Fatos Lubonja …i luftës me gojë e me shkrim

0
68

Ben Andoni

E shikon kudo të keqen. Padrejtësinë! Shqipëria e shekullit XXI është larg shinave të qytetërimeve normale, sipas Fatosdownload (10) Lubonjës. Për t’i shkundur bashkatdhetarët, nuk ka pushtet. Nuk ka fuqi pushteti dhe as tagër. Por ka gojën dhe shkrimin, që i përdor, sipas tij, për të ndriçuar të vërtetën. Atë që e identifikon me etikën reale…

Një panel televiziv. Një mizanskenë e thjeshtë, tipike e ekraneve shqiptare, kopje të varfra të Tv italian. Butaforia më e përkorë. Në fokus ai. Dikush ka shprehur një mendim. Fatos Lubonja zhvendos karrigen. Mblidhet. Kokës i jep një prirje 45-gradëshe dhe e këqyr qartë “prenë” e tij. Fillon lehtë. Por, kur “preja” reagon, atëherë një rrëke fjalësh-argumente idhnake derdhen në eterin e studios. Imazhi i Lubonjës është i pamëdyshtë në këtë hulli dhe stereotip i njohur. Debaton. Debaton. Dhe, vazhdimisht përpiqet të kalojë në regjistra të tjerë. Shpesh e ngre zërin jo aq të plotë, ndërkohë që në kokë duhet t’i vijë sinjali se duhet të ndalet.

Po. Mbase ka ardhur çasti të ndalet. Shenjës së moderatorit i përgjigjet vringthi, që e kupton, anipse instinktivisht duhet të ndalë impulset e veta. Pastaj, gjestikulacione për ta lehtësuar mendimin dhe për t’i dhënë jetë. Kur përballë, dhe nuk kanë qenë e rrallë, ka ndonjë të paedukuar nuk e vazhdon më. Ngul sytë pakuptim në pakuptimësi. Çdokush mund ta quante frikë këtë moment, por në fakt, s’është asfare frikë. Është pamundësi. Pasi e keqja që rrjedh nga të gjitha anët e ka tronditur. Shenja e kinse zbutjes është heshtja. Fenomeni i tij “i pamundësisë” i ngjan disi imazhit të Providencës përballë Don Zhuanit. Nuk ke më rrugë! Jo, do vazhdoj.

Etika e të folurës troç

“Përpiqem të merrem me fenomenin që i intereson publikut dhe jo me personat që e manifestojnë atë. Bruti, përpara se të vrasë Cezarin, thotë: Ah, sikur të mund t’i hiqnim trupit (të Cezarit) frymën e tiranisë që duam të vrasim. Kjo nuk është punë e lehtë, madje ndoshta e pamundur. Pa dyshim kam gabuar, edhe në gjykime e vlerësime, por pse ashtu kam menduar apo gjykuar në momentin kur jam shprehur, jo pse jam nisur nga ideja që t’i shërbej ndonjë të treti apo padroni, përveçse publikut”, na shpjegon në një prononcim të vetin.

Dakord. Por, s’ka kohë. Dihet se pak orë më vonë opinioni shqiptar do përcjellë një lajm tjetër. Çka do të thotë një tjetër fushëbetejë. Dhe, si gjithmonë, kudo të ndodhet, reagimi i tij nuk do vonojë. Shpesh në një linjë krejt tjetër nga çfarë percepton publiku shqiptar, ajo i ka bërë anëtarët e blogjeve të ngrenë male fjalësh të këqija kundër. Së fundi, “i tronditi” të ashtuquajturit patriotë shqiptarë, kur e shpjegoi thjesht dhe publikisht opinionin e tij.

“Nuk jam patriot, as nacionalist. Edhe kur e dëgjoj Himnin nuk ngrihem në këmbë dhe as që më bën përshtypje. Bile të gjitha himnet e vendeve tjera thirren mbi ideologjitë që bënin krime e vrisnin njerëz nën thirrjet e nacionalizimit. Njëjtë veproi Stalini, Hitleri e Enver Hoxha”, ka thënë Lubonja në emisionin “Opinion”. Shumë e lidhin këtë qëndrim të tij me një përpjekje të sforcuar identiteti. Në fakt, Lubonja ka kohë që e bën rrugën e tij thjesht sipas asaj që mendon vetë. Tek e fundit, ka kuptuar një gjë esenciale që shumë nga shqiptarët nuk e perceptojnë si duhet. Në këtë botë, ku jetojmë, paçka strukturës së mendimeve që kemi, të gjithë jemi provizorë.

