Deutchse Welle, 13.10.2010
Në disa vende evropiane populistët e djathtë nxisin frikën nga imigrantët myslimanë. Ata i shesin ideologjitë e tyre si të domosdoshme për mbrojtjen e vlerave evropiane, të cilat, sipas tyre, rrezikohen nga myslimanët.
Në Gjermani dhe vende të tjera evropiane po nxitet një frymë e re e një populizmi të djathtë anti-islamik. Përfaqësuesit e këtyre rrymave – si për shembull në Suedi apo Holandë – arrijnë madje të ndikojnë në krijimin e qeverive duke marrë përsipër fuksione të rëndësishme politike. Kështu për shembull populisti i djathtë hollandez Geert Wilders, i cili erdhi në Berlin për të kërkuar mbështetës të rinj të ideologjisë së tij: „Identiteti kombëtar i Gjermanisë, demokracia dhe prosperiteti i saj ekonomik rrezikohen nga idelogjia politike e fesë islame.”
Jo vetëm njerëzit që morrën pjesë në miting ishin dakord me fjalët e Wilders-it. Në një sondazh që u zhvillua ditët e fundit rezultoi se 55 për qind e gjermanëve mendojnë se imigrimi i myslimanëve në Gjermani “i kushton sektorit social dhe ekonomik të vendit shumë më tepër sesa përfitimiqë sjell.” Sidomos në landet lindore të Gjermanisë, rreth 70 për qind të popullsisë janë të këtij mendimi.
Frika nga myslimanët komplet e pabazuar
Por profesori Werner Schiffauer, etnolog dhe publicist pranë Universitetit të Evropës, nuk gjen dot një arsye logjike për këtë qëndrim. Sipas tij në shoqërinë gjermane po zhvillohet fenomeni i një forme mendimi neoliberal, sipas të cilit secili është vetë përgjegjës për atë që ndodh. Por kjo formë mendimi nxit racizmin, ndonëse në mënyrë më të fshehur, tek njerëzit, mendon ai: “…kështu krijohen grupe që krahasohen brenda njëri-tjetrit në bazë të arritjeve që dëshmojnë dhe më pas vlerësohen në mënyrë të përgjithshme.”
Politikanëve u mungon shpesh kurajoja për të marrë vendimet e duhura dhe kështu gërshëra mes asaj që duan të shpjegojnë politikanët kur flasin për dialogun ndërfetar dhe realitetit zmadhohet nga dita në ditë. Nga ky problem nuk preket vetëm Gjermania por edhe disa shtete të tjera evropiane. Ky fenomon filloi me 11 shtatorin, shpjegon profesori Schiffauer, por u forcua dukshëm kur Bashkimi Evropian pësoi një krizë të thellë identiteti: BE-ja u dyfishua brenda një periudhe shumë të shkurtër dhe debatet mbi kushtetutën evropiane dëshmuan se njerëzit nuk e dinin më për çfarë qëndron Evropa e bashkuar:
„Në këto momente është më lehtë të përkufizosh diçka apo dikë nga i cili distancohesh, pra të krijosh apo të gjesh një imazh klasik armiku. Dhe kështu myslimanët shndërrohen në gjithçka që qëndron kundër vlerave tona: pra ata kthehen në homofobë, antisemitë, të padrejtë me gratë, që s’janë të sqaruar nga ana politike dhe që nuk janë në gjendje të jetojnë në një sistem demokratik.”
Paragjykime sidomos në lande gjermane ku nuk jetojnë myslimanë
Por që në fakt asnjë nga këto paragjykime s’ka të bëjë me një distancim të arsyeshëm nga feja islame, dëshmohet sidomos nëpërmjet qëndrimit të popullsisë gjermane në lindje të vendit. Sepse aty pothuajse nuk jetojnë fare myslimanë dhe kështu nuk ekzistojnë përvoja personale bashkëjetese: “Të njëjtin fenomen kishim me ndalimin e ndërtimit të xhamisë në Zvicër. Atje qytetet në të cilat jetojnë myslimanë protestuan kundër vendimit për ta ndaluar ndërtimin e xhamisë, ndërkohë që në qytetet ku nuk jetojnë myslimanë, u votua për ndalimin e ndërtimit të xhamisë.”
Franca ndalon ferexhenë
Ligjvënësit francezë kanë aprovuar ligjin që ndalon mbajtjen e ferexhesë në publik. Kjo masë ndikon në pakicën myslimane të Francës që mbulon tërë fytyrën me shami.
Nëse verifikohet se burrat i kanë detyruar ato të mbajnë shaminë në fytyrë, atëherë dënimi për burrat do të jetë 30 mijë euro, madje edhe mund të burgosen.
Ndalimi i ferexheve është bërë për vende publike, si: ndërtesat qeveritare, shërbimet publike, rrugët dhe vendet argëtuese.
Përkrahësit e këtij ligji thonë se femrat që mbajnë shamitë në fytyrë përbëjnë rrezik sigurie, bien ndesh me vlerat sekulare të Francës dhe janë kundër dinjitetit të gruas.
Franca është vendi me numrin më të madh të myslimanëve në Evropën perëndimore. Atje llogariten se 5-10 % e popullatës 64-milionëshe janë myslimanë, shumica prej të cilëve janë nga Algjeria dhe Maroku.
Shifrat zyrtare thonë se 1900 gra myslimane mbajnë veshjen që mbulon kokën në tërësi, përfshirë edhe sytë.
—
Economist: ‘Ndalimi i ferexhes – një ide e keqe’
Shumë e vlerësuan si skandal deklaratën e disa viteve më parë të politikanit labursit britanik, Xhek Strоu, lidhur me ferexhen. “Nuk ndihem rehat kur takohem e bisedoj me dikë, që nuk mund t’i shoh fytyrën”, tha atëbotë Strou.
Sot, disa qeveri evropiane po shkojnë më larg se deklarata e zotit Strou.
Armiqësia e evropianëve ndaj ferexhes dhe veshjeve të ngjashme është e kuptueshme. Nuk bëhet fjalë thjesht se gruas i hiqet e drejta të tregojë bukurinë e saj, por kjo veshje fyen sekularizmin, që i ka rrënjët e thella në traditën evropiane.
Qeveritë evropiane kanë të drejtë t’i kufizojnë veshjet islamike ku mbulohet dhe fytyra në vende si shkolla apo gjykata. Por, evropianët duhet ta kuptojnë se ndalimi i ferexhes dhe veshjeve të ngjashme cenon liritë individuale.
Mbi të gjithë, francezët duhet ta dinë këtë. Nëse do të frazonim Volterin, do të thoshim: “Nuk e miratoj veshjen tënde, por do ta mbroj deri në vdekje të drejtën tënde për t’u veshur sipas bindjes”.