Fenomeni “Argita”, padroni i ri i PD-së

0
82

Nga Mero Baze, 24 Janar 2013

Selami Xhepa mund t’ia dalë të bëhet dhe një herë deputet falë denoncimit të biznesmenit Ansar. Duke qenë një deputet i anashkaluar nga pushteti i PD-së dhe kritik me disa fenomene brenda saj, ai në të vërtetë po rrezikonte shumë të mos përfshihej më në listat e deputetëve të PD-së. Denoncimi i Ansarit iu bë fat dhe atij iu dha rasti të bëhej avokat publik i Argitës. Kjo mund ta rifusë në listë.

Por ajo që del nga ky debat e tejkalon fatin e Selamiut. Prej vitit 2007, gjithë investimet e mëdha të huaja në Shqipëri ose kanë dështuar, ose po mbahen me thonj pas pushtetit të “Zonjës 3 milionë euro”.

Historia se si Ansar erdhi në Shqipëri, shkoi tek kryeministri, ai e përcolli tek e bija, kjo i ofroi çmimet e veta dhe kryeçmimin, që kishte të bënte me “fee” suksesin e projektit që varej nga firma e babait të saj dhe që ishte plot tre milionë euro. Ansar nuk e pranoi këtë dhe iku, por të tjerë që e pranuan, vazhdojnë të jenë pengje të saj. Ky model partneriteti ka dominuar në Shqipërinë e pas vitit 2005 gjithë fatin e investitorëve të huaj në Shqipëri dhe fatin e privatizimeve të mëdha.

Fakti që në fushatën e shkuar elektorale, ne debatonim për privatizimin e dyshimtë të CEZ dhe sot debatojmë për grabitjen e dyshimtë të pushtetit mbi CEZ, nuk ka nevojë për koment. Berisha u lavdërua me privatizimin e ARMO-s dhe CEZ në fushatën e kaluar elektorale, ndërkohë katër vjet më vonë të dyja kompanitë kanë më shumë borxhe publike se sa u shitën katër vjet më parë.

Sot po privatizohen katër hidrocentrale të mëdha në vend, ku një prej tyre, ai i Bistricës, është ndoshta hidrocentrali me eficent në botë, pasi ka një prurje konstante uji dhe një sasi të garantuar prodhimi energjie gjatë vitit. Blerësi ka ofruar një çmim qesharak, por kjo nuk është e gjitha. Qeveria do të marrë edhe më pak se sa ka deklaruar, pasi do t’i falë blerësit TVSH që nuk ia ka rimbursuar për një aktivitet tjetër të tij në Metalurgjikun e Elbasanit. Pra, Kurum do të blejë katër hidrocentrale 110 milionë euro, por mund të paguajë nja 80 milionë euro, pasi qeveria nuk ka rimbursuar miliona euro TVSH. Kjo është pikërisht skema që nuk nxjerr në shitje pasuritë kombëtare për shkak të çmimit, por për shkak të skemës së biznesit për të përfituar nga pushteti. Në Shqipëri ka mijëra biznese që nuk u është rimbursuar TVSH dhe nëse qeveria ka 30 milion euro për rimbursim, duhet ta ndajë atë në mënyrë proporcionale dhe jo të përdorë privatizimin si një rast për të mos marrë as paratë e premtuara.

Ky “diskriminim pozitiv” i Kurumit në raport me të tjerët, tregon se brenda kësaj historie ka një pazar të fortë të Familjes me blerësin, i cili nuk ka nevojë të faktohet me fotot e Shkëlzenit me administratorin e Kurumit, pasi më mirë se kushdo i zbulon privilegji që po i bëhet një blerësi duke i falur katër hidrocentrale, plus dhe TVSH, që të tjerët nuk po e marrin dot. Kjo pabarazi skandaloze në treg ka bërë që privatizimet e mëdha në Shqipëri të mos bazohen tek eficenca e blerësit në treg, por tek përfitimi nga shitja. Ato shikohen si mallra që i zoti i nxjerr në treg për të marrë ca lek për momentin dhe më pas i falimenton duke i rigrabitur. CEZ praktikisht po rigrabitet duke u pushtuar nga pushteti në prag të zgjedhjeve, për ta përdorur si arkë për pare cash dhe vende pune për militantët. ARMO mund të ketë të njëjtin fat nëse Rezart Taçi nuk ia del të gjej lekët e Albpetrolit që ka premtuar.

Ne kemi sot në treg ndërmarrje publike të privatizuar që janë më të këqija dhe më korruptive se sa ato që kanë qenë publike dhe kjo tregon se privatizimet nuk i ka diktuar konkurrenca, por studioja ligjore e “Zonjës tre milionë”.

E njëjta gjë ka ndodhur dhe me investimet e huaja. Ne sot nuk kemi asnjë investim të madh serioz në Shqipëri. Të gjithë çfarë erdhën dhe ikën në këtë vend këto vite, bënë deklarata për investime dhe u larguan. Fenomeni Argita ka qëndruar në themel të këtij dështimi të madh. Një pushtet, i cili përpiqet të kontrollojë gjithçka për favore personale, nuk ka se si t’i hapë rrugë konkurrencës dhe suksesit në treg. Sali Berisha nuk ka sot asnjë privatizim me të cilin mund të krenohet, dhe asnjë investim të madh të huaj me të cilin mund të krenohet dhe ta lërë të sigurt të ecë nëse ikën nga pushteti. Ai mund të krenohet vetëm me 3 përqindëshat që e bija u ka vënë gjobë atyre që i kanë trokitur në derë dhe që mund t’i marrë më qafë kur të ikë nga pushteti, pasi do t’u duhet të rrëfehen pse kanë dështuar.

E vetmja vlerë që ka deri më sot e gjitha çfarë ka bërë Argita dhe skandalet e saj, është që i dha rastin zotit Xhepa ta mbrojë dhe ndoshta të rehabilitohet.

Ky është një rast i artë dhe për të tjerë që nuk i kanë punët mirë në PD, por dhe ata që i kanë mirë. Padroni i ri po shfaqet në horizont. Argita është “heroina e re” e re e PD-së. Mbrojtja e saj është investim politik për karrierë brenda PD-së. Ata që po ngurojnë, gabohen. Nuk ka për t’ua falur, sidomos tani që po sillet dhe si kryetare e PD-së duke bërë deklarata dhe në emër të saj.