-gati baras me një gjykatës moral.
Me këtë kut matet ndershmëria e tyre, kur një politikan apo ofiqar betohet e bazohet mbi ligjet dhe Kushtetutën, kurse tjetri, gazetari, mbështetet dhe betohet vetëm mbi shpirtin e tij dhe kodet etiko-morale. Cila peshon më tepër: Kushtetuta apo vlera e shpirtit? Apo ndoshta edhe në këtë pikë, do të më duhet t’i rikthehem letërsisë së viteve 1980, romanit me aq vlera, por të nëpërkëmbur e të mbuluar nga pluhuri i harresës të Dhimitër Xhuvanit me titullin kuptimplotë “Shpirtin nuk e shes”?!
Sot, media e shkruar në Shqipëri, në pjesën më të madhe të saj, është kthyer në mjet jetese dhe përfitimi për njerëz dritëshkurtër, sepse ai që mendon gjatë e thellë do të dëshironte vërtet që të linte një emër të shquar në gazetari apo në shtypin e lirë apo qoftë edhe një gjurmë profesionisti të vërtetë. Gjekë Marinaj botoi dhe poezi të tjera, por “Kuajt” do jenë gjithmonë të lidhur ngushtë me emrin dhe veprën e tij për këdo që dëshiron vërtet të dijë sadopak për zanafillën e gurëve të lirisë së shtypit shqiptar. E them këtë për të gjithë gazetarët, por veçanërisht, për ata studentë që u ulën rishtazi këtë vit në bankat e universiteteve shqiptare duke u përpjekur që të nxënë historinë e shtypit të lirë shqiptar, në mënyrë që të mundohen e të shfletojnë sadopak dhe mbi fenomenin e ashtuquajtur “Gjekë Marinaj”.
Nuk më hyn fare në sy që paradoksalisht, ish-presidenti Ramiz Alia dhe njëkohësisht edhe diktatori i fundit apo demokrati i parë, ia besoi Gjekës intervistën e fundit në formë testamenti, por në mendjen time, fakti që Marinaj ndoshta u rrah, u torturua dhe u dhunua psikologjikisht nga regjimi që drejtonte dikur Alia, më thotë shumë gjëra. Sa ironike, për të mos thënë cinike, që Alia ia besoi pikërisht atij intervistën e fundit, dhe Gjekë Marinaj e pranoi!
Cikli i galopit të shfrenuar të kuajve të dikurshëm e të panënshtruar, përmbyllet i plotë në këtë pikë! Në bindjen dhe në ndjeshmërinë time morale, këta njerëz, të cilët vuajtën më shumë se ne, sot falin më shumë se kushdo tjetër. Zemra e tyre është bërë më e bardhë e më e madhe dhe shpirti i tyre shpaloset gjerësisht duke na mposhtur me qetësinë e vlerave të pazëvendësueshme morale. Ata kanë fituar tashmë një kulturë të re ku “falja” merr përmasa të panjohura deri më sot.