Arben Rrozhani, 28.04.2010
Shtetasit shqiptarë do të mund të lëvizin pa viza në zonën Shengen nga fundi i vitit 2010, sigurisht, nëse qeveria shqiptare nuk përmbush gjysmën e kritereve që Parlamenti Europian po i ripërsërit prej shumë vitesh, siç janë lufta ndaj korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të drogës dhe qenieve njerëzore.
Gati dy dekada nga rrëzimi i sistemit komunist, ky është një finish i merituar për shqiptarët e shumëvuajtur, por shumë, shumë i vonuar. Si për ironi të fatit, Shqipëria është sërish e fundit, në gjithçka dhe edhe prapa vendeve që me shumë mundime dhe sakrifica duan të jenë pjesë e familjes europiane, siç është rasti i ish-republikës Jugosllave të Bosnje-Hercegovinës, e cila e ka njomur me gjakun e mbi çerek milioni banorësh rrugën drejt BE-së.
Përfundimet e takimit konsultativ ku u analizua zbatimi nga Shqipëria dhe Bosnja i kritereve për liberalizimin e vizave ishin një shpullë e fortë për qeverinë e Tiranës, sepse, ndërsa Shqipëria ka përmbushur plotësisht kriteret në bllokun e parë të udhërrëfyesit që ka të bëjë më sigurinë e dokumentave, në dy blloqe të tjerë vlerësohej se objektivat përgjithësisht ishin përmbushur, ndërsa në një bllok tjetër, Shqipëria ka arritur të plotësojë shumicën, kurse Bosnja i ka përmbushur objektivat në tre prej katër blloqeve.
Ndërsa vendimi përfundimtar parashikohet të merret në tetor me mundësinë që liberalizimi i vizave të hyjë në fuqi brenda vjeshtës, Shqipëria duhet të bëjë të pamundurën që të kapë nivelin e Bosnjës, fakt që duhet të turpërojë klasën politike që drejton Shqipërinë, veçanërisht ata liderë të cilët prej dy dekadash këmbyen me njëri-tjetrin kulaçin e kërbaçin në ndërrimin e pushteteve.
Kur në 1992 kryeministri aktual Sali Berisha shijonte fitoren peblishitare, duke marrë mbi 60 për qind të votave të elektoratit shqiptar, i kishte të gjitha mundësitë të afronte vendin më të varfër të Europës me familjen europiane. Ndodhi e kundërta.
Duke u përpjekur maksimalisht të forconte pushtetin personal ish-presidenti Berisha, me kontroll të hekurt mbi qeverinë, opozitën dhe agjencitë shtetërore, e çoi vendin në kolaps financiar dhe politik, që kulmoi në marsin 1997 me trazirat më të rënda në kohë paqeje, që i kushtuan vendit, një shkatërrim total të institucioneve dhe të pasurive publike dhe private.
Qeverisjet e majta u munduan të ribëjnë shtetin dhe pas tetë viteve kur doli në opozitë, Partia Socialiste kishte arritur të ringrinte institucionet, por të molepsura nga krimi dhe korrupsioni shtetëror i skemës qeverisëse të ish-kryeministrit Fatos Nano.
Prej vitit 2005, kryeministri Berisha pati shansin e dytë të kapte trenin që vet kishte vonuar drejt BE-së.
Por, edhe në vitin e pestë në pushtet, me një mandat të fituar falë mashtrimit zgjedhor të 10 muajve më parë, Shqipëria vijon të jetë shteti problematik i Ballkanit Perëndimor, edhe më tutje më i varfëri i Europës dhe vendi ku qeveritarët kanë si mjet për mbajtjen e pushtetit krimin e organizuar dhe korrupsionin shtetëror.
Bosnja ka një histori tjetër dhe shumë të përgjakur, sepse në vitet 1992-1995 aty u bënë krimet më të pashembullta dhe më të pafalshme. Tre etnitë ende nuk janë paqtuar dhe myslimanët, kroatët e serbët mbahen bashkë nën tutelën e Komunitetit ndërkombëtar.
Kush ka qenë në Sarajevë apo Mostar e sheh mizorinë që tre etnitë derdhën ndaj njëra-tjetrës dhe sot ende nuk kanë paqe, siç e tregon edhe deklarimi i djeshëm i kryeministrit serb të Bosnjës, Millorad Dodik, se populli serb kurrë nuk do ta pranojë se masakra e Srebrenicës, ku u vranë 8 mijë myslimanë ishte genocid, ashtu siç e ka vlerësuar Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe Gjykata për Krime Lufte në Hagë. Bosnje-Hercegovina është një sfidë për Komunitetin Ndërkombëtar dhe Europa ka marrë përsipër riskun.
Fatkeqësisht duhet të llogarisë riskun e Shqipërisë, që është kthyer në vendin e shpresës së humbur për qindra mijëra të papunë, të cilët shohin te vendimi i Brukselit për liberalizmin e vizave, një dritë jeshile për të kërkuar punë dhe jetë më të mirë në vendet e BE-së, duke iu bashkuar mbi 1 milion emigrantëve që prej 20 viteve i janë larguar vendit të tyre që nuk bëhet.
Në Shqipëri, lidhja me Bosnjën është minimale. Një komunitet i vogël boshnjak i ngulur prej dekadash në Durrës, një ambasador shqiptar i emëruar para pak ditësh për herë të parë në Sarajevë.
Fatkeqësisht, lidhja më e fortë mes dy vendeve është ajo e krimit. Serbo-boshnjaku Damir Fazlliç është i famshëm në Shqipëri prej dy vitesh. Mik i kryeministrit Berisha, sekseri i afareve të pista në Sarajevë dhe Beograd, ka blerë dhe ka shitur prona publike në Shqipëri, është gdhirë milioner falë lidhjeve me familjen kryeministrore dhe vazhdon të shtojë milionat me tenderët e energjisë dhe të koncesioneve.
Ai është në Shqipëri fytyra aktuale e Bosnjës që është përpara Shqipërisë në përmbushjen e kritereve për liberalizmin e vizave, duke treguar për ironi të fatit, se shqiptarëve u është taksur një mafia edhe më e keqe, ajo në pushtet.