Nga Eduard Zaloshnja, 17 tetor 2012
Kur bebeja Sali i Berishajve të Vuçidolit lëshoi klithmën e parë në këtë botë, dy gjyshërit e Fatmir Lamajt po luftonin dhëmbë për dhëmbë me forcat komuniste në Labëri. Ndërkohë, babai i bebushit Sali mirëpriste ardhjen e komunistëve në pushtet dhe, eventualisht, e dërgoi të djaloshin Sali me një valixhe druri në Tiranë, për të filluar ngjitjen meteorike në karrierën mjekësore dhe në aktivitetin në radhët e Partisë së Punës.
Kur Sali Berisha voziste me varkë në Drilon të Pogradecit me të birin e Enver Hoxhës, dy gjyshërit e Fatmir Lamajt kishin vite që u ishin kalbur eshtrat, pas pushkatimit nga partia e babait të shokut vozitës të Sali Berishës (ku ky i fundit militonte) dhe, ndërkohë, rreth 100 vjet burg politik ishin akumuluar në fisin Lamaj.
Kur Sali Berisha dëshmonte në gjyqin kundër heroit anti-komunist Hysen Shoshori, Fatmir Lamaj u arrestua, për t’i shtuar edhe një dekadë tjetër shekullit të burgut politik të akumuluar nga fisi i tij. Dhe kur Sali Berisha kujdesej për shëndetin e Hysni Kapos, Fatmir Lamaj torturohej çnjerëzisht në birucat e burgjeve të labit Kapo.
Në vitin 1991, rrugët e jetës së Saliut dhe Fatmirit u takuan në Vlorë. Saliu, pasi ishte larguar nga partia e babait të shokut të tij të vozitjeve në Drilon, kishte dalë në krye të Partisë Demokratike dhe, gjatë fushatës zgjedhore të atij viti, e takoi Fatmirin e sapoliruar nga burgu. Që prej atij viti e deri në 2009-ën, Fatmiri votoi rregullisht për Partinë Demokratike, sepse, nga shtrëngimi i dorës që kishte bërë me ish-komunistin Berisha, kishte krijuar një bindje të brendshme se ishte penduar sinqerisht për militimin në partinë që i kishte shkatërruar jetën atij dhe gjithë fisit të tij.
Madje, në vitin 2004, një fotografi e madhe e Fatmirit të përgjakur gjatë një protestë kundër qeverisë Nano, ishte përbri një editoriali të Sali Berishës në gazetën Rilindja Demokratike, ku ky i fundit argumentonte se përse duhej bërë një dëmshpërblim i menjëhershëm e i plotë i martirëve si Fatmir Lamaj.
Thyerja e Fatmirit me Saliun ndodhi pas zgjedhjeve të 2009-ës, kur sorrollatjet për të marrë këstet e dëmshpërblimit të premtuar nga Saliu para zgjedhjeve, e bindën më së fundi se atij i interesonte vetëm vota e të burgosurve politikë dhe jo dëmshpërblimi dinjitoz i tyre. Dhe kur mori vesh se bashkëvuajtësit e tij ishin futur në grevë urie në Tiranë, Fatmiri hipi në një furgon dhe shkoi e u ngujua edhe ai me ta.
Dhe vijmë kështu tek dita e pardjeshme. Pardje, Saliu festoi me familjarët e tij datëlindjen, ndërsa Fatmirit i kishin ardhur familjarët ta vizitonin, por grupi policor i drejtuar nga një tropojan besnik i Saliut, nuk i lejoi të futeshin në çadrën e grevës… Saliu gëzon shëndet të plotë, ndërsa Fatmirin deshin ta dërgonin mjekët në spital, por ai refuzoi të dilte nga greva…
Dhe ironia nuk mbaron me kaq. Në ditën kur Fatmiri u deklaroi mjekëve se do të vetëflijohej, Saliu u deklaroi deputetëve të tij, me rastin e datëlindjes së vet, se do të jetojë edhe 34 vjet të tjera dhe se do të qeverisë edhe kaq vjet sa ka qeverisur… Dhe kjo deklaratë e Saliut na çon 10 mijë kilometra në jug të Shqipërisë, ku 88-vjeçari i rrjedhur nga trutë Mugabe po garon për t’u rizgjedhur për të n-tën herë president i Zimbabves…
Shënim: Në foton shoqëruese, Fatmir Lamaj është në qendër.