Etika e bën t’i thotë gjërat hapur dhe thjeshtë, për të mos e rënduar veten. “E thashë, shpëtova shpirtin tim.” A dëmton njeri? Një grup njerëzish, që sot janë bajagi të shumtë, i kundërvihen me pretendimin e vazhdueshëm se mendimet e tij të lodhin dhe shprehja e vet për çdo lloj problemi të ngjall krupë. Në këtë masë, por në një drejtim tjetër, janë njerëzit që e admirojnë. Për thellësinë e mendimit, por më shumë akoma qartësinë për t’i thënë gjërat fare shkurt. Shkoqur. Po dreqin, pse duhet të zgjatesh për gjëra që njerëzit e dinë mirë se janë thjeshtë për t’u shprehur?! Në organin e tij të përtremuajshëm (në fakt, tani botohet si t’i vijë atij në mëndje, me argumentin ngushëllues: s’ka para) “Përpjekja”, që u ideua si një frymë e re e mendimit intelektual shqiptar, fillimisht u shqyrtua Kadare në një grafi të ashpër dhe pak javë më parë rrufetë “ranë” mbi Skënderbeun.

Legjenda shqiptare e patriotizmit dhe nacionalizmit kaloi në sitën e një grupi specialistësh historie, studiuesish dhe figurash të tjerë, që u duk sikur e ulën nga ekuestri historik i memories kolektive shqiptare. “Nuk më bën përshtypje një përmendore e njeriut mbi kalë. Për mua është parësore që shqiptari të jetë një qytetar i ndershëm që punon mirë, dhe një aktivist i të drejtave të njeriut”, iu gjegj ai njerëzve që e pyetën në kohën që diskutohej për figurën e Skënderbeut. Ai e di se çfarë u thanë nga pas. Ofendime. Klithma patetike. Tashmë është mësuar bajagi.

E vërteta dhe etika

Ndaj, nuk ndalet më. Në debatet e tij, ku argumentet politikë zënë më shumë vend kohët e fundit, Shqipëria vuan shumë prej politikanëve të dy anëve. Edi Rama, ish-shoku i tij viteve të parë të Demokracisë, nuk është larg arsyetimit dhe veprimeve të kryeministrit Berisha. Të dy në peshoren e tij, rëndojnë njësoj. I ashpër me ta deri në revoltë, ai nuk i duron, por shpall se që gjërat të funksionojnë në vend duhet të vendoset shteti i të drejtës dhe sundimi i ligjit. E pastaj menjëherë i identifikon më qartë fajtorët: Kjo klasë politike nga të dyja anët. Po. Nga të dyja anët është njësoj. Dhe, media si zgjatim shpesh i politikës është njësoj fajtore. Edhe pse i përket të njëjtit grupim, ai nuk mëton të ndahet me të e të shpallë: kjo media gjithnjë e më tepër është e papërgjegjshme.

Me një tërësi gjestikulacionesh, që vetëm i ka shtuar në vitet e fundit, shton: E vërteta nuk fshihet, ashtu si bën media shqiptare. Nuk modifikohet. Nuk tjetërsohet. Shpesh mund të frenohet dhe me vështirësi të futet diku për t’u mbajtur në harresë. Edhe këtu etika e Lubonjës nuk fal. “Armiku” brenda tij ngre krye dhe tashmë kërkon identitetin e munguar. Kërkon mikun e vet. Është e këndshme ta dëgjosh me prononcimin direkt të tij: “Problemin më të madh, përsa i përket etikës së medias shqiptare, e shoh në raportin e saj me të vërtetën.

D.m.th., duke iu referuar një prej porosive që më pëlqen më shumë në ‘Dekalogun e gazetarit’ të Adam Michnikut, asaj: ‘Adhuro vetëm një Zot, të vërtetën, përndryshe do të ndëshkohesh … me mosbesim.”, do të thosha se media jonë vuan ose më mirë është e ndëshkuar me mosbesim, për shkak se ajo nuk adhuron të Vërtetën, por Zota të tjerë, që lidhen me ‘Zotat’ e rremë të padronëve të medias, (publikun që ka padron Kryeministrin dhe private që kanë shumë padronë), kryesisht me Zotat pushtet dhe para. Kjo çon te gënjeshtra dhe manipulimi. Shkeljet e tjera të etikës, që nënkupton pyetja juaj – nëse jam kuptuar drejt e keni fjalën për fenomene të tilla si fyerjet, shpifjet, shkelja e privatësisë etj., ato i shoh si shoqëruese të dorës së dytë, jo rrallë në shërbim të të parave, nganjëherë edhe jo – por gjithsesi të lidhura me një emërues të përbashkët: mungesën e personalitetit të shumicës dërrmuese të gazetarëve në mediat tona.”

Si e shikojnë

Fatos Lubonja është njeriu më i përfolur shqiptar i Shoqërisë Civile. Dhe, mali i nëmave, ofendimeve, keqkuptimeve dhe më pak fjalëve të arsyeshme, që derdhen mbi të, mund ta bënin të mendonin këdo se kishin përballë një demon. Edi Rama arriti dhe e identifikoi në grafikat e rrugës si një të tillë demon, nga mllefi i madh për të. Që atëherë re zemërimi rrinë mbi të dy miqtë që nuk rrinë pa iu përveshur njëri-tjetrit, kudo që të ndodhen. Këtë situatë ‘e ndreqin’ blog-man. “Ai flet sikur të ishte jashtoksor, thot se si jep Hymni i Flamurit Shqiptar as një lloj ndjësie, të shkosh të marësh jevgjit e shqipris, dhe ti çosh në një stadjum ku luan shqipria me dikë tjetër, edhe atyre do tju krijonte një emocjon sikur të shënohej një gol për flamurin që i përfaqson!” Me një shqipe katastrofë, ata e identifikojnë me të gjithë të keqen në vend. Një tjetër është edhe më i ashpër: “Pastaj, thotë edhe se Skënderbeu ësht simbol i dhunës, totalisht në të kundërtën e realitetit, sepse ai ka qen mburoj e dhunës, dhe nuk i ka len të tjerët që ta dhunojn shqiprin dhe shqiptarët për një gjysëm shekulli!”.

