Politikë NGA JAKIN MARENA, 17 Mars 2013
TIRANE – Ish-kreu i SHISH Fatos Klosi në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” thotë se përgjimet e opozitës s’janë gjë e re, ndërsa i cilëson shërbimet sekrete jashtë kontrollit.
Një incident i rëndë ka ndodhur tek banesa e ish-Presidentit, aktualisht kreut të FRD Bamir Topi, teksa një helikopter ushtarak ka qenë sipër banesës së tij e ku shprehet dyshimi se është vënë nën përgjim. Si e vlerësoni këtë fakt, 100 ditë para zgjedhjeve?
Ngjarja është shumë e rëndë pasi ajo është thjeshtë një tentativë për të ndjellë frikë te familjarët e ish-Presidentit dhe te fqinjët e tij, për t’u treguar atyre se “qeveria ka dhe mjete të tilla, që dhe mund t’i përdorë, prandaj…”.
Nuk besoj se është një përpjekje për të përgjuar, ata e dinin mirë se ish-Presidenti nuk ishte në shtëpi dhe nga ana tjetër për ta bërë këtë s’kanë nevojë për helikopterë, ka sot mjete shumë efikase dhe shumë më pak të zhurmshme se helikopteri.
PS akuzon për survejim e vënie nën përgjim. Sa rrezikshmëri paraqet një gjë e tillë?
Që opozita përgjohet kjo s’vihet më në dyshim, dhe fakti që në këtë lojë është futur dhe SHIU dhe kjo s’do shumë mënd. Kundërshtimi për të dhënë llogari për këtë aspekt nga Ministria e Mbrojtjes është shumë domethënëse.
Teknologjia e sotme e bën shumë të thjeshtë këtë aktivitet të paligjshëm, që drejtuesit e sotëm e kanë shumë përzemër. Ata gjithmonë kanë parapëlqyer një shtet policor, që di gjithçka për “armiqtë”. Formimin bazë andej e kemi, ku “armiqtë” ishin kudo.
Dua vetëm të kujtoj se më 1997, kur përgjimet e telefonave ishin shumë më të vështira teknikisht, ne gjetëm të lidhur për përgjim disa telefona të deputetëve të opozitës, me siguri ishin një pjesë e vogël e atyre që përgjoheshin por që ishin harruar e nuk ishin zgjidhur.
Implikimi i Ministrisë së Mbrojtjes në këto afera është e rrezikshme, pasi demonstron se pushtetarët e ndjejnë vetën shumë të sigurt, aq sa i lejojnë vetes dhe çudira të tilla. Duket që programimi i këtij aktiviteti është bërë që atëherë kur akoma nuk e kontrollonin plotësisht SHISH-in.
Shërbimet inteligjente SHISH dhe SHIU i Ministrisë së Mbrojtjes kanë rrefuzuar kontrollin parlamentar, madje dhe ligjin e përmirësuar për kontrollin parlamentar. Komenti juaj?
Komenti im është shumë i thjeshtë, një kontroll refuzohet në dy raste: ose kur nuk bën asgjë dhe nuk ke ç’të tregosh ose kur veprimtaria është e paligjshme dhe ke frikë ta tregosh. Besoj se kemi të bëjmë me rastin e dytë, dhe s’ka kuptim të pretendosh prova të tjera për paligjshmërinë.
Para parlamentarëve, shërbimet duhet të ruajnë burimet, të tjerat, me se merren dhe si merren e kanë detyrim se financohen prej tyre. Nëqoftëse nuk pranohet kontrolli, kjo duhet konsideruar që shërbimet i kanë dalë dore vendit, e mund të themi se me lekët e popullit po punojnë kundra popullit (sigurisht nuk e ngatërroj popullin me qeverinë).
Sa mundësi reale ka SHISH dhe SHIU për të përgjuar opozitën në këtë prag fushate dhe cili është dëmi që mund të shkaktojë?
Mundësitë teknikisht janë të pakufishme, por tani në fushatë gjërat thuhen më hapur se kurrë, tani s’ka më gjë për të fshehur prandaj nuk e quaj se mund të bëhet ndonjë dëm i madh. Megjithatë është një parametër shumë i shëmtuar i “shtetit demokratik” dhe për këtë populli në fund të fushatës duhet t’i dënojë.
Ndërkombëtarët, përfshi CIA-n por dhe shërbimi sekret britanik kanë bërë publik faktin se kjo fushatë do jetë shumë e vështirë, për më tepër nëse vijon kështu, pas zgjedhjeve priten ngjarje më të rënda se ato pas vitit 2009. Mund të parandalohet një gjë e tillë nga opozita por dhe nga ndërkombëtarët?
Fushata ka nisur dhe do të jetë e vështirë për opozitën, sepse po përplaset dhe do të përplaset me një shtet policor, që kërkon të mos japë llogari në popull. Opozita nuk mund të vazhdohet të akuzohet për “thika me helm, për pistoleta-stilolapsa apo pushkë-çadra”. Nuk është e interesuar opozita për ta rënduar situatën e konfliktit, pasi ajo pret të fitojë atë që meriton.
Trazirat i nxisin ata që kanë frikë se po humbin atë që s’e meritojnë. Në qoftë se miqtë tanë parashikojnë ngjarje të rënda duhet të tregohen më të kujdesshëm se herët e tjera, që para zgjedhjeve dhe ta lënë gjuhën diplomatike, kur e dikërkan se terreni është i mbarsur me luftë, gjë që dhe vetë e pohojnë.
Thuhet që Berisha e ka të vështirë të largohet nga pushteti, duke rrezikuar përsëritjen e vitit 1997. Cila mendoni se do ishte zgjidhja më e mirë për të evituar këtë rikthim në kaos të vendit?
E mira do të kish qenë që të shkonim në zgjedhje me një Qeveri tjetër, më përfaqësuese, me detyrën për të organizuar zgjedhjet. Megjithatë tani s’ka më kohë për të bërë hapa të tillë, tani një gjë e thjeshtë e shpëton këtë vend, që populli ta ketë kuptuar se si kanë lozur me të qeveritarët dhe të votojë mbi 70% për ndryshimin e madh që pritet.
Dhe e fundit, Zv. Ministrja e Mbrojtjes, Arta Musaraj rezulton të jetë e padëshirueshme për SHBA, për mashtrime me dokumente. Sa e rëndon imazhin e shtetit shqiptar, si vend anëtar i NATO-s një fakt i tillë?
Mendoj se e rëndon shumë, se tregon se sa të papërgjegjshëm janë funksionarët e lartë të këtij shteti. Nuk e kuptoj se si ka besuar kjo zonjë që amerikanët nuk do t’i verifikonin dokumentet e saj?
Gënjehen të gjithë ata pushtetarë që mendojnë se do të trajtohen ndryshe nga të tjerët. Amerika prandaj mbahet si kampion i demokracisë se dhe të mëdhenjtë e saj i trajton si të gjithë të tjerët, e jo më “të mëdhenjtë” e një vendi që është bërë “për të të ardhur keq”.
Shkrimi u botua sot në Gazetën Shqiptarja.com (print)17.03.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)