Fazlliç vazhdon të pastrojë pará, “Rudnap” vijon të blejë miliona euro firmat e tij pa asnjë aset

0
30

Nga TemA

Sekseri serbo-boshnjak i kryeministrit, Sali Berisha, Damir Fazlliç, del sërish në skenën shqiptare me një tjetër operacion të dyshimtë financiar.

Fazlliç ka shitur sërish një kompani të tijën, të zhytur në borxhe, te një kompani qipriote, me një shumë prej 1.25 milionë eurosh.

Edhe kësaj radhe, si në rastin kur Fazlliçi shiti kompaninë e tij “Crown Acquisitions” te një kompani qipriote, blerësit janë të kompanisë “Rudnap”, e cila blen energji në Shqipëri.

Kompania “Alpha” SHPK, e cila figuronte 100 për qind në pronësi të Fazlliçit, i është shitur shoqërisë “Irongold Services Limited” për 1 milion e 250 mijë euro. Transaksioni konfirmohet nga dokumentet zyrtare të QKR. Në kontratën e paraqitur në QKR, palët kanë deklaruar se nga çmimi total, shuma prej 950 mijë eurosh do të konsiderohet si kompensim për një hua që Fazlliç ka marrë nga shoqëria qipriote në vitin 2007, ndërsa pjesa tjetër do të paguhet në dorë. Dokumentet tregojnë së përfaqësuesi ligjor i shoqërisë “Irongold Services” në këtë transaksion është Aleksandër Sculiç, një shtetas serb nga Beogradi, që mban postin e drejtorit të Zhvillimit në kompaninë serbe, “Rudnap”.

Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bënë të ditur për Top Channel se “Alpha” ka qenë aktive vitet e fundit, por rezulton të jetë debitore me një detyrim të papaguar tatimor prej 1 milion lekësh.

Pastrimi i parave me shitjen e kompanisë “Crown Acquisitions”

Kompania e krijuar nga Fazlliç pak pas ardhjes në pushtet të demokratëve ka pasur për administrator kunatin e vetëm të Lul Bashës, Erion Isufin, deri më 4 qershor 2007.

Ajo mori NIPT-in për konsulencë tregtare dhe u regjistrua në tatime. Nga faksimilet që disponon gazeta, shihet se ajo nuk ka bërë asnjë aktivitet tregtar në Shqipëri deri në vitin 2007. Ka marrë rregullisht gjoba nga sistemi i tatimeve dhe nuk ka vrarë mendjen të shkojë të bëjë ndonjë deklarim atje.

Ndërkohë, në maj të vitit 2007, Damir Fazlliç vendos ta shesë këtë kompani te një kompani qipriote. Shuma është marramendëse, 1 milion e 750 mijë euro. Dhe kjo në një kohë kur kompania nuk ka asnjë kapital financiar dhe asnjë aset në formën e pasurive të paluajtshme. Shitja u krye zyrtarisht më datën 9 korrik 2007, me vendim gjykate, nr. 34011/2, të gjyqtares Majlinda Doga për llogari të një firme të regjistruar në Nikozia të Qipros, e cila quhet “Altaria Research Limited”.

Firma qipriote nuk solli ndonjë përfaqësues të sajin në Shqipëri, por autorizoi me një prokurë të posaçme avokaten Flutura Kola, bashkëpronare e studios “Kola& Malltezi”. Nga termat e kontratës del se firma “Crown Acquisitions” u shit për një vlerë prej 1 milion e 700 mijë eurosh, ndërsa në kontratë nuk përcaktohej asnjë aset i firmës.

Si lindi kompania “Alpha”

1 muaj pasi kishte bërë shitjen e rreme, më 10 shtator të vitit 2007, Fazlliç autorizoi me një prokurë të posaçme avokaten Joana Qeleshi, që të regjistronte në emër të tij firmën “Alpha”. Zonja Qeleshi në këtë periudhë ka punuar si avokate në studion “Kola&Associates”, në pronësi të avokates Flutura Kola. Madje, Damir Fazlliç zgjodhi si kontabiliste për firmën “Alpha” zonjën Shpresa Breçani, e cila është mbesa e kryeministrit Berisha dhe kushërirë e parë me juristen Argita Malltezi. Më tej akoma, gjithë përkthimet dhe përkthyeset mbajnë, ose mbiemrin Basha, ose Isufi, që janë përkatësisht mbiemrat e Lulzim Bashës dhe Xhaferr Isufit, vjehrrit të tij.

Pas të gjitha rasteve qëndron “Rudnap”

Superspekulanti Damir Fazlliç ka marrë realisht 1 milion e 750 mijë euro, jo për të shitur një kompani fantazmë, por për të marrë bakshishin e blerjes së energjisë nga firma serbe “Rudnap”. Sipas të dhënave që ka siguruar gazeta “TemA”, Aleksander Lupsiç është pronar i kompanisë “Rudnap” me qendër në Vjenë, në rrugën kryesore të saj, Kärntnerstraße.

I njëjti njeri, pra Aleksandër Lupsiç, është dhe pronar real i “Altaria Research Limited” në Qipro, që më 9 korrik ka blerë kompaninë “Crown Acquisitions” për shumën e 1 milion e 750 mijë eurove.

“Rudnap” e Fazlliçit mori 106 milionë euro nga arka e shtetit

Këtë e ka denoncuar opozita shqiptare para disa muajsh, duke paraqitur dhe dokumente autentike.

“Dua të risjell në vëmendjen e opinionit publik çështjen e trafikut të influencës, të konfliktit të interesave, të përfitimeve të paligjshme, të dhunimit të konkurrencës, pastrimit të parave, pasurimit abuziv, që ka në qendër 2 personazhe, Sali Berishën-kryeministër në detyrë dhe Damir Fazlliç, i shpallur nga ai pari, mik i tij i veçantë, me status zyrtar “biznesmen” dhe me status penal i “hetuar nga drejtësia”.

Përgjatë vitit që shkoi, ne provuam se kompania tregtare “Rudnap”, nën pronësi edhe të Damir Fazlliç, për vitin 2007 ka marrë nga paratë publike të energjisë 38.5 milionë euro.

Por tani kemi të dhëna të reja të bilancit të vitit 2008.

Kompania tregtare “Rudnap” ka marrë nga paratë e energjisë, për periudhën janar-shtator, 67.647.000 euro.

Ajo tashmë është kompania më e madhe përfituese e parave tona të energjisë. “Rudnap” për këtë periudhë ka marrë 46.45 % të parave tona publike të energjisë, pra deri në shtator 148 milionë euro. Kompania e dytë pas saj ka marrë vetëm 14%, dhe e treta, 12%.

Një vit më parë, në 2007, vit kur Sali Berisha e futi “Rudnap” në treg, mori vetëm 16%, pra vetëm 3 herë më pak se këtë vit, ndërsa në 2006, nuk ekzistonte fare në listë-pagesat e KESH. Në më pak se dy vjet, “Rudnap” ka marrë nga paratë tona publike, 106.189.000 euro”, – tha Braçe gjatë një konference për shtyp. Ende nuk dihet se sa pará na ka marrë kjo kompani për vitin që po lëmë pas, por është e sigurt se ajo do ketë përfituar ndjeshëm dhe transferta e fundit e tregon këtë gjë.