Vetëm çerek, o njeri. Po ç’t’u thuash? Sa shumë janë, kundër. Ashtu të parregulluara, shkruara me ngut, sikur diçka u ikën, kujtojnë se me këto sintaksa gjysmake, ia përveshin opinionistit guximtar. A gabon? Shpesh, mbase. Në lumin e fjalëve, fushave pa fund të betejës që i hap si një Don Kishot modern, i duhet të luftojë në të njëjtën kohë në disa vende njëherazi. Shumë herë i ngatërruar dhe me veten e vet. Kohë më parë, kur në disa qarqe nuk e aprovonin zgjedhjen e tij si kryetar i Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar, shpesh edhe duke e dëmtuar, ai do të rrëfente pa ia kërkuar dhe krejt pa takt edhe shumë prej ndodhive të jetës së tij. Madje, duke rrëshqitur pakëz. Në njërën syresh do rrëfente sesi Berisha ka pranuar vërtet gabimin për krijimin e firmave piramidale dhe trazirat e vitit 1997!!

Veprim asnjëherë i ndodhur, për të mos u thënë dhe i marrë me mënd. Kjo është drejtësia alla-Lubonja, që në mënyrën sesi dëftohet, duket se ia vlen të thuash gjithçka. Mjafton ta ndiesh. Po ai? Beson se ia vlen të flasë hapur. Zoti Lubonja! Po për drejtësinë, çfarë mendimi keni? Pse nuk luftohet më mirë korrupsioni?-e pyeste VOA, kohë më parë.- “Sa kohë që njëra palë synon që përmes pushtetit të vet të kontrollojë drejtësinë, atëherë nuk është drejtësia që të jep garancinë që je i barabartë para ligjit, por ndihesh i kërcënuar. Ja si thotë opozita: nuk e heq imunitetin lehtë, sepse nuk e ka pushtetin drejtësia, por e ka qeveria dhe e shpërdoron.

Po ashtu edhe dosjet e sigurimit nuk janë hapur asnjëherë, sepse gjithmonë ka sunduar mendësia se ai që merr pushtetin hap dosjen e atij që ka rival. Po kështu edhe lufta kundër korrupsionit bëhet selektive, pra akuzohet ai që është kundërshtari dhe jo gjithkush që bën korrupsion. Mungon sundimi i drejtësisë dhe duke ardhur sundimi i atij që fiton zgjedhjet vijmë në këto situata që në fund të fundit çojnë në failed state, pra në shtete të dështuara. Ky është thelbi i problemit që ka Shqipëria; palët këtu nuk kanë arritur dot akoma që të vendosin shtetin e të drejtës, dhe kjo ka krijuar në mënyrë ciklike situata të vështira që vijnë duke u rënduar.”

* * *

Nëse do të përsërisnim një konvencion, atëherë: Etika mund të përcaktohet edhe si një kërkim i një o më shumë kritereve që i lejojnë individit përshtatjen e lirisë së tij me atë të të tjerëve. Por, a mundet që Lubonja të përshtatet me mendimin e shqiptarëve të tjerë? Harroje këtë! Kur pak vite më parë do të zbulonte debatin e një gjuhëtari italian me ikonën e shkencës shqiptare, Prof. Çabejin, ai do të tregonte hapur se e pranonte me qejf tunikën e antishqiptarit, në kuptimin mirëfilli që kanë shqiptarët, për këtë përcaktim. Për ta cytur dhe më shumë debatin e figurës së tij, i dha një dërrmë dhe ikonës së vërtetë shpirtërore të shqiptarëve, Nënë Terezës, gruas që shqiptarët në të vërtetë ia mohuan për dekada të tëra ardhjen në vend.

Arsyetimi ishte i qartë dhe bash i hidhur: “Nuk e përfaqëson popullin shqiptar, pasi njeriu është produkt i kulturës, një sistemi vlerash, besimi dhe traditash, që në rastin e Nënë Terezës nuk kanë të bëjnë aspak me vlerat, traditën dhe besimin e popullit shqiptar”. Fjali e hidhur, por bash e saktë, për atë që shqiptarët vërtet perceptohen dhe janë. Dhe, më shumë akoma, një shkundje e atyre kinseve, që e mbanin me kinse figurën e shenjtores.

*Marrë nga revista online Medi@Link e Institutit shqiptar të Medias. Titulli është i MAPO-s. Titulli i autorit: Lufta “e pambarimtë” e Lubonjës