Faza komike e një regjimi

0
35


Mustafa Nano

Saliu me lupë mbi tabulateDje Berisha, tok me gruan e tij që i shkon gjithëherën nga pas si manare, shkoi në shtëpinë e Bekimes, e asaj vajzës, që qënka dhunuar nga demonstruesit, teksa ka qënë duke bërtitur “rroftë Sali Berisha” e futur mes tyre. Po pse i shkoi në shtëpi, përderisa e përmendi njëherë rastin e saj gjatë takimit në kryeministri? Shkoi, se ajo kish datëlindjen.

Do t’i shkojë prapë kur të fejohet; madje, ka rrezik që ta fejojnë shpejt e shpejt, në mënyrë që vizita e tretë në shtëpinë e saj të bëhet prapë sa “hekuri është i nxehtë”. Dhe prapë do të përmendë dhunën e demonstruesve të ushtruar mbi këtë vajzë të re. Demonstruesit e kanë parë mes tyre, që ka ngritur dy gishtat lart, e ka thirrur “rroftë Sali Berisha”, dhe si budallenj që janë, e kanë marrë për provokatore. Mirëpo, ajo s’është provokatore; ajo ka qënë në drejtën e saj për t’u shprehur politikisht, gjë që ia garanton kushtetuta.

Po pse atje mes puçistëve?, do thoni ju. Është punë e saj, se ku e ngre zërin. A mos vallë ka ndonjë përcaktim kushtetues, që thotë se “nuk mund të bësh tifo për kryeministrin mes atyre që kryeministrin s’e shohin dot me sy”? Nuk ka. Prandaj, ajo është thjesht viktimë e dhunës së puçist-ëve. Po të ish Saliu në Presidencë, Bekimja do ish shpallur tanimë një heroinë e demokracisë. Por s’është. Në presidencë është një puçist tjetër, që s’di të pikasë viktima të tilla heroike, ashtu si nuk diti të pikasë në datën 21 dhunën e ushtruar mbi gardistët e policët.

Nuk ka qënë ky i vetmi moment komik i këtyre ditëve. Edhe dekorimi i atij gardistit që ngriti flamurin e hedhur për tokë ishte komik sa të duash. Ka shumë gjasa që atë skenë ta ketë porositur vetë Berisha përpara se të fillonte demonstrimi; dua të them se nuk është çudi që të ketë futur ndonjë demokratikas në radhët e demonstruesve, i cili të ketë patur për detyrë të flakte flamurin mu tek këmbët e atij policit me emrin Amarildo apo Aramildo, i cili nga ana e vet do duhej ta ngrinte e ta fuste në gji. E di, ndonjë prej jush mund ta marrë këtë për ndonjë paranojë timen; dhe unë nuk është se kam fakte, që t’ua mbush mëndjen; i vetmi fakt që di t’ju jap, është se Berisha nuk di të bëjë gjë tjetër, veçse provokime; madje, sa herë që është në ditë të vështira, provokimet i marrin formën e karagjoslliqeve të përkryera.

Sa më sipër më erdhën në mendje, menjëherë sapo lexova në site-in e Top-channel-it lajmin komik që vijon: “Komisioni hetimor parlamentar që po heton ngjarjet e 21 janarit ka vendosur të kërkojë edhe tabulatet telefonike të disa gazetarëve të mediave në vend. Në këtë listë përfshihen Filip Çakuli, Sokol Balla, Andi Bushati dhe Mero Baze”. E dini? Megjithëse e di motivimin idiotik të vendimit për të hetuar tabulatet telefonike të kolegëve të mij, më erdhi pak inat me faktin që emri im s’figuronte në këtë listë. Pse dreqin? Pse nuk jam dhe unë aty?

Kaq shumë më shpërfill Berisha, vallë? Kaq pak vlej, sa të mos kem hak dhe armiqësinë e Berishës? Jam i zemëruar me Berishën, ta dijë! Teksa shoh, që po zgjerohet rrethi i puçistëve, më vjen të plas nga inati që unë mbetem jashtë këtij rrethi. Të lutem, Berisha, të përgjërohem, më fut dhe mua! Ndihem i koritur, që më ke lënë jashtë. Më ke fëlliqur me këtë akt. Kam gjithë jetën që bëj çmos ta meritoj statusin e titullin e puçistit, ndërsa ti nuk më ke llogaritur. Të lutem, Berisha, më fut dhe mua në listë! Nuk të kushton asgjë ta bësh këtë.

Apo mua më konsideron njimend të padenjë për t’më futur në grupin e gazetarëve puçistë? Çfarë duhet të bëj tjetër për të fituar vëmendjen tënde? Apo mendon se unë nuk kam bërë telefonata? Epo ja, ku po ta them se kam folur shpesh në telefon me disa prej njerëzve, që ke zgjedhur për t’ua futur në sitë telefonatat. Ta dish, se telefonata kam patur veç me puçistë, e nuk kam asnjë telefonatë me anti-puçistë, si fjala vjen me Bashën, Alibeajn, Olldashin, Rulin, Imamin, Metën, Pollon, Patozin, Halimin, apo me policë, apo me gardistë, apo me gjeneralë, etj. Hë, u binde tani? Futmë dhe mua, Berisha! O Zot, do plas nga zilia për Filipin, Sokolin, Andin dhe Meron! Si lum ata!

Shënim 1: Mero Baze, menjëherë pas lajmit, më shkruante një sms, ku më thosh: “Në kontratën time me kompaninë Vodafone, ka një pikë, ku shkruhet që në tabulatet e bisedave të mia nuk duhet të përfshihen thirrjet. Kam dashur të ruhem nga gruaja. Dhe s’do mend që, atë që s’ia lejoj gruas sime ta shohë, s’mund t’ia lejoj gruas së Saliut. Nuk do shkonte kjo punë”.